E diele, 28.04.2024, 11:46 AM (GMT+1)

Mendime

Idriz Zeqiraj: Heroi Sali Çekaj dhe llogaritë politike Presidente - Kryeministër (I)

E enjte, 10.05.2012, 06:00 PM


HEROI SALI ÇEKAJ DHE KALKULIMET POLITIKE PRESIDENTE - KRYEMINISTËR (1)

ATA QË KËRKONIN ARRESTIMIN E SALI ÇEKAJT,

SOT E QAJNË NË AKADEMI PËRKUJTIMORE!

Figura e Sali Çekaj shquhet për thjeshtësi e traditë shqiptare,

pastërti morale, fisnikëri njerëzore, zgjuarësi intelektuale dhe

trimëri e strategji ushtarake.

SHKRUAN: IDRIZ ZEQIRAJ

Manifetimi përkujtimor, në Kosharën luftarake, nxori në pah tendencën imorale të falsifikimit të historisë. Dekori i tribunës ishte dëshmi vetëfolëse i vijimësisë të manipulimeve të vrazhdëta. Fotografia e personazhit kryesor të kësaj ngjarjeje të shënuar, Heroit Kombëtar Sali Çekaj, ishte vendosur në qoshake, e hijëzuar nga fotografi të tjera, sa që as gazetat nuk arritën ta ndiçojnë!

Tejet cinike ishte edhe paraqitja në tribunë të ndoca fytyrave fort përfolura për krime faktike dhe mbrojtës të krimeve. Ata që dje lëshuan fletë-arrestin, me qëllim likuidimi fizik, për ushtarakun Sali Çekaj, sot, me paturpësi, zinin vend në ballin e tribunës përkujtimore të Kosharës!! Ç`po ndodhë kështu me Kosovën?! A mos po fashistizohet?! Pa mëdyshje, në atë kahje po shkon. E tmerrshme, por, mjerisht, krejt e saktë.

Refuzimi nga Presidentja, truk politik i kryeministrit Thaçi

Refuzimi i financimit të këtij manifestimi përkujtimor si dhe mospjesëmarrja e Presidentës të Kosovës, Atifete Jahjaga,  në këtë ceromoni homazhi e lavdie, nuk është rastësi. Përkundrazi, është e tëra e motivuar politikisht. Pushtetarët kanë filluar fushatën parazgjedhore, për zgjedhjet qendrore, të pashpallur zyrtarisht dhe truku i patronazhit të Kryeministrit, Hashim Thaçi, ishte veprim e kalkulim me Presidenten, me qëllim përfitimi  politik në llogari të kreut të ekzekutivit të Kosovës. Jo me kot ishte dërguar aty edhe cicëroni i Hashimit, Hajredin Kuçi. Injorimi që i bëri Presidentja luftës të Kosharës, ishte i porositur, ashtu siç ka qenë i sugjeruar edhe injorimi i shtatorës dhe i Familjes të Sali Çekaj, më parë, po nga kjo Presidente.

Është shumë zhgënjyese edhe prononcimi i përsëritur i Presidentës se "bisedimet me Serbinë janë teknike"! Dhe, ky sllogan i rrejshëm është porosi e Kryeministrit për mashtrimin e opinionit. Përndryshe, a mund të jetë kaq profane politike një Presidente, kur dihet nga të gjithë se bisedimet janë tërësisht politike?!

Veprimet hiç parimore dhe kalkuluese, kësaj here, zbuluan keqas Presidentën e Kosovës, duke u bërë pjesë e fushatës parazgjedhore të PDK-së. Do të ishte një mrekulli nëse strukturave të SHIK-ut do t`u shpëtonte një kuadër policie pa e shtenë nën çadrën e tij. As rasti i Presidentës nuk bën përjashtim.

Hashim Thaçi vjen nga kuzhina staliniste-enveriste e Tiranës, nga ku e ka mësuar edhe artin e djegies të figurave politike, duke mbetur vet gjithnjë i parë. Deklarimi  i tij se "Fatmir Sejdiu po më dëgjon më shumë se sa Indriti im", është një e vërtetë e provuar përgjatë koalicionit fatal të PDK-së me LDK-në. Drejt zvetnimit, deri në venitje, po shkon edhe Presidentja aktuale.

Kush ishte Sali Çekaj?

Ndonëse Ju, zonja presidente, njësoj si pararendësi Juaj Pacolli, anashkaluat vizitën në Familjen e Sali Çekaj, më detyroni të përsëris se kush ishte Ai, i "harruari" i Juaj:

Veprimtaria atdhetare e Sali Çekaj nis në pranverën e vitit 1981, për të vazhduar, madje, parreshtur, deri në flijimin heroik, më 19 prill 1999, ke Rrasa e Kosharës.

Juristi i diplomuar Sali Çekaj ishte prijetar në komunën e Deçanit për mbështetjen e minatorëve; ishte i parë në ballafaqimet politike në mbrojtje të Kushtetutës, përkatësisht, të amandamenteve të saj të vitit 1974; ishte nismëtar i hedhjes të librezave partiake të LKJ-së në komunën e Deçanit; është jetësuesi i parë i Kushtetutës të Kaçanikut në Kosovë, përkatësisht, në komunën e Deçanit, ku ishte edhe kryetar i saj.

Juristi i diplomuar Sali Çekaj përfaqëson grupin e parë të armatosur në Kosovë të "Djemëve të Deçanit"; është njëri nga organizuesit faktik për ushtrime ushtarake të djemëve të Kosovës në Shqipëri; është i treti i renditjes vërtikale hierarkike për luftë mbrojtëse: dr. Ibrahim Rugova, prof. Fehmi Agani, juristi i diplomuar Sali Çekaj; është eprori i koordinimit të grupeve guerile në Kosovë, duke qenë në bashkëpunim me Adem Jasharin e Drenicës, Zahir Pajazitin e Llapit, Ahmet Hoxhën e Ferizajit si dhe grupimet e mëvonshme të zonave të tjera në tërë Kosovën; është njëri nga veprimtarët më aktiv, krahas kryetarit të Kolegjiumit të Degëve të LDK-së në Diasporë, Hafiz Gagicës, në ndihmë të mbijetesës ekonomike dhe politike të popullit të Kosovës dhe të institucioneve paralele të Kosovës.

Juristi i diplomuar Sali Çekaj është kontraktues i hapjes të ushtrimores ushtarake në Viçidol, pastaj të zhvendosur në  Papaj të Tropojës, (sëbashku me vendorin Muharrem Tafa, i cili, në shoqërim me Qazim Jakupin, babai i këngëtarës brilante drenicase- Leonora Jakupi, u gjenden të vdekur në rrugëtimin Tropojë - Tiranë, në rrethana të dyshimta),  në zbatim të strategjisë të luftës, të hartuar nga ministri i mbrojtjes, kolonel Ahmet Krasniqi; në koordinim me kolegët luftëtarë Agim Ramadani  dhe Rrustem Berisha me shokë, është iniciator dhe bashkëveprues i thyerjes të kufirit Shqipëri - Kosovë,  përkatësisht shqiptaro - shqiptar; është komisari dhe komandanti, krahas Agim Ramadanit e Rrustem Berishës me shokë, i luftës të Kosharës, e cila përfaqëson detashmentin më të organizuar ushtarak dhe luftarak, duke e legjitimuar luftën në Kosovë dhe në botë; është Hero i Kosovës, i rënë, me armë në dorë, ke Rrasa e Kosharës.

Juristi i diplomuar dje dhe Heroi i Kosovës sot, Sali Çekaj është në pesëshën e parë të organizimit dhe të strategjisë të luftës, krahas Presidentit Ibrahim Rugova, ideologut Fehmi Agani, ministrit të mbrojtjes, kolonel Ahmet Krasniqit, fitimtarit të Betejës të Loxhës, kolonel Tahir Zemaj. Sali Çekaj është heroi numër një i rënë në fushë-betejë. Figura e Sali Çekaj shquhet për thjeshtësi e traditë shqiptare, pastërti morale, fisnikëri njerëzore, zgjuarësi intelektuale dhe trimëri e strategji ushtarake.

Ishte cinike dhe fort e dhimbshme kur me rastin e ngritjes të bustit të heroit  Sali Çekaj, në fshatin e lindjes, në Broliq të Deçanit, në krye të këtij aksioni ishin kuadro të partisë, shefat e të cilës, gjatë luftës, kanë lëshuar dhe firmosur fletë-arrestin, pikërisht, për komisarin dhe komandantin Sali Çekaj!

Edhepse, në rastin konkret, nuk fajësoj këshilltarët Tuaj, sepse për çdo veprim apo mosveprim, kur duhet vepruar, fajësoheni Ju, zonja Presidente dhe jo këshilltarët, pasi ata janë të zgjedhurit Tuaj. Por, dua t`ia kujtoj zotit Ramush Tahiri se kur ishte zëvendëskryeministër, ka qenë në shtëpinë time sëbashku me Sali Çekajn. Pra, këshilltari Juaj e ka njohur nga afër heroin Çekaj. Dhe, kjo "harresë" nuk mund të konsiderohet e rastësishme!



(Vota: 17 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora