Udhëpërshkrim
Riza Lahi: Borëbardha me 35 xhuxha
E shtune, 02.06.2012, 10:06 AM
BORËBARDHA ME 35 XHUXHA*
Nga Riza LAHI
Salloni i shkollës
“Jeronim de Rada” të kryeqytetit është
përplot. Mureve ka piktura fëmijësh, thënie të poetit tonë të madh, lule ngado,
gjyshër e gjyshe, nëna e baballarë që janë ulur nëpër karrige e sa të tjerë që rrijnë
në këmbë e presin.
Një mikrofon
përballë e, ja edhe një magnjetofon poshtë tollumbaceve të fryra me hidrogjen që
qëndrojnë… hahahahah…qëndrojnë vetë në tavan dhe bishtat u zgjaten poshtë për të
pritur doçkat e kolopuçëve.
Me germa
të mëdha letre lexojmë në sfond :”Abetare, abetare/ Sillma diellin në dritare /
Rrjedh në këngë plot kumbim/ Gjuhë e lashtë e vëndit tim”.
Sjell nëpër
mendje shkrimtarët për fëmijë. Vallë, cili prej tyre i ka shkruar këto vargje që
po më duken pafundësiht të bukur tani?
Ata që kanë
mësuar që të gjitha germat e abetares dhe kanë festën e saj sot, ja ku rrijnë gati,
atje… si xhuxha të vegjël, secili ka në kokë nga një kapele kartoni ku është pikturuar
njëra nga germat e alfabetit. Ata presin “komandën” e borbardhës së tyre të lumtur,
mësueses së klasës së parë “B”, Matilda Ruçi që shpërndanë anekënd buzëqeshje për
prindërit që vijnë ta takojnë, duke bërë çmos të kontrollojë e të mos i tregojë
emocionet e saja.
Arkeli,
nipi im, ja ku rri serioz e tërë solemnitet . Me ata faqet buçko e sytë e kaltër
e tërë mend, ai tërheq papushim vëmendjen e grave e vajzave të lagjes sime;
duan ta puthin, por ai nuk i lë. Kur dikush ia puthë, më në fund, faqen, ai e
fshin gjithë inat.
Më së fundi….
Grupi i 7-8
vjeçarëve afrohet si një tufë e stërmadhe pëllumbash dhe zënë vend sipas
skenarit që ka përgatitur tash sa ditë “zyshja Matilda”.
Ne
spketatorët duartokasim të gjithë papushim. Që të gjithë janë veshur si për
festë. Asnjëri nga spektatorët gazmorë nuk dallohet të jetë nga ata që merr bukën
me listë. Shkaku është se, që të gjithë janë kthyer në këtë moshë të bukur që kalojnë
këta filizë të Shqipërisë sonë.
Para se të
hyja në këtë kallaballëk të veshur si dasmorë, takova një “prind fëmije”, që më
pyeti plot hare, nëse doja unë, të ma
sillte axhentën e promovimit të librave për javën që vjen në… lokal…” O, kështu
ia bëj unë. Shkoj në të tëra këta përurimet dhe ha e zhdëpem sapo
Që të dy
këta miq të mi kanë qenë dikur në këtë moshë
si këta bardhokët shëndeverë, që ua heqin lodhjen, streset, mërzinë prindërve,
gjyshërve, kalimtarëve, sikurse bëjnë të njëjtën gjë lulet e parkut në pranverë.
Në tërë botën
festohet dita e abetares. Në tërë botën kënaqen me fëmijët që do të rriten
pastaj e do të bëhen…Dikush shef, dikush vartës, dikush pilot, dikush murator,
dikush shofer, dikush paqeruajtës…ndonjëri hajdut, terrorist a…
Sinjali
Duartrokitje
shumë- shumë, shumë…Ngado kamera dhe aparate fotografike. Ne kemi ardhur për këtë
“kryeshokun “ tonë, Arkelin, katër veta nga shtëpia. Një kamerë e madhe
televizive sillet ngado. Dirigjentja Matilda, rri pas një kollone dhe i
orienton becat e saj të bukur. Kushedi se sa prova kanë bërë ata. Arkeli im i
di që të gjithë tekstet përmendësh; ia thoshte mbrëmë kryemikeshave të tija,
Ditës dhe Ledias, që e përmbysin gjithëçka për ‘të, ndërsa e kishin vënë për të
recituar.
Nis një këngë.
Të lumturuarit e abetares i hapin gojët shumë nga ku duken disa prej tyre që hala
nuk iu kanë zëvëndësuar dhëmbët e foshnëjrisë. Bërtasin sa kanë zë, se u duket
që kënga del më e bukur ashtu. Ashtu bën edhe Arkeli atje, në rreshtin e fundit, të cilin mezi e shikoj edhe unë.
Çdo të jepja
këto çaste të shihja të filmuar miqtë e klasës sime të parë, Fatmira Bashën,
Vehbi Cacanin, Burhan Kurtin, Ndriçim Karakaçin, Besnik Hamzin, Fatmir Veselin,
Pranvera Jahjën, Besim Brocin….Atëherë nuk kishte në shtëpi askush aparat
fotografik, pa le më kamera…
Një fëmijë
po reciton diçka. Ai buçet se ka germën “B” në kokë, që na kujton të gjithëve
një emër të madh – Bajram Currin…
“Unë jam
germa “DH”…Kam bashkuar në një shkronjë të vetme “D” në e diellit dhe “H” në e
hënës”…”Zemra e nonës së vet” bën një grua e thinjur dhe e shëndoshë, me siguri
gjyshe, ndërsa kolopuçja hyn mes shokëve për t’i lënë vend germës tjetër.
“Unë jam
germa “N”, që ma ngatërrojnë me “M” nganjëherë, jo përherë”…Të qeshura dhe
aparate që filmojnë. Duartokitje shumë.
Ja germa “F”,
e flamurit tonë. “Sh”- ja dihet, e Shqipërisë. Pooooo…me germën “K” nis Kosova
heroike dhe një strofë kushtuar asaj.
Ngado
ndjehet dora dhe shpirti i borëbardhës së fshehur pas kollonave dhe plot
tension.
Një vjershë
që tregon për një fëmijë që është nisur në Kanada dhe u thotë shokëve e shoqeve
të vet që ta kujtojnë se, po u ikën nga gjiri i tyre përtej oqeanit. Një e qarë
në anën time më këput shpirtin. Është një grua e thyer.
Thuajse të
gjithë fëmijët përsërisin me vete e, sigurisht, pa zë, tesktin e shokut apo shoqes së tyre. Duartrokitje dhe
shtangie nga demosntrimi virtuoz i nje vajze të kësaj klase. Ajo kërcen një balet
klasik nën një muzkë klasike në mënyrë të mahnitëshme. Çdo tv shqiptare do ta
kish pasur si pajë një të tillë paraqitje si ky i kësaj vajze të vogël që, më pas,
Arkeli do të më thoshte me krenari për shoqen e kalsës se quhet Klarisa.
Kohë pas
kohe magnetofoni jep këngë për fëmijë…Për fat të keq shumë, këngët e
festivaleve të fundit për fëmijë asqë duken gjëkundi. Ata nuk e kanë fituar
ende dashurinë dhe qytetarinë e këngëve të fëmijërisë sonë a ca të mëvonëshme,
që i dijnë të gjithë. Me të cilat, ja, po rriten edhe fëmijët e nipat tanë.
Më së fundi…
pas një gjysëm ore, festa vjen në përfundim.
Fëmijët
sullen te spektatorët e spektatorët te ata. Të gjithë këmbëngulin të bëjnë foto
me mësuesen e fëmijëve të tyre. Mësuesja e klasës së parë është ajo që i jep
drejtim filizave të brezit që vjen. E kush gëzohet më shumë se sa ajo, kur, e
thinjur, merr vesh se një kolopuç i saj është bërë shkencëtar, gazetar, poet,
politkan, ka fituar aq e kaq çmime sportive? Po ashtu, e kush vuan më shumë se
ajo, kur lexon në kronikat e zeza për krime të bërë nga ndonjë ish ferishte që ka
kaluar nëpër duart e saja dikur!?
Mësuesja e klasës së parë është ajo që ne u kemi lënë në dorë fatet e Shqipërisë që po afron.. është qenia më e dashur, më modeste, më në hije të shoqërisë sonë por… edhe më e lumtura nga të gjithë.