E diele, 28.04.2024, 10:34 PM (GMT+1)

Kulturë

Remzi Limani: Pasqyra

E premte, 06.07.2012, 07:08 PM


PASQYRA

Tregim nga Remzi Limani

Një natë, Resa, vendosi që imazhin e mikut të saj ta merrte me vete për të humbur në vetminë e natës së bashku me të, ngase nganjëherë vetmia e natës së shurdhër bënte e frikshme për të. Dhe, posa hyri me imazhin e mikut në brendinë e kuqe, pasqyra e madhe i lëshoi mërrolët nga mllefi se në të hyri imazhi i një të panjohuri! Kjo ishte hera e parë që imazhi i mikut hyri në pasqyrën e madhe, në një mbretëri monumentale të veshur me të kuqe, ku do të shtrihej pranë hënës së ndezur në dritare... Këtu kujtimet janë reflekset e jetës sime, sepse sonte jam shtri në një botë tjetër, krejtësisht të kuqe! - belbëzonte imazhi i mikut në pasqyrë. Në këtë shtrat, nuk ka asnjë rrugë, as gjumë nuk do të ketë - këtu koha zgjat sa një lumë që ka humbur detin!... Gjithçka rezonoi dhe mbeti vetëm nën çarçafin e mëndafshtë! Ai e imagjinonte mendjen e një gruaje që donte të lidhej me botën e një artisti. Mendonte se vetëm ai do ta shikonte atë - do ta studionte çdo vijë në trupin e saj - të gjitha format e theksuara mbi të cilat thyhej drita. Këto forma artisti do t’i fuste në lëvizje gjallërie deri në një mallëngjim dalldisjeje dhe e tëra do të frymonte me ritmin e zemrës së mikut.

Ku me ditë për të satën herë, ajo e krihte trupin me ujin e vakët që i rridhte prajshëm mbi të qiturat e harlisura, imazhi i mikut ende fliste me pasqyrën duke u munduar ta shndërronte në një mike të përhershme, ngase pasqyra i kishte të gjitha të dhënat, i kishte të regjistruara të gjitha imazhet që hynë dhe dalin nga shkëlqimi i saj. Po unë, çfarë kam humbur, vallë? Më duhet ta di se çfarë kërkoj në këtë mbretëri monumentale të heshtur? - foli imazhi i mikut. Këtu jam për të gjetur pak paqe, në një ëndërr të mbështjellë me dashuri dhe vërtet nuk e di si u gjeta i copëtuar në mes të hënës dhe të zjarrit. Më duhet t’i mbledh copat e mia të shpërndara nëpër kohë dhe të bëjë të mundur ekzistencën time këtu - pikërisht këtu! Këtu nën çarçafin e mëndafshtë, triumfalisht si një tempullar të rrëmbej hënën me gjithë yje. Këtu gjatë natës, mund ta harrosh edhe emrin tënd dhe të hedhësh ëndrrat e një klouni si mbulesë. Gjithçka mund të ndodhë - kur heshtja monumentale e kësaj mbretërie shpërthen me të gjithë zërat e epshit të hënës.

Pikat e ujit, duke ra mbi pllakat e mermerta ende ndiheshin dhe krijonin një akustikë të pëlqyeshme. Mbi trupin e Resës, ende rrëshqitnin bulëzat e ujit, të cilat ecnin nëpër tërë konfiguracionin e trupit të saj, dhe përfundonin tek zogu i këmbës për t’u bashkuar në një pikë, kurse imazhi  i mikut, i heshtur, rrinte i shtrirë në pjesën e poshtme të pasqyrës. I mbuluar me mëndafshin e kuq, numëronte të rrahurat e një zemre që ecte para orës së murit dhe, çuditërisht, hapat e pritur të mikes nuk i ndjeu. Ajo haplehtë hyri, pa u ndie u afrua dhe solemnisht imazhi i saj hyri në pasqyrën e madhe. Zuri cepin e çarçafit dhe rrëshqiti nën të. Papritur, e rrotulloi trupin në pasqyrë dhe me gjinj të shpërthyer, u ngjesh me imazhin e mikut dhe befas lëshoi gjoksin mbi të. Me elegancë, mbi trupin e tij, e zgjati dorën e vogël dhe e ndezi sferën e elektrikut mbi komodinë. Drita e sferës së ndezur, trupin e Resës e mbështjelli me nur. Imazhi i mikut numëronte të rrahurat e ritmit sinusal dhe, si duket, e ndjente një aritmi e cila erdhi si pasojë e një çasti të ngrirë, kur trupi i Resës, u vesh me nur dhe e verboi në të dy sytë... Ajo funksiononte për mrekulli, tamam si një tridhjetëvjeçare dhe të gjitha zonat erogjene iu shfaqen nën dritën e një sfere të një bote të kallur, prandaj të gjitha shprehitë fiziologjike filluan të akordohen me ndjenjat dhe lëvizjet e trupit që thyhej me kërkesën e zjarrit të epshit... Mbi trupin e mbërthyer në unazë dhe zërat që shkriheshin në ofshamë dehjeje -   shkrihej në djersë i ulur dhe i dehur zvarritej, hiqej gjunjas rreth saj dhe nuk lente vend pa puthur në të.  “Sonte do të vritem këndshëm! - imazhi i mikut sërish iu drejtua pasqyrës - do të vritem së bashku me kohën e thinjur. Nëpër shushurimën e plepave të lagur, do t’i mbledh pikat e gjakut tim, do t’i kërkoj ditët e rinisë së humbur, nuk do të lejoj që koha e ligë të pikon mbi ballin tim...” Resa ende frymonte në sytë e tij dhe pa dashje e verbonte të tërin dhe me naze i lëvizte krahët e mjellmës... Në majë të gishtit ndizej, sillej rreth zjarrit të mikut dhe ngjitej në majë flake në fluturim..., sepse këtu nata zgjat sa një lumë që e kishte humbur detin... Tërë natën hëna rrinte e qeshur me profil të puthur në pasqyrë - në majë të gishtërinjve ecte dhe ngadalë, duke lozur vallen e gjarprit, lëshohej mbi trupin e mikut. Etja e ndezur në majë mali, shpërtheu në brendinë e saj dhe lumin e mori me vete. Me mallin e shtuar, së bashku me zjarrin e dashurisë, Resa u shkri nën trupin e mikut të saj. “Më merr të lutem! - i tha me një drithërimë të lehtë zëri. Tash më merr, të lutem!...” - i belbëzoi lehtë me sytë e prushtë të saj. Imazhin e mikut, ndjenja e dashurisë ndaj të bukurës, e hamgjiste të tërin... I kandisur nga mendja, me kohë mikës ia zuri zjarrin e ndezur në sy - me kujdes e hetoi rrugën dhe gjëmat e natës për t’u futur në lugun e mbushur rrush e prush... Tash, Resa kërkonte të mbushte çdo zbrazëti dëshire në trupin e saj..., prandaj, loja e tyre, para portës parajsore tashmë mori flakën dhe u sendëzua në një përmbajtje konkrete - të ngjeshur njëri mbi tjetrin, u lidhën këmbë e duar dhe u bënë njësh... Të përqafuar me mallin e prushtë, duke u përplasur etshëm, me klithma dashurie, u dogjën në maje mali...

Me mallin e shtuar dhe lojën e zjarrtë, orët iknin më shpejtë. Nata në sfondin e kuqërremët, plot zjarrmi e etje, në sytë e mjellmës shprushte zjarrin dhe etjen e dashurisë së një ëndrre sybukur me flokun e derdhur mbi supe. Asgjë më nuk do të shoh, përveç kujtimeve të gdhendura në memorjen time, për ecjen e saj të tundur dhe hijen e varrit tim nën sqetull, që udhëton nëpër suferinën e kristaltë të një vjeshte të vonuar drejt rrugës sime pa drita, ku dukej vetëm hëna në sfondin e zi...

***

Papandehur, në pasqyrën e madhe, hyri imazhi i mjellmës me shtatë shamitë e ëndrrës së kuqe..., pastaj i rrodhën lotët e mallit për artistin dhe i shkundi të gjitha shamitë e mbushura me kaliografi. “Ja - lexoni këto porosi të harruara që m’i dhuruan së bashku me ngjyrat e shamive!” - foli imazhi i mjellmës që doli nga mugëtira e lumit dhe u shkri në faqet e pasqyrës së madhe. Amfioni, i kotur mbi të kuqen, filloi të zgjohej në sytë e mjellmës. I përgjumur nga nata e zjarreve, me ngadalë filloi t’i lexonte porositë e shkruara rreth cepit të shamive që ngjanin në qëndisma të qëllimshme, të cilat zakonisht i përgatitnin vajzat e arrira për pajën e tyre të nusërisë. Ai filloi me të gjelbrën, e cila e përmbante këtë porosi:

Me gjelbëroshen verore mbështille mollën në degë / Bëhu një det i gjerë me grurë, shkyje terrin mbi ballë dhe zgjohu në sytë e diellit / Me dy shamitë larake hidhu në fluturim / Shkriu në bojëra qielli - në harkun e ylberit mbi lumë / Me kaltroshen e qetë bëhu mëngjes i qeshur dhe zgjohu në prehrin tim / Me të bardhën solemne fshije kërthizën zambake dhe thithe vesën e mëngjesit mbi trup / Dy të zezat ruaj larg teje / Mos e dhashtë Zoti... / Lumi i lotëve t’u të del jashtë brigjeve të qepallave.../

***

Ende ishte menatë - diku para agmisë, kur Resa doli nga shtrati i kuq dhe më tërë lakuriqësinë verbuese, iku për të bërë një dush relaksi. Derisa ende po e ledhatonte trupin me ujin e vakët, Amfioni i lexoi të gjitha porositë cep më cep të shtatë shamive, me të cilat u mbështjell mjellma dhe iku drejt pasqyrës së liqenit të fjetur. Sikur hëna e rrëmbyer në këmishë nate, ajo doli nga banja. Tejdukshmëria e këmishës ia vizatonte të gjitha lakmitë e natës në të... Këmishën e përvjeli deri në gjunjë dhe prapë e ngazëllyer filloi të jepej pas natës së zjarrtë. Ashtu e rrëmbyer në këmishë nate, harkohej mbi etjen e lumit... E përmbysur në pasqyrë, mbi imazhin e mikut, shtrydhte flokun e lagur dhe ia mbulonte sytë e prushtë, ndaj imazhi i mikut, i dukej porsi gruri i dalldisur - çante kodrat, malin, detin, fushën dhe grunajës i binte përmes... Ajo, me faqe të ndezura, si tufa lulëgjake, dallgë-dallgë harkohej dhe përkundej si grunaja, sikur drita e hënës mbi kulme - thyhej në kryqe lakuriqe... Në sytë e mikut, ngadalë  zhvishte bardhësitë e saja dhe vazhdonte vallen e gjarprit mbi të... Herë-herë zgjaste krahët e mjellmës dhe shtrihej mbi të kuqen për ta rimarrë veten në vallen e epshit që në vetvete gjëmonte rrëmujshëm...

Një erë, në maje plepi ngrihej dhe, me ngadalë, sillte tingujt e një kambane të humbur. Tashmë edhe zemra e mjellmës rrihte si një fetus. Një ngricë solemne shndriti në sytë e saj, prandaj ajo e përjetoi një ngërç drithërues dhe vetëtima shpërtheu nëpër murmurimë gjethesh të lagura me klithma dashurie deri në majë të plepit... Miku i saj, i vrarë në sytë e mjellmës dhe i hutuar nga mëngjitë e përkryera, hënën e ndezur ende e mbante në gji...

Papandehur, Amfionit iu kujtua miku i tij - Ndreci, i cili në vazhdimësi ushtronte vdekjen para pasqyrës dhe me lot pikëllimi e shuante etjen e kallur. Rruga e natës, për Ndrecin ishte e panjohur dhe ende nuk kishte dalë nga nata e tij. Nata e tij rrudhej e rrudhej dhe bëhej pikë e zezë, kështu që në thelbin e saj bie në pikë të hallit - nga t’ia mbante me natën rreth qafës. Me sy të qepur ra në heshtje - shtrojë e kishte rërën, jastëk gurin dhe të vetmen mbulesë e kishte qiellin - vetëm një llambë drite e zbehtë vajguri i mungonte. Në rrugët e panjohura,  të pasosura, vetja i dukej udhëtar i vonuar. Atje,  në qytetin e dritave, i pagjuhë vetëm mund të qante. Rrugë e vështirë! Shumë e vështirë - rrugë donikishotiane.



(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora