Udhëpërshkrim
Muharrem Sfarqa: Akademi përkujtimore për Heroin e Kombit Sali Çekaj
E hene, 04.06.2012, 10:51 PM
AKADEMI
NDERIMI PER HEROIN
Vëtëm e ardhmja do të tregojë se kush ishte në të vërtetë Sali Cekaj
Nga Muharrem Sfarqa
Në Pfaffenhofen
të Gjermanisë shoqata kulturore shqiptare "Sali Cekaj" në bashkëpunim me degën e LDK-së në Gjermani,
përmes një organizimi dinjitoz mbajtën
Akademi përkujtimore për heroin e Kombit, Sali Cekaj në 13 vjetorin e rënies së
tij në altarin e lirisë.
Në mesin
e pjesmarrësve, pos familjarëve, bashkëveprimtarëve
dhe bashkëluftëtarëve të Sali
Cekajt, ishin edhe Zevendësministri i
Ministrisë së Punëve të brendëshme të Republikës së Kosovës, Ismet Ibishi ( ish
epror i lartë i UCK-së), Konsulli i Republikës së Kosovës në Frankfurt, Astrit Zemaj, kryetarët e Degëve të LDK-së për
Gjermani dhe Zvicër; Qazim Bajgoraliu e Haki Latifi si dhe oficerët e lartë të Ushtrisë Shqiptare, nënkolonel Kastriot Hoxha
i cili kishte stërvitur guerilen shqiptare të Kosovës ( grupin e parë dhe të dytë
), në vitin 1991 dhe majori Feriz Terzhnjeva, të cilët kishin udhëtuar enkas
nga Shqipëria, ku edhe ishin njohur atë kohë
për së afërmi me Sali Cekajn.
Akademia
filloi me intonimin e himni kombëtar dhe të atij të Dardanisë, nga grupi i fëmijëve me tenorin Shkodran
Tolaj, ku më pas, poeti Selman Sylaj në hapje
të Akademisë lexoi ca vargje baladash përkushtuese duke ngritur spontanisht në këmbë
- për një minut heshtje pjesëmarrsit e këtij aktiviteti nderues.
Akademinë
përkujtimore e shpalli të hapur veprimtari i shquar dhe veterani i LDK-së,
Mehmet Koka.
Me një fjalë
përshëndetëse pjesmarrësve të kësaj Akademie, i u drejtua z/ministri i
Ministrisë së Punëve të Brendshme të Republikës së Kosovës, z. Ismet Ibishi, përndryshe
dhe ish epror i lartë i UÇK-së dhe pjesmarrës në Betejën e Loxhës dhe asaj të Koshares
si dhe kryetari i Degës së LDK për
Gjermani, z, Qazim Bajgoraliu.
Zëvendësministri
Ibishi, evokoi kujtime emocionuese për
heroin e kombit, Sali Çekaj, nga qendrimi i tij në bazën e Prapaqanit, ku për
muaj të tërë kishin ndarë një shtrat me të.Vetëm e ardhmja do të tregojë se
kush ishte në të vërtetë heroi Sali Cekaj , u shpreh ai duke shtuar më tej
se beteja e Loxhës dhe e Koshares, ishin profesionalisht të organizuara dhe
ishin e kundërta e luftës së disa të tjerëve që
vepronin në stilin " kërcit një pushkë dhe ik ", duke e lënë popullin
pa mbrojtje e përkujdesje, po në mëshirën e te pamëshirëve.
Zëvendësministri
Ibishi tregoi se në betejën e Koshares
ai ishte futur në lidhjen e armikut pas vrasjes së një oficeri serb të lidhjes të cilit i kishte mbetur radio-lidhja
e hapur dhe po dëgjonte klithmat e oficerëve të tjerë serbë ne radio-lidhje
duke klithur në panic, " kjo është ushtri e rregullt, ikni,
ikni - ata po vijnë". Për ta përmbyllën fjalën e tij me konstatimin
se roli i Sali Cekajt, Agim Ramadanit dhe të tjerëve është tepër i madh dhe më i
merituari.
Ndërsa
me telegrame kësaj Akademie nderuese për
heroin Sali Çekaj, ju drejtuar edhe
kryeministri i Republikës së Shqipërisë, dr. Sali Berisha si dhe
kryetari i LDK-së, akademik Isa Mustafa.
Me cmimin
vjetor " Sali Cekaj", shoqata kulturore shqiptare nga Pfaffenhoveni ,këtë vit nderoj dëshmorin
Mentor Tolaj (post-mortum) i vrarë në vitin 1991 nga policia serbe. Me mirënjohje nga shoqata u nderuan edhe disa veprimtar mërgimtar
në mesin e të cilëve edhe bashkëluftetari i heroit Sali Cekajt, Saim Tahiraj
nga Zvicra.
Një fotografi
e grupit të dytë që u stërviten në Shqiptëri për përvetësimin e aftësive luftarake për luften e Kosovës nga viti 1991, iu dorëzua si
kujtim, djalit të heroit Sali Cekajt, Hysenit ,
i
cili edhe mbajti një fjalë falënderuese
në këtë Akademi.
Me Mirënjohjen
tradicionale " Sali Cekaj" Dega e LDK-së në Gjermani ka nderuar gjithashtu
postmortum, kolonel Ahmet Krasniqin për veprimtari atdhetare dhe ushtarake që lidhen
me vendosjen e bazave të Ushtrisë Institucionale të Kosovës. Shpërblimet u dorëzuan
nga veprimtarët e shoqates Blerim Cakiqi dhe Nikoll Skeli, ndërsa për Degen e
LDK-së nga nënkryetari i saj Myftar Dragidella
Po shkëpusim me këtë rast thekse nga ata që u paraqitën me fjalët e tyre në këtë Akademi, duke tumir me këtë rast edhe dëshirën e lexuesve të kombëtares „Bota sot“, po edhe përkushtimin e vazhdueshëm për këtë figurë madhore të kombit.
VEPRA E
TIJ E BËN TË PAVDEKSHËM
Nga fjala e Qazim Bajgoraliut)
Salih Çekaj,
është njëra ndër figurat më markante të organizimit politik dhe ushtarak të kohës.
Ai, punoi pa u ndal, për të jetësuar realizimin
politik e administrativ të shtetit të Kosovës, duke punuar me një përkushtim
të gjithanëshëm, i vetëdijshëm se Kosova, duhet të jetë e përgatitur për të përballuar
edhe më të keqën dhe më të padëshirueshmen, luftën e imponuar nga shovenizmi
serb. Në këtë drejtim, ai punoi për formimin e forcës së armatosur, për ta
luftuar dhe përballuar, me sa më pak pasoja agresorin serb.
Salihu,
kishte nisur formimin e grupeve të para të armatosura dhe sistemimin e tyre nëpër
Kosovë, të njohura në bazë të regjioneve të Kosovës.
Salih Çekaj,
i rrezikuar, detyrohet të lëshojë Kosovën dhe me ardhjen e tij në Gjermani,
veprimtarinë e tij e vazhdon në LDK, dega në Gjermani dhe vite me radhë, ishte
njëri ndër veprmtarët e LDK, në zyren e saj në Stutgard dhe njëherit edhe njeri
i terenit, me devotëshmëri, besnikëri dhe përherë i qëndrueshëm në vizionin e
Presidentit historik dr. Ibrahim Rugova.
Salih Çekaj,
si funksionar i degës së LDK për Gjermani, anëtar kryesie, sekretar dhe në fund,
nënkryetar i degës së LDK për Gjermani, për një kohë të gjatë në zyrën e LDK, në
Stutgard, evidenton dhe mban kontaktet me eprorët shqiptarë, të larguar nga
armata Jugosllave.
Me
fillimin e luftës në Kosovë, në vitin 1998, Salih Çekaj, kthehet në Shqipëri, për
të ndihmuar dhe udhëhequr organizimin e UÇK.
Salih Çekaj
jetoj për të vepruar dhe vepra e tij e mban të pavdekshëm.
Në saje të punës dhe sakrificës së tij dhe të qindra patriotëve si Salihu, Kosova sot frymon e Lirë.
SALI ÇEKAJ – ABCE-ja e LUFTËS ÇLIRIMTARE
Fjala e Osman Ferizit
Në një akademi përkujtimore si kjo është e pamundur për të shpalosur rolin dhe veprimtarinë e Sali Çekaj përgjatë një dekade shumë intensive, si komandant i grupeve guerile të Dukagjinit dhe të koordinimit organizativ në nivel Kosove. Tashmë është e qartë se Sali Çekaj me grupet guerile që i drejtoi që nga dhjetori 1991 janë brumi dhe tharmi për bërthamën e UÇK-së dhe pa rolin e tij, të pazëvendësueshëm, vështirë se do të realizoheshin ato nisma pozitive e suksese, tanimë, të njohura për opinionin shqiptar dhe atë ndërkombëtar.
Salih Çekaj
ka qenë dhe mbetët njeri nga figurat më emblematike të dekadës të fundshekullit
të kaluar. Ai, me urtësinë, dijen, guximin, vizionin, sakrificën, për një dekadë
radhazi ishte ABC-ja e luftës çlirimtare duke
punuar në dy fronte:
- Në shtrirjen
dhe masiviimin e LDK-së në Gjermani, forcimin e institucioneve të Republikës të
Kosovës, të dala nga Deklarata e Pavarësisë - më 2 korrik 1990 dhe Kushtetuta e
Kaçanikut - më 7 shtator 1990 si dhe
- në frontin e organizimit të strukturave të mbrojtjës të Republikës së Kosovës.
Moment kulmor dhe kthesë në vizionin dhe vetëdijen shqiptare, madje në të dy anët shqiptare, paraqet Marrëveshja në mes të Shtetit Shqiptar, përkatësisht - Ministrisë të Mbrojtjes të Shqipërisë dhe të Presidentit të Republikës të Kosovës, dr. Ib rahim Rugova, për dërgimin e dy grupeve të rekrutëve për ushtrime ushtarake, në një bazë ushtarake në Surel, afër Malit Dajt të Tiranës. Kjo kërkesë ishte bërë pranë dr. Rugovës dhe prof. Fehmi Aganit, nga disa atdhetarë të përndjekur nga regjimi serbo-sllav dhe ndër ata ishte edhe Sali Çekaj.
Grupi i parë fillon stërvitjet në muajin shtator 1991; ishin afërsisht 55 veta nga viset e ndryshme etnike shqiptare dhe në mesin e tyre ishin edhe: Sali Çekaj, Zahir Pajaziti, Bashkim Leci, Kadri Gubetini, Zymer Lulaj, Ahmet Hoxha e të tjerë.
Ndërsa
grupi i dytë - fillon ushtrimet në muajin nëntor 1991, poashtu në Surel, ku
merrnin pjesë: Adem Jashari, Iljaz Kodra, Nazmi Bajrami, Sami Tahiraj, Ilmi
Peci, Osman Ferizi, Ramadan Begu e tjerë, gjithsejt 65 veta. Gjatë dhe pas përfundimit
të ushtrimeve, morali dhe gatishmëria për ta kaluar kufirin ishte i lartë dhe
ne kërkonim që me çdo kusht të kalonim kufirin me armatime. Kësaj kërkese i përgjigjen
duke e dërguar për konsultime në qendër Sali Çekaj, si njeriun më të përgatitur
dhe më vizionarin.
Grupi
prej 33 vetash u nis nga baza e Surelit për në Tropojë, Rrasa e Kosharës për në
Dukagjin i cili drejtohej nga flamurtari i levizjës Kombëtare Komandanti i parë,
Sali Çekaj.
Ishte 2 dhetori 1991. Asnjë faktorë nuk ishte në anën tonë, madje as koha, as logjistika e shtetit shqiptar, edhe pse eprorët patriotë nga Shqipëria bënë shumë për përgaditjen tonë. Potencoj, në veçanti, angazhimin e oficerit Kastriot Hoxha, i cili ishte gati të hynte me ne në Kosovë, por Salihu nuk e pranoi, sepse në Kosovë ishte një shtetrrethim i paparë.
Pas vendosjës në Kosovë, shpërndarja e armatimeve u bë në të gjitha viset shqiptare, Drenicë, Llap, Mitrovicë madje deri në Shkup dhe Tetovë. Dhe nga ky moment u formua grupi i parë gueril në zonën e Dukagjinit qe komandohej nga Sali Çekaj; në zonën e Drenicës grupi gueril udhëhiqej nga Adem Jashari, kurse në LLap nga Zahir Pajaziti.
Ky guxim deri në vetëmohim, kjo veprimtari e heshtur dhe pa bujë e ketyre tre kolosëve, ky betim i madh i dhënë para flamurit dhe vetës në këtë pikëtakim ne Surel të Dajtit per realizimin e një vizioni dhe ideali kombëtar, e deshmojnë në praktikë me aksione dhe veprime guerile kundër forcave okupatore serbe duke ju shkaktuar dëme materiale dhe njerëzore.
Më vonë, pas rënies të komandantit për Llapin, Zahir Pajazitit dhe më pas të komandantit të Drenicës, Adem Jasharit me familjen e gjerë, Salihu mobilizon radhët në strukturat ushtarake, të rregullta të Ministrisë të Mbrojtjes, e cila drejtohej me profesionalizëm e kompetencë nga kolonel Ahmet Krasniqi, duke ngritur bazat stërvitore në Tropojë, Viçidol, Papaj dhe Babinë, si bazë për themelimin e Brigadave 131 dhe 134, për veprime operative dhe luftarake në Kosovë.
Roli i Sali Çekaj në vendimin për thyerjen e kufirit në Koshare ishte domëthënës, sëbashku me Agim Ramadanin, Rrustem Berishën dhe Anton Qunin me shokë. Lufta në Koshare, me serinë e betejave, është vlerësuar për taktikën dhe strategjinë luftarake; sukseset në fushë-beteja dhe dëmet e konsiderueshme që iu shkaktuan armikut, duke ripërtrirë kujtersën e pushtuesit për humbjet në luftën e Lumës dhe të Taraboshit, afro një shekull më parë. Lufta e Kosharës, tashmë, është pranuar edhe nga kundërshtarët vendorë të Sali Çekaj me shokë sepse legjitimoi luftën çlirimtare të Kosovës.
Rënia
heroike e Salih Çekaj dhe Agim Ramadanit në vijën e parë të frontit, më 19
prill 1999, në njërën nga kryebetejat më të lavdishme te Kosovës te Rrasa e
Kosharës dhe e 116 bashkëluftëtarëve të tjerë, sot i bën roje lirisë, ata me
gjakun dhe sakrificën e tyre janë bazamenti, amaneti dhe aseti me i qmuar Kombëtar
për të sotmen dhe të ardhmën tonë.
Vërtet, Salihu, Agimi, me bashkëluftetarët e tyre dëshmorë, nuk gëzuan agun e lirisë, por ata bënë histori, duke u bërë edhe vetë pjesë e historisë tonë kombëtare. Me përkushtimin e tyre atdhetar, e tashmja dhe e ardhmja jonë mori vlera të lavdisë dhe të përjetësisë, duke thyer kufirin, Murin e Berlinit shqiptar. Dhe, siç shprehet Presidenti Historik, dr. Ibrahim Rugova - janë kujtimi dhe krenaria jonë e përjetshme.
JA KUSH
ISHIN DHE SI U PËRGATITËN NJËSITË E PARA TË LUFTËS ÇLIRIMTARE
(Nga fjala e nënkolonelit, Kastriot Hoxha)
Liria dhe pavaresia e shume pritur u be realitet
nga lufta e popullit heroik te Kosoves dhe
heroizmit, gjakut te luftetareve
te saj si Saliu, Ademi, Zairi dhe mijra te tjere, te cilet I perkushtuan
gjithcka clirimit te Kosoves, kunder ushtrise serbe..
Fal
Marreveshjes se realizuar nga qeveritë e
asaj kohe të Shtetit shqiptar dhe përfaqësuesve
legjitim të Republikës së Kosovës, Presidentit Rugova, u realizua stervitja për
përgatitjen e dy grupeve të komandantëve të parë kosovar, me përgjegjës, Sali
Cekaj.
Që në fillim,
komandant Salihin na e prezantuan si drejtues të këtij misioni, megjithëse, ai
u stervit dhe vet me djemtë e grupit te parë. Ai, se bashku me Zymer Berishen
ndiqnin çdo problem në qendrën stërvitore dhe me gjerë.
Kjo stërvitje,
për kohën kur u realizua (Tetor – Nentor 1991) ishte një ngjarje shumë e rëndesishme,
shumë e guximshme dhe me vlera te medha.
Për herë të
parë u organizua trajnimi me bashkëatdhetarët tanë te ardhur nga Kosova,
Maqedonia dhe vende te tjera te Europës, nën kujdesjen e dy qeverive,asaj të Shqipërisë dhe të Republikës së Kosovës.
Ky
trajnim ishte i studjuar, i organizuar
mirë dhe administruar mirë nga të dy palët.
Ardhja me
fshehtësi dhe kthimi i organizuar, me armatim dhe municion i pjesemarrësve në trajnim,
ishte shumë i guximshëm jo vetëm për organizatorët, por edhe për pjesemarrësit.
Keta
heronj dhe luftetarë të pamposhtur guxuan të organizoheshin, të stërviteshin, të
armatoseshin dhe planifikonin të kryenin veprime luftarake, në kohën që as vetë
serbët nuk e kishin parashikuar. Vërtet kontigjentet qe u përgatitën në atë kohë, nga përmasat
ishin modeste, por vlerat ishin jashtëzakonisht të medha.
Sali
Cekaj së bashku me kolegët dhe eprorët e tij, nuk rreshtën së punuari për të zgjeruar
bashkëpunimin me qeverinë shqiptare. Në saj të këmbënguljes së Salihit dhe të kolegëve
të Zyrës që përfaqësonte Qeverinë e Kosovës në Tiranë, u arrit të siguronin
mundësinë e kalimit në fshehtësi, nëpërmjet kufirit me djemtë e dal vullnetarë të
grupit të dytë, një sasi armatimi dhe municioni, sa ishte e mundur të transportohej
me krahë. Këtë operacion të vështirë e drejtonte komandant Sali Cekaj. Ai me
qetësi, zgjuarsi e durim të admirueshem, në bashkëpunim me grupin tonë, e
realizoi me sukses të plotë këtë detyrë, e cila vërtet ishte shumë e vështirë për
t’u realizuar.
Unë mund
t’u bëj të njohura disa detaje të këtij operacióni, i cili më ishte ngarkuar
mua nga pala shqiptare dhe komandant Sali Cekut nga qeveria e Kosovës, për t’i
organizuar, paisur me armatim dhe municion dhe transportuar këta luftëtare
trima, në kalimin e kufirit në këmbë dhe të armatosur, po dhe vazhdimin e këtij
misioni me tej nga ana e Salihit.
Synimi i
Sali Cekajt dhe Adem Jasharit ishte të merrnin sa më shumë armatim dhe
municion, por për shkak të rrugetimit të gjatë, terrenit të vështirë, kushteve
të motit ( Dimër) si dhe mirëruajtjes së kufirit nga serbët, u vendos që secili
të merrte nga dy armë dhe municionet përkatëse.
Rruga nëpërmjet të cilës ne kaluam kufirin ishte shumë e veshtirë si dhe gjatë rrugës patëm dhe probleme nga
mbi lodhja si dhe pesha e armatimit, por megjithatë komandant Salihi dhe djemtë
nuk u ligështuan, ata gjetën forca dhe e realizuan me sukses detyrën.
Me
kalimin e kufirit, ku përfundonte misioni im, i dorëzoj komandën Salihit duke i uruar suksese të mëtejshme.
Nje nga
djemtë me propozoi se apo vjen me ne komandant Kastrioti?
“Vij i
them, por po më pranoi komandant Salihi dhe Ademi, se këta janë komandantët
tuaj, pa leje dhe urdhëra nuk mund te veprojme ketej e tutje”.
Komandant
Saliu( Komandant i njësisë së parë të krijuar) detyrën e parë luftarake për
kalimin e fshehtë me armatim dhe
municion dhe shpërndarjen e tyre në rajonet e planifikuara, së bashku me heroin
e madh të Kosovës Adem Jashari, e realizoi me sukses të plotë.
Në grupin e parë të përgatitur krahas komandant Sali Cekaj, Zahir Pajaziti do të përmendja, dhe shumë të tjerë si Zymer Lulin, Kadri Gubetini, Bashkim Leci, Shemsi Krasniqi, etj. Ndërsa në grupin e dytë ishin Adem Jashari, Ilaz Kodra, Osman Ferizi, Shkëlzen Gjonaj, Sami Tahiraj Murat dhe Sait Jashari, Adem Dërguti, Ekrem Sheholli, Ilmi Peci, Ramadan Begu, Isuf Ismajli, Nazmi Bajrami, Faton Gajtani, Hasan Ferizaj, Xhavit dhe Naim Gubetini etj.
Jemi krenar për veprën e tyre, përkulemi me respektin më të madh përpara tyre dhe tek ata gjejmë frymëzimin dhe forcën për ta çuar më tej këtë vepër, për të mirën e të gjithëve.
Pjesë nga telegrami i akademik Isa Mustafës, kryetar I LDK-së
Sali
Cekaj ishte një atdhetar i devotshëm , i cili ngriti në piedestal përkushtimin
patriotik për lirinë e Kosovës. Ai, së bashku me Agim Ramadanin dhe të tjerë,
planifikoi, komandoi dhe mori pjesë në betejën më të madhe, ate të Koshares,ku
u rrënua kufiri mes shqiptarëve. Ai mbetet shembull i patriotit, që tregon se
cfarë bënë njerëzit e LDK-së, për vendin e tyre.Si shembull i ndritshëm i
njeriut që luftoi për institucionet e Kosovës, që u ndërtuan nën udhëheqjen e
presidentit Rugova por, edhe në Deçan, ku hartoi dokumentet komunale në harmoni
me Kushtetutën e Kosovës, të aprovuar në Kaçanik. Si luftëtar e njeri
atdhetar,ai do kujtohet me pietet dhe vepra e tij do të mbetet një shembull i
lartë që do tu shërbejë brezave që vijnë
Ne që e njohëm përsëafëmi Sali Cekajn, me të cilin vepruam sëbashku, në rrethana shumë të vështira për Kosovën, jemi të nderuar, të privilegjuar, krenar e me fat, që patëm një mik të tillë, ndërkaq familja një familjar të cilin do ta kujtojë Kosova për jetë e mot.