E hene, 14.10.2024, 08:01 PM (GMT+1)

Kulturë

Intervistë me ish-aktorin e mirënjohur të humorit të Estradës dhe të Cirkut të Tiranës, Arben Shaka

E shtune, 19.11.2011, 08:54 PM


Babai im thoshte: Edhe një djalë që kisha m’u bë “palaço cirku”

 

Nga Albert ZHOLI

 

Do të fillojmë?

Fillojmë, por ta dish se je i pari që merr intervistë nga unë, pas 21 vjetësh të largimit nga skena!...

Kur filloi Arben Shaka me humorin?

As unë s’e mbaj mend sa u bë!... Më duket një shekull! Që s’e mbaj mend kur isha fëmijë.

Sa vjet ke në Greqi?

Po mbush 14 vjet. Pra, janë vite të tëra në fqinjin  tonë. Aty jam sistemuar dhe jam integruar. Në fakt më respektojnë, pasi me punë aty respektohesh.

Vjen shpesh herë në Shqipëri?

Vij kur më kap halli. S’kam pasur shumë halle, ndaj vij rrallë. Mos paçin halle emigrantët!

A e ke ushtruar profesionin tënd si aktor i humorit apo në cirk në Greqi?

Në fakt, para se të shkoja mendova se diçka dija për Greqinë. Akoma më shumë për artistët. Pra ishte formuar një ide sikur i njihnim mirë. Por në fakt informacioni ynë ishte shumë i cekët dhe shumë i dobët. Pra, dëshira ime u zbeh kur pashë realitetin. Aty nuk mund të jetohej për humor.

A bëre ndonjë përpjekje për të justifikuar veten?

Po. Bëra humor në një familje arkitektësh në një ditëlindje. Kjo ishte hera e parë dhe e fundit që unë u mora me humor në Greqi. Pashë se dhe pse nuk dështova, gjuha, vendi, shokët, nuk ishin të përshtatshëm për këtë profesion.

Me se jeni marrë gjatë këtyre 14 viteve?

Më shumë jam marrë me pikturë. Pra, kam bërë piktura në të gjitha gjinitë.

Si ta kuptoj këtë, si një shaka të radhës?

Aspak. Sot s’po bëj shaka, pasi kam 13 vjet që s’kam dhënë intervistë. Flas me seriozitetin më të madh.

Si lindi piktura te Arben Shaka?

Ndoshta askush nuk e beson, por unë pikturën e kam filluar qysh në vitin 1983. Pra, po bëhen afërsisht tri dekada dhe pse nuk e kisha bërë publik këtë fakt apo profesion të dytë.

Vilson Halimi ka qenë ai që ma ka mësuar këtë lloj profesioni. Ai ishte një piktor i mirë, por shumë kërkues. Punonte si skenarist në Estradën e Tiranës dhe ishte një njeri shumë i dashur dhe korrekt. Mbetet profesori i mirë për mua. Ai më nxiti, ai më korrigjoi, ai më drejtoi dhe me rreptësi në këtë rrugë. Nuk ja harroj kurrë këtë profesion. Madje, më thoshte që puno më mirë bardh e zi se sa më ngjyra, sepse ngjyrat ndonjëherë e tjetërsojnë realitetin.

Pra në Greqi tashmë njihesh si piktor?

Po. Këtë profesion ushtroj dhe ndihem mirë. Aty ku banoj më respektojnë për këtë profesion.

Ku e ushtron dhe si e ushtron këtë profesion në Greqi?

Më kanë thirrur shumë herë për të bërë piktura murale nëpër dyqane, kafenera, por edhe për portrete dhe për peizazhe. Kërkesa në fillim kam pasur mjaft. Pra bëj punë me porosi.

Ke pasur vështirësi në fillim?

Sigurisht. Sidomos kur nuk njihja mirë gjuhën. Ndërsa tani gjuhën mendoj se e njoh mirë dhe e shkruaj mirë. Ishte detyra ime e parë mësimi i gjuhës. Kjo sepse veshi im s’ishte rrahur fare me këtë gjuhë. Në Tiranë nuk njihej fare gjuha greke, por rusishtja, anglishtja dhe italishtja. Problem e kisha se greqishtja ka shumë të përdorshme germën q. Eh, sa punë më ka hapur kjo germë…

Po humori të ka munguar në Greqi?

Besoj se jo. Humori për mua është pjesë e trupit, pjesë e pandarë e jetës. Krijoj situata humori kudo që jam. Në vitin 1998 unë e mbylla si profesion profesionist dhe tani e vazhdoj si profesion qejfi për veten dhe të afërmit. Ishte ky vit që unë u largova dhe nga arena e cirkut, megjithëse isha në formën më të mirë.

Pra, tani nga profesionist në një humorist për rreth të ngushtë. Ndihesh mirë?

Them se po. Kur kam qenë aktor profesionist si në Estradën e Tiranës edhe në Cirkun e Tiranës s’kam pasur kohë të haja bukë. Kam qenë shumë i impenjuar. Shfaqje pa fund, prova pa fund.

Kur e ka zanafillën të qenit humorist si profesionist?

Do ta them me moshë. Kam qenë fiks 17 vjeç kur kam filluar si profesionist. Ishte prill i vitit 1968. Atëherë ishte diçka e rrallë që në këtë moshë të futeshe në punë si profesionist. Atëherë kishte rregulla dhe norma të tjera, që sot duket sikur bën shaka, por ashtu ishte. Ishin kohë të tjera, norma dhe ligje të tjera. Ndoshta ne s’na pëlqejnë shumë ligje dhe norma të asaj kohe të atij sistemi, por ashtu ishte diktatura e proletariatit dhe ishe i detyruar që t’i zbatoje ato ligje.

Pra në Estradë dhe në cirk, thuhet se ishit bërë shumë i dashur për fëmijët shqiptarë, një figurë publike për ta…

Mbase kam qenë dhe më vjen mirë që e përmend, pasi artisti në qoftë se nuk ka lënë gjurmë, s’ka çfarë kujton nga skena. Por kryesore ka qenë që në numrat e mia apo në shumë koncerte për fëmijë, skenarin e kam përgatitur vetë. Pra janë me shumicë skenarët e programeve për fëmijë.

Ndër ato që veçohen janë koncertet e fëmijëve për Vitin e Ri. Çfarë kujtimesh ruani?

Eh, ato ishin koncerte që ç’të të them!? Më e pakta ishin 500 fëmijë. E mendoni se ç’do të thotë të drejtosh 500 fëmijë! “Të të hikë karikatorja e kokës”. Nuk numërohen dot, jo më që t’i drejtosh. Apo s’dukeshin afërisht njëlloj, se të gjithë koka zero. Se atëherë deri në klasë të tetë kokë qethej zero. S’i dalloje dot. Koka rudë. As me regjistër si numëroje dot. Atëherë duhej kompjuter t’i numëroje dhe jo tani. Këto koncerte kanë filluar qysh në vitin 1978 deri në vitin 1990, pra afërsisht 12 vjet koncerte madhore.

Ku e ke bërë koncertin e fundit  për mbrëmjen e Vitit të Ri me fëmijët?

Në Pallatin e Kongreseve. S’e mendoja se do të ishte koncerti i fundit për koncertin e madh të Vitit të Ri. Në atë koncert do të vinte dhe shoku Ramiz Alia. Pallati ishte mbledhur plot. Ishin caktuar dhe fëmijët që do ta takonin dhe do t’i jepnin lule Ramiz Alisë. Midis të tjerëve ishte dhe vajza ime që do t’i jepte lule. Por në momentin e fundit nuk e di pse e ndërruan dhe vajza ime nuk u përfshi tek fëmijët që do të çonte lule tek Ramiz Alia. Duhet ta dini se në pallat ishin mbledhur fëmijët me rezultate më të larta nga e gjithë Shqipëria. Ato takime masive s’u bënë më.  As sot nuk e di kush dhe pse e hoqën vajzën time nga ky takim.

Po takimet e tjera dhe koncertet e fëmijëve me rastin e Vitit të Ri ku zhvilloheshin?
Kur ende s’kishte përfunduar Pallati i Kongreseve koncertet ose takimet e udhëheqësve me fëmijët e dalluar zhvilloheshin në Pallatin e Brigadave ose në Pallatin e Sportit. Ishin takime shumë masive.  Aty tek  hyrja e banjave të pallatit rrinte një grua e Sigurimit të Shtetit. Edhe pse ishin banjat e burrave, rrinte një grua. Ajo si dukej atë punë kishte, të shikonte kush hynte e dilte në banjë. Kur u futa e pashë në sy, me demek ç’do ti? Ajo serioze më thotë, vazhdo punën tënde ti. Ke hesapin tënd! Hyra tërë siklet në banjo, dhe pse më ruanin…

Po Enver Hoxhën ke pasur rastin ta takosh nga afër?

Po në çdo aktivitet të Vitit të Ri në më të shumtën e rasteve, Enveri vinte. Dihet kur vinte ai, vinte gjithë Byroja Politike që nga Mehmet Shehu dhe deri tek Kadri Hazbiu apo Hysni Kapo.  Një herë e kam mbrojtur mos e rrëzonin fëmijët.

Të lavdëruan…?
Po. Kur mbaroi festa më afrohet Lumturi Rexha dhe më thotë: të lumtë Arben! E bëre si duhet detyrën. Pra, më tha për detyrën si roje, jo si klloun (qesh). Për këtë më tha do hash bukë këtu sonte dhe më çoi në mensë. Thashë se ç’do haja, kur më sjellin një pjatë supë dhe makarona. U ngrita me dinakëri për të mos rënë në sy. Më mirë haja në shtëpi.

Po tjetër histori?

Eh, sa kemi. Ne gallatë bënim, por sa herë desh e kemi ngrënë nga gallata. Ne kishim dhe kafshë të egra, kishim dhe ariun e Tahirit. Ariu me emër që ç’të të them. Tahiri rinte me të dhe e zbuste dhe punonte numra. Por me të duhej të ishe strikt. Një komandë gabim, ai vepronte me instinkte dhe jo me ndërgjegje. Po bënim një koncert të tillë me fëmijë në Pallatin e Sportit. Në këtë koncert erdhi gjithë Byroja Politike. Enveri jo. Byroja kishte atë si tribunë që është dhe sot. Tahiri i ariut në atë ditë nuk i bëri mirë lëvizjet ariut, pra s’ia dha mirë komandën. Kur të shohësh që ariu ju turr fëmijëve. Unë ja njihja disa instinkte ariut, sepse punoja me të. I dola menjëherë përpara dhe i vura krahun në atë mënyrë që ai të ndalonte kur ishte puna në cirk. Ai ju bind kërkesës dhe sjelljes time. As vetë se di se si ndaloi. Shpëtuam nga një gjëmë e madhe. Shumica s’e vunë re, pasi menduan se ishte numri i radhës.

Po të kishte sulmuar Byronë ariu çdo të bëje?

Detyrën si komunist. Do të sakrifikoja veten. Mbi ariun dhe vetëm Byroja Politike të shpëtonte.

Ishit shumë komunistë në fis?

Shumë thua,i gjithë fisi komunist ishim. Vetëm fëmijët e mi dhe maçoku i shtëpisë nuk ishin komunistë. Po të të linte partia, të gjithë bëheshin komunistë atëherë! Lere se ç’thonë sot! Ne ishim celulë më vete, ku njëri ishte më komunist se tjetri. Pikë!

Jetën e ke kaluar gallatë?

Jo unë, po jeta! Se di, por ndoshta rastësia, ndoshta se më tërheqin, unë ndodhem ku është humori apo skenat e veçanta. Pra më ndjekin gallatat. Një shoku i them që ti ke qimen e derrit, se ku je ti ndodh diçka . Ai më thotë, po e kam, ndërsa ti ke derrin komplet me qime, se ty të ndodhin të gjitha. Kudo që vete më ndodh diçka, dhe unë tani të gjitha këto i mbledh në kornizën e humorit për të bërë një libër.

Ke takuar ndonjë mik që deri dje në komunizëm rrinit pak si larg?

Shumë. Kam shkruar dhe një tregim. Ti e djeshmja, unë e sotmja. Pra deri dje, unë me “biografi të mirë”, sot me të keqe, ndërsa ai, e kundërta... Dje me biografi të keqe, sot me të mirë (ahaaaaa). Librin do ta titulloj “Ditari i humorit”.

Cila është dëshira jote e tanishme?

Pas shumë viteve punë këmbëngulëse si i devotshëm. Plot heroizma. Dëshira e tanishme janë eurot….ato janë idealizmi i sotëm për të gjithë, paçka se mua nuk më duan ato. Të them të vërtetën, në komunizëm kam punuar me aq pasion, sa them me vete, unë kam qenë apo një Arben tjetër, se unë mbiemrin e kam Shaka dhe them deri dje kam bërë shaka me veten…

Keni ndjerë të paktën sadisfaksion shpirtëror në atë sistem?

Ajo na mbante gjallë. Ushqimi shpirtëror. Sa herë dilja në bulevard, vinin prindër fëmijësh dhe më puthnin dorën, po ashtu dhe fëmijët më hidheshin në qafë. Me këtë punë unë jam bërë si psikolog për fëmijët. Fëmijëve u flas me seriozitet, u jap pozicionin e tyre jo me përkëdheli të tepërta. I kam trajtuar fëmijët si shok. Sidomos në fshatra si na prisnin! S’gjej dot fjalë t’i them!...

Megjithatë, cili ka qenë numri i parë që ju ka bërë me emër?

Shoferi. Pantonimë. E kam luajtur me disa karrige, Lëvizja mbi karrige sikur të isha mbi kamion. U mirëprit shumë mirë. Ky skeç më hapi rrugën e humorit. E luajta me shumë dëshirë, derdha gjithë energjitë...

Po prindërit donin?

Jooo. Sidomos babai. Ai ishte hetues dhe më vonë prokuror. Ai donte të merresha me art. Por unë kisha tjetër mendje. Në fund ai u detyrua të thotë: Edhe një djalë që pata, mu bë “palaço cirku”. Në fillim unë shkova elektroaut në një ndërmarrje, aty fillova të merrem me humor.

Kush është pasuria më e madhe juaja sot?

Respekti që kanë ende ata që më njohin. Më ndalojnë, më respektojnë, më ofrojnë një kafe. S’kam pasuri tjetër, përveç kësaj. Edhe në Kosovë dhe në Dibër të madhe kam pasur shumë respekt. Disa herë që kam shkuar në këto krahina, brezi i vjetër më njihte dhe më afrohej me dashuri.

Po në Greqi ke pasur ndonjë rast kur emigrantët të kanë dhënë sadisfaksion?

Shumë. Por do veçoj një rast. Po bëja dokumentet në Korinth të Greqisë. U futa në radhë për të bërë analizat. Ishin shumë. Kur më afrohet një emigrant tërë seriozitet. Po ti çdo këtu? S’dija ç’t’i thosha. Kam një punë për vajzën e tezes, i thashë. Mirë, mbaro punë dhe ik, më tha. S’je për këtu ti! Kur mbaroi punë, më priti jashtë. Dëgjove ç’të thashë, më tha? Mbarove, dhe vrap në Tiranë, atë bëj! Një rast tjetër ishte, kur më thanë do të vijnë dy deputetë X dhe Y. U thashë shokëve, nuk vij në takim se nuk i njoh. Si, ore, s’i njeh, janë ata dhe këta. Unë njoh vetëm dy gjelat nga udhëheqësit, të tjerët s’i njoh!...

 



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora