Kulturë
Kristaq Turtulli: Të treturit dhe të paditurit nuk mund të gjykohen...
E marte, 01.11.2011, 08:48 PM
KRISTAQ TURTULLI
TË TRETURIT DHE TË PADITURIT NUK MUND TË GJYKOHEN...
Mbështetur mbi një ngjarje reale.
Tregim i ripunuar
U përpoq të lexonte. S’mundi. Sytë i përvëlonin dhe rrëkeja e kripur e lotëve njomi brazdat e thata të fytyrës. Iu bë sikur shtyhej qëllimshëm majtas djathtas prej kalimtarëve. Me vështirësi përmbajti hungërimën. U tërhoq prapa si zvarranik i lënduar, duke iu marrë këmbët por pa lëshuar gazetën nga dora. Dielli qëndronte në kupë të qiellit dhe digjte. Prej djersës këmisha i ish ngjitur pas lëkurës, me nervozizëm i shkuli të gjitha komçat. Rrëzoi sytë mbi gazetë, germat shtynin, ngashëroheshin, kërlesheshin me njëra tjetrën dhe gazeta qullej prej djersës që vazhdonte të rridhte rrëke.
Shkrimi qe botuar në faqen e parë të gazetës së bashku me foton e vjetër të ‘ATIJ,’ dalë me syze të mëdha, me xhama të trasha optike dhe me vështrim të përhumbur, të hutuar. Çfarë dreq pafajësi asgjësuese ka! Edhe pse gjithçka ish zverdhur, irnosur nga koha. Përvijimi lëvizi, ajri u drodh, iu bë sikur u qesëndis keqas prej lëvizjeve rrethore. Gishtërinjtë e zverdhur prej duhanit iu mblodhën instinktivisht, mëshuan forcërisht mbi fletën e gazetës. Gishti i madh u përthye dhe çori me mllef foton e ‘ATIJ.’ Syzet e mëdha, me xhama të trasha u bënë shuk, menjëherë dëgjoi zhurmën acaruese të thërrmimit, dhe të asgjësimit.
Të ish gërmuqje e marrake?! Përshpirtje e heshtur prej fundbote?! Gërryerje nervoze nëntokësore, ku uji i turbull çjerr dheun dhe nxjerr me vrundull kokallat e zbardhura. Mokrrat e kalbura, të mykura varen kërcënueshëm nëpër gërxhe dhe brigje. Qarje të zvargur ujore në këtë përpëlitje të vonuar, rastësore të fund shekulli.
Gjithë ankth vështroi përreth me mendimin se vështrimet dashakeqe së bashku me shtyrjet ishin mbërthyer si gozhdë në çdo pjesë të trupit. Tmerri ngjethës i përfshiu krejt trupin. Flokët e bardha të prera shumë shkurt iu ngritën si gjemba iriqi përpjetë. I vinte të ulërinte si ujk i plagosur e turravrap të gremisej mes morrisë së njerëzve, të shtynte dhe shkelmonte nga ti binte për mbarë, në verbëri. Turma qe indiferent nuk i ndjeu goditjet edhe pse ai dëgjoi rrëmet. Kapërdiu klithmën e hidhur në stomak. I murrëtyer ktheu bërrylin e rrugës. I nervozuar mblodhi gazetën shuk dhe e rrasi shpejtazi në zgavrën e gojës. Tehet e mprehta të germave ia copëtuan gjuhën dhe qiellzën. Volli me gulçe.
Pështjella e shtyu të vraponte sa ti hanin këmbët. Ndjehej i mpirë. Pellgorja e vjelljes përzierë me morinë e neveritshme të germave ish ngjitur si mastiç në asfaltin e lagur dhe shkelej pakujdesshëm prej hapave të njerëzve. U skërmit. Qeshi turbullt. Iku tok me hapat e të tjerëve.
Jo, nuk mundi të ikte. U lëkund disa herë si lavjerrës, pastaj lëvizi pjerrtas. U shty. U përmbys. U zvarrit drejt marramendjes, mbështjellë me petkun e ronitur të vrerit.
Kishin kaluar shumë vite. Ndoshta shekuj. Gjithçka ish mbështjellë me mjegullën e thellë, aq sa besonte dhe vete se nuk mund të kish ndodhur kurrë. U hodh përsipër mali i madh harrese. U gropos. U zhduk në humnerat e fundbotës, ku fshihen enigma dhe ‘mëkatet’ e mëdha.
Ndryshimet sociale e hodhën në krahët e fesë, paçka se dikur e përbuzi fenë me shpirt, urreu, shkatërroi xhaminë e vogël që gjendej në kodrën e ‘ Shën Mërisë’. Kuranin me kapak të gjelbër nuk e lëshoi prej dore. Sa herë thoshte ndonjë fjalë me peshë, vinte dorën mbi kuran dhe perëndonte sytë. Nisi të besonte se krimi nga mëkati nuk i ndan asnjë fije. Janë Një përpara gjykimit të fundit. Por besimi i madh ndihmon që ngjarja e vjetër të thërrmohet prej memories. Ndjehej i qetë. Besimi ta lehtësuaka shpirtin. Ish në qetësi e çuditshme, si një shpend që endet në kurorën e një pylli në dimër, me drurë pa fletë.
Habia më e madhe, budallallëku më i madh dhe poshtërsia më e madhe kanë një hark kohor tre ditor. Këtë e njihte mirë. Veçse nuk bëhej fjalë për çudi dhe marrëzi. Këtu lëvizte si eter një shkundje tronditëse. Mugëtira kohë e pat mbështjellë me kujdes me çarçafin e tretjes. Nuk la asnjë shteg. Asnjë shenjë. Asnjë fakt. Asgjë prej gjëje, përveç rrëkeve dhe prurjeve të tërbuara të lumit që rridhte dhe rridhte pa ndërprerje.
Besoi se qe hedhur thjesht një version. Një alibi me hallakatjet e pamenduara të gazetarëve, duke shkelur mbi dërrasat e kalbura të kohës. Përsëri i përvëloi trupi, si ti futej mes përmes një hell i skuqur. Të ish si më parë, hëm! As do ti luante maja e qerpikut. Për dreq situatat ndryshuan dhe kjo gjë i futi lepurin në bark, e çekuilibroi. Vërtet donte të besonte në fe, por jo si një naiv i mjerë, të përdëllehej dhe të zbrazte lëngjet e barkut.
Vala e urrejtjes i mpiu gjuhën. Ish gati ta shqyente atë gazetaruc, mi zyre, që futi hundën në humbëtirë dhe shapurisi me qëllim errësirën e rëndë. Ngriti nga balta kundërmimin mbytës për të rivrarë të vrarën. Ta çavaliste me thonj, ja kështu siç çavaliti gazetën, të ndyrë prej jargëve. Sa mirë do ish që të zgërlaqej njeriu me ca lëvizje të shpejta të gishtërinjve, pastaj të përtypej dhe të përtypej derisa të dilte një masë e qullët. Një asgjë. Asgjëja është kryevepra më e saktë, prej saj nuk ke përse të frikësohesh. Mund të bësh gjithçka dhe asgjëja mbetet përsëri asgjë. Se nuk ka materie, por asgjë. Gjumi dhe qetësia shpirtërore qëndron në shkallën maksimale. Së fundi mësoi prej librave të shenjtë se Zoti krijoi jetën prej asgjësë. Së paku të ishte një asgjë në miniaturë. Dëshironte me gjithë shpirt të vazhdonte asgjëja e mëparshme. Por dreqërit nuk flenë e shkundën asgjënë.
Vështronte sy çapëlyer ronitjen e godinës së asgjësë. U gërmuq të ikte me vrap. Megjithëse e donte deri në verbëri. Jo rrallë në netët pa hënë, në errësirën më të thellë, klithte zëzvargur, kafshonte thonjtë derisa shija e athët e gjakut njomte buzët e përthara. Harronte që kish ndër dhembë gishtërinjtë e tij, por vazhdonte të thithte me neps si i babëzitur. Vetëm kur i mpiheshin gishtërinjtë dhe dhëmbët dergjej përdhe. Mbështillej kutullaç, qante me gulçe sy ngulur errësirës së pafund. Duhej te ish erresira, mjegulla, dytesimi...
Rrjedha e jetës kish qenë shumë e favorshme për të. Kur lindi sh mesditë tetori me mjegull. Ra kutullaç, si lëmsh, në këmbët e së ëmës, në mes të arës me misra. Nuk qau. E ëma e ngriti nga krahu e qëlloi tre herë në bythka dhe ai lëshoi një të klithmë të mprehtë. Nëna e mbështolli mishin e kuq me çfarë iu ndodh pranë, me pecetën e pistë që mbështillte bukën dhe me xhaketën e leshtë gjithë arna. Ish fëmija tetë i familjes dhe e ëma as që vuajti në lindjen e tij. Hapi këmbët dhe foshnja ra pëlltump si një kafshëz e vogël në dheun e shkrifët. E ëma nuk kish përse të ankohej për të dhe për peripecitë e mundimshme të grave në lindje.
Fëmijërinë e kaloi nëpër këmbët e të rriturve dhe në rrugët e përbaltura të fshatit. Bënte çfarë të donte dhe si ti shkrepej. Hante ku të mundte dhe zhgërryhej paq nëpër rrugët e ndyra të fshatit malor. Marifetet dhe djallëzitë e fëndura i hanin më të rriturit, vëllezërit dhe motrat dhe skërmiste dhembët në terr. Mos ndëshkimi ia shtonte akoma më shumë zellin tinëzive. Një fshikull në shpinën e tij shpaguhej me dhjetë fshikuj në shpinat e të tjerëve. Më pas fshihej pas grumbullit të hedhurinave dhe qeshte me hidhësi, pa u vënë veshin kërcënimeve të vëllezërve dhe shokëve.
I ati ish komunist i vjetër, sekretar partie në fshat, asnjëherë nuk e shkuli koburen nga brezi. I ngrefosur bridhte rrugëve të ndyra të fshatit dhe betohej: ‘S’ lëshoj pe për ideal të partisë dhe për këtë kobure.’
Ish i vogël kur gjyshi u grind me të atin.
‘-Dëgjo këtu lanet,’- i foli gjyshi me zë të lodhur. Plaku rrahu me inat bastunin e shtrembër pas tokës dhe shtoi: ‘-Qehajai më vriste sytë kur më mbinte përpara hundës me pushkën në sup. Tani po më bredh djali im me kobure në brez.’
‘-Shko plak, futu në haur dhe më lër të qetë. Ne me kobure e morëm pushtetin dhe me kobure do ta mbajmë.’
‘-Të dhjefsha urët,’ shau gjyshi i verdhë dyllë në fytyrë:- më treguake haurin.’
‘Të më dhjesësh urët!’-iu shkreh i biri me kobure:-‘ Plak vëri ushkur gjuhës, se po të ish për ty akoma me bajgat do flija.’
I gjyshi nuk i ktheu përgjigje. Iku kërrusur dhe duke iu marrë këmbët. U mbyll në dhomën e vogël ngjitur me haurin, në krah të pyllit. Mbas një muaj vdiq dhe u varros pa shumë ceremoni. Fëmija i Tetë nuk qau për të gjyshin, që siç thoshte i ati: gjyshi ishte një plak grindavec dhe i pjerdhur nga trutë, që i kish mbetur mendja turqi.
Pushteti i të atit ia shtonte zellin për prapësi fëmijës së Tetë. Sherreti i pagdhendur godiste pabesisht bashkëmoshatarët. Mësuesve u vinte nëpër libra e çanta minj, insekte dhe zvarranikë, tërhiqej në qoshe dhe përvuajtej në fytyrë kur përmendej emri i tij. Hija e sekretarit të partisë me kobure gërmuqte shtëpitë e ulëta dhe rrugët e përbaltura të fshatit dhe jo më mësuesit anemikë, që me një sinjalizim prej partie nuk dihej nga do tu rrihnin barqet. Në shkrepa dhe gërxhe pafund, mbase në qelitë e akullta të burgut të tmerrshëm: ‘Hani me dy porta.’
Fëmija i Tetë e kuptonte se: më mirë të jesh i pari i fshatit se sa i fundit i qytetit. Ndaj nuk prapsej përpara asgjëje. Fshati i tij në gji të maleve ish një botë më vete. Përfundoi klasën e shtatë. Personeli i mësuesve morri frymë i lehtësuar. Pak u interesonte nëse nxënësi ish i aftësuar në mësime. Njeriu me kobure u vërtitej përpara syve si gogozhel, ndaj ata i shtuan nga një, dy, pse jo edhe tre nota mbi rezultatet që kish.
Në shkollën pedagogjike i braktisi togjet me hedhurina, minjtë dhe insektet. Veshi pantallona të reja doku dhe xhaketën e shkurtuar të atit, por pa hequr stemën sovjetike në jakë. Të gjitha çapkënllëqet dhe horrllëqet fëmijërore i flaku së bashku me minjtë në haurin e kalit topall. Të gjitha këto nuk do të kishin ndodhur sikur të mos e pat detyruar i ati. Një natë e urdhëroi të qëndronte në këmbë përpara se të fillonte shkollën pedagogjike. I mbajti një leksion të gjatë,me të folurën e trashë, grënçka- grënçka, duke e spërkatur me pështymë, mbi detyrën e vështirë dhe stoike të djalit të komunistit të vjetër dhe të sekretarit të partisë së fshatit. Për perspektivën dhe lënien e stafetës në duar të sigurta. Për luftën e pamëshirshme ndaj armiqve të kamufluar të klasës, borgjezëve dhe kulakëve. I ati heshti një moment. Koka e të birit varej poshtë. I ati i tregoi koburen, i foli për rëndësinë e saj, e cila duhej të qëndronte përherë në brez dhe me fishekun në gojë.
‘-Përsëriti nga e para të gjitha këto që thashë,’- urdhëroi të birin.
Fëmijës së Tetë i varej koka për gjumë.
‘-Me kobure në gojë dhe fishekun në brez...’- bërbëliti.
‘-Derr me zile,’- gërhiti i ati. Mbërtheu të birin nga krahu dhe i futi kokën në ujin e ftohtë të pusit.
‘-Mos e plevitos djalin,’- u ligështua e shoqja.
‘-Përsëriti, ‘- urdhëroi ashpër të birin,pa i vënë veshin ankimeve të gruas, dhe më pas vazhdoi:- ‘Trashëgiminë komuniste familjare duhet ta kesh busull në çdo hap të jetës. Armiqtë e klasës...’
Fëmija përsëriste si në jerm fjalët e të atit dhe dera e vjetër së ashefit përplasej prej erës, dukej sikur kuiste, si shpirtrat e të ikurve.
‘Grua, vëri llozin atij djalli ashef, na urgusi zorrët,’- bërtiti i ati.
Këshillat e të atit atë natë të tmerrshme nuk kaluan pa lënë gjurmë në qenien e fëmijës së tetë. E shkundën, ia mprehën shikimin, e aftësuan për tinëzi të fshehura. Ndërgjegjësimi ishte i plotë. Dy tre denoncime modeste në drejtori për individë të pandërgjegjshëm, bashkënxënës të tij. Hija e tij u rit. U shtua besimi i shokëve të drejtorisë dhe mundësia për të marrë klasën, mbasi drejt e drejt nuk e hante dot.
Në vitin e fundit të shkollës pedagogjike i ati i bleu kostum ngjyrë bari. Mësoi si të hekuroste, ti bënte pantallonat me vijë. Në çaste dembelizmi spërkaste këpucët me pështymë dhe i fshinte lezetshëm me cepin e leshtë të batanijes. Kostumi i dha rëndësi. Megjithëse në mësime nuk dallohej, zvarritej në pragun e rrezikshëm midis notës kaluese dhe mbetëse. Aq sa u detyrua komunisti me kobure ti hipte kalit gërdallë. Të linte fshatin me njëmijë halle në gji të maleve. Të zbriste në qytet dhe të shkonte drejt e në seksion të arsimit. Shkuli koburen nga brezi e përplasi në tavolinë dhe bërtiti:
‘-Po shpërdorohet njeriu i ri!’
Poterja e njeriut me kobure i shkundi mësuesit e mykur, të cilët akoma përdornin metoda të vjetruara dhe nuk dinin të aftësonin bijtë e komunistëve. Mësuesit mbyllën të dyja sytë. Fëmija i tetë përfundoi me sukses të plotë shkollën pedagogjike. Shkundi kostumin ngjyrë bari prej pluhurit të dendur të qytetit dhe u nis në fshat. Komunisti i vjetër bëri një darkë të madhe dhe shkrehu disa herë koburen në dritare.
Ditën e hënë filloi mësues në fshatin e lindjes. Qysh në fillim nuk i kushtoi rëndësi mësimdhënies, por zhbirimit të kolegëve. Intuita nuk i gaboi. Mësuesi i matematikës, me pak kurriz të dalë, me syze, me xhama të trasha, si tasa ku shkunden cigaret dhe kolegët e quanin ‘shqerrë.’ Mbasi gjithë ditën e perëndisë mezi fliste dy fjalë, por zhyste hundën pingul mbi libra. Ky mësues që aksidentalisht thirrej ‘shqerrë,’ i përkiste një familje të deklasuar. Babai i tij i shkuli, i gremisi tutje prej fshatit familjet e deklasuara. Nga u gjend ky, kush e solli, përse pruri?
Nervozohej për çdo lëvizje të ‘shqerrës’. Aq sa dhe heshtja dhe frymëmarrja e tij e acaronte. Filloi ta përgjonte në çdo hap që shkelte. Syri i tij vigjilent ngulej me këmbëngulje tek rezja e derës së klasës, në dritare. Deri në plasat e ndyra të derës së WC. ‘Shqerra’ vetëm lexonte dhe heshte. Ish absolut në matematikë. Një moment bënte habi, si mund të heshte kaq gjatë njeriu! Por heshtja shpesh herë është teh i mprehtë shpate. Pra nëpërmjet heshtjes koka katrore e ‘shqerrës’ fshihte mendime të mbrapshta. Filloi ta cyste për sherr. Haste në murrin e padepërtueshëm të heshtjes dhe në shikimin e pafaj. Kjo e tërbonte. Atëherë e godiste me bërryl gjatë shkëmbimeve në korridoret e ngushta të shkollës. I rrëzonte regjistrin, i shkelte këmbën. I kërkonte të falur duke i buzëqeshur me ligësi. Çuditërisht gjente vetëm trishtim në sytë e mjegullta të ‘shqerrës’.
Fëmija i Tetë shkonte në shtëpi i çliruar, ngaqë ish mësuar të grisej me dikë. Iu bë sëmundje dhe argëtim mos përgjigja e mësuesit të matematikës. Nxiste nxënësit të bëheshin pjesë e ngacmimit dhe poshtërimit të kolegut. U bërtiste nxënësve dhe në të njëjtën kohë u shkelte syrin. Mësuesi i matematikës nuk u kthente fjalë. Tërhiqej pas i nervozuar, hiqte dhe vinte syzet dhe vërtiste sytë miope. I rrëmbushur shtrëngonte librat në gjoks dhe mbyllej në dhomë. Në oborrin e shkollës plaste gazi i shfrenuar dhe pastruesja përzinte nxënësit me fshesë.
Kjo lojë do të vazhdonte gjatë. Ngacmim dhe heshtje. Nuk është keq kur vë në lojë, argëtohesh me dikë që nuk është në gjendje të lëvizë as qerpikun. Nuk mposhtën monotonia dhe dita të shkon për bukuri.
Befas një të hëne mbas dite në përfundim të semestrit të dytë. Në analizën vjetore, klasa e tij kish rezultate shumë të dobëta. U kritikua prej kolegëve. Vështroi me indiferentizëm dhe zhgarraviti me inat bllokun e vogël. Aty nga fundi i mbledhjes, kur nuk pritej dhe kur po mbylleshin diskutimet dhe kritikat. Çuditërisht dhe‘shqerrës’ iu hap goja. E kritikoi për paaftësi. ‘Shqerra’ u ngrit me ngadalë në këmbë, shtrëngoi librat në gjoksin e dobët dhe hodhi në mes të sallës së mësuesve fshikullin e fortë. Nuk ish fshikull por vetëtimë rrufeje. I deleguari e vështroi një copë herë mendueshëm dhe e aprovoi me kokë se çfarë tha ‘shqerra.’
‘ Çfarë!’- ai bëri fëmija i Tetë. Shqeu sytë dhe trupi iu drodh si purtekë. U rrotullua dhe ngriti veshët në përgjim. Ngjyrat e fytyrës i ndryshonin çdo minutë. E kritikoi për paaftësi kolegu, mësuesi i matematikes, gjoja ‘shqerra’! Si guxoi! Përbuzja dhe urrejtja që i kish lindur në thellësi i përfshiu krejt trupin, i ngërdheshi fytyrën. Si mundi të guxonte! Armiku i klasës kritikoi ardhmërinë?! Përse foli?
‘Shqerra’ i tregoi se duhej të studionte më shumë! I tregoi seriozitetin e detyrës së mësuesit! Përse duhej të fliste? Kush e lejoi atë të fliste? Çfarë seriozitet kërkon qorri! Kush ‘kolegu’, mësuesi i matematikës që mban mbi supe mëkatin klasor! U ngritën këmbët ti bien kokës. Mbledhja u bë e mjegullt. Vërtiste çelësat nëpër duar, ah sikur të kishte koburen e të atit. Le ta kritikonin të gjithë, ujë të zi ti nxirrnin, vetëm qorri të mos hapte gojës. Le të gërmuqej, të bluhej me heshtjen e tij. Rrotullonte sytë mbi fytyrat e kolegëve. Çuditërisht i dukeshin të njëjta, të deformuara, por shfytyrimin më të madh e kish gjëja që quhej aksidentalisht ‘shqerrë’. Shqerrat, gjëja e urtë e butë e perëndisë, hanë, blegërijnë, presin në heshtje, të bindura satërin e kasapit dhe asgjë më shumë.
Drejtori i pëshpërit të deleguarit diçka në vesh. I deleguari vështroi ‘shqerrën’ ngulët:
‘-Ndërkohë ju po studioni për të mbrojtur disertacionin në matematikë, apo jo?’ e pyeti.
Njeriu me syze që thirrej ‘shqerrë luajti kokën në shenjë aprovimi.
‘-Po.’ Murmuriti.
‘Ashtu! Shumë mirë!’- ia bëri i deleguari.
Një moment fëmijës së Tetë i bëhej të ngrihej, të shtynte stolat, të derdhej drejt qorrit me xhama numër pesë. Ti a flakte syzet, ta mbërthente nga shpatullat me egërsi dhe ta përplaste përdheri. I thoni shumë mirë armikut të klasës dhe përdhosni djalin e komunistit të orëve të para! Çmenduri! O bë bota për dreq!
Kur reshtën kritikat gati si somnambul doli nga salla. I deleguari i vuri dorën në shpatull por ai e vështroi turbullt. Eci i dërmuar drejt shtëpisë. A ishte e mundur që djali i komunistit të flaktë të kritikohej, të zgërlaqej! Sigurisht ajo gjëja me syze miope që thirrej prej kolegëve me idiotësi ‘shqerrë’, kish përgatitur me shume mençuri dhe kujdes skenarin e kritikës dhe fundosjes së tij. Me kokë të rënduar nga mendimet ngjiti të përpjetën që e çonte në shtëpi. Si marrin guximin këta të përmbysur dhe qorra të mendojnë për tu bërë shkencëtarë. Ku, ku nëne! I paska hyrë vetja në qejf. Por nuk kuptonte simpatinë e hapur të drejtorit të shkollës. Duhet parë me kujdes e shkuara e afërt dhe e largët e drejtorit. Duhet të ketë ndonjë kleçkë në biografi që pëlqen armiqtë e klasës. Kish bërë kërkesë në seksion të arsimit për të zënë vendin e drejtorit. Duhet ti ketë rënë në vesh ndaj po e lufton. Eh! Qentë le të lehin karvani të ecë përpara.
I tha të atit, i cili rrëzoi vetullat e trasha, të zbardhura, u gërmuq keqas dhe goditi vrazhdë qypin e madh prej balte. Qypi u thye me rrapëllimë dhe turshitë e dimrit së bashku me shëllirën përmbytën dhomën.
‘Armiku i klasës punon,’- hungëriti plaku.
Plaka duke mallkuar filloi të mblidhte me kaci turshitë dhe të pinte me një leckë të vjetër shëllirën. Atë e bir u ngjeshën në qoshe të dhomës dhe nisën të pinin raki. I ati shkuli koburen nga brezi dhe e la në tavolinë. Sytë e të dyve u përqendruan tek ai send i metaltë, që prehej aq pafajësish por po të lëvizje gishtin, villte zjarr. I ati shtriu dorën dhe rëndoi mbi kobure:
‘-Si guxoi biri i bushtrës te me shaje djalin! Ti jap një plumb në ballë dhe ta qëroj atë farë?’-bërtiti.
‘-Nuk është si më parë baba.’
‘Nuk është si me pare thotë! Hajde baba te tregoj arat. A nuk e kemi ne pushtetin? Biro, mos u bëj qull,’-hungëriti i ati dhe u ngrit me vrull, këmbët nuk e mbajtën, ra mbi të birin që e vështronte i nemitur dhe që mërmëriti:
‘-Plak, mos më fyej.’
At e bir u ngatërruan keqes duke spërkatur njeri tjetrin me pështymë.
‘Raki e keqe!’
‘Jo, thashë farë e keqe,’- u mbrojt i biri.
‘-Mos guxo të ma shah rakinë. E dua shpagimin në çast dhe pa asnjë ceremoni,’- bërbëliti i ati, piu raki me neps dhe vazhdoi:-‘Do të kishim bërë mirë ti kishim zhdukur të gjithë qysh më 1945. Por këta dreqër ishin shumë dhe plumba kishim pak.’
‘-Fole gjë për zhdukje baba?’
‘-Zhdukje o posi.’
‘-Zhdukuni nga kjo dhomë pijanecë. Nuk e ndjeni se po ju mbyt shëllira, ‘- u grind e ëma e mbytur në djersë.
‘-Mbylle halenë plakë. Apo do të jap e ty një shkelmë dhe të flak përdhe si qypi me turshi,’- i klithi plaku me kobure.
‘-Ti bëj një denoncim dhe ta rrasin në birucat e ‘Hanit me dy porta,’- foli i biri mes jargëve.
‘-Jo,’- ulëriti i ati dhe rrëmbeu koburen. Arma i shpëtoi nga duart, ra përdhe në grumbullim me turshi. Koburja e të atit së bashku me tërbimet e tij ishin të ndryshkura, nuk ngrinte më peshë.
‘- Burgu ka dy dyer, vdekja vetëm një,’-këmbënguli i ati.
I biri luajti kryet, i ish mpirë qafa. I ati nuk kish fuqi të ngrinte koburen prej togut me turshi. Dhoma kundërmonte prej erës së rëndë së shëllirës dhe rakisë. Plaka duke i shtyrë, sharrë dhe mallkuar i nxori nga dhoma.
Duke i mbajtur pas parmakut të drunjtë të shkallëve u ngjit në dhomë, pa u zhveshur u shtri në shtrat. Për herë të parë e pa se nuk duhet të mbahej vetëm pas një medaljeje. Dritarja ish hapur kat më kat. Pa qiellin, iu duk si një pus i thellë i pafund, i përmbytur prej errësirës. Iu bë sikur dëgjoi zëra të mbytura, mërmërima që vinin prej së thelli. Stomaku i përvëlonte, i ziente si të kish bërsi. Gromësiu dhe lëshoi avull të nxehtë. I vinte për të nxjerrë të gjitha plaçkat e barkut. E ëma i la mbi komodinë një gotë me limonadë por ai nuk kish fuqi të ngrihej dhe ta pinte.
Qindra krahë të zinj oktapodi e kishin përfshirë dhe po e tërhiqnin drejt asgjësë. U përpoq të shkëputej, nuk mundte. U përdrodh dhe u mblodh si lëmsh. Një valë e zjarrtë i u ngjit nga fundi i barkut, volli disa herë me gulçe duke rënkuar. Pështyu me neveri thërrimet e qullëta që i kishin mbetur në kthinat e zgavrës së gojës dhe morri frymë i çliruar.
U shtri përmbys. E ëma me zë të trishtuar mërmëriste dhe i fshinte të vjellat. Por ai nuk e merrte vesh në ish në ëndërr apo në zhgjëndërr...
Mugëtirë. Zhurmë, zëra të çjerra. Diku më tej qeshja e acaruar të atit. Ndërsa koburja e ndryshkur lëkundej dhe përplasej pas murit. I bëhej se kish net dhe ditë, javë dhe muaj që ecte nëpër mjegull të dendur dhe nuk shkëputej dot. Ishte qull i gjithi dhe fill i vetëm. Dëgjonte hungërima dhe rënkime të mbytura të vinin nga moçali. Fytyra e ‘shqerrës’ iu shfaq e deformuar, mbuluar krejt prej xhamave miope. Dëgjoi përsëri zëra të lodhur dhe më pas zhurmën e mbytur të gjuhës që rrahu dhembët dhe foli:
‘- Eja ‘shqerrë’ të thithësh erë mjegulle.’
Lëvizi krahët të ngrihej iu duk sikur i kish të bëra prej shpendi të irnosur. ‘Shqerra’ mbrohej pas xhamave të trasha dhe ecte ngadalë, duke i bërë dredhë moçalit.
Në shtegun i ngushtë Dajlanit u ndal. ‘Shqerra’ i u afrua pranë dhe ai qeshi i çliruar. Përpara tyre u hap tjetër pamje. Ngriti krahun, i ranë disa pendë të hirta përdhe dhe njeriu ‘shqerrë’ u tremb.
‘-Mos tremb,’ i tha, -‘ ti je pjesa ime e munguar.’
Pa u kushtuar rëndësi rrëzimit të pendëve ngriti krahun përsëri dhe i tregoi shpërthimin e gjelbërimit dhe të luleve. I foli për frymëmarrjen e mjegullës dh te pyllit. ‘Shqerra’ dëgjonte dhe ecte me kokë pakës të përkulur. Në një dorë mbante çantën e rëndë të mbushur me libra të matematikës, për të përfunduar disertacionin dhe në tjetrën pardesynë. Vështronte ballë rrudhur dhe merrte frymë thellë, të mbushej i gjithë gjoksi me ajrin e freskët. Nuk ngopej prej shpërthimit marramendës të ngjyrave, reflekseve mëngjesore dhe valëzimin e bulëzave të vesës. Nuk ka më bujare se Nëna natyrë. Ish i përhumbur. Prapa tij zvarritej një hije e rëndë. Njeriu ‘shqerrë’ kërcente si kangur të largohej prej hijes por ish e pamundur.
Sa shpejt përhumben njerëzit që janë si ‘shqerra,’ sa shpejt!
Në bërrylin e qyqes, aty ku përroi ishte më i thellë. Me lëvizje të shpejtë të saktë kujtoi se e goditi njeriun ‘shqerrë’ egërsisht prapa kokës. ‘Shqerra’ u kthye vringthi dhe e vështroi me habi, çanta me libra dhe pardesyja i shpëtuan nga duart. Nuk pati kokë të fliste, sepse goditja i erdhi nga ana e djathtë e kokës. Iu këputën këmbët ‘shqerrës’ dhe ra përdhe pa nxjerrë zë. Por ai kish krahë të mbuluar me pendë të irnosura dhe nuk mund të godiste!
Përsëri, dikush tjetër shtyu dhunshëm ’shqerrën’ e goditur në përrua. Me shpejtësi nxori hostenin që e kish fshehur ditë më parë, tërhoqi trupin e ngrohtë të ‘shqerrës’ dhe e ngjeshi me forcë në rrënjët e vidhit të vjetër, aty ku vorbulla e ujit ish me e madhe.
Veshët i buçisnin. Oshtima e ujit dhe e pyllit e tundnin si tërmet. Pendët e irnosura rranë të gjitha përdhe. Ulëriti fort për të larguar hijen e vdekjes se tjetrit. Ulërima u përsërit disa herë me radhë, u rrëqeth. Njeriu ‘shqerrë’ si shqerre që ish, humbi menjëherë nën ujë. Rrënjët e trasha të vidhit e rrëmbyen në çast nën vete. U plandos përdhe u mbytur në djersë. Uturimat ngriheshin dhe përplaseshin dhe ai kujtoj se do çmendej...
Zhurmat ofshëtinë për një moment drodhën ajrin pastaj u fashitën. Zëri i grindur i të atit u tret së bashku me mjegullën. Dëgjohej vetëm uturima e ujit dhe pendët e hirta që iknin tutje.
Trupi i ‘shqerrës’ u gjend vetëm mbas një jave. Artikulli në cep faqes së parafundit të gazetës për një njeri të panjohur, ndoshta mësues që humbi në ujë. ‘Shqerra’ si i hutuar që ish dhe i shtënë marrëzisht pas librave, nuk pa ku hodhi këmbën. Aksidentalisht shkau, u përmbys dhe u mbyt në përrua...
Ende besonte se ish akoma në kllapinë e gjumit dhe nuk ish ai por dikush tjetër, me krahë puplash të irnosura që kreu aktin. Mbase vërtet shkau në lumë, kur kish mjegull dhe dëgjoheshin përshpirtjet e ujit. Të treturit, të ikurit, të paditurit dhe të hutuarit nuk mund të gjykohen...