E shtune, 20.07.2024, 10:15 PM (GMT+1)

Udhëpërshkrim

Engjëll Koliqi: Jehoi deri në Alpe kënga dardane e lirisë dhe e dashurisë së mirëfilltë arbërore

E hene, 27.02.2012, 08:59 PM


Në Primaluna të Lecco-s:

 

Jehoi deri në Alpe kënga dardane e lirisë dhe e dashurisë së mirëfilltë arbërore

 

Qindëra bashkëkombas tanë, denjësisht dhe me krenari, e kremtuan 4-Vjetorin e Pavarësisë dhe shtetësisë së Kosovës. Që nga mbrëmja e deri në orët e pasmesnatës iu kënduan heronjëve, dëshmorëve, lirisë, kurbetit dhe dashurisë e solidaritetit arbëror. Në kremte kanë marrë pjesë edhe delegacione të shoqatave të Milanos, si dhe autoritete të pushtetit vendor. Formulë e përbashkët e manifestuesve ishte Shqipëria Etnike.

 

Shkruan: Engjëll KOLIQI

Fotoreporterë: Engjëll Koliqi, Gafurr Buduri e Kristian Ramaj - Kaci

 

Garlate (Lecco), shkurt 2012  - Në mbrëmjen e së shtunës së 18 shkurtit, qindëra mërgimtarë shqiptarë, ishin tubuar në palestrën sportive të komunës së Primalunës së Leccos, rrëzë Alpeve, për të shënuar, bujshëm e me krenari, 4-Vjetorin e pavarësisë dhe të shtetësisë së Dardanisë së Re, të quajtur Republika e Kosovës. Shoqata organizatore “Stublla” me seli në Lecco kishte ftuar të gjithë mërgimtarët që punojnë e jetojnë në këto anë. Përveç qindëra bashkëkombasve tanë nga Rrethi i Lecco-s, kishin ardhur edhe delegacionet e shoqatave “Kosova e Lirë” nga Magenta e Milanos dhe “Miqësia Itali-Shqipëri” e Fondacioni “Ibrahim Kodra” nga Milano.

 

Moderatorët Krist Ramaj e Marie Zefi-Ukaj, pikërisht në ora 19, e kanë ftuar në skenë kryetarin e Shoqatës Integruese Kulturore e Humanitare “Stublla” – Pashk Ballabani, i cili e ka shpallur të hapur kremten dhe i ka përshëndetur mysafirët e ftuar, sidomos ata të shoqatave të Milanos. Pastaj David Ballabani foli për çlirimin dhe pavarësinë e zhvillimin shtetëror të Kosovës. U ftuan në skenë, për një fjalë përshëndetjeje, edhe mysafirët nga shoqatat e Milanos dhe përfaqësuesit e pushtetit lokal – kryebashkiaku i Primalunës, Mauro Artusi dhe asesori (shefi i drejtoratit të kulturës dhe emigracionit), Redaelli Gabriele. I pari (kryebashkiaku) e filloi fjalimin e tij, me përshëndetjen shqip (mirëmbrëma), përshëndetje që e kishte mësuar në Kosovë, ku kishte shërbyer tri vjet. Ai, ndër të tjera, tha se ndjehet i privilegjuar që ka pasur fatin të shërbejë në Kosovë dhe ndjehet krenar që në komunën e tij i ka mbi 60 mërgimtarë kosovarë, që janë shembull i përbashkësisë në harmoni. Ishte shumë kënaqësi të dëgjoje të tjerët që flasin mirë për vendin tënd. Bariu shpirtëror, prifti kosovar Don Jeton Thaqi, i cili gjendet për studime pasuniversitare në Venedik, shpesh vjen këtu në Lecco, për kremtimin e meshëve dhe të sakramenteve, bashkë me bashkatdhetarët. Ai nuk mungoi as në këtë festë dhe para fillimit të spektaklit e celebroi një meshë për të falënderuar Zotin për lirinë e Kosovës dhe për ta lutur për prosperitetin e shtetin tonë. Edhe në spektakël, Don Jetonii ka përshëndetur të pranishmit, që e kanë falënderuar me duartrokitje frenetike.

Në këtë festim, nuk u harruan institucionet tona qendrore. Në të vërtetë, kryesia e shoqatës kishte përgatitur një letër përshëndetëse për Presidenten Jahjaga dhe për kryetarin e Kuvendit të Kosovës – Krasniqi. Letrën, që po e japim këtu të plotë, para të pranishmëve ne festë, e lexoi autori i këtij reportazhi. Ja se ç’përmbante letra me urimimin institucioneve tona më të larta:

 

Shumë e nderuara Presidente e Republikës së Kosovës – Zonja Atifete Jahjaga,

Shumë i nderuar kryetar i Kuvendit të Kosovës – sovran i popullit – Dr Jakup Krasniqi

 

Ne, qindëra mërgimtarë kosovarë jemi mbledhë sot në Lecco, për të festuar 4-Vjetorin e rishpalljes së pavarësisë së Rebublikës së Kosovës, me një program të përshtatshëm kulturo-artistik, prej nga jua përcjellim urimet dhe përgëzimet më të përzemërta, në emër të mijëra qytetarëve të Kosovës sonë që përkohësisht jetojnë dhe punojnë në këto anë!

 

Bashkë me urimet tona, jua përcjellim edhe kërkesën tonë këmbëngulëse, që të jeni shumë të kujdesshëm me sovranitetin e vendit tonë, që ende e shohim të rrezikuar, me shumë lëvizje absurde të armikut tonë shekullor – Serbisë, sidomos me lojërat e fëlliqta strategjike në të ashtuquajturat bisedime teknike, që po rrëshqasin në planin politik.

 

Mos na harroni, sepse ne, edhepse në mërgim, jemi qytetarë të Republikës së Kosovës, me të drejta dhe përgjegjësi të plota për përspektivat dhe prosperitetin e vendit tonë.

 

Në këtë ditë të madhe, kremtojmë për Dardaninë – Kosovën, të cilën e duam si një republikë të një federate apo konfederate shqiptare, që duhet të marrë udhë në skadimin e dënimit të Shqipërisë, me aneksimit të trojeve në afat 100 vjeçar, në këtë jubile të madh – 100 Vjetorin e Pavarësisë.

 

Urime dhe përgëzime!

Rroftë Kosova!

Rroftë Shqipëria!

Gëzuar!

Me shumë nderime dhe rrespekt për Ju

Dhe me dashuri të madhe për Dardaninë Tonë

Për shoqatën integruese, kulturore e humanitare “Stublla”

Pashk Ballabani – kryetar

Engjëll Koliqi – ambasador i paqes

Lecco, 18 shkurt 2012

 

Kësaj radhe, organizatorët kishin që të mos shpenzonin para, për të paguar këngëtarë nga Kosova, por mbarë programin kulturo-artistik e kishin përgatitur me forca vetanake. Fëmijë, të reja e të rinj, gra e burra kanë kënduar dhe kanë vallëzuar shumë bukur, me plot gëzim e me dinjitet. Përveç këngëve “Lec Lazdrani”, që shumë bukur e kanë kënduar në duet vogëlushet Linda e Alberika Koliqi, “Jam mërzitë” bashkëshortët Elizabeta e Krist Ballabani dhe “Ma ke gishtin për unazë”, në duet Afërdita Ballabani e Luz Koliqi, këngët tjera janë kënduar në grup, sikurse edhe vallet e gëzuara festive. Ishte me të vërtetë një spektakël i mrekullueshëm. Posaçërisht të pranishmit janë prekur me pjesën teatrale, shumë speciale, që me lojën shumë të bukur të artistëve, përmes monologjeve e kanë interpretuar Krist Ballabani dhe Emanuel Ukaj. Kulminacioni i kësaj pjese teatrale u arrit, kur artistët bënë me dije se populli ynë, megjithë gjakun e derdhur nëpër shekuj, kurrë nuk është ndalur në luftërat e drejta dhe të shenjta për Shqipërinë Etnike. Me shumë emocione është pritur Zonja Barbara Ukaj – Simoni, që ka recituar poezinë shumë speciale të s’ëmës Zahide Marije Ukaj (Mësueses dhe poetes së Stubllës) “Gëzuar pavarësia Kosovë” dhe ka përshëndetur special veteranët e mërgatës së këtushme.

Një javë më parë, në sallën e sporteve në Valmadrera të Lecco-s, ishte zhvilluar një turne futbollistik, me rastin e kësaj feste, me pjesëmarrjen e 14 skuadrave të futbollit të vogël. Në këtë kremte, solemnisht, u ndanë çmimet e këtij turneu, ku vendin e parë e kishte marrë skuadra Ramaj, të dytin Stublla City, kurse vendin e tretë skuadra Lazdranët. Poashtu u dhanë edhe çmime për portierin më të mirë,për golashënuesin më të mirë dhe për lojtarin më të mirë të turneut.

Qindëra të pranishëm kanë paguar biletat e hyrjes, nga 5 €uro dhe kanë shpenzuar, pa ngurruar, për pije dhe ushqime (senduiqa e byrekë), duke e ditur se përveç shpenzimeve të sallës, paratë e tjera, shoqata i destinon në misione shumë të qëlluara humanitare, në ndihmë nevojtarëve, sidomos të sëmuarve dhe në realizimin e projekteve zhvillimore në Kosovë. Këto misione tashmë për këtë shoqatë janë bërë të shpeshta, gati përditshmëri.



(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora