Udhëpërshkrim
Pierre-Pandeli Simsia: Drekë miqësore në Nju Jork me Profesorin japonez Kazuhiko Yamomoto
E diele, 25.03.2012, 04:55 PM
Drekë miqësore në Nju Jork me Profesorin japonez Kazuhiko Yamomoto
Nga Pierre-Pandeli Simsia
Burri i mirë dhe i urtë, intelektuali i mirënjohur në mbarë Diasporën Shqiptare Dr. Selahedin Velaj, na mblodhi përsëri në Manhattan, Nju Jork, ditën e mërkurë, më 21 mars, 2012.
Patrioti vatran Dr. Velaj njihet në Komunitet edhe si nismëtari dhe organizatori i takimeve me karakter kombëtar në mbrojtje të çështjes shqiptare.
Kësaj radhe, ftesa nga Dr. Selahedin Velaj kishte një tjetër qellim: T'i uronim mirëseardhjen në Nju Jork, mikut të shqiptarëve, autorit të librit: "Struktura Etike e Kanunit dhe Nënkuptimet e saj Kulturore" Profesorit nga Japonia, Kazuhiko Yamomoto dhe bashkëshortes së tij, zonja Saçiko Yamomoto.
Takimi i mirseardhjes u mbajt në hollin e Hotelit Murray Hill East, 149 East 39 Street, New York City, NY
Bashkatdhetarët e nderuar kishin nderin të mernin pjesë në atë takim: aktivistja e mirënjohur në komunitet, Elmira Muja, Prof. Sali Bollati, Prof. Agron Fico, publiçisti dhe gazetari i talentuar, Beqir Sina.
Nuk ishte hera e parë që njiheshim me Prof japonez Yamomoto. Takoheshim pas gjashtë vitesh dhe, pothuajse, të gjithëve na mbante mend.
Të çiltër, të thjeshtë, buzagaz, me plot humor, Prof Yamomoto dhe bashkëshortja e tij, zonja Saçiko; kjo ishte pamja e parë që lexoje në fytyrat e tyre.
Takohemi e përqafohemi si miq. "J'u mbaj mend, zoti Simsia... Ndjehem i gëzuar që po takohemi përsëri... Edhe nëse dua t'ju harroj unë, është shtatlartësia jote ajo që nuk mund t'ju harroj..." - më thotë me humorin e tij profesori japonez.
" O, zoti Bollati... sa mirë që u takuam përsëri pas gjashtë vitesh... Edhe pse para pak kohësh j'u dërgova e-mail urim-përshëndetës, është kënaqësi që takohemi prap..." - i drejtohet zotit Sali Bollati.
Takimin dhe përqafimin vëllazëror e bën gjithashtu edhe me gazetarin e mirënjohur në komunitet, zotin Beqir Sina. "I kam ndjekur shkrimet e tua, sidomos atë ku pasqyronit aktivitetin e promovimit të librit "Struktura Etike e Kanunit dhe Nënkuptimet e saj Kulturore" përkthyer nga Dr. Selahedin Velaj" i thotë profesori, gazetarit Beqir Sina.
"Elmira, Elmiraa. E kam të fiksuar këtë emrin tuaj të bukur shqiptar dhe nuk mundem ta harroj. Jeni e mrekullueshme..." i drejtohet zonjushës Elmira Muja, Prof. Yamomoto.
"Profesor Fico, ju kujtoj, sepse e kam edhe librin tuaj që më dhuruat herën e fundit kur u takuam këtu në Nju Jork... i drejtohet Prof. Agron Ficos.
E ndërsa biseda zhvillohej e ngrohtë në hollin e hotelit me Prof. Yamomoton, bashkëshortja e tij, zonja Saçiko, regjistronte në video kamera takimin tonë.
"I zoti i shtëpisë" që na kishte ftuar, i nderuari Dr. Selahedin Velaj, kishte merakun e tij për vonesën e disa bashkatdhetarëve të tjerë ("traditë" shqiptare kjo, mosrespektimi orarit të takimit) Për arsye të ndryshme personale familjare, disa bashkatdhetarë të ftuar nuk mundën të vinin në atë takim.
Pas bisedës së këndshme në hollin e hotelit, Dr. Selahedin Velaj, na ftoi të shkonim për të drekuar në restorantin Sam's Place 132 E 39TH St, New York City, NY, pronar i restorantit është bashkatdhetari ynë, zoti Maxhun Biberaj.
Zoti Biberaj na kishte rezervuar tavolinën në një nga sallat e katit të dytë të restorantit.
Si pjesëtarët e një familjeje zumë vend në tavolinë.
Dr. Selahedin Velaj, me gotën me verë në dorë i uron mirseardhjen Prof. Yamomotos dhe bashkëshortes së tij Znj. Saçiko, gjithashtu na falenderon edhe ne pjesëmarrësve që iu përgjigjëm ftesës së tij.
Dr. Velaj njihet në komunitet edhe për humorin e tij, që i shoqëron bisedat e ndryshme.
Edhe në atë takim nuk kishte si të ndodhte ndryshe, madje, urimin e mirëseardhjes së miqve japonezë Dr. Selahedin Velaj, përveçse në gjuhën angleze, e bëri edhe në gjuhën japoneze.
Prof. Kazuhiko Yamomoto, na përshëndeti të gjithëve, duke falenderuar Dr. Selahedin Velaj për ftesën që i kishte bërë, si edhe neve pjesëmarrësve që ndodheshim në atë drekë.
Prof. Yamomoto foli për kulturën dhe traditën shqiptare si njohës i mirë që është, për Folklorin Shqiptar, veshjet kombëtare shqiptare... Gjithashtu ai foli edhe me mbresat e paharuara që kishte patur me Dr. Selahedin Velaj gjatë ditëve të qendrimit të tij në Japoni dhe për mbresat e shkëlqyera dhe të paharuara sa herë takohet me shqiptarë, siç ishte edhe rasti i asaj dreke...
Unë, Pierre-Pandeli Simsia, autori i këtij shkrimi, në përshëndetjen time drejtuar Prof. Yamomotos, midis të tjerash, i kujtova se, në mbarë shqiptarët, ju jeni një personalitet i nderuar; jo vetëm se keni shkruar librin "Struktura Etike e Kanunit dhe Nënkuptimet e saj Kulturore", dhe keni qenë pjesëmarrës në konferena dhe simpoziume të ndryshme në Kosovë, por, se me ardhjen e Dr. Selahedin Velaj-t në Japoni, u mundësua ngritja dhe valëvitja e Flamurit Kombëtar Shqiptar në Japoni dhe ajo ç'farë është më e rëndësishmja, me ndihmën tuaj, u mundësua nënshkrimi i një peticioni prej 135 firmash për Pavarësinë e Kosovës në atë kohë... Një akt i rëndësishëm i vlerësuar dhe i pa harruar nga çdo shqiptar. Gjithashtu, përkraha edhe propozimin e Dr. Selahedin Velaj-t që, Prof. Yamomoto të shpallet Qytetar Nderi i Shqipërisë...
Prof. Sali Bollati në përshëndetjen e tij tha:
"Është një eveniment shumë i rëndësishëm, sepse një ndër veteranët, një ndër legjendarët e emigracionit shqiptar në Sh.B.A. Dr. Selahedin Velaj, ka ftuar një profesor nga Japonia, por që është shumë afër me Shqipërinë. E kam takuar Prof. Yamomoton herën e fundit kur ishte këtu në Nju Jork, madje edhe me veprat e tij jam njohur, por dua të theksoj se, para një viti, më ka bërë përshtypje shumë të madhe, kur Prof. Yamomoto më dërgon përshëndetje për Çamërinë nga Austria. Ishte në një udhëtim profesional në Austri në universitet. Atje takon një çam dhe më dërgon të fala për Çamërinë. Kjo tregon se, Prof. Yamomoto është një mik i madh i shqiptarëve dhe propozimi që ka bërë Dr. Velaj, që Prof. Yamomoto të shpallet Qytetar Nderi i Shqipërisë është me shumë vend dhe ne duhet ta propozojmë dhe ta përkrahim atë. Është me të vërtetë një nder i madh për ne shqiptarët...
Gazetarja Elmira Muja, në përshëndetjen e saj, midis të tjerash tha:
"Bujaria e Dr. Selahedin Velaj-t është treguar gjithmonë; kjo është një shenjë e mikpritjes së shqiptarëve për këtë nder që i bëjmë mikut tonë, Prof. Yamomoto, i cili në fushën e shkencës si studiues ka bërë shumë për Shqipërinë... Prof. Yamomoto është një mik i shqiptarëve dhe mbetet përherë i vlerësuar. Edhe unë e mbështes propozimin e Dr. Selahedin Velaj që Prof. Yamomoto të nderohet me titullin "Qytetar Nderi i Shqipërisë"...
Gazetari Beqir Sina, në përshëndetjen e tij tha:
"E vlerësoj shumë këtë takimin e sotëm, lidhjen e ngushtë miqësore që ka Dr. Velaj me prof. japonez, e cila është pasqyrë e punës që ka bërë vetë Prof. Yamomoto për pasqyrimin e vlerave dhe traditave shqiptare. Një punë kolosale, që pa ndihmën e Dr. Velaj-t nuk do ishte pasqyruar dhe nuk do ishte vënë në pah. Dhe për këtë unë ndjej kënaqësi dhe e vlerësoj punën e Prof Yamomotos që në një të ardhme të jetë anëtar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Shqipërisë, për arësye, se punimet e tij kanë një vlerë të madhe dhe do të jenë një kontribut për vlerat e historisë dhe traditave tona kombëtare...
Prof. Agron Fico, në përshëndetjen e tij tha:
"Është hera e dytë që e takoj profesorin japonez Yamomoto. Është një nder dhe kënaqësi të takosh një njeri që ka dhënë kontribute të veçanta në fushën e studimeve etnografike, që fillon me studimin për Kanunin Shqiptar. Në këtë kuptim ai ka dhënë një kontribut në kulturën shqiptare. Prof. Yamomoto është një ambasador lidhës midis dy vendeve tona dhe merita e madhe për këtë, i takon sigurisht, Dr. Selahedin Velaj-t për këmbënguljen e tij për ta mbajtur afër dhe me sponsporizimet dhe me ftesat e tij, ne kemi pasur raste ta shohim, në kuptimin të na frymëzojë për bashkëpunim të mëtejshëm shkencor.
Bashkohem me propozimin zotit Beqir Sina, se Prof. Yamomoto, duhet të jetë anëtar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Shqipërisë, për vlerat dhe kontributin e tij që ai ka dhënë...
Gjatë drekës, si ne shqiptarët edhe çifti bashkëshortor japonez Saçiko dhe Kazuhiko Yamomoto, iu përshtatën traditave tona të bukura shqiptare në ngritjen e dollive të shëndetit dhe të urimit me gotat e verës në duar.
A ka gjë më të bukur?!
Dhe bukuria e atij takimi, e asaj dreke të këndshme dhe të paharuar, do mbyllej me daljen në fotografi, kujtim për të gjithë ne pjesëmarrësit.
Faleminderit Dr. Selahedin Velaj për organizimin dhe ftesën që na bëtë të ishim pjesëmarrës në atë takim.
Faleminderit Prof. i nderuar, miku i gjithë shqiptarëve Kazuhiko Yamomoto dhe bashkëshortja e tij zonja Saçiko, që ishit pranë nesh në mes të Manhattanit, në zemër të Nju Jorkut.