E enjte, 01.05.2025, 09:11 PM (GMT+1)

Kulturë

Cikël poetik nga Elona Çuliq

E diele, 20.11.2011, 09:00 PM


Elona Çuliq, lindur më 18.10.1986, ka studiuar fillimisht për piano në shkollën artistike "Prenk Jakova" e më pas gjuhë frënge në shkollën e gjuhëve të huaja "Shejnaze Juka". Studimet e larta në nivelin master i ka kryer për psikologji pranë UT.

 

Elona Çuliq

 

 

Ç'kangë kndoje mbramë ?

 

Ç'kangë kndoje mbramë,

në puthjet  e reve

shpirtin tand dëgjova tue thurun melodi?

Hija  tyne e mpleksun në nji puthje

fërkohej përgjat qiellit dhe botës

bashkë me andrrën teme diku në mes.

Ç'kangë kndoje mbramë,

  fërkimin e syve nga pagjumsi e mallit

n’randesën e qerpikut nga lot’ i mungesës?

Ç'kangë  kndoje mbramë,

yll i vetmum i qiellit t’përhumbun,

që edhe duret t' kanë mbetë shkretë

e as gishtat s'të piptijnë nga frika.

Ç'kangë kndoje mbramë?!

 

 

Ka me ardh' nji kohë

 

Ka me ardh' nji kohë

qielli bebe sysh ka me m'u ba,

e ylli fundit faren n'trup tem ka me e hedh

e lutja jote pa qiell ka me mbet.

N'Tokën e premtueme yjet kanë me çilë

dhe n'vyshkje sysh lulet e frymës kanë me u tret,

e jeta ka me m'u ngtatërrue flokëve t'djersituna

nga grahmat e dhimbjes t'dalun bojet nga lotët derdhun.

Ka me ardh' nji kohë

ku ti s'ke me dit sytë kah me I drejtu,

e lutja jote n'Qiell t'huej ka me shku derë m'derë

lëmoshë tu kërku.

N'prag t'pendimit gjunjët kanë me t'lëshu

dhe falja jeme tretun lotëve t'thamë

shpirtin tand n'morsa t'pengut ka me e shtrydhë.

Lutja e dërrmueme ka me I njomun buzët

lotëve t'thamë t'kohës shkueme,

e vedit ka me pas frikë me I pohu,

që lutjen e harrueme n'nji Qiell t'huej,

e lindi për së dyti njaj Qiell që dikur krahët ia ke kthy.

 

 

( Lindje ) Hane...

 

Tan diten eci rrugëve t'ujit,

e me dhimbjen  që i derdhej  gjithkah’

fikte gacat e dritave.

Diellin e kishte kapërdi n'trupin shterpë nga shpresa

dhe detin si fmi t 'porsalindun

ushqente me njat grimcë jetë

që hala i valonte gjinjëve t'hajmë.

 

N'lakuriqësinë e saj

gishtat e dhimbjes

dhunshëm

kishin hap vrraga errësine

e nata i ishte kacavjerrun

flokëve t'sterrtë

si dritë e dejun me shurup.

 

Ecte pa u ndalun

rrugëve t'ujta

kambëzbathun nga vetja

me shpinen kthyem bregut.

Dallget s'bëzanin,

e heshtja përplasej n'veshët  e shurdhët n'atë-s.

 

Ajo kishte tretun

tjetërsoj shpirti që me sytë e ngarkueme n'supe

ecte n'ujë pa u lagun.

Dukej nji vello e zezë

që era ia kishte marrë prej kryet'ndonji plake

t'harrueme nga vdekja.

 

Ajo, flakë frymë-mbytun që ndizte qirinjtë e errësinës,

nuk e dinte që Hana n'bark saj kishte fillue me marrë frymë.

 

 

Të pres ( edhe pse nuk du që t’vish )

 

Grija e qiellit m’asht ba pellg lotësh nen kambë

ylli i parë i shpresës s’fundit asht zhugatun me shkëlqim t’sforcuem

ulun kambëkryq n’zbrazëtinë e syve, pritja asht ajo çka di me ba ma mirë.

 

Të kam prit aq gjatë e ngujueme n’kohë, sa me ec nuk di ma

krahët e fluturimit janë gozhdue mbas drunjëve t’ndërgjegjes

e  vedin e kam burgosun n’nji qiell t’braktisun nga fryma e drita.

 

Të pres, edhe pse nuk du që t’vish

të pres nga zakoni i pritjes mbështetun mbas vetmisë t’athët

të pres nga zakoni i pritjes t’nji pranie  që tash s’e du unë.

 

E ti mos u çudit, askush mos të çuditet

edhe atëherë kur rrudhat t’jenë ba dëshmitare t’jetës,

kur n’kopshtin  e pritjes prap  t’më gjeni lule margarita tuj mbledhun.

 

Se unë nuk  pres për ty, por  për vedi

pres për rrëfimet e pritjes e t’buzëve ku rilindnin vjeshtat

dhe për sytë, me ngjyrat e të cilëve mbush kupat e dollive t’Perëndive.

 

Ai që nuk e ka provue pritjen, më kot lodhet me e kuptue

ankthin që t’ludron përbrenda derisa nji hap tjetër   ia mëson

dorazi  si një fëmijë i vogël që ka nevojë për ty.

 

E askush ma mirë se ti ma mësovi pritjen,

hape  librin e përrallës akoma t’pa shkrueme e m’the:

vetëm mbasi t’dish me prit, ke me dit me dasht.

 

 

Heshtje hapash

 

Me vetminë e palosun n’xhepa t’shpirtit

Eci, n’gjurmët e ditës t’shkueme strukun n’krahërorin e natës,

Me tymin e cigares thuri melodinë e shiut

N’pentagramet e diellit t’verbuem.

 

Ti shkon e vjen pa pushim

Me frymen veshun n’këpucët e ankthit

Cakërron heshtjen e nderun degëve t’qiellit

Dhe mbas gjetheve fsheh frutin e ambël t’ndjenjës.

 

Ti shkon e vjen me hapin e heshtjes

E nëpër murmuritje shprese

Bluen n’mullinin e zemrës tande

Notat e kangës së tymit e t’shiut rozë t’shtrimë n’parkun e vjetër.

 

Kur ka me u lodhun hapi jot i heshtjes

E kambët me i pushue përmbi mue

Përmbi krejt trupin, e shpirtin tem

E me hapa t’zjermta gjumin letargjik me e djegun.

 

Por ti prap shkon e vjen

E m’len mue me brumin e andrrave nëpër duer

Me i ngjeshun me randesen e mallit tand

Që m’ka bymu zemren, sytë, e deri vetë mallin.

 

Ah! Ti më mësove gjuhen e hanës

M’le para duerve t’saj, t’pa mbrojtun, si nji tabula rasa

Yjet me penelin e tyne m’thuren krahë e kunorë, m’rriten ëngjëll

Por dashnia për ty m’bani zemër, shpirt, sy dhe Njiri!

 

 

Ai ( shenjti ), Ajo ( mëkatarja) dhe Unë ( syri në vrimën e çelësit )...

 

Dukej

skulpturë mishtore

krijuar gjatë ekstazës hyjnore.

Kishte dhëmbë yjesh në trup

qafe, buzë, nëpër lëkurë kudo.

Ndrinte  aq pafajësisht

sa të  zgjonte një dëshirë gati

kafshërore ta bluaje me buzë

e kthetra  puthjesh e kafshimesh

t’i gjurmoje në çdo centimetër të skulpturës.

Me brumin hyjnor të ndjenjës t’ia mbushje honet e gjurmëve

për t’ia kafshuar përsëri, deri në vdekje!

Dallgët e rrezeve të hënës

harboheshin mbi  linjat e lëmuara dhe të bindura,

gjarpërnonin poreve të lëngëzuara

në kërkim të kurmit hyjnor

për t’i trazuar posturën e tij skulpturore

me degën e qershisë, asaj më të ëmblës e mishtores.

Bënte sehir  përapra syve të picërruar t’Hënës

që ngjante si një vejushë në kërkim të krahëve shkëmborë

për  të përplasur ftohtësine e shtratit gjysëm bosh.

Shkumëzohej, valonte e derdhej shkretëtirës së saj

duke hedhur fara trishtimi e vejushë-rie të dyfishtë.

Ftohtësi trupash që kryqëzoheshin në drunjtë e pasionit

për t’u ndëshkuar nga kamzhikët e moraleve shekullore

të bëra palë e fshehur nën jastëk.

Dukej,

skulpturë mishtore

brymuar nga fryma  e rënduar e pasionit të yjeve

një mbetje, një relikë e dëshirave të mekuara në mendje

që të nesërmen e përdor si hajmali për të trembur sytë e  zinj të tundimit.

Isha syri i natës

përshkuar në vrimën e çelësit të frikërave,

të kokës mbrapa për t’iu fshehur hapave të moralit

që të jepte verdiktin vetëm nëpërmjet pushtetit të formulës “turp!”.

Isha e përshkuar në vrimën e çelësit të syve

që jargaviteshin fytyrës thua po vajtonin grahmat e jetës.

E Ai, vazhdonte të dukej

skulpturë mishtore përpunuar me brumë hyjnor.

Ikonë shenjtërie,

e harruar nga pakujdesia në pragun e natës,

i ulur në lokalin e harruar të qytetit,

përballë syve të harruar të Asaj, mëkatares,

që kërkonte të shuante etjen për jetë me një tjetër mëkatar,

por që morali,

ai i palosur dhe i ruajtur nën jastëk,

e kishte shenjtëruar.

 

 

Xixëllonjat

 

E kundrova mbramjen fije e për pe,

E solla dhe e mbështolla n’pllambë t’synit

Thue ishte nji e porsalindun qiejsh.

N’xhep t’errësinës,

Xixëllonjat fole kishin ndërtue

Me fjalët e kapërdime nga gojë e heshtjes.

Mjaftuen pendët e frymës  eme,

Akujt që i mbanin t’ngujueme me i shkri,

E nji rrëbesh fjalësh nga Qielli me fillue me frye.

Fjalë që t’kacavjerreshin trupit me shpresen me tu ba tingull,

Rrinin n’zgrip t’buzëve me dëshirën me u tu ba ndjenjë,

E syve i hapërdaheshin me iu ba sezban shikim.

Ata nuk flisnin, por belbëzonin!

Diçka t’randësishme po donin me rrëfye,

E dallohej nga zori  n’vallen e pa harmonizueme n’ajër,

Sikur nji trupë e stonueme balerinash amatore,

Por unë s’i kuptova asnji fjalë.

E n’hatër tyne e t’vedit,

Tan naten e kalova  tuj hangër me sy kafshatë për kafshatë

Cohen e zezë t’errësinës.

N’rreze t’parë t’ditës,

Ai grumbull  hareje t’gzueme që ma n’fund Unë i kisha falun lirinë

E prej akujve t’heshtjes i kisha çlirue,

U shpërthiqen h’hapsinë si  flluska sapunit aromë mirë,

Se binin erë lule dafine.

E bashkë me ta u shpërthiq edhe e vërteta që

Nuk i mjaftoi nji natë  me ma rrëfye.

 

Për nji copë herë mbeta me aromen e tyne nepër hundë,

masandej ktheva shpinen dhe....Ika!

 

 

Diell i arrnuem

 

Ah, ti kërkove  me ngulm me ndërtue kullen e andrrës tonë

Me gur të mbetun  t’pruem n’breg nga dallgët e nji deti t’përgjumun.

 

Ti  linde nji ditë dimni ndriçuem nga mbeturinat e nji Dielli t’arrnuem

Krahët e zogjve t’përkedhelnin trupin e derrmuem nga lodhja e pritjes.

 

Por dashnia nuk asht  bojë që zbukuron ashklat e teprueme

Ajo asht  mjalt që derdhet prej buzëve t’langëzueme t’shpirtit

 

E t’përlyhet  trupit duke t’përhumb n’shtratin e etheve t’Hanës

Që me fijëza  tjerruna prej qiellit thurin  gracka dëshirash t’ujta.

 

Dëshira, që dallgëzohen brenda  nesh tuj gërrye muret e krenarisë

E  t’veshin me një lakuriqsi tunduese pas së cilës den me u përqafue fort.

 

Edhe vetë yjet  po ushqehen me cakërrimat e djersve tona mbledhun

grusht, n’kërthizën e kësaj nate t’fashueme me flokët e brymta.

 

N’shpinen e kohës asht pikturue ajo çka dikur ishte fytyrë, shikim e jetë

E krruspullohët nga peshë e hapave t’orës që veç vrapojnë.

 

Dashnisë t’pezmatueme nuk i mbeti gja tjetër,

Veçse me e ngarkue barren e hinit n’krahët e flatrave t’kuqe.

 

Me  i degdis n’zemnen e detit t’vdekun,

E me petale lamtumire me i mbulue, shpirtrat e dergjun.

 

 

(Tej) Përtej

 

Mbramja e sotme m’asht qep për trup

si fustan i zisë së vdekjes anonime,

që qelimin fluturues t’andrrave

e shndërroi në nji gjethe të thame

t’vjeshtës së vonueme.

 

Duart e reve t’randueme nga mplakja

shtyejnë portat e kopështit t’pa emën,

ku hijet e shpirtrave t’zbathun nga jeta,

ndezin qirinjtë e lutjes së fundit,

e flakë e tyne tremb zogjtë e errësinës.

 

Ndjenja jonë m’gurgullon brenda syve,

n’lot t’purpurt e shtrydh lecken e shpirtit dashunor,

i përzien ngjyrat e plohunosuna t’perëndimeve t’humbun

n’goten e shpresës, që shtrihet n’gjurmët e kuqit t’buzëve.

 

Zani jot shtrihet flokëve t’mi,

e si vello paqeje mbërtheht  mbas tyne,

duke trazue kështu ujët e fjetun t’nadjes

që buzët e diellit i lyen me varakun

e shkundun nga ylberet ngatërruem qërpikëve.

 

Asht heret me zhvesh fustanin e mbramjes

e sythet e dritës me i ujit me padurimin e gjallnisë,

duke e flakërue diellin përmbi sqepin e qiellit,

kështu që po i nduku edhe për pak andrrat,

e po ta la ty n’dorë me ardh dhe me ma fry ndër sy Jeten!

 

 

Koha ( e pritjes )...- Tango

 

Largësia asht thye n’bel

sikur përthehet  dëshira nga duart  e padurimit,

e asht harkue n’hapsinë si nji orë imagjinare.

 

Jena shndërrue n’orë t’mbetun, asgja ma shumë,

e  as Diejt që lindin e vdesin brenda syve

s’po munden  me i nxjerr kambë akrepave t’ngujuem.

 

Pritjet, ringjalljet dhe rrëfimet memece t’hanës

janë  krekosun n’takat  e mbramjes

e me frikën si stoli presin me dhanë paraden e fundit.

 

Ndjenjës që na peshon n’prehnin e zemrës

i janë ngri  buzët  n’akulltinë e syve t’harruem,

e dashnia valvitet n’qiell si flamur  n’gjysëm shtizë.

 

Edhe me dashtë me folë nuk kam ma fjalë,

centrifuga e heshtjes  i ka përpi me hovin e saj

e marroqet e shkreta janë fshehë mbas fustanit t’kohës.

 

Ah! Kambët më merren tuj mësue tangon e  pritjes,

të dy si  hije  memece vallëzojmë bashkë n’pisten e kohës,

dy hapa para fytyrës së heshtjes, e nji mbrapa n’pritje prap.

 

Nji ditë, kur kambët t’na lodhen e para kohës t’gjunjëzohena

fjalët kanë me fillue me dal si xixëllonja nga humnera e errësinës

e t’vërtetat e ngujueme kanë me qendis, jena apo s’jena Ne!

 

 

Ringjallje...

 

*

M’duket u ringjalla!

Kam hapun sytë

e diç’ ndi nji rrangallë t’randë,

që zhurmon si nji derë e vjetërueme

e pa vajisun prej kohësh nga jeta.

Kontrolloj n’hapsinen e mureve vetull ngrysun

e sytë m’përplasen eshnave t’vetmisë

varun gjithkah’si dordolecë,

që trembin  zogjtë e  frymës.

Hapat e shikimit nxitojnë drejt derës,

që bindshëm m’kishte ndrye

bashkë  me vetminë teme,

në nji mbretni muresh t’ngrysuna

ku malli mbante kunoren.

 

**

U ngriva!

Rrangalla e randë që zhurmonte frikshëm,

nuk kishte pas kenë dera, por grahmat e shpirtit tem.

N’përpjekje me u çue,

nji dënesë lotësh t’zemruem

m’gjunjëzuen para vedit.

Njashtu e mbytun lotëve,

që s’dilnin vetëm prej syve,

këmbadorazi shkova deri te dera.

Vetë  jeta, shpresa e shpëtimi

ishin  t’kacavjerrun njat dorezë t’verdhë

që m’dukej  sikur rrezëllente edhe ma shumë prej inatit tem.

 

***

U mundova!

Nji herë,

dy herë,

tre, katër herë,

njiqind herë,

por ishte e kotë.

Dera nuk u hap!

 

****

As vetë nuk e di çka ndodhi!

N’at katrahur vetmie,

  t’i ngjyente sytë e mendjen n’verbëri,

nuk arrita me e kuptue se ku e pashë vedin?

Përveç mureve t’zbrazun nga ngjyrat si koka t’bardha  plakash  zevzeke,

t’shtratit t’ngujimit e derës t’kycun,

pasqyrë nuk kishte n’dhomë.

Di që ai shpërfytyrim,

ajo monstër trishtimi e dhimbjeje që m’doli para syve,

sikur nji fantazëm gushti,

që nga flakët e ndërgjegjes nuk xen vend as nen dhè,

m’trembi ma shumë se dordolecët e vetmisë

që vazhdonin varun mureve.

Unë nuk isha ai shpërfytyrim,

e kurrësesi nuk do të mund t’vazhdoja me ken!

 

*****

Mora frymë thellë,

fshiva lotët e u ngrita n’kambë.

U shtriva n’shtratin e ngujimit,

që deri para pak minutash

m’ngjante si nji kostum vdekjeje

i përmasuem jo për mue.

 

*******

Vendosa me lujt lojen

“ Unë jam, unë du, unë besoj”!

Nuk mbaj mend ta kem ndi vedin

ma t'gjithfuiqshme se njato momente.

Gjith’çka  m’shikonte syni

ishin veçse pambukë mjeksorë

t’lyem me jodjo  që fërkoheshin mureve

pa teklif thue ishin tuj dhan shërbet.

Me besimin tem që,

Unë jam

E fortë,

Du vedin dhe jeten!

 

E di dhe e besoj se

Përtej kostumit t’vdekjes të përmasuem jo për mue

Gjallnia e syve t’mi

Buzëqeshja jeme

Rrahjet e zemres teme

Tingulli i zanit tem,

e gjith’ çka gjithmonë kam dasht,

vazhdojnë me ndejt n’vend numero

me hapat ngriem n’pakohësi,

tuj prit rigjallnimin tem.

 

Ulërita!

 

Nji ulërim therëse

që u përplas mureve tash jo ma t’ngrysun

po t’shqyem sysh nga habia,

e tan kalbësina e ndjenjave t’plakuna

u rrëzue n’dysheme si lëvozhga kundërbuese qepësh,

dera u hap e xhamat e dritareve u thyen copash,

e nji dritë gati vërbuese hynte nga tana anët.

Ishte thirrja e shpresës,

padurimi i jetës që kisha lanë mbas mureve,

e derës ndryeme!

Ishte padurimi Vetes t’ringjallun

që rrinte tuj m’prek n’tan trupin

si e si me u bind që nuk isha

nji e gjallë e pa kallun,

po nji e gjallë që ma shumë se kurrë

kishte dashni për jeten!

 

Ma n’fund isha n’Jetë!

 

 

Piano ( vazhdon...)

 

Mjafton një prekje ime dhe ti dridhesh,

tretesh në bulëza emocioni dhe dëshire.

Mjafton një prekje ime,

heshtja thyen xhamat e errëta të realitetit

dhe pentagrami i ndjenjave shpërthen.

Ah, lërmë  të harrohem sonte,

në krahërorin e pentagramit tënd

faren e melodisë më të bukur të mbjell.

Lërmë  të ngjyej me jetë

të bardhën e të zezën e kësaj nate të trishtë largësie,

dhe me flakën e syve të mi dritën e Hënës të sfidoj.

 

 

Poezi e bardhë

 

Poezi e bardhë

shkundur

nga shtërngatat,

brymosur

nga ferrët dhe parajsat,

prapsur

nga fjalët e purpurta,

harruar

nëpër mendime të sëmura.

Poezi dinake,

gjarpëruar skutave vit-ore

sillesh e mbështillesh

nëpër cikle këmb-ore,

rrëfen kohësitë

e shpërfytyruara të qiejve

që natën rrënohen nga mistere

që të nesërmen zbardhen në degëza drite.

Poezi jete,

shkëlmuar,

parqeve të zbrazëta,

spërkatur me erë varfërie,

dhe rimuar,

nën hapa të zbathura.

Poezi zilish,

për-vjellur fytyrave miqësore,

sot jep një copëz shpirt,

e nesër paguan taksën tradhëtare,

që gjurmon ndjenjat,

kacavjerrur grykëve të thata,

vjellur nga sy të pangjyrt`

pasqyrë e zemrave të plakura.

Poezi e vdekur,

abortuar dyerve të jetës

që pretendon të ngjizë vërtetësin`

me skenare trillesh t’vobekta.

Poezi e bardhë

si pemë Krishtlindjesh

mbytur nga ngjyrat

që vezullojnë mjerim vite-sh.

Poezi e bardhë,

kapur ndjenjash me çatalle

strukur xhepave të qiellit

vërbuar nga yjetësitë lajkëtare.

Poezi slloganesh

pije eks gotën e guximit,

ngre kokën nga jastek i jetimit

thuaj fjalët e fshehur,

shkornjave të zgërlaqura

bëj natën dhe yjet të flasë

për të vërtetat fshehur,

Asëve nën mëngët e bardha.

Kjo hënë lozonjare

që syrin ma fsheh

lëshon mbi mua

rreze dredharake

dhe më fton

në ndjenja që vetë s’i njeh.

Ç’kërkon nga unë e uruar

nxirre fjalën e shkretë

nuk janë ndjenjat

që të bëjnë të vuash

por arsyet që të thonë: Hesht!



(Vota: 18 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx