Kulturë
Ryzhdi Baloku: Dollapët e Tophanes
E merkure, 04.07.2012, 06:18 PM
DOLLAPËT
E TOPHANES
Nga: Ryzhdi Baloku
Peja si
vendbanim njihej që nga antika, me një histori të gjatë e të bujshme u ngrit
dhe u urbanizua në fushën pjellore, përgjatë rrjedhës së lumit, në një peizazh
me bukuri të rrallë, jo shumë larg ujëvarës piktoreske ku buron Drini i bardhë,
lumi më i madh i Kosovës.
Këndej
dhe nëpër këtë qytet kaluan shumë pushtues. U pushtua e u ripushtua, u ndërtua
e u rindërtua shumë herë gjatë periudhave të kaluara historike.
Në të kaluarën,
Peja u zhvendos në drejtim të grykës së Rugovës, aty ku Lumëbardhi si një perlë
me ujin e cemtë rrjedh me vrull duke u përplasur ijëve të kanjonit shkëmbor në shtratin
që gjarpëron përbri rrugës e cila shtrihet në prehrin e bjeshkëve të Alpeve
shqiptare, shkrepat e të cilave ia japin këtij peizazhi një pamje madhështore të
një mrekullie magjepse që ngjall kënaqësi me bukurinë e saj të rrallë.
Në periudhën
e sundimit të
Asokohe,
në qendër të saj, në Shyster mëhallë u ndërtua xhamia me shatërvan, ndërsa përreth
këtij objekti fetar u ngritën dyqanet zejtare e tregtare me rrugë kalldrëmi që e
karakterizojnë këtë kaza për traditë në punët artizanale. Aty pranë u ngrit edhe
“Hani” si godinë bujtine në shërbim të tyxharëve e vizitorëve që vinin, ku
kishin mundësi edhe për ta kaluar natën.
Projektimi
i xhamisë me disa veçori karakteristike arkitekturale dhe ndërtimi i saj në Çarshi
të Gjatë me gurët e gdhendur, që u morën nga rrënoja e kishës së kamotshme
shqiptare të lënë pas dore, ndërtimi i medresesë dhe kullës së Pashës, u ngritën
si margaritarë në tërësinë e stolive të arkitekturës së trashëguar autoktone. Duke
u harmonizuar me tiparet orientale të kohës, i dhanë Pejës një pamje urbane me
bukuri mahnitëse.
Përgjatë rrugëve
veçonte vargu i modelit klasik të fenerëve me vajguri, të cilët qëndronin të varur
nëpër shtyllat elegante si shandanë i koleksionit të një dekori oriental. Natën
me dritën e flakës fenerët ndriçonin ambientin përreth duke i dhënë një pamje përrallore
që ofronte një ndjenjë kënaqësie për syrin dhe shpirtin.
Jo larg
Kalasë në afërsi të xhamisë, Haxhi Beu investoi në ndërtimin e hamamit luksoz për
shërbime publike të banjës, ndaras për të dy gjinitë, me ambiente të mjediseve
për djersitje, masazh dhe larje.
Pas
shembjes së xhamisë së afërt, u ngrit tjetra më pranë këtij objekti me shumicën
e të njëjtit material ndërtues, më ç’rast në mes tyre u krijua lidhshmëria në harmoni
me arkitekturën dhe ambientin e kompleksit, duke krijuar pamje atraktive për
vizitorët.
Përgjatë Tophanes
shtrihej jazi. Uji i tij merrej nga Lumëbardhi ku së pari shfrytëzohej si
energji për vënien në lëvizje të dollapëve që shërbenin si pajisje zejtarie, e
pastaj për ujitje duke u shtrirë me rrjedhje kah fushat pjellore.
Me rrjedhën
e vet jazi u jepte jetë dollapëve prej druri, që shërbenin për përpunimin e lëkurave
dhe e gjallëronte këtë vend me punën e zejtarëve tabakë.
Edhe atëherë
kur pas punës tabakët në mbrëmje shkonin nëpër shtëpitë e veta dhe njerëzimi
binte në gjumë, ngjante që dollapët të punonin pa ndërprerë, duke u rrotulluar
e rrapëlluar tërë natën.
Gjatë ditës,
kalimtarët kureshtarë ndalonin aty për t’i shikuar sesi rrotulloheshin dollapët
nga presioni i ujit që vepronte mbi lopatat e tyre që me lëvizje të njëtrajtshme
njëra pas tjetrës hipnin e zbritnin pa ndalë.
Dollapët
ishin një lloj lavatriqesh për larjen e lëkurave të kafshëve. Brenda tyre, duke
u valëvitur e përplasur, laheshin e shpërlaheshin e pastaj i nënshtroheshin
proceseve të mëtutjeshme përpunuese të produktit, si lëndë e parë në prodhimtarinë
e veshmbathjes.
Të renditura
njëra pas tjetrës, me kërcitje e rrapëllima, më ritëm e takte të caktuara, përkujtonin
orkestrimin e marshimit me tupanë gjatë parakalimit të karvanit me ushtarë.
Rreth këtyre
dollapëve banorët e kësaj treve thurnin proverba. Për kuptimin e jetës, me
alegori shpeshherë thuhej: “Dynjaja është dollap-dollap”, kësaj thënieje i
shtohej mendimi: “Sevap është me i pa sesi sillen e rrotullohen dollapët në Tophane”.
Kjo frazë ndonjëherë plotësohej edhe me fjalë të urta: “Çdo përpjetës e ka
teposhtën”, ose: “Qysh hip, ashtu edhe zbret”, pastaj: “Mos ia bën atë që nuk dëshiron
të ta bëjë tjetri ty, sepse të gjitha kthehen në këtë dynja duke u rrotulluar
si dollapët e Tophanes”. Thuhej, gjithashtu, se: Koria është një simptomë që nuk
ç’kapet lehtë nga ndërgjegjja njerëzore, ajo e ndjek njeriun si hija e mëngjesit,
e cila sillet në rreth gjatë tërë kohës duke u afruar gjithnjë e më shumë. Por,
nëse është e rëndë, ajo njeriun e përcjell edhe pas vdekjes, në mbamendjen e
kolektivitetit.
Për banorët
e këtij vendi, dollapët e Tophanes ishin metaforë e krajatave të individit në batica
e zbatica, në ngritje e zbritje, ndrydhje e shtrydhje, lehtësira e vështirësi
dhe përjetime tjera jetësore.
Derisa
tyxharët dhe zejtarët e ndryshëm i kryenin ritet fetare në xhaminë e Shatërvanit
në Shyster mëhallë, e cila ishte qendra e kazasë, tabakët e Tophanes, pas punës
së lodhshme shpeshherë bënin banjë në hamam. Aty krijohej një atmosferë e veçantë,
një kënaqësi kolektive.
Duke e përkujtuar
të kaluarën dhe duke e shoshitur në mendje çdo lagje veç e veç, xha Sokoli
arrin deri te lagjja të cilën e donte më së shumti, të gjitha kujtimet e
lidhnin me të.
Në lagjen
Kapeshnicë ai kishte lindur e ishte rritur, në të kishin jetuar më shumë se tri
apo katër gjenerata të paraardhësve të tij, për të cilët ishte në dijeni nga më
të vjetrit. Shumicën nga ata i kujtonte me emra. Të dhënat për ta ishin përcjellë
brez pas brezi deri në familjen e tij.
Për këtë lagje
fliste me ndjenjë krenarie si për një vend kreshnikësh. Në të kaluarën, sa herë
që është dashur, bijtë e saj ndër të parët i kishin dalë zot atdheut.
Kjo lagje
e kamotshme e ngritur përbri grykës madhështore të bjeshkëve shkëmbore, rrëzë malit
dhe bjeshkëve, e shtrirë përgjatë rrjedhës së Lumëbardhit dhe shtratit të tij
gjarpëror, me shtëpi të dendura, rrugë e rrugica të ngushta, bëri që këtij
ambienti t’ia japë një pamje piktoreske.
Me shikim
nga lartësia duket si trekëndësh i zgjatur që vjen duke u ngushtuar në pjesën e
saj perëndimore kah gryka. Kapeshnicën e ndan lumi nga pjesët tjera të qytetit
deri te Zalli, e pastaj kufizohet përmes rrugës që shpie në parkun e Karagaqit,
duke vazhduar me shtrirje përgjatë kanalit ujitës si vijë ndarëse me lagjen
Zatra, e cila graviton në pjesën bregore të qytetit, që është ngjitas me male.
Persiatjet mbi lagjet e Pejës dhe të kaluarën e saj, xha Sokolit ia ndërpreu një krismë rrufeje që e zuri në befasi dhe e trembi. Pas këtij shpërqendrimi, ai me të shpejt u ngrit në këmbë dhe iu afrua dritares që të shikojë jashtë kah ia behu ajo rrufe në pikë të vapës. Pasi e zgjati trupin përpara e shtriu qafën anash që të shihte kah kishte vetëtuar. Vëzhgoi jo fort gjatë por vëmendshëm dhe sërish u kthye aty ku ishte ulur më parë, pa ndalur së shikuari jashtë me vështrim kah qielli që kishte filluar të mbulohej me re skaj qytetit.
Fragment
nga prologu i romanit në dorëshkrim ...
Vazhdon