E premte, 04.10.2024, 08:25 PM (GMT+1)

Udhëpërshkrim

Lavdrim Lita: Në komunën Shalë, në zemër të Alpeve shteti ndihmon banorët

E enjte, 16.02.2012, 09:00 PM


Në komunën Shalë, në zemër të Alpeve shteti ndihmon banorët

 

Nga Lavdrim Lita

 

Natyra ka treguar forcën e saj të vërtetë. Qielli ka zbrazur borën e dy dekadave të fundit. Brenda disa ditëve trashësia e borës ka shkuar në dy metra. Në komunën Shalë të Malësisë së Madhe bora ka zbardhur verbërisht çdo gjë, çdo majë mali, çdo gur shkëmbi e degë peme. Strehët që mbulojnë shtëpitë me mure të trasha të kësaj komune sikur kanë veshur të gjitha nga një kapuç të bardhë prej të njëjtës fabrikë prodhimi: natyra. Banorët e kësaj zone të izoluar, që kanë ndërprerë nga çdo kontakt ballë përballë prej dy javësh, kanë lëshuar “alarmin” jo me britma dhe zjarre të ndezura si në kohën e Skënderbeut. Por me telefon dhe shumë mesazhe drejt shtabit të emergjencës. Shteti është përgjigjur duke dërguar ushqime, detergjent, ilaçe dhe shumë solidaritet njerëzor. Këtë mësymje të natyrës dhe përballje të njerëzve e konstatova duke udhëtuar dje me helikopter nga baza ajrore Farkë drejt zemrës së Alpeve. Regjimenti i helikopterëve i vendosur në Farkë i ngjan një koshereje bletësh punëtore. Si asnjëherë tjetër këto heliodromë të fiksuar në tokë nuk kanë pasur kaq shumë gumëzhitje.

Helikopteri ushtarak “AB-205” i pilotuar nga komandanti i bazës ajrore Farkë, Kolonel Frederik Beltoja u ngrit në qiellin gri të Tiranës, i ndjekur nga ca flokë dëbore dhe rrëshqitur në diell drejt Vau të Dejës liqeni i këtij hidrocentrali e ka syprinën e tij të acartë. Helikopterët çajnë rrjedhën e poshtme të Drinit nëpër gryka malesh dhe honesh të thepisura. Pas 10 minutash helikopterët janë mbi digën e Komanit dhe sapo e kalojnë atë syprina e liqenit të tij ka filluar të ngrijë dhe të krijojë një shtresë të hollë akulli ndërkohë që bora rrëshqet nga dy anët e thepisura të shpateve të maleve. Pak pa mbërritur në rrjedhën e sipërme të Drinit disa kilometra para Fierzës helikopterët kthehen si zgalemë dhe marrin në të majtë në një prej majave të thepisura dhe dalin në komunën e Shalës. Banorët po mblidhen në sheshet ku do të ndalojnë helikopterët. Sepse nuk ishim vetëm. Shoqëroheshim nga një tjetër helikopter ushtarak sepse udhëtimet dyshe janë gjithmonë më të sigurta për çdo gjë. Në barkun e shqiponjës tonë fluturuese kishim strehuar rreth 400 kilogram ushqime: makarona, oriz, vaj, miell, konserva më mish, sheqer e një kuti me detergjent; një ngarkesë standarde e planifikuar nga rezerva e shtetit nëpërmjet shtabit të emergjencës. Ndryshe nga koha e keqe dhe e mjegulluar në Tiranë, në veri dje kishte diell, çka kishte bërë të mundur nisjen e sa më shumë helikopterëve ushtarakë e civilë në drejtim të zonave të izoluara, në thellësi të alpeve të frikshme e njëkohësisht mahnitëse. Janë të paktën gjashtë rrugë në ditë që bëjnë pilotët e kësaj baze të rëndësishme e strategjike për të përballuar emergjencat në veri të vendit.

Në komunën Shalë na presin shumë të rinj të fuqishëm që kanë çarë kanionet e dëborës së trashë mbi dy metra me fuqinë e trupit të tyre. Shaljanët janë burra me kulla të forta prej guri dy dhe tre katëshe të vendosura galiç mbi shkëmbinj, në zemër të Alpeve të Shqipërisë në një prej komunave që ndodhet mbi 1600 metra mbi nivelin e detit në një prej shpateve perëndimore të Jezercës. Të gëzuar pa masë jo pse sjellim ushqime, por sepse kuptojmë se nuk janë të braktisur në mëshirë të kapriçove të motit, që këtej është i zakonshëm si zemërimi i natyrës. Pali është një prej këtyre divave, i cili ka një pamje sa dinjitoze aq dhe burrnore, arrij të shkëmbej veç dy fjalë. Edhe pse diell era e fortë t’i largonte fjalët tutje dhe njëkohësisht helika i priste tej për tej. Si po e përballoni këtë dimër, e pyes. “Me vështirësi, por jemi mirë dhe ska të sëmurë”, me thotë, teksa faqet i ka të kuqe nga të ftohti polar minus -13 gradë celsius. Kuptoj se ndihet mirë që kemi ardhur posaçërisht për t’u sjellë ushqime e ilaçe. “Ushtria ka ba punë të madhe këtu, falemners”, shprehet Pali. Kanë kaluar jo më shumë se 5 minuta dhe komandanti bën shenjë të hipim sepse gjithë operacioni duhet të zgjasë jo më shumë se 10 minuta. Zbrazen të gjitha pakot e ndihmës dhe mes rregullave të forta të sigurimit teknik helikopteri duhet të ngrihet pasi nuk mund të ndalojë në dëborë. Shtrëngojmë duart me fjalët që do vijmë prapë po qe e nevojshme, pa merak. Shqiponja “AB-205” ngrihet të fluturojë drejt folesë në Malin e Dajtit. Kolonel Beltoja e ka bërë disa herë këtë kthim në shtëpi, edhe pse në fund të udhëtimi do të thoshte “ishte një fluturim i vështirë, por ia dolëm”. Nuk kisha kuptuar asgjë. Ndoshta aftësia e një piloti është të sigurojë pasagjerët dhe të ndihen pa frikë. Zbresim përgjatë asaj që duhej të ishte rrjedha e liqenin e Fierzës së grirë në 90 pothuajse për qind, gjë që dëften edhe egërsinë e acartë të këtij dimri të pazakontë. Një gjë e radhë për ujërat e liqenit të Fierzës është se përpos ngrirjes sipër saj bora ka zbardhur me dendësi çka është një dukuri e radhë e konstatuar edhe nga banorët e asaj zone të thellë. Kthehemi majtas për në Koman e Vaun e Dejës ku dhe shohim disa njerëz mbi shtëpitë e tyre që me lopata lodhen duke qëruar tej shtresën metroshe të dëborës. Sigurisht i favorizon dielli i munguar prej ditësh. Këto banorë pavarësisht izolimit kanë një marrëdhënie të heshtur me dimrat, nuk shajnë e mallkojnë motin, por njerëzit që tallen me të.



(Vota: 2 . Mesatare: 3/5)

Komentoni
Komenti:

Artikuj te tjere

Pëllumb Gorica: Në papiruse kujtimesh Nue Oroshi: Shoqata, Jetullah Islami, një shkëndijë e ndezur që mban gjallë një guri dheu largë Arbdheut Abas Fejzullahi: Rugova edhe pas vdekjes bashkon shqiptarët Muharrem Sfarqa: Dega e LDK-së në Gjemani përkujtoi Presidentin Rugova dhe disa nga bashkëpunëtorët e tij Beqir Sina: Akademia e Shkencave Shqiptaro- Amerikane nisi pergatitjet e saj per 100 vjetorin e pavaresise Pëllumb Gorica: Ka gjithmonë dritë në fund të tunelit Rejhane Brahimi: Një "Faleminderit" e fuqishme për Gjermaninë Hajdar Sadrija: Akademi përkujtimore kushtuar Dr. Rugovës në Interlaken Tahir Bezhani: Një përurim dinjitoz Ukshin Zajmi: Liridon Sadriu më i miri në “Fest Flaka 2012” Ramiz Dërmaku: Ti nuk e di se çka është e shijshme... Pëllumb Gorica: Fokusimi i vlerave tregues kreativ Ukshin Zajmi: Në Gjilan përfundoi “Pena e Flakës 2012“ Muharrem Sfarqa: Mustafa - Vëllezërit Gashi shembull se çfarë bënë njerëzit e LDK-së për Kosovën Ukshin Zajmi: Përfundoi Festivali Kombëtar i Dramës Shqiptare “Talia e Flakës 2012” Skënder Korça: Festivali i nëntë - spektakular i imazhit shqiptar Abas Fejzullahi: E vërteta rreth çështjes së Bashkimit Kombëtar Ukshin Zajmi: “Tri dekada lirie” Akademi Solemne për hapjen zyrtare të “Flakës se sivjeme të Janarit” Asllan Dibrani: Ndërrimi i motmoteve u shënua edhe në Baden-Baden Gjermani! Tefta Radi: ''Nermin Vlora Falaschi” merr pjesë në Forumin ndërkombëtar të Gruas për zhvillim të qëndruershëm, Pekin

Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora