E shtune, 21.09.2024, 02:21 AM (GMT+1)

Mendime

Idriz Zeqiraj: Heroi Sali Çekaj dhe llogaritë politike Presidente - Kryeministër (II)

E marte, 15.05.2012, 06:25 PM


HEROI SALI ÇEKAJ DHE KALKULIMET POLITIKE PRESIDENTE - KRYEMINISTËR (2)

KRIM, TRADHTI DHE RRUGAÇËRI

Gjatë dhe pas luftës kemi më shumë komandantë se sa ushtarë,

sepse po të mbeteshin vetëm në cilësinë e ushtarit, do të

ishin vulë-humbur, madje për gjallje dhe vdekje!

NAG IDRIZ ZEQIRAJ

Tashmë, dihen dy firmat e urdhër-arrestit për Sali Çekaj. Dihen edhe shefat e këtyre kryeshtabistëve të Dukagjinit. Fletë-arresti përmban elemente të krimit, tradhtisë dhe të rrugaçërisë - njëherësh. Sepse, kuadri ushtarak i pikëtuar për arrestim dhe likuidim fizik ishte pjesë e trinomit: Presidenti Rugova - profesor Fehmi Agani - juristi i diplomuar Sali Çekaj. Ai, më mirë se askush tjetër, kuptoi filozofinë rugoviane se si mund të bëhet shteti i Kosovës, andaj filloi me zbatimin e porosive urtake  të Presidentit Rugova, duke filluar jetësimin e Kushtetutës të Kaçanikut në komunën e Deçanit dhe organizimin e grupit "Djemtë e Armatosur të Deçanit", i cili, de fakto, është grupi i parë luftarak i organizuar në hapësirat e Kosovës.

Rishikimi i historisë të fillojë me Sali Çekaj

Intervista e dr. Rugovës, dhënë gazetarit gjerman, se "ne nuk jemi kurrëfarë pacifistësh, por, thjeshtë, na mungojnë armët, për rrjedhojë, raporti i forcave me Serbinë, na imponon, aktualisht, rrugën paqësore", konfirmohet dhe lëndëzohet në veprimet e intelektualit Sali Çekaj me shokë, duke demantuar, madje bindshëm, të gjitha përrallisjet e shpifjet e stalinistëve-lëpëkeistë të Kosovës dhe të padronëve të tyre enveristë në Tiranë.

Që këtej dematohet qartazi "pacifizmi" i Presidentit Rugova dhe krahasimi, qëllimkeq dhe hiç adekuat, i lëvizjes kombëtare, e prirë nga LDK-ja, me lëvizjen gandiste. Nëse Gandi indian refuzonte në heshtje kolonizimin britanik dhe ushqehej me qumështin e dhisë, nga frika e helmimit anglez, dr. Rugova krijonte institucionet pushtetare e shtetërore paralele, njëherësh - mendonte dhe vepronte edhe për përballjen ushtarake, në rastin që koha do ta impononte. Pra, kemi një tejkalim të shumëfishtë të gandizmit.

Heshtja e figurës të Sali Çekaj dhe përpjekja për ta mbuluar me harresë personalitetin e tij intelektual e ushtarak, ka qenë dhe mbetet në axhendën e LPK-së, tani të konvertuar në PDK-e, të zbatuar rreptë nga SHIK-u. Sepse pranimi i të vërtetës për veprimtarinë e heroit Sali Çekaj, zbulon gënjeshtrën e madhe, falsifikimin e turpshëm të LPK-së, (lexo:PDK-së), se kinse "ne e nisëm dhe ne e bitisëm luftën, (bilëz, duke e heshtur edhe NATO-n!), ne e çliruam Kosovën, madje, ne shpallëm edhe pavarësinë" dhe përralla të tjera të stilit komunist-stalinist e enverist.

Duke i dijtur të tëra këto, presidenti kalimtar Behxhet Pacolli si dhe presidentja aktuale Jahjaga, e kalonin pa e parë shtatorën dhe familjen e Sali Çekaj, edhepse kjo familje ishte e angazhuar e tëra në luftë dhe sidomos vëllezërit e Saliut: Musa dhe Smajl Çekaj, të cilët e kishin bërë shtëpinë depo armesh, duke u ndalur ke shtatorja dhe familja e një vullnetari të rënë gjatë bartjes të armëve në kufi. Ani, është njerëzore të nderohen edhe vullnetarët dhe ushtarët e rënë, por, ama, jo me seleksionim politk. Në Kosovë, zakonisht, nderohen vetëm komandantët. Prandaj gjatë dhe pas luftës kemi më shumë komandantë se sa ushtarë, sepse po të mbëteshin vetëm në cilësinë e ushtarit, do të ishin vulë-humbur, madje për gjallje dhe vdekje.

Por, harresa e Sali Çekaj dhe e familjes të tij është më shumë se sa harresë, është bërje qejfi, është kalkulim politik me PDK-në, me shefat e saj Hashimin,  Jakupin dhe bandën  e tyre partiake. Por, "dielli nuk mbulohet me shoshë" thotë urtësia popull. Stalinistët e Kosovës, me median dhe sidomos televizionin "shtetëror", po bëjnë atë që quhet "lehje në hënë", sepse lufta nuk ka ndodhur në parahistori, por na ndan vetëm pak më shumë se një dekadë.

Intërvistimi nga KTV i Saim Tahiraj, bashkëveprimtar i heroit Sali Çekaj, sheshoi dhe faktoi bindshëm të gjithë rrjedhën përgaditore dhe organizative të luftës. Në qendër të këtij organizimi ishte Sali Çekaj, në koordinim me Presidentin Rugova dhe profesor Fehmi Aganin. LPK-ja, më vonë PDK-ja, rezulton të jenë sabotatore të luftës dhe vrastare të kuadrit ushtarak institucional dhe të veprimtarëve politikë të LDK-së, me qëllim të marrjes të pushtetit me dhunë. Prandaj, rishikimi i historisë duhet të fillojë, pikërisht, me veprimtarinë e Sali Çekaj, Hero i Kosovës.

Faktorin ushtarak dhe politik nuk e bashkoi as Kosharja

Zvicra ishte bërë qendra pelegrine e këtyre pazareve, por nuk harrohej

as Gjermania. Atje rendën politikan si Nano, shkrimtarë, poetë, gazetarë,

kuadro të partive majtiste, të cilët, në veprimtarinë errëtake të tyre, u

bënë njësh me stalinistët lëpëkeistë të mërgatës. Nuk ishte rastësi as

pjesëmarrja aktive e LPK-së në "revolucionin e vonuar" të `97-ës.

Përpjekja për ta përvehtësuar luftën e Kosharës, duke thënë se "faktori ushtarak ishte i bashkuar në Koshare", është e dështuar. Është e vërtetë se pas thyerjes të kufirit  ndërshqiptar, kuadri stalinist i LPK-së dërgoi ca ushtarë. Por, prania e tyre në numër ishte sa simbolike, po aq edhe e dyshimtë. Në vend që të luftonin, përgjonin dhe kishin tendencën e kontrollit të brendshëm. Disa nga vrasjet, në rrethana të pasqaruara, dëshmitarët e pranishëm ia faturojnë "ushtarëve" të LPK-së. Ndërsa vrasja e ushtarakut luftëtar Adem Ukëhaxhaj i kalon përmasat e dyshimit, dorasi është lakuar me emër dhe mbiemër.

Rrjedhimisht, strukturat ushtarake dhe politike nuk u bashkuan asnjëherë gjatë luftës, me gjithë përpjekjen fillestare që bëri ministri Ahmet Krasniqi, në fillim dhe ushtarakët e tjerë institucionalë në vijimësi. Banda qendrore e LPK-së, e kthyer nga diskotekat e Perëndimit, tashmë, u vendos në vilat  bllokiste në Tiranë. Banda tjetër social-komuniste, e ardhur në pushtet, me kalljen e Shqipërisë, duke e ripërtrirë vëllazërinë e viteve të Luftës të Dytë Botërore me "vëllezërit jugosllavë", u muar vesh që Kosovës t`i kthehet autonomia e vitit 1974 dhe në pushtet të vijnë njerëzit e ideologjisë komuniste, siç ishin gardistët e kuq të LPK-së. Kjo marrëveshje faktohet me deklarimet publike të Fatos Nanos dhe të Paskal Milos, përkatësisht, kryeministër dhe ministër i jashtëm.

Pazaret me Serbinë social-komunistët e Tiranës i kishin filluar qysh në vitet `90-a, në veçanti përgjatë viteve që ishin në opozitë. Zvicra ishte bërë qendra pelegrine e këtyre pazareve, por nuk harrohej as Gjermania. Atje rendën politikan si Nano, shkrimtarë, poetë, gazetarë, kuadro të partive majtiste, të cilët, në veprimtarinë errëtake të tyre, u bënë njësh me stalinistët lëpëkeistë të  mërgatës. Nuk ishte rastësi as pjesëmarrja aktive e LPK-së në "revolucionin e vonuar" të `97-ës. Ideologu i kësaj Lëvizjeje, akademik Rexhep Qosja, me përligjien dhe mbështetjen teorike dhe politike që i bëri këtij "revolucioni" haxhiqamilist, i cili i vuri flakën, veç tjerash, edhe shkollave, bibliotekave, arkivave shtetërore, njësoj si Haxhi Qamili godinave - saraje, zyra të Qeverisë të Ismail Qemalit, në përpjekjen e dështuar për ta kthyer sërishmi në Shqipëri Baba Sulltanin me gjysmëhënën e tij.

Pazaret antikombëtare të Tiranës zyrtare

Social-komunistët e Tiranës zyrtare, tashmë, të veshur me pushtetin e përgjakur, krahas joshjes për pushtetin e ardhshëm autonomist në Kosovë, u vunë kushte ultimative krerëve "rezervë" të Lëvizjes:

1.- Strukturën e re drejtuese të LPK-së, pra, kryetarin dhe krryesinë;

2.- Ndërrimin e kuadrit redaksional të fletushkës antikombëtare "Zëri i Kosovës", duke e zmadhuar në gazetë;

3.- Intensifikimin e agjitimit revanshist kundër të djathtës të Kosovës dhe të Shqipërisë - njëherësh, me theks të veçantë kundër Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Partisë Demokratike të Shqipërisë, si dhe të lidërve dr. Ibrahim Rugova e prof. Sali Berisha;

4.- Ndryshimin e kuadrit drejtues të Fondit "Vendlindja thërret", si dhe agjitimin e egër, këmbëngulës e provokativ për begatimin e tij të shpejtë;

5.- Uzurpimin e redaksisë transmentuese të lajmeve, e cila vepronte në kuadrin e Televizionit Shtetëror Shqiptar;

6.- Porosi interne dhe tejet e veçantë e klikës të kuqe të Tiranës zyrtare, e përbërë nga: presidenti Rexhep Mejdani, kryeministri Fatos Nano, Skënder Gjinushi, Paskal Milo, Fatos Klosi me kompani, ishte: përçarja kulmore e faktorit politik dhe ushtarak të Kosovës, me synim të pamundësimit të krijimit të një Shtabi të Përgjithshëm dhe as të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, me qëllimin final të sabotimit dhe të dështimit të turpshëm të luftës, (gjë që edhe ndodhi). Rrjedhimisht, nga pazaret e Tiranës zyrtare, me bishtin e saj Lëvizjen Popullore të Kosovës nga njëra anë dhe Serbinë nga ana tjetër, do të realizohej autonomia e Kosovës, duke ia kthyer amandamentet Kushtetutës të vitit 1974. LPK-ja, në këmbim të këtyre shërbimeve, do të shpërblehej duke u vënë në krye të pushtetit fiktiv autonomist.



(Vota: 5 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora