Kulturë
Ilir Muharremi: Mes poezisë dhe pikturës
E merkure, 16.11.2011, 07:58 PM
Mes poezisë dhe pikturës
Për ekspozitën personale të piktorit Bislim Aliu e cila po qëndron hapur në Galerinë e Ministrisë së kulturës në Prishtinë
Nga Dr. Ilir Muharremi
Piktori gjithherë kafshohet nga ndjenja, ideja, intuita të cilat i përvetëson dhe kontrollon mjeshtërisht me ndihmën magjike të penelit. Rrezet shpirtërore çrregullohen mu atëherë, kur ndjenja prek personalitetin, dhe në të pavetëdijshmen krijohet ndjenjësia, dhe këtë ndjenjësi, piktori Bislim Aliu nëpërmjet formave gjeometrike krijon betejën reale, sentimentale të invencionit. Në esencë të pikturave, prezantohet uni i krijuesit, dhe pyetjen se kush jam unë?! Aliu e kthen me përgjigje: “Unë jam unë”, ose “Unë jam ai që vërtet duhet të jem”, kjo i vije vërdallë si një shushurimë, jo e mistershme, por e shpjegueshme, për autoportretin e tij. Kuptimin e autoportretit ai ia lë kohës, ngase koha i nxjerr vlerat, gjithnjë nën shoqërinë estetike të artit, e bukura kujtohet gjatë, dhe zbrazë të keqen, e keqja gjithnjë kërcënim bashkues dhe pengues për të mirën globale. Nëpërmjet ngjyrës së kuqe, të verdhë, blu, dhe gri, krijuesi Aliu shpreh pastërtinë, ciltërin e introduktit ekspresiv, dhe vëmendje, precizitet i kushton kompozicionit.
Në punimet e tija, të dominuara nga peizazhet, vërejmë qiellin blu i cili në asnjë mënyrë nuk sfidon betejat e kornizuara në forma katrori , në të cilat zbulojmë ngjarje të pareshtura, të thella, të ndërlidhura me ngjarjen e jashtme, dhe ngacmimi është tejet i lartë për spektatorin, i cili gjen përgjigje shpirtërore, me një magmë krijuese dhe ngjyrash të pastra, të pa ngulfatur njëra me tjetrën, gjithnjë të vendosura në forma të kontrolluara. Koha reale, dhe ajo jo reale, ecin me të njëjtin ritëm, këtë ritëm, ai e shpërfaq përmes, vijës, formës, ngjyrës, motivit dhe kompozicionit. Asgjë nuk është e pakapshme në pëlhurën e tij, ngjyrat dominohen nga vargjet e poetit-Aliu, shndërrohen në një pjalm , dalëngadalë shkëlmoqen, bëhen pah, ndjesi, përplasen njëra me tjetrën, krijohet një konflikt jo vetëm ngjyror. Këtu kemi dy brigje një të rrafshët një të shqetësuar. Në esencë, kemi poezinë e përkthyer në pëlhurë. Kur them poezinë, dua të theksoj se në katër veprat poetike, të cilat i kam lexuar me ëndje, kam vërejtur klithma ngjyrash, përplasjesh të cilat burim kryesor kanë fjalën. Fjala bashkohet me ngjyrën, të dyja përjetësohen më ndihmën e ngjarjes, puqen me idenë, dhe shpërndajnë rreze ndjenjash të kontrolluara. Fantazmagorikja e tejkalon vetveten, bën një rikthim drejt identifikimit , tashmë të pllenuar nga një ide poetike, e kapshme lehtësisht.
P.sh. në peizazhet që i ka paraqitur në pëlhurë, koha ka vdekur rrënjësisht, ekzistojnë në një pa kohë të çuditshme, këtë ai e përdorë me ujin të cilit nuk i interesojnë lulet e vyshkura, në esencë peizazhi i tij është tejet i mllefosur, ngase nuk mat kohën, e as koha atë. Ekzistojnë brenda në vetën e tyre. Pas kohës, ai në punime renditë edhe heshtjen, mirëpo, ajo flet vetë duke vizatuar fatin e krijuesit të formave në pëlhurë, andaj heshtja e formave katrore, të lakuara, flet vetë, dhe rrëfimin kryesor e shpërndanë në lule, por sipas autorit, fati e mëkati kundërshtojnë. Pas kësaj ai kishte me brohorit: “Boll më, jeta vazhdon”. Nga kjo na del krijimi i përjetësisë me vazhdimin gjeometrik, ekspresiv dhe abstrakt të jetës në tërësi.
Problem tjetër që vërtitet në pëlhurën e Aliut është fati, të cilin e shohim të vijëzuar të gëzuar, të përpëlitur, një rrugëtim i mundimshëm, mes ankthesh, pasigurish, rrënojash, dështimesh, përshpirtjesh, nga dora e mjeshtrit. Ai bashkë me fatin, qëndrojnë të lumtur, të distancuar nga pengesat e fatit, këtë e vërejmë në vargjet e poezisë “E gjej fatin” ku thuhet në vargun e fundit: “O zot sa gëzohem për fatin tim, rroj e rroj gjithmonë me gëzim”. Mirëpo, çdo gjë nuk përfundon me gëzim, ose nuk fillon me hidhërim. Aty gjejmë momente, ekzistenciale të Zhan Pol Sartrit, të lumtura, të mallkuara, dhimbje, lot, frymëzim, lodhje, melankoli, shqetësim, luftë mes shpirtit dhe trupit etj. Të gjitha në pëlhurë, krijojnë ngjarje brenda ngjarjes. Ec dhe ec pafund si në përrallë. Ec për të mbërritur diku.