E diele, 06.10.2024, 02:59 PM (GMT+1)

Kulturë

Albert Zholi: Një panair, ku triumfojnë librat politikë dhe publicistika për regjimin komunist

E shtune, 19.11.2011, 08:30 PM


Në ditën e dytë tek Panairi i 14-të i librit “Tirana 2011”

 

Një panair, ku triumfojnë librat politikë dhe publicistika për regjimin komunist

 

Nga Albert ZHOLI

 

Sot është dita e tretë e Panairit të 14 të librit “Tirana 2011”. Në ceremoninë e hapjes së këtij evenimenti kulturor morën pjesë shumë personalitete të kulturës dhe të artit, por ndryshe nga herët e tjera ndër folësit kryesorë në ditën e hapjes ishin Kryebashkiaku Lulzim Basha, ndërkohë që, të ftuar special ishin Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi si dhe deputetja e parlamentit maqedonas Ermira Mehmeti. Basha e cilësoi këtë event si “stolia më e bukur që do ketë kryeqyteti këtë muaj”. “Do përballemi gjatë javëve dhe muajve me sfida, por nuk mund ta imagjinojmë jetën pa librin”,- theksoi ai. Ndërsa, Kryetari i Parlamentit të Kosovës Jakup Krasniqi u shpreh me tone më letrare “Në këtë panair u ndjeva i çliruar nga politika dhe tensionet e saj”.

 

Në ditën e dytë

 

Qysh në orët e para të mëngjesit të datës 10 Nëntor në ambientet e Pallatit të Kongreseve, ku po zhvillohet Panairi i 14 i librit “Tirana 2011”, u pa një dyndje e madhe e njerëzve. Piku i vizitorëve përkoi me orën 12:00. Gjatë gjithë ditës së djeshme u bënë rreth 18 promovime librash ku promotor I promovimeve ishte Shtëpia Botuese “Toena”. Por siç u theksuan nga shumë drejtues të shtëpive botuese, pavarësisht numrit të madh të vizitorëve numri i blerësve ishte i vogël. Kjo sipas botueseve vjen pasi kriza ka ndikuar shumë në blerjen e librit. Por megjithatë ata shpresojnë se ditët në vazhdim ndoshta do të jenë më premtuese. Për të bërë një panoramë sado modeste për ditën e parë të plotë (pra 10 Nëntorit) për këtë event më të madhin të librit për këtë vit kalendarik për “Telegraf”, zhvilluam biseda me Presidenten e Shtëpisë Botuese “Toena” znj. Irena Toçi dhe me Presidentin e Shtëpisë botuese “Bota Shqiptare” z. Kujtim Gjonaj

 

Irena Toçi, Presidente e Institutit të Promocionit “Toena”

 

Panairi i 14 i librit “Tirana 2011”, për “Toenën” ka shumë risi. Ajo sjell në këtë panair 140 tituj të rinj, tituj nga më të ndryshmit, emra nga më të njohurit, brenda dhe jashtë Shqipërisë, gjini nga më të ndryshmet letrare, talente të reja të zbukuruara gjatë këtij viti, që vijnë me veprën e parë ose të dytë si debutues.  Nga 140 tituj rreth 64%, i përkasin autorëve shqiptarë ndërsa të tjerët u përkasin autorëve të huaj. Botimet si të autorëve tanë dhe të huaj vijnë nga fusha të ndryshme të krijimtarisë  dhe mendoj se, risia do të jenë vetë shkrimtarët që do të jenë në stendat e “Toenës”, por edhe në promovimet e tyre cilësore. Fatos Kongoli me romanin e tij “Sidorela” ka ardhur nga Amerika për të bërë promovimin  për të qenë me lexuesin, Diana Çuli do të jetë me romanin  “Gruaja në kafe” dhe më tej do të jetë Besnik Mustafaj, Preç Zogaj, Zija Çela, Nasi Lera, Sulejman Mato, Albert Zholi, Arben Shehi, Koçi Petrirti, Valdete Antoni, Bardhyl Londo, Skënder Rusi, Pëllumb Kulla, për të shkuar më tej me autorët e huaj si: Enada Manda, Marc Levy, Andre Malraux, armine Abate etj.. Ka shumë risi. Në stendën e “Toenës” do të ketë çdo një orë një promocion. Pra do të ketë ditë tepër intensive, tepër aktive. Ky lloj organizmi bëhet me qëllim që lexuesit të kenë mundësinë që të bisedojnë, të shkëmbejnë mendime, por dhe të japin autografe me lexuesit e tyre. Kjo është mënyra më e mirë e promovimit për vetë faktin se lexuesi nuk do të ketë rast më të hapur për t’u lidhur me autorët. Shikoj se, të gjitha shtëpitë botuese kanë bërë një përgatitje dinjitoze, e cila pasqyrohet tek katalogët dhe tek programet e promovimeve.

 

Shihet se nuk ka atë numër shtëpi botuese që ka pasur vitet e tjera…

 

Ky bilanc nuk mund të bëhet që ditën e parë. Personalisht shikoj se ka shumë njërës, interesimi është i madh, vetë autorët po tregohen korrekt. Bilanci i çdo veprimtarie bëhet në fund. Mund të them që dita e hapjes së panairit ka qenë impresionuese, ka qenë e mirëorganizuar dhe me një interesim të jashtëzakonshëm të medias. Besoj se, interesimi nga dita në ditë do të rritet, pasi dhe botime janë cilësore nga çdo shtëpi botuese, por dhe titujt janë intrigues. Ndërkohë që, autorë shqiptarë dhe të huaj do të jenë të pranishëm për një bashkëbisedim me lexuesit nga dita e pardjeshme deri më 13 nëntor.

 

Kujtim Gjonaj, shtëpia botuese “Bota Shqiptare”

 

Shpresoj që në këtë vit të vështirë për ekonominë shqiptare dhe më tej botuesit shqiptarë të jenë përpjekur që të sjellin risi për të qenë më koherent me lexuesin, me problemet, me shqetësimet e tyre duke i bërë prezent këto në botime të ndryshme me këto tipare. Për  hir të së vërtetës me sa shoh unë deri tani, ky panair është më i varfër, (e them me rezervë, pasi nuk kam siguri maksimale sepse jam njohur me të gjitha botimet e shtëpive botuese ), por them dhe shoh se është disi i varfër në tematikë. Prurjet  më të mëdha në tirazh besoj dhe shoh se janë të autorëve që kanë mundësi t’i bëjnë reklamë librave të tyre duke qenë se punojnë në media vizive dhe kanë hapësira të mëdha për t’i bërë propagandë dhe reklamë. Gjatë këtyre ditëve kemi parë disa libra që u janë bërë reklamë e bollshme paraprake në disa televizione radio apo gazeta  për vetë pozicionin e tyre si gazetar në disa media të fuqishme. Pra, ata kanë në dispozicion mediat, ku ata punojnë. Ndaj mendoj se, në këtë panair librat më të suksesshëm do të jenë librat politikë (apo të vetë politikanëve), apo publicistiko-monografik për jetën e ish personaliteteve të ndryshme, sidomos atyre në diktaturë. Pas këtyre autorëve mendoj se, të suksesshëm do të jenë edhe veprat e autorëve të huaj  të letërsisë botërore libra  që kanë botuar shumë shtëpi botuese. Sigurisht, shtëpia botuese “Toena” ka shumë libra cilësorë të autorëve të huaj, por edhe brenda vendit që kanë tërhequr vëmendjen qysh në prezantimin në katalog. Shtëpia botuese “Bota Shqiptare” në këtë edicion i ka dhënë rëndësi autorëve të huaj, të cilët janë në tregun europian dhe atë botëror. Një ndër ta është dhe Shafak autore turke, të cilën Pamuk e ka cilësuar si një romanciere ndër më të mirat në Evropë. Ajo vjen në këtë panair me romanin “40 rregullat e dashurisë” një libër intrigues dhe mjaft koherent për të gjitha grupmoshat. Në këtë libër ajo vjen me një intrigë artistike që e bën veprën shumë interesante dhe tërheqëse. Po kështu Yasemina një shkrimtare algjeriane, por që jeton në Francë (këtë emër e ka emrin artistik), e cila vjen me një trilogji që flet qartë për luftën  lindje perëndim që është një luftë idesh, luftë pikëpamjesh, por edhe luftë ekonomike po ngjall interes. “Sirenat  e Bagadatit” është kryevepra e saj dhe mendoj se, do të ketë vlerësimin e duhur. Por edhe romani “Dallëndyshet e Kabulit” mendoj se, do të jetë po kaq tërheqës për publikun për këtë vend të uzurpuar nga talebanët. Këto janë  libra që janë vlerësuar në Evropë. Krahas tyre “Bota Shqiptare” ka dhe shumë autorë të huaj si: Nora Roberts, Smith, Fay Weldon etj…Këto janë ato çka kam parë unë ditën e parë të panairit, por di të them edhe këtë që, panairet gjithmonë kanë befasi, që përmbysin në vazhdim edhe parashikimet  modeste, por edhe ato kontradiktore. Besoj se, do të jetë panair i befasive.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora