E hene, 09.09.2024, 05:20 PM (GMT+1)

Kulturë

Poezi nga Çlirim Uça

E diele, 20.11.2011, 08:57 PM


Çlirim Uça

 

 

LISI

 

I falem kunorës tande të bukur,

që na sjell të malit freskì

e aromë lule bjeshkësh,

e porsi shqiponjë

roje shekullore na rri përmbì.

 

I falem qendresës tande

përballë furtunave,

që me vete sjellin

kafshë shkretinore,

që pa s’i kishim as n’kopështin zoologjik,

me hungurima “h”-shë të pafund,

leshnat postaqì,

erë trupi të zhigatun

në barkun e kalit të djersitun.

 

Kafshët duen të më hanë,

mue, zotin tand,

të birin e t`atit dhe t`amës

që mbjellë të kanë

e pranë teje më lanë

shpresë për të ardhmen,

roja dhe nderi yt,

e që n’ gjuhën time të bukur

të këndoj për ty kangë dashunie

kur qielli,

i kthjelltë si loti,

të më ndezë frymëzimin,

e kangë kreshnike

kur moti sjell fortunë

që degët do të t’i shqyjë

e trungun të ta shkulë.

 

E kështu,

unë me kangë,

ti me fishkëllima,

të thurim ballada

për kohën e pabesë

që do

rrajët t’na i nxjerrë.

 

Po vdiqa unë

dhimbjen mbaje në shpirt

e fishkëllimën mos e ndal

deri sa

një brez i ri

luftëtarësh

të lindë.

 

 

DITA D.

 

Në vendin tonë

kikiriki i gjelit

nuk paralajmëron ardhjen,

por vrasjen e një ditë.

 

Ende pa zbardhë mirë,

ai

fillon coptimin e saj

nën përdhunën e kthetrës

dhe ritmin e tiktakut të sqepit.

 

Në mbramje ajo asht e vdekun.

Për varrosjen e saj

(dhe të çdo gjurme krimi)

 

përkujdeset nata.

Ndërsa gjeli,

gjithë kapërdisje,

sa mbi njenen, aq mbi kambën tjetër,

kontrollon nëse asht n’ekuilibër rruzulli.

 

A thue kur do të vijë për ne dita D?

 

 

BESOJ

 

Besoj në bukën e duerëve t`nanës sime,

në ujin e gurrës së bjeshkëve,

në dritën e Diellit,

në tokën që shkeli,

në vorret e dëshmorëve,

dhe në bindjen time:

se një ditë besimi do të lind

e të rritet

mbi plagët tona.



(Vota: 3 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora