Udhëpërshkrim
Sarë Gjergji, fitues i ‘Takimeve Poetike të Karadakut’
E shtune, 17.03.2012, 05:46 PM
Sarë Gjergji, fitues i ‘Takimeve Poetike të Karadakut’
Mirënjohje për muzikologun Zejadin Ismaili
Të dielën në Kumanovë u mbajt edicioni i 20-të me radhë i manifestimit tradicional letrar ‘Takimet Poetike të Karadakut’.
Fillimisht, në emër të nikoqirit, kryetari i Klubit të Shkrimtarëve ‘Jehona e Karadakut’ nga Kumanova, Sevdail Demiri, përshëndeti të pranishmit dhe uroi jubileun e takimeve, i cili sivjet korrespondon edhe me 100 vjetorin e shtetit shqiptar. Ai tha se tradita e gjatë kulturore në këtë rajon vazhdon dhe ajo ka nevojë edhe më tej të kultivohet dhe përkrahet në mënyrë më serioze nga ana e institucioneve shtetërore.
Në emër të Këshillit koordinues për shënimin e 100 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë, foli zëvendëskryeministri Musa Xhaferi, i cili shprehu mirënjohjen për këtë organizim kaq domethënës kulturor-poetik që mbahet tradicionalisht në Kumanovë dhe mbledh poetë të shumtë nga Shqipëria, Kosova, Presheva, Maqedonia, etj.
Sekretari shtetëror në Ministrinë e Kulturës, Muzafer Bislimi, premtoi përkrahje edhe më të madhe institucionale të këtij manifestimi me peshë mbarëkombëtare dhe të projekteve tjera që kanë të bëjnë me avancimin e kulturës shqiptare në Maqedoni.
Ora letrare u hap me poezinë e Kalosh Çelikut, ndërsa vazhduan me deklamimin e vargjeve të tyre, poetët: Agim Bajrami, Prend Buzhala, Nehat Hoxha, Flutura Maca, Kujtim Morina, Mustafa Spahiu, Pëllumb Gorica, Nazmi Beqiri, Haki Morina, Hyqmet Hasko, Bejtush Memeti, Arben Rashkaj, Sarë Gjergji, Linditë Ramushi, Bilall Maliqi, Ismail Baftjari, Arsim Halili, Burhanedin Xhemaili, Nehat Jahiu, Sunaj Raimi, Ismail Ganiu, Ismail Bilalli, Arben Ibrahimi, Ali Qerimi, Bajram Ramadani, Milazim Mustafa, Fatos Rushiti, Selajdin Shabani dhe Sevdail Demiri.
Në fund juria në përbërje: Prend Buzhala, Kujtim Morina dhe Fatos Rushiti, veçuan tri poezitë më të suksesshme të takimeve. Vendi i parë iu nda poetit Sarë Gjergji nga Vitia e Kosovës, vendi i dytë poetit Arben Ibrahimi nga Kumanova dhe vendi i tretë Flutura Maçit nga Shqipëria. Të gjitha poezitë pjesëmarrëse botohen në numrin e ardhshëm të revistës ‘Doruntina’, organ i KSH ‘Jehona e Karadakut’.
Në këtë manifestim, për kontributin e veçantë dhënë në zhvillimin dhe afirmimin e kulturës shqiptare, me rastin e 20 vjetorit të Takimeve Poetike të Karadakut dhe 100 vjetorit të shtetit shqiptar, me Mirënjohje u nderua një nga anëtarët më të vjetër të Klubit të Shkrimtarëve ‘Jehona e Karadakut’, kompozitori, muzikologu, pedagogu, kulturologu, publicisti dhe shkrimtari Zejadin Ismaili.
Pas përfundimit të orës letrare, u promovua numri i fundit i revistës ‘Doruntina’ (organ i Klubit) dhe librat e autorëve: Nazmi Beqiri, Bejtush Mehmeti dhe Burhanedin Xhemaili. Për vlerat artistike të këtyre veprave folën recensentët dhe autorët.
Manifestimi letrar ‘Takimet Poetike të Karadakut’, që nga viti 1992, tradicionalisht zhvillohet me datën 11 mars, në kujtim të demonstratave studentore të Kosovës.
Nga Shërbimi për informim i Klubit ‘Jehona e Karadakut’
Më 12.03.2012
Kumanovë