E shtune, 27.04.2024, 05:23 PM (GMT+1)

Mendime

Idriz Zeqiraj: Heroi Sali Çekaj dhe llogaritë politike Presidente - Kryeministër (III)

E diele, 20.05.2012, 07:06 PM


HEROI SALI ÇEKAJ DHE KALKULIMET POLITIKE PRESIDENTE - KRYEMINISTËR (3)

S H I K-u I TMERRSHËM, SI U VRANË 1.300 SHQIPTARË

SHIK-u nuk është pronë ekskluzive vetëm e PDK-së, por edhe e

AAK-së, sepse strukturat e krimit i kanë pasur të përbashkëta.

Rrafshi i Dukagjinit është përgjakur hiç më pak se sa trevat e

tjera të Kosovës.

Përtokja e turpshme e LPK-së dhe pasojat

SHKRUAN: IDRIZ ZEQIRAJ

Etja për pushtet i shpuri lëpëkeistët në përtokjen, nënshtrimin, vasalitetin, poshtërimin dhe bindjen servile ndaj bandës kallëse të Shqipërisë tonë. Ata harruan, madje, me dashje, se: Rexhep Mejdani u priu falangave të kuqe shkatërruese, deri në shtet-zhbërje, të Shqipërisë; harruan deklarimet kundra-kombëtare të Fatos Nanos në Kretë dhe Lisbonë; injoruan gjenin trashëgues të Skënder Gjinushit nga i ati, gjeneral Et`hemi, i cili, sëbashku me "vëllezërit partizanë jugosllavë" gjakosën Drenicën qendresëtare, Kosovën mbarë; e falën Paskal Milon për këmbënguljen e tij autonomiste dhe bashkëjetesën me Serbinë; përligjën krimet monstruoze, eleminimin e inteligjencës dhe të ajkës kombëtare shqiptare, që bëri Sigurimi i Enver Hoxhës, që nga degjenerimi i luftës për çlirim, në luftë civile, Sigurim ky i riorganizuar dhe i udhëhequr në vitet `90-a nga Fatos Klosi!!!

Përmbushja e kushtëzimeve, sa poshtëruese, po aq armiqësore e kriminale për Kosovën, filloi nga shkarkimi i kryesisë të vjetër të LPK-së. Kryetari Fazli Veliu me shokë u akuzua për tradhti. Sjellja e butë ndaj LDK-së dhe kompromiset e mundshme për bashkëpunim në përballjen e luftës, u dënuan ashpër! Në stilin komunist, të gjithë kundër të gjithëve, përçanë shokët e vjetër. Puçi bëhej në surdinë. I vetmi që reagoi zëshëm ishte magjistri i shkencave juridike, tani doktor,  Muhamet Kelmendi, i cili, në një gazetë të kohës, në disa vazhdime, denoncoi intrigimet e Tiranës zyrtare dhe puçin e turpshëm brenda Lëvizjes.

Pas kryesisë, radha i erdhi gazetës "Zëri i Kosovës". Tashmë, LPK-në dhe redaksinë e gazetës e udhëhiqnin shtetas lindak të Shqipërisë. Shumësia e ideologëve, analistëve, më sakt - banalistëve, gazetarëve e sharësve ordinierë, u sulën, egërsisht dhe rrugaçërisht, mbi të djathtën kombëtare. Në shenjestër ishin vënë LDK-ja dhe PDSH-ja, me liderët e tyre: dr. Ibrahim Rugova dhe prof. Sali Berisha. Pushtuesi serbosllav, Serbia, pothuajse, u harrua.

TVSH, Redaksia për Kosovën, u uzurpua nga gardistët e kuq të LPK-së, ngjashëm me Radiotelevizionin e Prishtinës nga pushtuesi, vetëm këtu me njerëz të pa uniforma, duke përzgjedhur kuadrin servilë, injorantë, provokativë, përçarës, lapanjozë e rrospihanë. Politika redaktuese u politizua dhe u banalizua skajshëm. Skenaristët dhe folësit robotë lansonin në etër vetëm përlavdërime pa fije mbulese, gënjeshtra dhe dizinformata, me porosi të shefave të tyre të mendësisë të mykur enveriste. Banda e "revolucionit" të `97-ës, tashmë, kishte emëruar "komisarin" politik të "UÇK-së" dhe "zëdhënësin" e saj, të cilët, de fakto, duke qenë të komoduar në vilat e Bllokut intrigues e kriminal të Tiranës, nuk kishin asnjë lidhje me bazën, luftën, me Kosovën. Atje luftonin dhe rezistonin oficerët dhe ushtarët e Ibrahim Rugovës, sëbashku me popullin e Kosovës. Tirana zyrtare me bandën e re të LPK-së, po rrënonin gjithëçka që LDK-ja dhe lideri i Kosovës, Presidenti Ibrahim Rugova, kishin ndërtuar me mund, sakrifica e gjak përgjatë një dekade. Qëllimi ishte qartazi i lexueshëm: historia fillon me ne, historia fillon sot!!

Bandës të Tiranës zyrtare nuk i shpëtoi as Fondi "Vendlindja thërret". Ndryshimet e bëra në administrimin e tij dhe intensifikimi i propagandës gebelsiane se kinse "ky fond është i vetmi që ndihmon luftën në Kosovë", favorizoi anarkinë e qëllimshme, duke krijuar hapësirë për vjedhje masive. Fondi në fjalë ishte i paligjshëm, përçarës dhe nuk arriti, as për së afërmi, të përmbushë misionin në të cilin thirrej. Ai fond mund të jetë përdorur për gjithëçka tjetër, por, jo edhe për luftën.

Në një kohë rekorde u përmbushën, pothuajse, të gjitha porositë - kushtëzime, të krerëve të "revolucionit të vonuar", të bëra për lëvizakët, kukulla të tyre. Përçarja e faktorit politik dhe ushtarak të Kosovës kulmoi deri në përmasat e pariparueshme. Për rrjedhojë, asnjëherë dhe kurrë nuk u arrit krijimi i Shtabit të Përgjithshëm dhe as i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Kjo "ushtri" mbeti vetëm në siglën e uniformave. Ruajna Zot nga matrapazët falsifikatorë, madje, edhe me tituj doktora të historisë, si Jakupi ynë, sepse futja në histori e emërtesave dhe krijesave inekzistente, do ta përdhoste edhe më tej historinë tonë kombëtare, do t`i devalvonte vlerat e vërteta të luftës dhe do të ishte përtallje me gjakun e dëshmorëve, heronjve, të cilët u martirizuan në emër të lirisë, demokracisë dhe të së vërtetës.

Kapitulli i vetëm i skenarit komunist, që ngeli në letër, i pa jetësuar, ishte autonomia. Dhe, kjo falë ndërhyrjes të NATO-s,  çlirimtare të Kosovës.

Banda e "revolucionit" nuk identifikohet me Shqipërinë

Populli i Kosovës është i vetëdijshëm për mbështetjen dhe ndihmën e madhe që ka dhënë Shqipëria dhe populli i saj për Kosovën. Kuadro, njerëz të thjeshtë dhe deri luftëtarë vullnetarë, pavarësisht bindjeve politike, kontribuan për lirinë e Kosovës. Angazhimi i gjithanshëm i Shqipërisë, në veçanti, në arenën ndërkombëtare, ka bërë që ajo të jetë një nga faktoret përcaktues për pavarësinë e Kosovës. Andaj, populli i Kosovës i është, për jetë e mot, mirënjohës Shqipërisë nënë. Ne, për asnjë çast nuk e konfondojmë bandën e "revolucionit të vonuar demokratik" me Shqipërinë. Kjo bandë është pa atdhe, sepse atdhe ka internacionalizmin proletar, komunizmin, me qendër Moskën. Prandaj, edhe i vunë flakën, pa hiç dhimbje, Shqipërisë, madje pa pardon fare, as sot dhe kësaj dite.

Adem Demaçi aprovoi, legjitimoi dhe stimuloi krimet

Tmerrësisht e dhimbshme, çuditërisht e habitshme, madje deri

në mosbesim, por, mjerisht, fort e saktë, simboli i rezistencës

të djeshme dhe heroi ynë i sotëm, Adem Demaçi, aprovoi,

legjitimoi dhe stimuloi krimin ndërshqiptar!

Revanshi agresiv majtist-komunist kundra të djathtës gjithëshqiptare kulmoi me vrasjen e ministrit të luftës, pikërisht, në vlugun e luftës, kolonel Ahmet Krasniqit. Ishte një krim i paparaprijës, unik, madje për të gjitha kohërat. Ishte një thikë pas shpine që i futej Kosovës nga banda e Tiranës zyrtare, në bashkëveprim me bandën e LPK-së, madje në mes të Tiranës. Një tradhti e tillë, në një kohë zezonë, do të mbetet përjetësisht, si njolla më e zezë e të gjithë historisë tonë kombëtare. Atentatimi i ministrit, me qëllim të dështimit të luftës, ishte vetëm nisma e një gjakderdhjeje brenda shqiptare, me qëllimin final - marrjen e pushtetit me dhunë - qoftë ai edhe autonomist e fiktiv.

Tmerrsisht e dhimbshme, çuditërisht e habitshme, madje deri në mosbesim, por, mjerisht, fort e sakt, simboli i rezistencës të djeshme dhe heroi ynë i sotëm, Adem Demaçi, aprovoi, legjitimoi dhe stimuloi krimin ndër-shqiptar. Ta pohosh këtë të vërtetë, tashmë, të faktuar nga deklarimet dhe veprimet e idhullit tënd të dikurshëm, është e rëndë, ngushtuese deri në lot. Por, ama, e vërteta ia vlen të këmbëhet, qoftë edhe me jetën.

Adem Demaçi, duke e lëpirë atë që kishte pështyrë më herët, (kujtoni: refuzimin për ta përshëndetur "fitoren" e bandës të `97-ës), duke u vënë i tëri në shërbim të bandës tiranike të Tiranës, njësoj si lëvizakët e tjerë. Ende pa u tharë gjaku i ministrit të vrarë, Ahmet Krasniqi, në trotuarët e Tiranës, Demaçi u shpërfaqë në Televizionin Shqiptar, me kërcënimin e hapur se "ne do t`i qerojmë hesapet me ata që na dalin para në rrugën tonë", (lexo: për pushtet)! Kërcënimi i Demaçit, i bërë në cilësinë e Udhëheqësit të Shtabit politik të UÇK-së, merr peshë të veçantë. Ai ishte shef i shtabistëve që sot janë në pushtet, pra, PDK-së, e cila identifikohet me SHIK-un  dhe SHIK-u përgjaku Kosovën. SHIK-u nuk është pronë ekskluzive vetëm e PDK-së, por edhe e AAK-së, sepse strukturat e krimit i kanë pasur të përbashkëta. Rrafshi i Dukagjinit është përgjakur hiç më pak se sa trevat e tjera të Kosovës.

Dhe, kujt i doli para koloneli strateg, Ahmet Krasniqi, i cili filloi luftën për mbrojtjen  e Kosovës, duke e lëndëzuar artin ushtarak shkencor e modern?! Nipi i nacionalistit të njohur, kaçakut trim të Kosovës, Aziz Zhilivoda, shefi i Kazermës të Gospiçit, në Kroaci, bazuar në Marrëveshjen e Osllos, garantues i së cilës ishte edhe Demaçi ynë, po harmonizonte mrekullueshëm e suksesshëm planin ushtarak, në rrethanat supër-specifike të Kosovës. Kolegët luftëtarë të kolonel Ahmet Krasniqit, në fushëbetejat e tyre të suksesshme, aplikuan taktikën dhe strategjinë e përvijuar, në gjallje, nga ministri i tyre Krasniqi.

Deklarimi shantazhues dhe fort kërcënues i Adem Demaçit, madje i bërë publikisht, ishte shkelje, me të dyja këmbët, i Marrëveshjes të Osllos, ishte prerje në besë të ministrit Ahmet Krasniqi, emërimin e të cilit e kishte aprovuar edhe vet ai. Kërcënimi i Demaçit ishte pranim publik i vrasjes të ministrit, njëherësh, legalizim e stimulim për vrasjet seriale që do të pasonin, duke arritur kuotën tmerruese të 1.300 shqiptarëve, por, ka zëra dhe të dhëna se numri i të ekzekutuarëve arrinë  në 1700 vetë, kryesisht, ushtarakë dhe veprimtarë të çështjes kombëtare, të vrarë në pusira dhe prapa shpine, ditën për diell dhe natën në errësirë, me qëllim të marrjes të pushtetit me dhunë.

Tashmë, është jashtë çdo dyshimi se Adem Demaçi është edhe mbrojtës i organizatës supër-kriminale - SHIK-, e themeluar nga Hashim Thaçi me shokë. Edhe 6 (gjashtë) vjet pas miratimit të vrasjes të ministrit Krasniqi, Demaçi nuk ndërron mendje, mbetet po ai i vjeshtës të 1998-ës, madje, duke ashpërsuar gjuhën në mbrojtjen dhe stimulimin e krimit. Ishte shokuese për kombin dhe mbarë botën demokratike aprovimi i Adem Demaçit për vrasjen e studentit Enis Zemaj, vetëm e vetëm pse ai ishte djali i vetëm i kolonel Tahir Zemaj, strategut fitimtar të Betejës të Loxhës! Dhe, katundi thërret dhe pyet: "Hej, ku të çon mushka, o Adem Demaçi, Hero i Kosovës?!!

- V I J O N -



(Vota: 4 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora