E marte, 08.10.2024, 09:35 AM (GMT+1)

Kulturë

Hajrullah Koliqi: Libër atdhedashurie shkruar me pasion

E shtune, 19.11.2011, 08:54 PM


Libër atdhedashurie shkruar me pasion

 

Nga Prof.dr. Hajrullah Koliqi

 

Me Gjekë Gjonajn u takuam në Ulqin në një konferencë shkencore përkitazi me Krajën, që u mbajt më 7-8 tetor 2011. Ma dhuroi librin e tij të fundit “Shqipet e maleve”, ku autori trajton aspekte të ndryshme nga “jeta e shqiptarëve në zonat malore në Malin e Zi”. Titulli i librit më nxiti kërshërinë dhe librin e lexova me kujdes dhe kënaqësi të veçantë.

Që në fillim bie në sy fakti se në këtë libër z. Gjekë Gjonaj “Shqipet e maleve” në Malin e Zi “i bashkoi” natyrshëm dhe shpirtërisht, edhe pse ata janë të shkapërderdhur nëpër disa komuna malazeze, gjatë brezit kufitar me Shqipërinë. Pas parathënies (shqip dhe anglisht), të shkruar me perkushtim nga gjuhëtari dhe intelektuali i shquar Prof. Dr. Gjovalin Shkurtaj, dhe Hyrjes, natyrisht të shkruar nga autori, pason përmbajtja e librit, e ndarë në shtatë krere: Malësia e Mbishkodrës; Figura historike trieshnjane; Kraja; Plavë – Guci(a); Malësia e Rozhajës; Ana e Malit; Ulqini. Krejt në fund: Përfundime. Në këtë vepër z. Gjekë Gjonaj paraqet aspekte të ndryshme të popullsisë shqiptare të këtyre viseve. Aty gjejmë të dhëna të shumta gjeografike dhe demografike, të dhëna për bukuritë natyrore të këtyre aneve, për historinë nga lashtësia deri në kohën tonë, për personalitete, klerikë, burra dhe trima të lirisë, për përpjekje e luftë për liri dhe mbijetesë, për fise dhe zakone shqiptare, për besën, burrërinë, mikpritjen dhe virtyte të tjera njerëzore, për festa dhe kremtime popullore e fetare, për pajtimin e gjaqeve, për monumente kulturore dhe natyrore, për infrastrukturën, veprimtarinë ekonomike – prodhuese etj., por njëkohësisht edhe për probleme (shqetësime) të kohës sonë, sic janë: shpërngulja dhe emigrimi, dukuria e shkombëtarizimit, arsimi dhe kultura e varfër, mungesa e ujit, standardi i ulët jetësor dhe shumë të tjera si këto, të cilat i preokupojnë shqiptarët në Malin e Zi, numri i të cilëve po zvogëlohet me shpejtësi dhe në mënyrë të tmershme. Në pamundësi për tu thelluar në të gjitha këto çështje, unë do të theksoj vetëm  disa nga çështjet aktuale dhe më shqetësuese, me te cilat merret autori, sic jane: “mungesa e ujit të pijshëm, pastaj jeta e paorganizuar rinore dhe papunësia,” në Hot (fq.56). Autori me të drejtë konstaton: “Jeta kulturore në mjediset tona është gjithnjë e më e zbehte… Situatë të ngjashme shënuam edhe në Ostros, qendër të Krajës” (fq. 160). Autori me shqetësim shkruan për shpërnguljen e popullsisë, për boshatisjen e trojeve stërgjyshore. Duke shkruar për Gurzen (Shestani i Epërm), ai me dhembje konstaton: ”Shtëpitë (kullat) ku me qindra vjet është ruajtur nderi, besa dhe burrëria janë bërë gërmadhë. Ato tani i ka kapluar heshtja. Çdo murishte e këtij fshati pothuajse fsheh në vete një plagë të madhe, një dhembje që nuk mund të shprehin dhembjen e mërgimit” (fq.165). Gjithashtu, lemeritës eshte edhe fakti “kur shqiptarët përbuzin gjuhën shqipe”. Fjala është për banorët e Braticës, “edhe pse të kombësisë shqiptare, me deshirën e tyre (natyrisht, të tjetërsuar deri në atë shkallë! H.K.) injoruan gjuhën e shtëpisë, gjuhën e të parëve të tyre dhe pranuan të shkollohen në gjuhën sllave” (fq. 265). Autori citon dr. sc. Simë Dobrecin, i cili konstaton se “shkollimi në gjuhën jo amtare ka ndikuar në asimilimin e popullatës, në rastin konkret të shestanasve” (fq. 267). Tërë librin e përshkon ideja për njohje, respekt dhe dashuri të ndersjellë të shqiptarëve në Malin e Zi dhe më gjerë. Gjekë Gjonaj shkruan me admirim per “festat dhe mortet e përbashkëta” në Kllezën, ku midis pjesëtarëve të tre besimeve “gjithmonë ka mbretëruar toleranca fetare” (fq. 234). Po në këteë fshat shton autori, “gjenden dy kisha dhe një xhami, të cilat e hijeshojnë fshatin” (fq. 235). Autori entuziazmohet kur në Festën e Verës në Ostros “banorët e Krajës, bashkë me qytetarët e tjerë nga Tivari, Ulqini, Malësia, Plava dhe diaspora, shoqërohen, shkëmbejnë mendime, këndojnë, kërcejnë valle duke lidhur kështu ura të reja miqësie” (fq. 162). “Do të jem fatlum (shkruan autori në fillim dhe në fund të librit, H. K.), nëse ky libër do t’u mundësojë shqiptarëve nga fshati e qyteti të njihen më mirë dhe më së përafërmi me njëri-tjetrin, sepse, në këtë mënyrë, do të duhemi dhe respektohemi më shumë. Pa njohje të ndërsjellë nuk mund të kemi dashuri për shoqishoqin e as mirëqenie individuale dhe kolektive” (fq. 270). Duke iu referuar këtyre synimeve fisnike të autorit të librit “Shqipet e maleve”, z. Gjekë Gjonaj dhe duke i mbështetur ato plotësisht, konstatojmë me kënaqësi se autori ia arriti qëllimit të parashtruar. Ai bëri një punë për admirim. Libri është shumë informues, njohës. Është si një enciklopedi përkitazi me shqiptarët në Malin e Zi. Për qëmtimin dhe përzgjedhjen e këtij informacioni është dashur kohë, durim dhe punë me përkushtim. Shumë i veçantë, madje model per t’u ndjekur, është edhe metodologjia dhe stili i të rrëfyerit dhe të të shkruarit, për të cilën gjë e pergëzoj autorin. Njëkohësisht, autorin e përgëzoj edhe për vlerat frymëzuese, atdhetare dhe edukative që mishëron dhe rrezaton kjo vepër. Prandaj, vepra “Shqipet e maleve” e të nderuarit z. Gjekë Gjonaj, meriton dhe duhet të lexohet.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora