Kulturë
Zenun Gjocaj: Vepër me vlerë për Azem Bejtë Galicën
E marte, 01.11.2011, 08:57 PM
VEPËR ME VLERË PËR AZEM BEJT? GALICËN
(B. TAHIRI, ”AZEM BEJTË GALICA”, (ribotim i plotësuar), “Shkëndija”, Prishtinë 2005)
Nga Prof. dr. Zenun GJOCAJ
Monografia e Bedri Tahirit për kryekomandantin e Lëvizjes çlirimtare të viteve ’20 të shekullit që e lamë, e botuar më 1995, u shit shpejt, në saje të stilit tërheqës, të thjeshtë dhe interesimit të lexuesve për këtë figurë të shquar madhështore kombëtare, andaj autori e rimori në dorë, e pasuroi me elemente të reja stilistike e historiografike dhe e ribotoi këtë vit. Siç thotë në parathënie, autori e shfrytëzon kryesisht arkivin e quajtur popull. Shquhet individualiteti, mënyra e aftësia shprehëse prej shkrimtari tashmë të formuar e të dëshmuar me shumë vepra e tregime të tjera publicistiko-artistike.
Si figurë e shquar kombëtare në kohët më të errëta pushtuese, i frymëzuar nga tradita heroike familjare e drenicake, përgjithësisht shqiptare, nga historia e folklorizuar, kënduar në oda, me të cilën u rrit, Azem Bejt? Galica me Shotën e shokët, kultivoi një trimëri të rrallë në Ballkan e një art luftarak të pashoq që bëri ta dridhë edhe qeverinë soldateske të Beogradit e t’i pranohen disa kushte pavarësie, edhepse jetëshkurtëra, pa pasur mundësi t’i asgjësohet fama dhe vepra e tij liridashëse. Nga kjo pikëpamje, Bedri Tahiri e monografët e tjerë nuk patën nevojë gjithaq ta fryjnë stilin vetjak të tyre të demonstruar në rreth 60 beteja fitimtare të mëdha e të vogla (pos të fundit) për 12 vjet me radhë kundër një ushtrie shumëfish më të madhe e më të armatosur (në betejën e fundit, drejt Galicës ishin drejtuar gjashtë topa kundër 6 luftëtarëve, sa ishin aty atë natë, derisa vijnë të tjerët nga fshatrat fqinj). Autori këtu i shkriu elementet historiografike, folklorike, arkivore, gojëdhanore, publicistike e letrare përmes një gjuhe të rrjedhshme e të thjeshtë për të gjitha shtresat popullore. Si e tillë, vepra e trajton Azem Bejt? Galicën luftëtar e udhëheqës të shquar, strateg të lindur e të pasionuar, heroizmat e të cilit u lakmuan edhe nga armiku. Edhe shoqja e tij e jetës dhe e luftës, Shota poashtu përshkruhet trimëreshë, besnike, bujare, e patrembur, tipike, një heroinë e kalibrit evropian që shëmbëllen në Zhan d’Ark franceze.
Në dallim nga dy veprat gjegjëse të Ajet Haxhiut e Ibrahim Çitakut, monografia e Bedri Tahirit kursehet nga emocionaliteti, subjektiviteit euforik e faktografia e tepruar, e ngarkuar me data e ngjarje historiografike, nga polemika e ashpër e ngjyrimet ideopolitike. Vepra përshkohet nga elemente thjesht publicistiko-letrare, e mishëruar me të dhëna historike, informacione gojore, e ilustruar me fragmente folkloristike, si dëshmi e kujtesës së thellë të kësaj figure në shpirtin e popullit.
Trashëgimia, fëminia, inkuadrimi në Lëvizje, rrethanat pushtuese, zhvillimi i Lëvizjes çlirimtare, raportet ndaj armikut, rezistenca, dredhitë e tradhëtitë nga armiku i jashtëm e i brendshëm, janë hallkat historiko-publicistiko-letrare të ndërtimit kompozicional të monografisë, që formojnë një harmoni mes brendisë dhe përmbajtjes, stilit dhe të gjuhës së saj. Aty shquhet guximi dhe heroizmi i rrallë i kaçakëve (komitëve), i motivuar nga jeta e padurueshme e shqiptarëve të robëruar nën terrorin e egër ushtarako-pushtetor serb me qëllim të serbizimit të Kosovës, si dhe nga dëshira për liri. Në anën tjetër, aty trajtohen rrethanat e brendshme e të jashtme pushtuese që e dëmtuan dhe e penguan Lëvizjen çlirimtare: organizimi, koordinimi e masovizimi i plogësht, të dëmtuara e të penguara nga hafia, tradhëtitë e kolaboracionizmi. Së jashtmi theksohen shkeljet e marrëveshjeve nga ana serbe, pabesitë, tradhëtitë, epërsitë ushtarake serbe kundrejt numrit të vogël armatimit e të çlirimtarëve. Kësaj diskrepance i kundërvihet guximi, heroizmi e vullneti i pashoq i luftëtarëve për liri, besëlidhjet brendshme, përkrahja nga populli, njohja e terrenit, arti i lindur luftarak etj. Vetë kryeheroi, Azem Bejt? Galica del ashtu siç ishte me tipare të çmuara njerëzore, kombëtare e luftarake: bujar, guximtar i rrallë, i shkathtë, i dashur ndaj popullit e bashkëluftëtarëve, por i ashpër ndaj tradhëtarëve, i thjeshtë, besnik, i personifikuar me luftëtarë të tjerë, disa prej të cilëve edhe i mbiçmon, si Sh. Smakën, M. Konjuhin, Sh. Manxhollin etj.
Shkrirja harmonike e elementeve të gërshetuara historiko-publicistike-letrare, folklorike, arkivore, gojëdhanore, të brumosura me stilin vetjak të autorit, vihet në shërbim të paraqitjes besnike të realitetit të kohës. Objektivizmi i përshkon situatat e ëmbla edhe të hidhura, si rasti i vrasjes së pahirtë të trimit të shquar Sh. Smakës në kacafytje me Hirtmanin, ndëshkimi i hafijeve e bashkëpunëtorëve të pushtuesit, lidhja e kryetrimit me Kostë Peçancin, më vonë me M. Ceroviqin për shkaqe të arsyeshme, anipse këto marrëveshje të domosdoshme për arsye objektive çuan pluhur pa arsye në përfolje e në disa shkrime publicistike, gjoja për tre muajt e tradhëtisë. Mungesa e armatimit dhe e mundësisë së përballjeve me forca të pabarabarta ushtarake, i kanë detyruar liderët e autoritetet kombëtare e diplomatike të ulen për marrëveshje, shpesh të dështuara, ashtu siç u pat ndodhur A. P. Tepelenës, A. Frashërit, I. Qemalit, H. Prishtinës, I. Boletinit e shumë personaliteteve politike të mëdhej e të vegjël në botë.
Ndryshe nga monografia e A. Haxhiut me ton të ashpër ideopolitik e polemizues e nga ajo e I. Çitakut e ngarkur me fakte, akte e data historike, këtu mbizotëron toni i butë i shprehjes, i paanshëm, i zhveshur nga ndërhyrjet subjektive, qoftë edhe në përshkrimin e anëve të dobëta të karaktereve të liga, për t’iu lënë lexuesve shteg vetanak për gjykim.
Monografinë e begaton paraqitja detale e zbulimit të eshtrave të A. Galicës pas 47 vitesh dhe rivarrimi madhështor në vendlindje, pastaj shtesa e veçantë për Shotën dhe jetën e saj të edhe pas betejës së fundit (f. 185-202), dhe së fundi, elementet biografike për të vetmen bijë të mbijetuar të Azemit – Azemines, e lindur pas rënies heroike të babait. Fundi tragjik i heroinës së dikurshme, Shotës, prej dorës së të cilës janë vrarë “naçellnikë” mizorë dhe i Azeminës, është sinonim i Shqipërisë etnike, deri vonë e harruar dhe e ndaluar në botime, por kurrë në gojën e kujtesën e popullit.
Monografia përshkohet nga publicistika e historizimi i letrarizuar artistik, që e josh lexuesin dhe e bën stilin tërheqës. Ka një frazë të shkurtër, stil e gjuhë të rrjedhshme, tërheqës për të gjitha shtresat, madje edhe për të huajt (Shih në fund letrën e albanologut të shquar austriak Prof. Dr. Hermann Olberg, dërguar autorit). Shquhet edhe përgjithësimi i konkretizuar, poetizimi i situatave dramatike, sidomos momentet e fundit para vdekjes së heroit, testamenti, ligësia momentale e Shotës dhe e bashkëluftëtarëve, pastaj qëndrueshmëria, besatimi.
Lëvizja kaçake shikohet me dioptri të re bashkëkohore historiko-publicistiko-letrare në rrethana të reja aktuale shoqërore, politike e situative, përmes shumë synimeve, madje edhe kur qet në shesh karakteret e liga kombëtare serbe, si vrasja e pabesë e përcjellësit në Braboniq, pastaj besa e thyer ndërmjet Azemit e Ceroviqit që kulmoi me sulmin e fundit mbi Galicë. “Tradhëtia ishte zakon i lindur i Sërbisë” – përfundon autori. (f. 138).
Vepra të lë kujtesë e shije të këndshme stilistike. Pos tjerash, ajo qëndiset edhe me maksima që e bëjnë veprën edhe më të thellë: “Trimat nuk vdesin kurrë”, “Çdo kohë i ka heronjt e vet”. “Azem, ti e ki malin e unë fushën. Nata është për komita, dita për zabita” (fjalë të Zenel Gradicës së papërmirësuar – f. 114), si dhe me fragmente rapsodish popullore, posaçërisht me dy këngë origjinale të rapsodit Dervish Goxhuli, me foto të ndryshme, disa sosh për herë të parë me dëshmi të gjësendeve personale të kryeheroit, të ruajtura në Ashlan.