Kulturë
Demir Krasniqi: Përfundoi Festivali tradicional ''Zëri i Alfabetit -2011''
E diele, 20.11.2011, 08:05 PM
Në përkujtim të 103 vjetorit të Kongresit të Alfabetit në Manastir :
PËRFUNDOI FESTIVALI TRADICIONAL “ZËRI I ALFABETIT – 2011”
Shkruan: Demir KRASNIQI
Në kuadër të shënimit dhe përkujtimit të 103 vjetorit të Kongresit të Alfabetit në Manastir, më datën 13 Nëntor 2011, përfundoi Festivali tradicional “Zëri i Alfabetit
Organizator i këtij Festivali ( i gjashti me radhë), sivjet ishte Shoqata për organizimin e manifestimeve kulturore “ESTRADA” nga Manastiri e drejtuar nga aktivisti i pa epur dhe artisti i popullit z. Habib Rushani, po nga Manastiri .
Programi i këtij Festivali u shfaq në sallën e Pallatit të Kulturës në Manastir, duke filluar nga ora 19.00 dhe zgjati më se dy orë. Salla e kësaj shtëpie, ishte e stërmbushur me publik , mysafirë të ndryshëm nga të gjitha trevat shqiptare, artdashës dhe mjetet e informimit publik .
Në mesin e mysafirëve special të këtij Festivali, ndër shumë të tjerë, ishin edhe ish Kryetari i Shoqatës së Historianëve – Prof. Dr. Nebi Dervishi , profesor në Universitetin e Tetovës, historiani i mirënjohur manastiras Prof. Dr. Reshat Nexhipi, si dhe disa kryetarë të komunave shqiptare nga Maqedonia .
Për ta nderuar këtë ngjarje të madhe historike, Kongresin e Alfabetit të Gjuhës Shqipe dhe djepin e kulturës kombëtare shqiptare – Manastirin legjendar, përmes këngës e valles tradicionale popullore, kishin ardhur shumë artistë e artiste popullore – emra të njohur të estradës muzikore nga Gjilani , Kumanova , Tetova , Gostivari , Kërçova , Prespa, Manastiri , etj.
Programit të këtij Festivali, i parapriu këngëtari dhe kantautori i 4 këngëve kushtuar Manastirit – Demir Krasniqi , nga Gjilani , si i vetmi përfaqësues i ftuar nga Kosova , i cili kësaj radhe u prezantua me këngën autoriale “Zëri i Alfabetit” dhe këngën tradicionale “Çou Rexho, çou djalo”, për të vazhduar më pastaj me solistët e radhës , si: Salim Arifi nga Kumanova, Lumturie Axhami nga Kërçova , SHKA “Burimet e Sharrit” nga Tetova , vëllezërit Jashar dhe Hidajet Sejdiu nga Tetova , Nebi Halili nga Gostivari , Ansambli “Besa” nga Gostivari , Ariana Ajredini nga Prespa , Ema Murati nga Prespa, Zait Aliu nga Manastiri si dhe organizatori Habib Rushani, po nga Manastiri .
Në këtë Festival, morën pjesë edhe 3 nxënëse të klasës së –V-të fillore nga Manastiri, të cilat u prezantuan me nga një poezi kushtuar Alfabetit të Gjuhës Shqipe: Arbnora Abdiu , Flora Rushani dhe Besa Klenja .
Të gjithë pjesëmarrësit dhe mysafirët e ftuar nga ana e Organizatorit të këtij Festivali, u nderuan dhe u shpërblyen me nga një mirënjohje të veçantë në të cilat figurë dominuese ishte emblema e Shtëpisë ku është mbajtur Kongresi i Alfabetit të Manastirit .
Përveç mirënjohjeve të rëndomta , kësaj radhe Organizatori i Festivalit , me Pllakatin e Shtëpisë së Kongresit të Manastirit , nderoi këngëtarin Demir Krasniqi nga Kosova, për kontributin e dhënë përmes këngëve kushtuar qytetit të Manastirit , SHKA “Burimet e Sharrit” nga Tetova , si dhe sponsorët të cilët e ndihmuan manifestimin e sivjetmë, si: Komuna e Gostivarit, Komuna e Vrapçishtës dhe Komuna e Dollenit .
Programin e Festivalit të sivjetmë e transmetuan Televizioni Publik i Maqedonisë MTV-2, nën regjinë e maestros Afet Miftari, Radio Shkupi dhe “Koha”.
Moderimin e programit të këtij Festivali , në mënyrë të shkëlqyeshme profesionale e bëri z. Diellëza Miftari nga Shkupi .
Pas përfundimit të programit , për të gjithë pjesëmarrësit e Festivalit , Organizatori ka shtruar një darkë solemne .
Në fund të këtij shënimi , në shenjë respekti për lexuesit e “Zemrës Shqiptare” dhe në shenjë nderimi për pjesëmarrësit dhe organizatorët e këtij Festivali të mrekullueshëm , po ju sjellim edhe një album fotografish nga ky Festival, në mënyrë që sado pak t’ua sjellim frymën dhe kujtimin për këtë ngjarje të madhe kulturore e kombëtare .