Kulturë
Gani Qarri: Adem Qarrit me shokë
E diele, 13.11.2011, 07:55 PM
Gani Qarri, Cyrih
ADEM QARRIT ME SHOKË
(Kushtuar të rinjëve hasjanë të masakruar më 1999 në Lugishtë të Hasit)
Adem ju ikët të ri të mbushur me shpresë
Ti dhe dhjetëra hasjanë që ishin me ty
Për të mbetur meteorë përjetshëm në kujtesë
Dhe përgjithmonë lot i pa terur në sy
Për ju vaji i nënave as sot nuk pushon
Për jetën tuaj të re të këputur në rini
Ndaj zemra e tyre nga shpirti i mallkon
Ata që ju dorëzuan te shkau me tradhti
Ata që juve te shkau atëbotë ju spiunuan
Tani jetojnë në shtëpi me të afërmit e vetë
Ata që serbët të ju masakrojnë i ndihmuan
Sot rrinë të pa zbuluar si "hije" në këtë jetë
Nënat, familjarët dhe fëmijët që ju prisnin
Pushtues e tradhtarë nuk lejuan t’i gëzoni
Dhe pse një kohë kthimi juaj pëshpëritej
Familjeve iu kthyet në nga një qese najloni
Fëmijët që latë dhe të afërmit e pikëlluar
Përjetë ju kujtojnë me mall dhe krenari
Kurse gjaku i juaj që ujiti lirinë e Dardanisë
Në Has dhe Kosovë do të mbetet në histori