Kulturë
Janaq Pani: Një cikël me vjersha!
E hene, 14.11.2011, 07:26 PM
Janaq Pani
Një cikël me vjersha!
EH, KJO IKJE
E si u harbuam e morëm përrallet
E ngado që vamë pas na ndjekin hallet,
Qysh se theva këmbën edhe hodha dete
Veç magjen e mallit e mora me vete.
Pa mora dhe Muzat që bredhin në pyje
Nga qiell atdheu mblodha një grusht yje,
Nga Joni me valë dantellën e kaltër
Dhe ca hi mendimesh të mbetur në vatër.
Nga Pani i lashtë kam dhuratë lirën
Nga lulet gjithfarë aromën e ngjyrën,
Si në derë shtrunge i pres të më vijnë
I shkoj nëpër mendje t'u mjel poezinë.
MBURRU HIMARË
Me djemtë e tu mburru Himarë
Se aspirojnë për të vërtetën,
Me gjuhë qumështi në damarë
Vitalë himarjotët mbetën.
Sa cmirëzinj e llafazanë
Se këllqe t'i arrijnë s'kanë
Veç për hajni janë të zotët.
Dhe kapetanët himarjotë
Me gjak në shekuj kanë shkruar,
Zgalemë mbetën në tramundanë
Askujt s'i janë nënshtruar.
PËR DRITEROIN
Driteroi, poeti ynë me vlerë
Ka lindur në muajin tetor,
S'u sendërtua si diktator.
Jo shpatën, por penën e zgjodhi
Dhe mençurinë e fjalës shqipe
Dhe zemrën në dekada e lodhi
Të lartësohet nëpër vite.
Ndaj fjalën shqipe kemi qëmtuar
Çdo përvjetor për t'ia uruar.
NJË KTHIM NË VENDLINDJE
Mbërrita këtu një ditë të pazakontë
Me dëshirën të përqafoj njerëzit dhe vendin,
Dhe ndjej se atyre u janë rritur thonjtë
N'atë farë feje sa nisën të më trembin.
Ma përkëdhelnin emrin në fëmininë e largët
Të shumtët ma kanë harruar tani,
Sforcuar më drejtojnë një buzqeshje të vakët
E fshehin brenda shpirtit hidhësi.
Ajo dashuri në shekuj vlera-ngritur
Aliazh qëndrese për dhjetë breza,
Qe shembur brenda nate e ronitur
Nën një qiell ngarkuar me re të zeza.
E ishte lartësuar në shpirtin gërmadhë
Statuja e urrejtjes, e kusarisë mbas shpine,
Defterët me emrat e tyre në radhë
Me ëndrrën për t'u bërë zengjinë.
Kjo kohë - tren nga shinat i dalë
Për në theqafje ka nisur vrapin,
Nuk gjej dot forcën për ta ndalë
Dhe lotët shterën që të qaj fatin.
Qeparoi im, o plagë që dhembin
Më lebetit mendimni se mund të të humb,
Nuk ngjan kjo plagë gërvishje gjëmbi
Plagosur ndjehem i shpuar me plumb.
DASHURIA
Ësht' tretësirë
Kjo dashuri
Kam unë të mirë
Sa ç'ke dhe ti.
Ç'kam unë me vlerë
Me ty e ndaj,
Një shpirt të gjerë
M'dhuron pastaj.
Një frymë shenjti
Ndjenjat na vesh,
S'di kush më i shtrenjti
Është mes nesh.
Sa shumë të dua
Një Zot e di,
T'më gjeje mua
Linde dhe ti.
Te ty t'mbërrija
M'u çfaqe n'ëndërr
E veten shihja
Të veshur dhëndër.
Si luke e parë
Pranverën nxit
Nga vesa larë
Dhe syri yt.
Lule me erë
Për ty se ç'ndjej
Një tjetër herë
Do të rrëfej...