Kulturë
Remzi Limani: Misioni i ftuar
E enjte, 05.07.2012, 07:43 PM
MISIONI I
FTUAR
(Beqë Cufaj, “PROJEKT @ PARTY”, roman, edicioni “Zëri”, Prishtinë 2011)
Ata erdhën nga qielli dhe zbarkuan mbi Tokën e Djegur, për t`i parë të bëmat e djallit mbi Dardaninë e lashtë. Edhepse, përpos një fotografie latente, në mendjet e tyre nuk kishin ndonjë vizion të qartë. Ata erdhën për ta pushtuar zhurmën e gjeneratorëve dhe terrinën dëshpruese mbi Ilirikum.
Nga Remzi Limani
Në vorbullën
e krrokamave të sorrave mbi Dardani, mes ezanit të haxhollarëve, muzikës së shfrenuar,
nëpër tavernat e pasluftës, ndërkombëtarët kërkonin dehuritë e tyre për ta
pushtuar frikën nga koha e vrarë dhe fasadat e përhime gjithandej qytetit të humbur...
Në romanin
e tij “Projekt @ Party”, Beqë Cufaj na jep një pasqyrim lucid të një narracioni
figurativ, për kohën, hapësirën dhe frymën e pasluftës, e cila asokohe ende gjëmonte
mbi Ilirkum. Pas ikjes së Bajlozit të Zi nga trojet tona shekullore dhe
arritjes së ndërkombëtarëve nga katër anët e botës, në mbështetje të vendit tonë
dhe riaktivizimin e strukturave shtretërore për ndërtimin e një shoqërie të re
demokratike me standarde evropiane, Cyfaj, nxjerr në pah aneminë e një kohe të vrarë
dhe aventurat e një kuadri komik tek ndërkombëtarët mbi kurrizin e një kohe
të sëmurë, e cila asokohe ende prehej në zbehtësinë e fytyratve plot limonti, e
njerëzve të sapodalur nga goja e ujkut, të përvuajturëve, të cilët i mbijetuan
katrahurat më mizore të katallanit dhe jargavecëve barbarë.
Ardhjen e
ndërkombëtarëve, zoti, Cufaj e përshkruan në zhanrin e një ditari i cili
shfletohej nën ombrellën e OKB-së. Për këtë, autori na jep një kronologji
ngjarjesh në frymë aventuriere.
Të huajt,
me shumë dialekte e zakone. Të veshur me shumë kultura dhe karaktere, pa e
ditur me tamam rolin e tyre, ata ia mësynë Dardanisë për t`i sfiduar të ligat
mbi këtë truall më të vjetrin në Gadishullin Ballkanik. Ata, nën petkun e
humanizmit ende pa e ditur se nëpër çfarë sfidash do të kalonin, pa ndonjë njohuri
paraprake për rolin e tyre dhe funksionet që do t`i kryenin, ata zbarkuan mbi
Tokën e Djegur. Shih për këtë: protagonisti kryesor i romanit në fjalë – një i
huaj, pa ndonjë pusullë paraprake, nuk dinte se ku të lajmërohej dhe kush në fakt
ishte eprori i tij. Në një situatë ende të pa qartë, ai fillimisht vëndosi të jepte
një lloj provimi për ta vozitur xhipin e Kombëve të Bashkuara. I njejti njeri,
pas pak ditësh, duke e rregulluar dokumentacionin personal si pjestar i shërbyesëve
civil, për t`u pajisur me letërnjoftim zyrtar, gjatë një bisede të lirë në zyren
civile, ai filloi t`i rrefehej koleges së tij: se atë e kishin rrëzuar dhe nuk
e kishte kaluar provimin për vozitjen e xhipit. Mirëpo, kryeprotagonisti i
romanit mëson diçka të papritur dhe befasuese për të . Nga kolegia e tij
kuptoi se ai nuk kishte fare nevojë ta voziste xhipin, ngase, sipas skenarit
atij iu kishte rezervuar shoferi personal së bashku me përkthyesin Ebe Beqirin,
vendas të trojeve dardane. Pas kësaj mrekullie, ai pas pak ditësh e fitoi edhe
postin e Shefit të Madh dhe hiç më pak se përgjegjës kryesor në fushën e
edukimit, saktësisht në sferen e arsimit. Tani, Shefi i madh, i cili nuk mundi
ta kalonte provimin për vozitjen e xhipit, i njejti mori autoritetin që të lëvizte
çdo gurë nga vendi. Pra, shefi i madh, tani edhe me çibuk në dorë, vëndoste për
të gjitha kuadrot ekzekutive nëpër të gjitha nivelet e arsimit shkollor deri
tek ai universitar. Pra, Ai me çibuk vendoste edhe për rektorin e universitetit
të Prishtinës.
Së këndejmi,
komunikimi rrëfimtar, shtjellimi gjuhësor dhe vargëzimi kronologjik i ngjarjeve
në kohë dhe hapësira të ndryshme, tek shkrimtari ynë, Beqë Cufaj rrjedhin
prajshëm, me një gjuhësi përshkruese dhe konkrete, e cila në leximin e kësaj
proze kapet lehtë edhe nga lexuesi i rëndomtë. Pra, duke e mbajtur rendësinë e
duhur për dukuritë e ndryshme, në bazë të të cilave u krijua kjo prozë e
mrekullueshme, pa dyshim romanin në fjalë krijuesi ynë mjeshtërisht e vesh me
shkëlqimin e duhur.
Përmbylljen
e këtij romani, jo rastësisht autori e përfundon në një odë burrash diku në Dukagjin.
Në një situatë dhe rrethana jo të qarta, Shefi i Madh me çibuk në dorë strehohej
në brendinë e një ambienti shqiptar. Këtu, pra në odë burrash, Shefi mësoi shumë
për bujarinë, kulturën dhe traditën shqiptare dhe mbi të gjitha për kultin e
mysafirit të shtëpisë shqiptare.
Në fund të
këtij rrefimi të mirëfilltë, duhet të themi se zënë vend edhe shumë papërgjegjësi
dhe kritika ndaj individëve dhe të bëmat e tyre gjatë misionit në fjalë. Mirëpo,
nuk dua t`i shpalosi vragët e plagës dhe të skamjes, ngase, skamja të bën të mos
e njohësh vetveten...
Beqë Cufaj
(1970) ka mbaruar studimet për Letërsi dhe Gjuhë në Universitetin e Prishtinës.
Jeton dhe punon në Kosovë dhe Gjermani. Shkruan për gazetat në gjuhën shqipe në
Kosovë, Gjermani, Austri e Zvizër.
Deri më tash
ka të botuara disa libra me poezi, prozë dhe ese. Nga këto: Balada (poezi),
205 (poezi dhe tregime), Kosova (ese), Shkëlqimi i Huaj (roman), Last
Exit Degerloch (dramë)
Cufaj është
përkhjyer dhe botuar në më shumë se 15 gjuhë të botës.