Udhëpërshkrim
Baki Ymeri: Fillojnë aktivitetet për 100-vjetorin e Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë në Bukuresht
E premte, 09.03.2012, 07:56 PM
Startojnë aktivitetet për 100-vjetorin e Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë në Bukuresht
Nga Baki Ymeri
Klubi Boema 33, që ndodhet në zemër të Bukureshtit, është shndërruar në një vatër mikpritëse të kulturës shqiptare dhe vlerave të saj. Në kuadrin e kësaj qendre janë zhvilluar një serë manifestimesh kulturore me prezantime librash të përkthyera nga gjuha shqipe në gjuhën rumune dhe anasjelltas. Tryeza e parë e miqësisë rumuno-shqiptare, me praninë e dashamirëve të Shqipërisë dhe Ambasadës Shqiptare në Bukuresht, u
mbajt para disa vitesh, me rastin e xhirimeve të Televizionit të Kosovës në Bukuresht, Konstancë e disa qendra tjera, ku sot e kësaj dite jetojnë bijtë dhe bijat e rilindësve tanë. Pasuan pastaj prezantimi i veprave të disa poetëve nga Kosova si Basri Çapriqi, Miradije Ramiqi, Halil Haxhosaj, Fehmi Kelmendi e tjerë, ndërsa lansimi i parë i një poeti kosovar (Sali Bashota), u mbajt në kuadrin e Muzeut të Letërsisë Rumune, që ndodhet në afërsi të restorantit “Boema
Diplomë Shkëlqesie në adresë të Zonjës Arlinda Morava
Takimi i 8 marsit 2012, me dashamirës të kulturës shqiptare, ishte dhe startim i kremtimit të 100 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë dhe kontinuitet i afirmimit të kulturës shqiptare në trojet rumune. Me këtë rast u çel seria e re e manifestimeve shqiptare në veri të Danubit, me prezantimin e revistës Shqiptari, të disa antologjive me autorë të përbashkët, të disa veprave të autorëve rumunë të rikënduar në gjuhën shqipe, dhe të disa autorëve nga Kosova dhe diaspora shqiptare, të botuara në Bukuresht. Manifestimin në fjalë e nderuan edhe disa dashamirë të kulturës shqiptare, me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Gruas, si dhe sopranoja e mirënjohur shqiptare, artistja lirike Arlinda Morava, me nismën e së cilës dhe me mbështetjen e Bashkësisë Kulturore të Shqiptarëve të Rumanisë u krye ky manifestim.
Këtë takim të përzemërt e nderuan edhe krijues të mirënjohur rumunë, si Mihai Antonesku, poet, romansier dhe eseist, autor i librit “Dardania e zemrave tona”, poetët Florin Kostinesku dhe Gabriel Vinçenciu Malaesku, diplomati Gjergj Bukura (Gheorghe Bucura, një mik i madh i Kosovës dhe kulturës shqiptare), Ambasadori Alexandru Mica, poeteshat Viorela Kodreanu, Ane Maria Bezhliu si dhe një numër i konsideruar miqsh e dashamirësh të shpirtit shqiptar në këtë vatër të motshme të rilindësve tanë. Me këtë rast Bashkësia Kulturore e Shqiptarëve të Rumanisë i dorëzoi znj. Arlinda Morava një Diplomë Shkëlqesie, me motivacionin: “Për promovimin e kulturës shqiptare në Rumani”, dhe në gjithë Europën.
Viorela Codreanu, nga e majta, dhe Arlinda Morava në të djathtë
Mihai Antonescu para Skënderbeut dhe flamurit shqiptar
Arlinda Morava dhe diplomati Gjergj Bukura (Gheorghe Bucura)