E diele, 28.04.2024, 05:16 AM (GMT+1)

Kulturë

Dibran Demaku: Tregimi për vashën dhe njerkën

E shtune, 19.11.2011, 08:57 PM


Dibran Demaku

 

TREGIMI PËR VASHËN DHE NJERKËN

 

Përralla thotë:Në një shtëpi katundi u martuan dy vëllezër në një ditë.Ata moren dy nuse të reja.Pas nëntë mujash po në të njëjtën ditë lindën dy rreze drite.Që të dy foshnjat ishin të gjinisë mashkullore.,Por,njërës nga nuset i vdes foshnja vetëm pak orë pas lindjes.Nusja fatkeqe që mbeti pa djalë,e dëshpëruar dhe e frikësuar se tash e tutje anëtarët e familjes nuk do ta duan atë,por kunatën e saj me djalin në jetë e kurdisë një plan:Vendosë që brenda natës t`i ndërrojë foshnjat: foshnjën e vetë të vdekur ia fut në gji së kunatës,derisa ajo po flinte,ndërkaq nga atje e merr foshnjën e saj të gjallë.Të nesërmën në mëngjes e shpallë para anëtarëve të familjes se së kunatës gjatë natës i kishte vdekur djali i sapolindur.

Nusja tjetër nuk i pranon thënjet e së kunatës.Me lotë në sy para të gjithë anëtarëve të familjes ajo rrëfen se foshnja e saj ishte shëndosh e mirë sa ajo ishte e zgjuar.Pasi ta ketë zënë atë gjumi e kunata mund ta ketë luajtur ndonjë lojë.Që të dyja nuset e akuzojnë njëra tjetrën.Familjes nuk i mbetët tjetër vetëm që atë ngjarje të padëgjuar deri atëherë ta paraqes për zgjidhje para Pleqësisë së katundit.Mblidhen pleqtë më të ditur të katundit për ta pleqëruar ngjarjen e pazakontë.Pas diskutimeve që kishin zgjatur ditë e net të tëra dhe pas insistimit këmbëngulës të të dy kunatave se foshnja e vdekur ishte e tjetrës, ata kishin vendosur:Foshnja e mbetur gjallë të ndahet në dy pjesë dhe secila nga nuset të merrte nga një pjesë!

Nusja që i kishte vdekur foshnja e pranon menjëherë vendimin e pleqësisë.Ndërkaq nusja që ishte e bindur se foshnja e gjallë ishte e saj e kundërshton vendimin e pleqëve me të gjitha forcat.Pas shumë kundërshtimeve të pasuksesshme dikur ajo vendosë që foshnjën e gjallë të ja japë së kunatës.Pas vendimit të saj ajo e flet edhe një fjalë para pleqëve:Edhepse djali i gjallë është i imi,po ia dorëzojë kunatës smirëzezë e cila është e gatshme që ta marrë qoftë edhe një pjesë së trupit të vdekur.Do të ia vë zemrës një gur dhe do të jetoj pa fëmijën tim në prehër e lumtur që së paku fëmija im do të jetojë edhe tek një nënë që nuk e ka nënë!

Pas fjalëve të nuses pleqtë e kuptojnë të vërtetën dhe e thyejnë vendimin e mëparshëm.E kuptojnë hilen e nusës që pranonte që fëmija të ndahej në dy pjesë,sepse nuk ishte i saj.E zbulojnë se cila ishte nëna e vërtetë e djalit të gjallë dhe ia japin asaj.Kështu kunata smirëzezë mbetet me gishta në gojë,ndërkaq tjetra e merr foshnjën e saj dhe jeton me të për jetë e mot…

Ndërkaq në tregimin tonë nuk bëhet fjalë për dy kunata,por për një Vashë të re dhe për Njerkën e saj smirëzezë.Vashën e shkretë e kishin ndarë që në lindje nga e ëma dhe ia kishin dhuruar njerkës zemërzezë.Dhe njerka zemërzezë,si çdo njerkë tjetër nuk e kishte dashur asnjëherë vashën.Ajo e kishte dashur vetëm pasurinë e saj,por kurrë edhe emrin e saj.Ajo nëpër stinë e vite ishte përpjekur që të zhdukte emrin e vashës,që pleqësia e kohës e kishte ndarë nga e ëma dhe ia kishin dhuruar asaj.Vasha e shkretë nën mëshirën e pamëshirë të Njerkës e rriste shtatin me plagë të panumërta që i shkaktonte Njerka smirëzezë.Ajo edhepse me plotë plagë në shpirt e në zemër e ruante me xhelozi emrin e vetë të parë që ia kishte zgjedhur e ëma…

Vasha e mbetur jetime pa nënën afër e vetëm me Njerkën hoqi të zitë e ullirit.Edhepse e sakatosur nga Njerka e saj,shpeshëherë me këmbë të thyera e me duar të prera,ajo i rriti të shëndetshëm fëmijët e vet.Dhe kur fëmijët e vashës u bënë burra e kuptuan të vërtetën për nënën e tyre dhe vendosën që të ngrihen e të luftojnë kundër Njerkës smirëzezë dhe ta çlirojnë nënën e tyre nga kthetrat e Njerkës.Shumë të rinj të Vashës ranë në përpjekje me Njerkën që ishte e keqe dhe që ngjante me ato shtrigat e përrallave.Njerka ishte e fortë sepse kishte edhe përkrahjen e fiseve përrreth.Bijtë e Vashës derdhën shumë djersë e gjak derisa erdhi një Pranverë.Dhe në atë Pranverë,bijtë trima të Vashës, ia thyen dhëmbët Njerkës-kulshedër.

Nipërit e pleqëve të vjetër u tubuan dhe vendosën që ta pleqërojnë konfliktin shekullor në mes të Vashës dhe Njerkës.E kuptuan se baballarët e tyre kishin bërë gabim që Vashën e kishin ndarë nga e ëma dhe ia kishin dhuruar Njerkës smirëzezë.Për at përmirësuar gabimin e baballarëve të tyre ata vendosën që ta ndanin Vashën nga Njerka.

Njerka smirëzezë,ashtu si nusja e përrallës e ka kuptuar se vashën e dhuruar para një shekulli e ka humbur.Por,asesi të pajtohet me realitetin.Ajo edhe mëtej mundohet që ta sakatos Vashën e çliruar nga kthetrat e saj.Në kohë të fundit ka dalë me propozimin që Vasha të ndahet në dy pjesë: Ajo mendon që njërën pjesë të trupit të Vashës ta marrë ajo vetë,ndërkaq pjesën tjetër  ta marrë nëna e Vashës.Ashtu si nusja e përrallës që dëshironte që të ndahej në dy pjesë trupi i foshnjës së gjallë që nuk ishte i saj,ashtu insiston sot edhe Njerka.Paqka se Vasha e ndarë në dy pjesë nuk do të mbijetojë! Ajo është edhe dëshira e Njerkës: Që Vasha të mos mbijetojë,por të vdesi?!

A do ta pranojnë Pleqtë e sotëm një propozim të tillë të Njerkës mbetët të shihet.Të gjitha shpresat janë që Pleqtë e sotëm nuk do ta përserisin gabimin e baballarëve të tyre...

Vasha e ndarë nga Njerka shpirtin dhe zemrën i ka orientuar nga e Ëma. Së bashku hapin rrugë e ndërtojnë Ura.Ndërtojnë ardhmërinë…

Ndërkaq Njerka smirëzezë mbyll rrugë e shkatërron Ura.Duke mbyll rrugë e shkatërruar Ura ajo shkon drejt vetëshkatërrimit…

Mbase duke i lexuar këta rreshta e kuptuat se cila është Vasha dhe cila është Njerka e tregimit tonë.Nëse nuk e keni kuptuar me leximin e parë,atëherë rilexonie edhe njëherë! Apo edhe shumëherë…

Vasha e Njerka jetojnë në Ballkan.E në Ballkan ka shumë mjegull.Dihet se ku ka shumë mjegull ka edhe shumë Legjenda.Mbase në të ardhmen edhe rreshtat e këtij shkrimi do të lexohen si përralla apo legjenda…Na ishte njëherë një Vashë e bukur dhe një Njerkë smirëzezë…



(Vota: 5 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora