Mendime
Sami Repishti: Personalitet i Çoroditun – Mendje e Sëmurë
E shtune, 19.05.2012, 05:18 PM
Personalitet
i Çoroditun – Mendje e Sëmurë
Nga Sami Repishti
Këto ditë,
lexova në Panorama (Tiranë) ” intervistën” dhanë nga “shoqja N.” për Dr. Janos Bugajski, analisti i njohun
hungarezo-amerikan, në të cilën ajo cilëson ish të përndjekunit politikë si”…vjedhës
lopësh dhe vrasës”. Si ish i burgosun politik ndjehem shume i fyer. Deshmorët,
dhe viktimat e tiranisë komuniste që sakrifikuen aq shume për lirinë dhe
demokracinë shqiptare janë herojt e mi; unë jam nxanësi i tyne.
Si qenie
njerëzore ndjehem i vramë nga fymjet banale –dhe krejtësisht të padrejta- që u
bahen dhjetëra mijëra të përndjekunve politikë nga tirania komuniste, të pushkatuemve
me gjyq e pa gjyq, të gjithë atyne që vuejtën e u shuen në 23 burgjet komuniste
dhe afër 50 kampet e internimit rretherrotull Shqiperisë, për ma shumë se dyzetëepesë
vjet si rrjedhim i helmit të shpërndamë nga “shoqja N.” dhe xhelatët e saj.
Si
qytetar i lirë, unë protestoj vrasjet dhe persekutimet e bashkeatdhetarëve të mi,
mohimin e vuejtejeve të tyne dhe poshtënimin e tyne të fundit, mohimin e
sakrificës supreme e baltosjen e idealeve të tyne për liri e demokraci “Shoqja N.”! Ish të perndjekurit politikë nga tirania
komuniste nuk janë “…vjedhës lopësh as vrasës”.
*
Kam pas
fatin e mirë me bashkepunue me Dr. Bugajski-n. Kam admirue ndërshmëninë intelektuale,
dhe profesionalizmin e tij. Sëbashku, kemi dëshmue para Kongresit Amerikan, dhe
në konferenca e seminare ku janë trajtue problemet e Ballkanit dhe sidomos
problemi shqiptar në hapësinën ballkanike. Sëbashku kemi denoncue
kriminalitetin e diktatorëve lokalë, dhe krimet e tyne në Shqipëri dhe në Kosovë.
Nuk kam
asnji dyshim se qëllimi i Dr. Bugajski-t me marrë nji intervistë nga “shoqja N.”
ka qenë nji përpjekje e sinqertë me hjedhë dritë mbi errësinën e terrorit 45-vjeçar
në Shqipëri, ku “shoqja N,” ka luejtë nji rol qenësor. Dr. Bugajski ka qenë,
dhe mbetet, nji specialist i botës komuniste të Europes Lindore. Prej natyre,
ai ashtë realist që informohet, mendon dhe gjykon paparagjykime.
Por ajo që
i jep nji ngjyre të padëshirueshme këtij episodi ashtë natyra e pareparueshme e
çoroditjes së “shoqes N.” deri në atë shkallë sa të mos jetë në gjendje me pa
viktimat e krimit të planifikuem e të zbatuem nga ajo me sistem, të mos jetë në
gjendje me ndigjue vajin e mijëra familjeve që humbën të dashtunit e tyne,
viktima të krimit që ajo kreu për afër 50 vjet, dhe paaftesia e saj me
perballue qoftë kujtimet e së kaluemes së tmerrshme që përgatiti me duert e
veta, qoftë realitetin e ditëve që jeton. Kjo verbëni e plotë ashtë ndoshta
edhe mallkimi i fundit që ajo mban në kurriz për mungesën e plotë të nji ndërgjegjje
njerëzore. Personalitet i çoroditun; mendje e smurë. Ky duhet të ketë qenë edhe
përfundimi i Dr. Bugajski-t.
Përshkrimi
i historisë të së kaluemes komuniste në Shqipëri nga “shoqja N.” ashtë nji
deformim i ngjarjeve dhe nji interpretim “simbas deshirës” që në thelb përmban
mohimin e së vërtetës dhe nji përpjekje te pandalueshme te ego-s saj me
rikrijue nji bote fiktive qe ajo dëshiron të besojë, dhe që pa dyshim rrjedh
nga shtypja shpirtënore që ushtron pesha e krimit të kryem që nuk e duron. Ajo
jeton në nji atmospherë deluzioni ku realiteti nuk ekziston dhe ku andrrimet e nji fantazie të sëmurë
mbizotërojnë.
Çdo gja,
simbas saj ka qenë e saktë. Eliminimi i ajkës së lëvizjes komuniste në Shqipëri
“sans bruit, sans tambour” ka qenë nji nevojë urgjente e kohës. Vrasjet masive
me qëllim terrorizimi të popullsisë i ka imponue koha. Arrestimet, torturat,
gjykimet me burgje të përjeteshme, pushkatimet e varjet në litar, kanë qenë vendime
gjyqësore të parapame me “ligje” për konsolidimin e “diktaturës së proletariatit”.
Puna e detyrueshme në kampe e qendra internimi kanë shërbye me krye punime të vështira
në këneta e miniera për plotësimin e planeve të çmenduna pesëvjeçare. Kolektivizimet
që mohuen edhe qumshtin e fëmijve të ushqyem keq, kanë qenë domosdoshmëni
kategorike për suksesin që largohej çdo ditë e ma shumë nga horizonti. Ndërsa,
frika e përgjithshme që mbuloi vendin ishte atmosfera e përshtatshmne për nënshtrim
të plotë të popullsisë. E gjithë kjo në shërbim të revolucionit socialist dhe
ndertimit të nji shoqënie te re “ku do të ketë çdo plotësim nevoje dhe dëshire”.
Gjithëka
pranohet për hir të “Revolucionit” Çdo vuejtje shikohet si “abstraksion” – evitohet
me qëllim perballimi me të, dhe shihet si fazë kalimtare që siguron fitoren e “luftës
së klasave”dhe ”socializmit”. Ndërkaq ai ka humbë kuptimin. Kjo prirje për “abstraksion”,
nji akt që nuk përfillë dhe izolon ”sakrificat” për qëllimin final të “Revolucionit”
kërkon largimin e tyne nga mendjet tona, mospërfilljen e tyne në llogaritë tona,
përpjekjen tonë kundër realitetit. Kjo prirje kërkon tërheqjen tonë nga bota
objektive dhe fluturimin në botën e andrrave që do të vijnë…! Në Shqipëri, kundërshtarët
kanë qenë nji “abstraksion”- nuk kanë ekzistue, zhdukja e tyne nuk ka paraqitë ndonji
problem….Perpara për “Revolucion”!
Ndërkaq,
për tre miljonë shqiptarë kjo ka qenë fëtyra e Sizifit, të dënuem me shtye
shkambin deri në maje të kodrës, dhe me shikue si rrokulliset, vit mba viti për
katër dekada e gjysëm- ose për shumë fatzez
deri në vdekje. Albert Camus shpjegon këtë gjendje: ”Jemi dëshmitarë të gënjeshtres,
poshterimit, vrasjeve, internimit, dhe torturës, dhe në çdo rast ka qenë e
pamundun me bindë xhelatët e akteve të ketilla mos me veprue kështu, sepse ata xhelatë ishin të bindun në vete,
dhe se nuk ka mundësi me u bindë para nji ‘abstraksioni’”.
Nuk ka
ndryshim në mes të kampeve të vdekjes në krematorët nazistë e gulageve
sovietike dhe burgjeve mesjetare të tiranisë komuniste në Shqipëri. Akoma edhe
ma shumë: nuk ashtë roli i jonë me qenë xhelatët e vëllazënve dhe motrave tona, as me qenë viktima
të marrëzisë së madhe që na rrethon, as me sakrifikue jetët tona sot për hir të
nji vrapi drejt utopisë që reflektohet në nji të ardhme- që nuk vjen kurrë!”
Kahe e përgjegjësisë
për aktet tona, i perkujdesjes për njenitjetrin, përparimit gradual, i humanitetit
përbuzën nga hovi revolucionar i katër kuajve të Apokalipsit komunist: gënjeshtres,
pabesisë, urrejtjes dhe hakmarrjes!
Ajo që duhet
të ketë impresionue Dr. Bugajski-n, duhet të ketë qenë injoranca e thellë e “shoqes
N.”, paaftesia e saj me kuptue momentin historik dhe rolin e saj udhehëqes në këtë
moment. Në Europën perëndimore ziente, mbas LDB, dialogu mbi rolin e Bashkimit
Sovietik. Mjaft intelektualë europianë, dhe sidomos francezë –J.-P Sartre ka
qenë ma i dalluemi- u përpoqen me
kuptue, me shpjegue ose me justifikue terrorin e sovjetëve në Europën Lindore. Sartre
u përpoq edhe të “humanizojë” terrorin e kuq në saje të nji “abstraksioni”, dhe hodhi poshtë idete e iluminizmit francez
të shekullit 18, i cili zhvilloi temën e “humanizmit” ku çdo akt individual ka
rezonancë dhe kuptim. Ndërsa A.Camus e kundërshtonte që në ditët e para të çlirimit
nga nazistët. Ai qortonte fanatikët se liria e fitueme duhet te na sjellë nji
ankth metafizik si dhe kahen e nji përgjegjsie të re: jo urrejtje, jo retorike
e thatë, jo mediokritet që mbytë nismën çlirimtare të gjeniut, e jo shkatërrimin
e vlerave tona njerëzore dhe kombetare.
E kundërta
ngjau në Shqipërinë e re të “shoqes N.”: nuk ka ankth të shkaktuem nga çmenduria
e LDB, nuk ka përgjëgjsi për aktet kriminale, ushqehet urrejtja, flasim dhe
flasim pa asnji kuptim, gënjejmë, vrasim elitën, glorifikojmë mediokritetin,
mbysim çdo nismë individule të talenteve
tona, shkatërrojmë çdo vlerë njerëzore dhe kombëtare! Rrnoftë diktatura e
masave të çmenduna, të dehuna nga marrja në dorë e pushtetit dhe nga udheheqja
që nuk ka asnji ide për përgjegjësinë historike të momentit.
Ky
ka qenë
qëndrimi paprincip dhe i rrezikshëm qe i dha me kuptue Amerikës dhe
Europës perëndimore se trashëgimtarët e totalitarizmit nazi-fashist mbas LDB
ishin “komunistËt”dhe
përkrahësit e tyne, dhe prandej duhej rezistue me çdo kusht vala e tyne
ekspansioniste në botë. “Lufta e ftohët” këtu e ka burimin, dhe këtu gjeti frymëzimin
e saj: me shpëtue botën nga Bashkimi Sovietik dhe staliznizmi i çmendun. Dhe,
ma ne fund, triumfoi!
Ky botëkuptim
perëndimor nuk ka nevojë për errësinën, torturën, dënimet kapitale me gjyq e pa
gjyq, dhe burgje të pafund me sigurue të drejtët e qytetarëve, dhe të atyne që sistemi
shoqënor i harron ose ishtypë. Përvoja e mbas LDB ka provue se të ashtuquejtunat
“legjislacionetsocial-demokrate” me frymë kristiane mund të votohen dhe
aplikohen me sisteme parlamentare te lira në njikohë kur mbretnon paqa.. Ky
ashtë edhe shembulli ma i shkëlqyeshëm i Europës Perëndimore, bërthamë e
Bashkimit Europian që synojmë edhe na shqiptarët. Dhe me plot të drejtë!
Ridgefield,
CT. SHBA
Maj 2012