E shtune, 13.07.2024, 11:02 PM (GMT+1)

Udhëpërshkrim

Elinda Marku: Hyni Shqipnia në Shqipni

E enjte, 22.03.2012, 09:02 PM


HYNI SHQIPNIA NË SHQIPNI

 

NGA ELINDA MARKU

 

Prej viti 1999 jetoj 9 orë larg vendlindjes. Në Michigan të SHBA. Kisha 9 vjet pa u kthye në atdhe. Përveç arsyeve të tjera, që e bëjnë të rrallë ardhjen time në atdhe, është edhe rruga e largët. Nëntë orë qiell larg!

 

Në vitin 1972, motra e tim eti u martua 9 orë larg. Nëntë orë male larg. Prej vitit 1972 e deri tash së voni, vinte rrallë në gjini. E pra, ishte e martume me një shqiptar në Shqipëri. Në Shqipërinë e vogël. Në atë të voglën krejt. Në atë Shqipërinë e mbetur vetëm 28.000 km katorë. E megjithatë, shtëpia ku ishte martue nuk ishte më pak se 9 orë, (ndoshta më shumë) larg rrugë. Rrugë e rreziqe! Halla ime nuk ishte bijë në Jug të Shqipërisë 28 mijë km katrorshe dhe e martueme në Alpe të po kësaj Shqipërie, vetëm 28 mijë km katrorshe. Ajo ishte bijë në Veri të Shqipërisë dhe e martueme po në Veri të kësaj Shqipërie. Dhe prapë i duhej me udhetue 9 orë, jo me këmbë, jo me kalë, as me karrocë. Por me makinë. Kur gjendej ndonjëherë ndonjë makinë që mund të kalonte atypari. E pra jemi duke folë e duke udhëtue në fund të viteve 1900- fillim të viteve 2000. 9 orë me shkue e 9 orë me ardhë prej tek shpia e burrit, në Cerrnicë të Tropojës, në Veri të Shqipërisë, deri tek shpia e babës, në Fierzë të Mirditës, edhe kjo në Veri të Shqipërisë. (Nëse e kapte autobuzin e javës, nëse e merrte autobuzi, ose ndonjë makinë të rastit, skodë, saurrelë, tatër, zuk … se gjithë rrethi i Tropojës ku ishte e martueme halla ime, a i kishte a nuk i kishte 3 zuka, kështu që hallës time nuk besoj t’i ketë ra shorti me udhtue me zuk).

Kur me doli llotaria e emigrimit, për në Amerikë, edhe se isha e gëzuar, më trembte fakti që duhej të udhëtoja 9 orë me e mbërritë vendin që kish zgjedhur fati im prej ikanaku. Ndërsa familjaret, nuk i trishtonte sa mua gjatësia e rrugës që po bëhesha gati të merrja. Ndonëse jo me makinë, jo nëpër tokë, jo nëpër det. Por…, nëpër qiell.

Motra ime e vogël, aty ku mbante takëmet e shkollës, kishte edhe një glob prej qelqi qe ia kish pru baba prej Italie. Një ditë, nja një muaj para se të merrja udhën 9 orëshe, e mora globin-hartë dhe ua vuna familjareve në sofrën mbi të cilën po shtrohej darka. U kthyen të gjithë nga unë edhe pse ende nuk kisha nisë me folë. Mbasi e pashë se e kisha tërheqë tashma vëmendjen e të gjithëve, vendosa gishtin tregues të dorës së djathtë aty ku tregohej Shqipëria sa një pikë, por që për brenda Veriut duheshin 9 orë me shkue deri te halla, që banonte po brenda e në Veri të kësaj pike në hartë. Gishtin tregues të dorës së majtë e vuna aty ku tregohej kontinenti ku do të shkoja, një muaj mbas. Baba, për të mos më lënë të ktheja ankimin tim për gjatësinë e udhës në një kor vajtues, foli si gjithmonë fliste. O El, çka ashtë kështu me ty që po i trembesh kaq shumë këtij udhëtimi? Ne jemi mësuar me na emigru bijat 9 orë larg. Ti e din se motra ime e vetme, që asht edhe vëlla i vetëm për mue, ka tash 35 vjet që jeton 9 orë larg prej meje. 9 orë larg prej nesh. E pra megjithëse do thuash ti, ajo ashtë në Shqipëri. Po, në Shqipëri ashtë vërtetë. Por, ashtë 9 herë më e dhimbshme të jesh brenda një Shqipërie kaq të vogël sa kjo pika këtu në hartë, e prapë me t’u dashtë 9 orë udhë me u pa me motrën tënde. E hoqa globin –hartë prej sofrës dhe e ktheva aty ku e kisha marrë, duke u përpjekë me bindë veten se ndoshta baba ka të drejtë. Se ndoshta sak Amerika nuk qenka ma larg prej shtëpisë tonë se sa është Cerrnica e Tropojës!

Në nëntor 2011 u ktheva nga Michigani ne atdhe. Në atdhe kthehem rrallë, jo vetëm prej rrugës së gjatë, të cilës bash edhe ia përtoj. Por kthehem rrallë, sepse fati i ikanakut qenka fat ngjitës. Një vit mbasi ika në Amerikë, baba që emigronte prej kohësh në Itali, vendosi me ikë. Kësaj here iku atje ku, nuk gjendet në hartë vendikja e tij. Gjithë kush mbeti mbas tij, ikën në Itali dhe kështu shtëpinë e babës ua lëshuam ta banojne kujtimet e tij, kujtimet e t’jatit, kujtimet e nanës time, bashkërisht me kujtimet tona. Shtëpia e babës tashmë banohet prej kujtimesh të gjallësh e të vdekurish, bashkë. Teksa ne të gjallët nuk jemi nda vetëm me të vdekurit, por edhe me njani tjetrin. Kështu që të gjitha ditët që udhëtoj me u taku me vëllezërit e motrat, m’i “hanë” udhët që më sjellin rreth e rrotull Shqipërisë, por jo në Shqipëri. Këtë nëntor, nuk shkova me taku vëllezërit e motrat, rreth e rrotull Shqipërisë, por shkova bash në Shqipëri. Atje, ku askush tjetër mund të mos më dilte para, pos kujtimve. Atje, ku askush tjetër mund të mos më mbante mend, pos kujtimeve. Atje ku kujtoja se vetëm kujtimet m’presin. Kujtimet e babës e varri i tij. Kujtimet e nanës e varri i saj. Paskësh qenë gabim. M’paskësh pasë verbu malli i rritun e i bamë sa mali i Kulmes, sa mali i Kfalles. Në atdhe njeriut nuk i mungokan kurrë vëllezërit. Në atdhe njeriut nuk i mungojnë kurrë pritësit e përcjellësit. Në atdhe nuk mungon kurrë dashnia që pret dashninë tande. Përveç gjithë çmalljes time me vëllezër e motra, disa prej të cilëve i takoja për herë të parë, por që, bindem se i kisha pasë vëllezër e motra prej përpara lindjes së tyre, prej përpara mbërritjes time.

….

Qysh ditën e parë të kthimit tim ne atdhe, mbas 9 vjetësh, (skuqem prej turpit e çudisë se si kisha mujt me ndej 9 vjet pa u kthy) nuk pushoja së pyeturi për ndonjë të re që kish ndodhë këto vite të mungesës time, përveç atyre ndryshimeve që më ranë në sy, që sa ende pa ulë në tokë avioni. Në fakt më ra në sy që në Milano diçka ndryshe kësaj here. Avioni i linjës Milano-Tiranë, ishte i mbushur plot e përplot me udhëtarë shqiptarë. Mu ba se isha në Shqipëri që në Milano. Sa pa zbritë avioni në tokën time, me ra në sy, e mu mbushën lot prej gezimit e prej mallit, kur pashë se aeroporti, ishte rritë e e rinue. Madje edhe ishte pagëzue me emrin që fort për zemër e kam. Aeroporti “ Nënë Tereza” Tiranë. Qysh aty ndjeva se po gjeja një Shqipëri shumë më të madhe se Shqipëria që kisha lanë në vitin 1999. Një Shqipëri ma të madhe se Shqipëria që kisha lanë herën e fundit kur isha kthye para 9 vjetësh, me përcjellë babën për në atë botë.

Këto ditët e vizites time në atdhe, do t’i jetoja me një miken time, që tashmë u shndërruam në motra. Flora Nikolla, të cilën e kisha takue rastësisht në USA gjatë vizitës që ajo i bante motrës Zanë. Dita e parë në Tiranë ishte fillimi i mbarë i pushimeve të mia, i çmalljes time, ringjalljes time. Ishin ditët e panairit të librit. Atje ku takova miq e mikesha. Që ditën e parë, mu duk se Tirana ishte rritë e ishte ba sa 6 a 7 qytete bashkë. Se Tirana ishte rritë e ba sa një kryeqytet i vërtetë, i nje shteti të vërtetë, i një kombi të vërtetë e të plotë! Për 9 vjet Tirana ishte rritë aq shumë, sa unë herë mbas here “humbisja” e kërkoja ndihmë, të orientohesha se ku isha… Se isha në Shqipëri, e bash në gji të saj, në Tiranë. Në Tiranën, që dikur, kur isha fëmijë, ishte një ndër vendet më të largëta në botë, për mua. Në Tiranën që gjatë rinisë time të hershme, nuk ishte e lehtë me i shkue brenda. Por ishte e pamundur me i ndenjtë brenda.

Për herë të parë kam shkue në Tiranë, kur jam ba 13 vjeçe. 13 vjeçe kam hangër për herë të parë akullore. 13 vjeçe kam pi për herë të parë aranxhatë. Dhe nuk shkova në Tiranë, me hangër akullore, as me pi aranxhatë. Shkova në Tiranë, për herë të parë, në spital! Në spitalin që tash ashtë pagëzu, me emrin e shenjtë “Nënë Tereza”. Në Tiranën e atëhereshme, pothuaj askush nga shitësit e akulloreve nuk më kuptonin kur u flisja në të folmen e fshatit tim. Në Tiranën e atëhershme, asnjë nga punëtoret ish e hotel “Vjosa”, nuk e kish të lehtë të kuptonte të folmen shqipe të Nanës Dile, kur kërkonte dhomë me bujtë, se nuk e mbërrinim, pa ra nata, kthimin në fshat. Se nuk kishim me çka me e mbërri. Në Tiranën e atëhershme, kur dhjetra krena ktheheshin e gati përplaseshin me krena të tjerë, teksa shikonin me habi e me përçmim njëherësh veshjen tradicionale veriore, mirditore, të Nënës Dilë. Teksa shikonin gati me inat se paskësh ardhë një “maloke” në Tiranën që ku ta di pse duhej të ishte e ndaluar për malokët.

Isha 13 vjeç, kur e pyeta babën. – O babë, nëse Tirana ashtë kryeqytet, dhe ashtë vetëm i atyne që banojnë në Tiranë, atëhere pse edhe ne nuk e bëjmë një kryeqytet që të jetë i joni? Pse të mos kemi edhe ne malokët kryeqytet ?? Baba, më vu dorën buzes time e me tha: Po pse, kush të tha ty se Tirana nuk ashtë kryeqytet edhe i joni? –Askush nuk më tha, por unë u ndjeva e huaj atje. Ku ta di se si mu dukën njerzit e atij vendi. Ku ta dish se si u jemi dukë unë e Nana Dilë atyre njerzve. Ama, jam e sigurtë se nuk dukeshim njëlloj! As nuk flasim njëlloj! As nuk sillemi njëlloj!

….

Pastaj që 13 vjeçe, vjet për vjet, unë shkoja bashkë me Nanën Dilë në Tiranë, për të njejtën arsye, në të njejtin spital. Me të njëjtin autobuz deri në Milot, e pastaj, me të njejtin tren Milot –Tiranë. Vetëm herën e parë kam shkue gjithë qejf në Tiranë ato kohë. Të gjitha herët e tjera, shkoja me ndrojtje. Shkoja me frikën se do të na përzënë. Me frikën se nuk do të na e shesin një dhomë me bujtë, hotelet. Biles, një herë, ndodhi ajo që kisha frikë. Nuk gjetëm dhomë hoteli. -Nuk kemi dhomë për malokët!- na tha një burrë tek desku i hotel “Arbërisë”. Nuk kam për ta harrue sa të jem gjallë atë natë. Atë njeri! Atë hotel! Edhe në u shembtë, prapë, kurrë nuk kam për ta harrue. E pra, quhej hotel “Arbëria”, por që nuk u shiste dhoma arbërve të Veriut të Shqipërisë. Atë natë, kemi ecë me Nanën Dilë në këmbë nga hotel “Arbëria”, afër stacionit të trenit, deri tek spitali i mushkërive, Sanatoriumi, atje mbi kodra në juglindje të Tiranës. Ato kohë Nana Dilë kishte një miken e vet, një “maloke” të shtrume si paciente në sanatorium. Atë natë kemi fjetë të tria në një krevat me të sëmurën. Nuk e kam idenë se si arritën të na linin të hynim në spital në atë orë të natës. Se si nuk na erdhën të na nxirrnin jashtë. E sëmura e shtrume në spital, malokia Mrikë, mundi të na presë e të ndajë çatinë e dhomës së spitalit, krevatin e ngushtë të spitalit, me ne!

Tirana e vitit 1995, kur unë vendosa përfundimisht të jetoj ndoshta jo si kryeqytetase, por të paktën si emigrante në kryeqytetin edhe timin, nuk ishte aq e vogël sa ç’ishte kur isha 13 vjeçe. Pra, kur isha 13 vjeçe, isha shumë më e vogël në trup, shumë më e lehtë në peshë, po ku ta dija pse ndihesha ngushtë, e ku ta dija pse ndihesha e huaj. Tash, në 1995, që erdha në Tiranë, për të banue, jo për të bujtë një natë a dy, isha zgjatë, dhe peshoja fizikisht të paktën 15 kg ma rëndë. Jo vetëm që më nxuni lirisht Tirana, por tiransit ishin ba ma miqsor, ndoshta se shume prej tyre kishin provue çfarë do të thotë, të jesh e të ndihesh emigrant. Mbasi ndonjë tirans që e kish pasë rrisk me punue në Veri, ishte ndjerë i nderum, rrespektum e i mrekullum nga fisnikëria, bujaria, mikpritja e malokëve, po ku ta dish se për çfarë arsye nuk e kishin hapë gojën të pohonin këto cilësi të malokëve që dikur nuk duhej të bujtnin një natë, e jo më të banonin në Tiranë.

Tirana që dikur më dukej vendi ma i largët në botë, Tirana që dikur me dukej kryeqytet i vetës së vet dhe i vetëm atyre që banonin në të, filloi të më bëhej i afërt, i bukur, i imi, vetëm në vitin 1995. Dhe, ndër të tjera, Tirana ka shiun më të bukur në glob! Dhe, ndër të tjera, Tirana ka vjeshtën më të kuqe në glob!

Në vitin 1999, e lashë Tiranën dhe ika. Në kërkim të largësive që ka një qytet prej një qyteti tjetër. Për çudinë time më të madhe, muajt e parë kur erdha në Michigan, të SHBA, kisha një droje të patregueshme. Dhe për fatin tim me të bukur, edhe pa gjuhën e njejtë me vendasit, nuk jam ndjerë as nuk jam trajtuar asnjëherë si e huaj, e përbuzur, e humbur! Edhe pse ky vend e kjo hapsirë në mos është e pafund, jetohet si në pafundësi, por asnjëherë e humbur, asnjëherë e fyer, asnjëherë e tepërt, asnjëherë e papranueshme.

….

Në nëntorin e 2011, Tiranën e gjeta edhe më të madhe se e kisha lenë. Edhe më të bukur. Edhe më të re. Vjen dita kur nuk mund të rrija më pa shkue atje në fshatin tim verior, Fierzë të Rubikut. Që vazhdon të më duket edhe më i bukur se kopshti i Edenit. Dhe krejt ashtu asht ba, si kopshti i Edenit, jetohet më shumë prej kujtimeve dhe historive që kanë ndodhë aty, se sa prej njerzish të gjallë. Para 9 vjetësh, nga 2011, rrugën nga Rinasi e kisha ba për më shumë se 2 orë. Atëhere kthehesha nga Amerika jo për pushime. Kthehesha të falesha me babën për herë të fundit. E kishin varrosë 2 orë para se të mbërrija unë. E kishin varrosë sapo kisha mbërritë në Rinas. Kisha mbërritë në Rinas pak pa marrë dielli. Në fshatin tim gjithnjë të vdekurin e varrosin me diell, që t’ii bëhet dritë përjetsisht në vdekje. Peng i përjetshëm më ka mbetë kjo lamtumirë e merituar. Kjo lamtumirë e pamundur! Tash rrugën nga Tirana në fshatin tim Fierzë të Rubikut, në kopshtin tim “Eden” e bëmë për më pak se gjysmën e gjysmës së orës... Kur mbërritëm në Fierzë, i thashë vëlla Gimit : Mos na ndal në fshat, ndalna tek varrezat së pari. Varrezat, që janë 3 km larg prej shtëpisë. Me të mbërritë tek varri i tim eti, i fola varrit, duke besue se më dëgjonte baba: Ah sikur të kishe pritë o burrë, e të kishe ikë tash, mbasi qenka ba megjithmend “autostrada”, do të kisha mbërritë me të thanë lamtumirë...

(Në vitin 1988, hallës time që ishte e martume në Cerrnicën e Tropojës, 9 orë rrugë e male prej shtëpisë tonë, i vdiq djali i vetëm 12 vjeç, Saimiri. Në varrimin e të cilit mbërritëm 2 orë ma vonë. (Dritë pastë)!

….

Mbasi u kthyem prej varrezave, u ndalem tek shtëpia e babës. Aty ku banojnë kujtimet tona, vetëm, pa ne! Nuk u fola aspak kujtimeve. U fola pemëve në oborr, të cilat e fshihnin pothuaj krejt shtëpinë. Të cilava ua lashë amanet shtëpinë e babës. Shtëpinë e fëmijnisë time! U kthyem në Tiranë.

Kur vdiq Sajimiri, në vitin 1988, isha 18 vjeçe. Që atëhere nuk kisha patë as nuk e kisha gjetë rastin dhe mundësine t’i shkoja tek varri. Sa për t’i thënë se nuk e kisha harrue! Kësaj here, në 2011, më kish pritë fati e mundësia të mund të shkoja e të kthehesha brenda ditës, tek varri i Mirit. Ajo, Cerrnica, që dikur, jo dhe aq larg dikur, ishte e largët sa ç’është Amerika, më në fund, ishte afru në sajë të autostradës që i binte Mirditës time përmidis. Më vinte dhe thoja shpesh, herë me za e here pa za: Ma në fund, hyni Shqipnia në Shqipni. Për ma pak se 2 orë mbërritëm nga Tirana në Tropojë duke kalue nëpër Kukës, Prizren e Gjakovë. Shkova ke varri i Sajmirit, i cili tashma rrethohej prej varresh të reja, njerzish të panjohur për mua, të afërt të tij. I fola edhe varrit të Sajmirit : Ah, sikur të kishe ndërrue jetë tash që, qenka shtrue autostrada megjithmend, do të kishim mbërritë sa ende pa ndërrue jetë. Do të kishim mbërritë sa ende pa hy në dhe!!

Prapë në Tiranë. Prapë gjatë këtyre pushimeve. Nuk ngopesha të udhëtoja andej nga shkonte autostrada. Ku më rrihej, si të më rrihej pa shkue në KOSOVË?!! Dhe shkova në Kosovë!! Tiranë - Prishtinë e kthim brenda dites. Më dukej e pabesueshme. Shkova dy herë në Kosovë, vetëm e vetëm me e besue sak, se tash mund të shkojmë në Kosovë, ma në fund. Madje mund të shkojmë e të kthejmë përditë! Më dukeshin sikur malet që përshkoheshin prej autostradës, ishin ma të bukur. Dhe janë ma të bukur! Më dukej sikur malet që përshkon autostrada, kishin mësue me qeshë. Dhe qeshin malet! Autostrada ishte bash e qeshura e tyre. Fakti se si ish shtrue gjithë ajo autostradë, dhe nuk nuk ua kishte prishë virgjërinë maleve, me dukej mahnitese. Në përgjithësi, atyre anëve ku ndodhin ndërtime të këtij lloji, dashje pa dashje e dëmtojnë origjinalitetin e natyrës, harmoninë e saj dhe maleve mes njeri tjetrit. Ndërsa kjo autostradë përkundrazi, dukej sikur e bante edhe ma të dukshme këtë harmoni. Këtë natyrshmëri. Dukej sikur i ndihmonte jo vetëm njerzit ta mbërrinin njani - tjetrin, por edhe malet të përqafoheshin me sho-shoqin! (fragment nga libri Aplogji per Udhen e Kombit, pjesa e trete, Apologjia e Miqve)



(Vota: 15 . Mesatare: 3/5)

Komentoni
Komenti:

Artikuj te tjere

Xhevat Muqaku: Vizitë e institucioneve të Kosovës shkollës shqipe në Fellbach Luan Dibrani: Në "Diasporën Shqiptare" synime të reja për ndryshime! Beqir Sina: U shfaq në New York, filmi dokumentar "Spaçi - Simboli i Qendresës Antikomuniste" Sarë Gjergji, fitues i ‘Takimeve Poetike të Karadakut’ Murat Geca: Shkolla 7 Marsi e kryeqytetit po ndryshon Abas Fejzullahi: Institucionet e Gjeneves ndihmojne materialisht SHSHMP Baki Ymeri: Fillojnë aktivitetet për 100-vjetorin e Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë në Bukuresht Halit Elshani: Manifestim me përmasa kombëtare në Belgjikë Engjëll Koliqi: Afirmim i denjë i Kosovës në botë Abas Fejzullahi: Veprimtari në shenjë të 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë Bedri Tahiri: Bardh?si n? Peshkopi Ramiz Selimi: Kremtim modern, më i miri gjerë me tani në Austri Engjëll Koliqi: Jehoi deri në Alpe kënga dardane e lirisë dhe e dashurisë së mirëfilltë arbërore SHKSH "Nëna Terezë" në Ängelholm: Festohet katër vjetori i Pavarsisë së Kosovës Qaush Krasniqi: Në Kirchheim-Teck suksesshëm u manifestua Pavarësia Ramiz Selimi: Tri qytete në Suedi shembull i mirë me mësimin plotësues, për të gjithë diasporën shqiptare Vladimir Shyti: Bukuri e trishtuar Muhamet N. Mulliqi: Përvjetorët kombëtarë bashkojnë shqiptarët kudo që janë Albana Mëlyshi Lifschin: Rezervat vlerash kombëtare e fetare Ramiz Selimi: Kremtë shembullore dhe prezantim dinjitoz i Shtetit të Kosovës

Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora