Kulturë
Poezi nga Thani Naqo
E diele, 23.10.2011, 07:55 PM
Thani Naqo
ATJE, FILLON BOTA
Bota më duket e vogël,
E vogël sa mezi më nxë.
Ndërsa vetja më ngjan lodër
Që qesh edhe qan pa zë.
E kush e dinte, se era,
Kaq larg, do më flakte, këtu.
Memec të ndjehem shpeshherë,
I verrbër, i shurdhët, kërcu!
Hënës, spërkatur me zink,
Ujkshe i ulërrij.
Përzjehem me retë, ik,
Gjetkë gjëmoj e shkreptij.
Bota më duket e vogël?
Pse unë thashë "s' më nxë?!"
Pyllin vesoj e, një kodër,
Ku kam qeshur e qarë me zë!
2006
MJEGULL NË ZEMËR
Lamtumirë?!...S’ të them lamtumirë,
Gishtat trokthoj mbi portën e vjetër.
Druri kumbon: “Harroje dashurinë,
Më tradhëtove; shkove me një tjetër!”
Lamtumirë?!... S’ t’a jap lamtumirën,
Botën e tërë ka mbuluar mjegulla...
Kënata e vjetër përcjell psherëtimën:
“Zemrën harakate e rrëmbeu tjetra!”
Lamtumirë?!... Sërish do të vij,
Dashuria gdhënd vetëm një emër.
Hape portën dhe më ler të hyj,
Të shfryj mjegullën që kam në zemër.
FLUTURA DIMËRAKE
Malli më solli dëborën e parë,
Qiellin e hirtë kur thërmohet në fjolla.
Krelat e tua, moj shamibardhë!
Dy kullumbri nën vetullat e holla.
Malli më solli Fluturën Dimërake,
Gjoksin bardhosh që ende më grish.
Ç’merak i mbeti?... Ah, moj dinake,
Më ler të të prek e ti do të shkrish!
Malli më solli kumbullën e krusur,
Nusërimin e saj nën borën e virgjër.
Fërgëlloi nën vello Dimërakja Flutur,
Qielli thërmohej...ishte mesdimër...
NJË PYLL TJETËR DO TË MBJELL
Rruga pa kthim po më thinj krejt.
Dashuria e cifluar më veshi me rrudha,
Veç zemra, (t'a dish!), troket.
Ku Ylli i Mëngjesit n'a e bënte me sy.
Por, ah, kjo pritje ç'u kthye në lodër,
Dhe faji... (t'a dish!), mbi ty.
Shfaqmu së largu nën dritë hëne.
Bukuria vrastare mbi mua le të derdhë,
Brymën e hidhur të asaj ëndrre…
Mbi ciflat e ftohta pyllit do shkel.
T'a ç'gdhend emrin tënd nga lëvorja mbi drurë,
Nga inati, (t'a dish!), një pyll tjetër do mbjell!
2011