Kulturë
Janaq Pani: Poezi për vëllezërit Frashëri
E merkure, 02.11.2011, 08:04 PM
 POEZI PËR VËLLEZËRIT FRASHËRI
POEZI PËR VËLLEZËRIT FRASHËRI
Nga Janaq Pani, 
PËR SHQIPËRINË JETËN SHKRIU
 
Kishte penë e kishte kartë,
Kish dhe fjalëzën e artë,
Kishte zemërzën e artë.
 
Për Shqipërinë jetën shkriu
Veç në këmbë si qiriu
Ndaj dhe manushaqja mbiu.
 
I këndoi trimërisë
Bagëtisë e bujqësisë
Ky Baba i vjershërisë
 
Ndrin në qiell si rubini
Ky poeti i madh Naimi.
Nder e nur i bukurisë.
 
PËR ATDHEUN TRE PISHTARË
 
1
Të tre - male Dangëllie
Të tre - shqipe lartësie
Dhe tri zemra Shqipërie.
 
Nisën të tre fluturimin
Mençurisht shpallën kushtrimin
Për lirinë e arsimimin.
 
Nga një nënë të tre lindnë
Zemrat prush e shkëndi synë
Për atdheun veten e shkrinë.
 
2
Kush i mbledh e bën Kuvend
Gegë e toskë në Prizren
Me qëndresë kush i ushqen?
 
Kush prish pasuri me arkë
Kush e shkrep fjalën me flakë
Mbi sulltanë e mbi Bismarkë?
 
Cilin ndjek Porta e Lartë
Me afije ditë e natë
T'i burgosë fjalën e zjarrtë?
 
Shqipes kush ia rriti namin
Kush me gjoks përball tufanin
Kush në zemra rrit luanin
Mic Sokolat e Sulejmanin?
 
Është Abdyli fjalë-shpatë
Zemërzjarrti, oratori
Ylber mbi malet e lartë
Me një dritë meteori.
 
3
E kujt fjala i ka hije
Ëndrat kush i ngjit në yje
Kush flet gjuhë Perëndie?
 
Kush harxhoi penë e kartë
Pena, kujt i kullon mjaltë
Kush e mbjell fjalën e artë?
 
Zemra brenda kujt ia ndjeu
Rrugën kush ne e rrëfeu
Të rilindim si Anteu?
 
Kush këndoi me mall biri
Në çdo vatër, e kush hyri
Si një zemër brenda gjiri?
 
Me durim, e kush ka nisë
Në çdo gjoks të djalërisë
Të mbjellë farën e lirisë?
 
Kush për atdhedashurinë
Bëri verem mushkërinë
Për të marrë pavdekësinë?
 
Kush u shtri në shtrat të këngës
Kush u mboll në lug të zemrës
Gur zmeraldi te loti i Nënës?
 
Kush u bë simboli i besës
Kush shkurtoi ditët e tija
E kush qe bariu i shpresës
Të mos humbë Shqipëria?
 
Në Stamboll, kush vetëm fill
Larg atdheut sytë i mbyll
Dhe në qiell lind si yll?
 
Kush një jetë si qiri
Shqipen mbyllur në qeli
E çburgosi me poezi
I dha dritërim të ri?
 
Sogjetari që shpërndan
Dritën si një flakadan
Është Qiriu Naimjan.
 
4
E kë lodh malli te gjiri
E kujt dritë i bënte syri
Kush kish përkushtim prej biri?
 
Kush mendoi për Shqipërinë
Kush lëvroi diturinë
E në Perëndim mban synë?
 
Kujt në shpirt iu mblodhën dallgët
Kush u tret në dhe të largët
Për t'ia zbutë atdheut plagët?
 
Cilin brenga e mundoi
Kush të ardhmen ëndërroi
E me shkronja t'arta shkroi?
 
Kë kërrusi malli i pritjes
Kush shkeli shtigjet e ngjitjes
Nismëtari i përtëritjes?
 
Kush kometë në qiell mbeti
Kush kishte mendje Profeti
E në shpirt dallgë tërmeti?
 
Qe Samiu mendje-deti.
 
Të tre - male Dangëllie
Të tre - shqipe lartësie
Dhe tri zemra Shqipërie.
 
Abdyl, Naim e Sami
Zemra kurrë s'iu ka ndarë
Gdhendur ju në histori
Për atdheun Tre Pishtarë.

 Facebook
 Facebook Twitter
 Twitter Google+
 Google+ Digg
 Digg










