Kulturë
Daniel Gazulli: Hajredin Isufi – ‘’Feja dhe Flamuri’’ - Dom Nikollë Kaçorri (V)
E shtune, 19.11.2011, 09:01 PM
Në prag të Ditës së Pavarsisë:
HAJREDIN ISUFI:
“FEJA DHE FLAMURI” –
- Dom Nikollë Kaçorri -
(Pjesa - 4)
(Shënime kritike nga Daniel Gàzulli)
3/2. KRYENGRITJA E KURBINIT
DHE DOM NIKOLLË KAÇORRI
(1905-1907)
“Mendja dhe zemra asht gjithnji
në Kurbin e me kurbinas”.
Dom Nikollë Kaçorri
Në prag të konfrontimit ma të egër Imzot Kaçorri denoncon para opinionit
Deklarata e tij denoncuese publike shkaktoi, ashtu si pritej, reagime të forta në Durrës. Më atë rast duhet thanë se edhe Vjena, protektore e katoliçizmit në Shqipni simbas marrëveshjes me Stambollin, u tërhoq dhe nuk përkrahu rebelimin e meshtarit të Durrësit. Kjo u dha aq zemër otomanëve që sundonin në Durrës, sa ai u rrah nga xhandarët në një rrugicë të qytetit barbarisht e pa asnjë shkak. Qellimi nuk ishte ta vrisnin, por ta trembnin e ta zhburrnonin.
Imzot Kaçorri ishte aq i zgjuet të kuptonte se tashma ishte krejt i pambrojtun, por ishte edhe poaq trim sa të mos i shkonte mendja të tërhiqej; përkundrazi, ai e shtoi veprimtarinë e tij në një kuadër ma të gjanë të Lëvizjes Kombtare.
Bashkë me mikun e bashkëpunëtorin e tij ma të ngushtë, Gjin Pjetër Previzin e Skurajve (Kurbin) ideoi dhe ndërmori përgatitjet për një aleancë ndërkrahinore ku do të përfshihej shumica e Veriut e me një bërthamë kryesore në krahinat katolike të Kurbin, Lezhë, Mat, Mirditë, Lurë. Nën petkun e meshtarit e me atë cilësi, ai shkel vetë gjithë Veriun; nga Bregu i Matës në Lezhë te vëllaznit atdhetarë Gjeto Coku e Dedë Coku, tek vëllaznit ma të famëshëm në Tiranë, Murat e Refik Toptani, deri në Mirditë apo Lurën e tij tek Baftjar Doda, deri te organizimi i Kuvendit që u mbajt në Delbinisht (Kurbin) në vjeshtë 1905.
Ndër vendimet e tij themelore ishin:
Të mos paguenin asnjë taksë administratës turke – çka do të thonte praktikisht mosnjohjen e saj
Vendimet e Kuvendit u banë publike: Ato iu dërguen adminsitratës në Durrës, Valiut në Shkodër, i cili tregoi një shpërfillje fyese dhe si kundërpërgjigje urdhënoi adminsitratën e Sanxhakut të Durrësit, që të vilej me çdo kusht taksa e bedelit ushtarak në Kurbin. Sanxhaku mendoi ma së pari arrestimin e Imzot Kaçorrit, që simbas Konsullit austriak Karl “ishte shpirti i qëndresës antiosmane dhe frymëzuesi i luftës së armatosun të kurbinasve”.
Imzot Kaçorri, për t’i ikë arrestimit, strehohet në mes kryengritësve në Kurbin. Tentativa për arrestim kishte ba efektin e kundërt: shpirti i kryengritjes tashti ishte në mes të kryengritësve.
Shkodra dhe Durrësi gjendeshin në prag të një dështimi të turpshëm para kurbuinasve trima. Atëherë menduen me vu në lojë diplomacinë, aty edhe ate austriake.
Si dështoi çdo përpjekje për të shue kryengritjen, e fundit ajo e Kajmekamit të Krujës, që mori përgjigjen trimoshe të Gjin Pjetër Pervizit, se “Populli i Kurbinit ishte i vendosun mos me i pague asnjë takes qeverisë, sepse nga taksat, që ishin mbledhë për dekada me rradhë, nuk ishte rregullue një urë, …..nuk ishte hapë asnjë shkollë në gjuhën shqipe”. Gjin Pervizi, flamurtari i 28 Nandorit 1912 në Milot, në kulmin e kryengritjes e të një mjerimi ekonomik të skajshëm, kujtohet edhe për shkollat shqip.
Mbas këtij dështimi ishte i pritshëm një operacion i gjanë ndëshkimor prej Valiut të Shkodrës.
Për t’i dale para punës, Imzot Kaçorri organizon një Kuvend të ri me datë 31 maj 1906, po në Delbinisht, ku ishte transferue edhe Arqipeshkvia e Durrësit, si rezultat i përndjekjeve turke. Në këtë Kuvend për herë të parë në mes kryengritësve, merr pjesë edhe vetë Arqipeshkvi Prengë Bardhi.
Ashtu siç pritej, vendimi ishte një: Rezistencë deri në fund dhe bashkëpunim me krahinat tjera. Me këtë rast Imzot Kaçorri hartoi dhe u lexoi të pranishmëve një promemorie për Perandorinë e Austro-Hungarisë për t’u dhanë ndihmë. Përgjigja e Vjenës nuk vonoi, por ajo ishte negative.
Atëherë vetë Imzot Kaçorri, në bashkëpunim me Gjin Përvizin, ashtu edhe me meshtarë të tjerë si Dom Zef Nikaj, Dom Luigj Kroqi, Dom Zef Shllaku, morën përsipër sigurimin e armëve nga tregjet e Europës dhe sjelljen e tyne fshehtas me anije të ulqinakëve e të durrësakëve. Të hollat për blemjen e armëve i kishte dhanë atdhetari brilant Gjin Pervizi.
Ndonse lajmi u muer vesht dhe Valiu i Shkodrës mori të gjitha masat e mundëshme që armët të mos arrinin, ato përsëri arrijtën nëpërmjet Durrësit dhe prej aty në Kurbin.
Me 5 gusht 1906 e për tri dit rresht organizohet Kuvendi tjetër i Delbinishtit, që ishte jashtë kontrollit të adminsitratës turke. Organizatorët kryesorë janë përsëri Imzot Kaçorri, At Shtjefen Gjeçovi, Gjin Pervizi, sidhe Beg Ali Vokrri nga Malbardha.
Në atë Kuvend u përvijue kërkesa për autonomi kombtare, me sa di unë, hera e parë që ndeshet një kërkesë e tillë e qartë.
Aty u morën edhe një seri vendimesh që kishin të banin me raprezaljet e mundëshme të sundimtarëve turq, sepse autoritetet e Shkodrës, Durrësit e Krujës, ma shumë se sa mosaftësia për të mbledhë taksat, i shqetësonte lëkundja e autoritetit të tyne para Stambollit dhe ndikimi i rebelimit të Kurbinit në krahinat tjera.
Me 4 shtator 1906 forca të shumta osmane iu drejtue Kurbinit. Paria dha alarmin. Çdo mashkull i aftë për pushkë doli në mal. Forca aleate të besëlidhuna me Kurbinin gjithashtu iu afruen nga të gjitha anët.
Batalioni ndëshkimor, mbas një demostrimi frikësues, u ndrye në Krujë, sepse hafijet i kishin njoftue se nuk do të mund ta përballonin zemrimin e kurbinasve. Aq u tremb komandanti i garnizonti, sa mori masa për sigurimin e qytetit nga një sulm i mundëshëm prej fshatrave përreth, aleatë të kurbinasve.
Komandanti i garnizonit shpalli shtetrrethimin, në mënyrë që asnjë fshatar të mos mund të hynte në treg.
Me 20 shtator ai thirri gjithë kryepleqësitë e fshatrave të kazasë për bisedime në Krujë. Përgjigja e kruetanëve qé e preme: “…. As edhe një kokë për katund nuk do ta japim, sepse ju u mjafton një pike e zezë mbi letër të bardhë, për të na marrë gjithë pasurinë”.
Kur kryepleqësitë po largoheshin prej qytetit, komandanti i garnizonit Shefqet beu u dha sinjalin forcave që ishin në kala të hapnin zjarr mbi të ftuemit. Fshatarët, të gjithë të paarmatosun, të premë me pabesi, mbetën të vdekun nga breshëritë që vinin nga kalaja: 22 të vdekun.
Masakra e 20 shtatorit çoi peshë gjithë fshatarët. Ata prenë rrugët nga mund të vinin përforcime prej
Mbas kësaj masakre osmanët sulmuen Zhejen, ku u ndeshen në prita të organizueme me forca të pakta nga Gjin Pervizi.
Mbasi morën Zhejen, turqit iu drejtuen fshatit Skuraj, kryeqendër e Kurbinit, djep i Lëvizjes Kombtare Shqiptare. Akti i parë ishte djegëja e kullës-kështjellë të kryetrimit Gjin Pervizi. Mbas saj u dogjën fshatra të tanë, u shkretuen me gjithçka.
Mbi masakrat e turqëve mbi popullsinë e pambrojtun kemi një dokumentacion të tanë nga dëshmitarë okularë, prej Imzot Kaçorrit, tek At Shtjefen Gjeçovi e shumë të tjerë. Përballë kësaj mësyemje të egër, që kishte shkrumbue shtëpi e të mbjella, u vunë në lidhje me fuqitë e mëdha të kohës personalitete si Imzot Kaçorri, At Gjeçovi, Imzot Prengë Bardhi, Gjin Pjetër Pervizi etj., por edhe ndërhymja e tyne pranë Stamollit nuk pat sukses. Kur armët e kurbinasve e të zonave përreth iu kundërvunë deri në pikën e fundit të gjakut të paktë që u kishte mbetë, Valiu i Shkodrës kaloi në premtime për marrëveshja dhe praktikisht pezulloi si veprimet ushtarake, ashtu edhe vjeljen e taksave.
Siç pasqyrohet në korrispondencën e dendun e në protestat e Imzot Kaçorrit, shqiptarët ishin të vetëdijshëm se Stambolli donte vetëm të merrte kohë për sulme edhe ma të egra e nuk u rrejten nga premtimet e Valiut të Shkodrës, por edhe kurbinasit, mbas katër vjet lufte krejtësisht të pabarabartë e të rreskapitun veçanarisht nga ana ekonomike, u dertyruen të pranonin marrëveshje e 29 prillit 1907, që u nënshkrue në Milot.
Edhe pse nuk ishte ky qellimi i vërtetë i kryengritjes, duhet thanë se ajo nuk i uli armët pa sukses: Stambolli u detyrue të pranonte shumicën e kërkesave të kryengritësve, ndër to, të drejtën me u administrue simbas venomeve vendase e jo nga adminsitrata turke.
Kryengritja e Kurbinit, që zgjati katër vjet, e udhëhequn nga Gjin Pjetër Pervizi, me frymëzues, organizator dhe armator Imzot Nikollë Kaçorrin, ishte kushtrimi ma i fortë në prag të Pavarsisë.