Kulturë
Vasjan Lami: Koncerti poetik “Dritëro” do të jetë i një lloji tjetër
E diele, 30.10.2011, 08:15 AM
Flet aktori dhe regjisori Vasjan Lami: Koncerti poetik “Dritëro” do të jetë i një lloji tjetër
Sot në Teatrin Kombëtar koncert poetik me Yllka Mujon, Bujar Asqeriun, Fatos Selën, Suela Konjarin, Dritan Boriçin
Nga Albert ZHOLI
Në kuadër të 80-vjetorit të lindjes së shkrimtarit Dritëro Agolli, sot, Teatri Kombëtar në vazhdën e aktiviteteve që bën në raste jubilarësh, autorësh, ka kthyer në traditë dhe mbrëmjet poetike dhe evenimentet që kanë të bëjnë me poezinë. Në këtë institucion të artit skenik, kemi pasur mbrëmje, koncerte poetike për Naim Frashërin, Kadarenë dhe më 13 tetor pati dhe një koncert poetic për Migjenin me rastin e 100-vjetorit të lindjes. Sigurisht, në këtë ecuri në këtë rrugëtim të bukur nuk do të mungonte dhe një koncert apo mbrëmje poetike me krijimtarinë e Dritëro Agollit me rastin e 80-vjetorit të lindjes. Fati ishte që dy nga gjenitë e letrave shqipe Migjeni dhe Agolli kanë të njëjtën datëlindje dhe për të qenë në distancë kohe, ne përgatitëm së pari koncertin poetik për Migjenin dhe tani për Dritëroin, thotë regjisori i të dy koncerteve poetike Vasjan Lami. Në këtë përzgjedhje të poezive të Dritëroit do të ketë poezi nga më të vlerësuarat, më pikantet, poezi që në një farë mënyre do të japin portretin e krijimtarisë së Dritëroit. N.q.s tek koncerti poetik i Migjenit u krijua një atmosferë migjeniane dhe në skenë dhe në recitime, ky koncert do të ketë tjetër strukturë tjetër formë, ku do të mbizotërojë ajo bashkëkohore, ku dhe dekori do të jetë i ditëve tona, me ngjyrime të freskëta, të ndritshëm. Sigurisht, edhe në materialet e aktorëve jam munduar të zgjedh poezi që të kenë brenda shumë lirikë, por dhe motivet emotive të Dritëroit (në poezi), të kenë brenda atë luftën me jetën që ka ai jo vetëm brenda tij, por për këdo si personazh thekson Lami. Dallohen në poezitë e Dritëroit gëzimi që ka njeriu Brenda vetes, marrëdhëniet mes njerëzve, poezitë e dashurisë, marrëdhëniet me të bukurën dhe ndjesitë ndaj saj. Në këtë koncert poetik dhe aktorët kanë rolin e tyre. Janë përzgjedhur aktorë që e lëvrojnë këtë fushë si: Yllka Mujo, Bujar Asqeriu, Fatos Sela, Suela Konjarin, Dritan Boriçi dhe vetë regjisori Vasjan Lami. Këta aktorë kanë karaktere krejt të ndryshëm dhe do ti japin një ngjyrim tjetër mbrëmjes poetike. Është normale që aktori në çdo rol do të fus diçka edhe nga vetja, nga gjithë eksperiencat që ka nga skena dhe kjo është e natyrshme. Kjo mbrëmje do të jetë më aktratuese ndryshe nga ajo e Migjenit që ishte më statike, dhe ishte mbajtur me emocionet që përcjell jeta e njeriut që tashmë s’jeton më. Kjo mbrëmje do të jetë më festive, pasi Dritëroi do të jetë në sallë, ku do të jetë dhe një nga miqtë e tij që do të thotë disa fjalë shpirtërore. E veçanta tjetër e këtij koncerti sipas limit do të jetë se ai do të shoqërohet edhe me këngë nga kuarteti “Akustika” një grup profesionist me dy kitara, një violinë dhe një këngëtar që do të shoqërojnë në mënyrë befasuese të gjithë mbrëmjen. Përzgjedhja muzikore, ose baza muzikore është një përzgjedhje që ka të bëjë me veprën letrare por dhe me krahinën ku do të ketë disa këngë që janë mbështetur mbi poezitë e Dritëroit. Në vazhdën e koncertit poetik do të jetë dhe një poezi e një autoreje që ja ka kushtuar Dritëroit dhe një ekspozitë fotografike me fotografi të zgjedhura nga jeta dhe veprimtaria letrare e Dritëroit. Kjo ekspozitë do të jetë në hollin e sallës “Kadri Roshi”.