E enjte, 10.10.2024, 11:57 PM (GMT+1)

Udhëpërshkrim

Abaz Pllana: Shqipëria dhe Kosova përfaqësohen denjësisht në takimet konsullore në Lyon të Francës

E marte, 12.06.2012, 07:30 PM


Shqipëria dhe Kosova përfaqësohen denjësisht në takimet konsullore në Lyon të Francës

Nga Abaz Pllana

Takimet konsullore në Lion të Francës janë bërë traditë shumëvjeçare. Në këto takime që kanë formën e një feste të madhe, paraqiten shtetet e ndryshme të botës që kanë një përfaqësi konsullore në Lion. Në takimet e sivjetme të mbajtura më 8, 9 dhe 10 qershor 2012, Shqipëria dhe Kosova u përfaqësuan denjësisht.

Para hapjes solemne të këtyre manifestimeve Kryetari i Dhomës Komerciale të Lyonit, kishte organizuar një pritje për një delegacion të përbashkët nga Kosova e Shqipëria. Kryetari Phillipe Grillot dhe Bruno Masurel, drejtor i divizionit ndërkombëtar pritën Zotin Denis Di Leonardo, Konsull Nderi i Shqipërisë në Lyon, Zotin Kadri Dakaj dhe Mustafë Avdiun, Konsull përkatësisht zëvëndës Konsull të Kosovës në Paris si dhe Rina Çelën e Abaz Pllanën nga Shoqëria Shqiptare Iliria të Lyonit. Mes bisedave tjera u vendos që të organizohet një konferencê ndërkombëtare për investime në Kosovë, shqyrtimin e mundësive për shkëmbime tregtare, kulturore dhe arsimore mes vendeve tona si dhe nevojën e paraqitjes së potencialeve të mëdha ekonomike të Kosovës tek ndërmarrjet e mëdha franceze.

Në pasditen e të premtes së 8 qershorit, në sheshin kryesor të Lyonit, të quajtur Bellecour, valonin flamuj të shteteve të ndryshme të botës. Kryetari i komunës së Lyonit Gerard Collomb i shoqëruar me një numër të madh personalitetesh politike, kulturore dhe ekonomike të premten vizituan edhe stendat ku valonin flamujt e Shqipërisë dhe Kosovës. Në stendën e Kosovës mikpritës të këtyre personaliteteve ishite amasadori i Kosovës në Paris, zoti Muhamedin Kullashi, si dhe konsulli i Kosovës Kadri Dakaj si dhe zëvendës konsulli Mustafë Avdiu. Zoti Gerard Collomb shprehu kënaqësinë e tij që Kosova përfaqësohet në një manifestim të madh të tillë në mesin e shteteve tjera të botës. Ai i uroi Kosovës prosperitet dhe pranim sa më të shpejtë në organizmat  euroatlantikë. Ambasadori i Kosovës, Zoti Muhamedin Kullashi e njoftoi grupin e vizitorëve me mundësitë ekonomike të Kosovës që mund të jenë interesante për të tërhequr investitorë nga Franca dhe Evropa.

Përskaj stendës së Kosovës gjindej edhe stenda e Shqipërisë që edhe këtë vit u mbajt nën kujdesin e Ambasadës së Shqipërisë në Francë, konsullit të nderit të Shqipërisë në Lyon, zotit Denis di Leonardo dhe Shoqërisë Shqiptare Iliria të Lyonit. Potenciali ekonomik, kulturor dhe turistik i Shqipërisë ishin tri pikat kryesore që u diskutuan në hapje të këtyre takimeve. Zoti di Leonardo i shpalosi shkurtimisht këto mundësi të Shqipërisë që sollën një interesim të veçantë në delegacionin e Gerard Collomb. Nënkryetarja e Shoqërisë Shqiptare Iliria, kërkoi nga Kryetari Gerard Collomb binjakëzimin e Lyonit me ndonjë qytet shqiptar. Zoti Collomb e mirëpiti me kënaqësi këtë propozim dhe hapi rrugën e realizmit të një projekti të tillë.

Në mbrëmje, me ftesë të Kryetarit Gerard Collomb në darkën solemne u ftuan edhe përfaqësuesit e Shqipërisë dhe Kosovës. Ambasadorit të Kosovës në Paris iu kishte rezervuar tryeza e nderit duke tërhequr interesimin e gjithë personaliteteve pjesëmarrës për shtetin më të ri të Evropës.

Në ditën e dytë të festave konsullore, në mesditë në stendën e Shqipërisë ishin ftuar një numër i madh i trupit diplomatik dhe konsullor për një koktej tradicional shqiptar. Stenda e Shqipërisë u mbush plot. Para të pranishmëve u hap porta mes dy stendave të Shqipërisë dhe Kosovës duke e bërë si një e vetme. Në fjalën e tij mikpritëse zoti Di Leonardo, foli edhe për simbolikën e hapjes së kufirit mes shqiptarëve si diçka e nevojshme, e domosdoshme dhe reale. Ai tha këtë duke u mbështetur edhe në kërkesën e popujve të Evropës për integrime evropiane. Megjithë synimeve për integrime evropiane, ëndërra shqiptare për bashkim kombëtar shqiptar doli si shumë e natyrshme me simbolikën që u bë sot në Lyon.

Në fjalën e tij përsëndetëse foli edhe ambasadori i Kosovës, zoti Muhamedin Kullashi. Ai foli edhe njëherë për nevojën e mbështetjes së Kosovës në konsolidimin e shtetësisë si dhe mbështetjen në forcimin ekonomik të Kosovës. Gjithashtu nga personalitete që përfaqësonin arsimin dhe kulturën u bisedua për mundësinë e shkëmbimeve kulturore dhe arsimore mes Francês dhe qyteteve shqiptare.

Disa minuta më vonë, para stendave të Shqipërisë dhe Kosovës që ishin bërë tashmë të njësuara filloi muzika dhe vallja shqiptare. Rreth tridhjetë fëmijë shqiptarë me kostume tradicionale shqiptare filluan vallen para sheshit të "shqiptarëve" në Bellecour. Për ca minuta tingujt e muzikës shqiptare tërhoqën numër shumë të madh vizitorësh. Nga aty me këngë e valle Ansambli i Valleve "Gëzuar" nga Gjeneva përfshinë edhe tribunën kryesore dhe sheshin kryesor të Bellecourit. Përreth një gjysëm ore duartrokitje të mëdha i dhanë kësaj performance aq profesionale të valltarëve të vegjël. Udhëheqësi i programit nuk e fshehu dot edhe mendimin se ishte grupi më i mirë dhe më përfaqësues i kësaj feste të madhe. Dy orë më vonë ky grup ngjitet prapë në skenë për të prezentuar edhe më mirë kulturën shqiptare. Aty ishin edhe dy këngëtarët shqiptarë nga Lyoni, Imer Baqaj e Qazim Jasiqi kurse fëmijët e vegjël të Ansamblit "Gëzuar"  të udhëhequr nga producenti Nexhmedin Ilazi e me koregrafinë e Xhemali Berishës, përfshinë pothuajse tërë sheshin duke futur në valle shumë nga vizitorët.

Për tre ditë rresht shiptarët përfaqësuan denjësisht Shqipërinë dhe Kosovën. U lidhën kontakte të reja për bashkëpunime të dyanshme si dhe u planifikuan veprimtari tjera për të ardhmen.

Në fund duhet përmendur edhe njëherë kontributin jashtëzakonisht të madh të Konsullit të Nderit të Shqipërisë, zotit Denis di Leonardo për mundimin e organizimit kaq të mirë të përfaqësimit shqiptar. Duhet përshëndetur gjithashtu energjinë dhe seriozitetin e treguar të trupit diplomatik të Kosovës për një prezencë kaq të fortë në Lyon të Francës. Gjithashtu nuk duhet harruar kontributi shumë i madh edhe i veprimtarëve të Shoqërisë Shqiptare Iliria që me aq përkushtim iu përgjigjen nevojave të një organizimi sa më të mirë të prezencës shqiptare gjatë këtyre tre ditëve. Nê fund do kisha përmendur edhe njëherë pa u frikuar se bëhet shumë për paraqitjen dinjitoze të valltarëve nga Gjeneva që ishte pika më tërheqëse për shumë vizitorë të rastit.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora