Mendime
Faik Krasniqi: Diplomacia dinake e Serbisë!
E merkure, 02.11.2011, 07:58 PM
Diplomacia dinake e Serbisë!
Nga Faik Krasniqi
Serbët janë artistë të diplomacisë, si me qenë bizantinët e kohëve të sotme. Diplomacia serbe nuk e ka treguar veten vetëm sot, por historikisht. Serbia e fitoi autonominë falë diplomacisë në 1830, një ''bythë'' vend ishte asokohë, sa Shqipëria sot, ndërsa më 1918 krijoi Jugosllavinë me 250 mijë km2. Vajtën vranë e prenë në Bosnjë, si përfundim gjasmë humbën, por ama pastruan etnikisht gjithë territorin që u levërdiste, e kanë gjysmën (49%) e Bosnjës në një kohë që përbëjnë veç 30% të popullsisë. Në praktikë i kanë mbyllur myslimanët boshnjakë nga 3 anët, i mbajnë në darën e tyre strategjike, gjeografike, ekonomike e politike. Në Kosovë kanë struktura paralele dhe as që bëhet llaf t'i njohin pavarësinë pa marrë përfitimin e tyre konkret nga Evropa dhe të drejtën për të ruajtur strukturat paralele edhe me ndërhyrje të armatosur. Të kërkojnë falje është ëndërr, thjesht po presin konjuktura ndërkombëtare më të favorshme për të rifilluar politikën e tyre të grabitjes së territorit. Në ndryshim nga diplomacitë foshnjarake, naive dhe utopike, ajo serbe i mban këmbët në tokë, ka korrur gjithnjë suksese, të fundit fare hetimin e organeve, ku minimumi i rezultatit është barazimi i serbëve e shqiptarëve para opinionit ndërkombëtar. Rehabilitimi i krimeve në sytë e Evropës është objektiv i thjeshtë për diplomacinë serbe, objektivi i tyre është t'i nxjerrin serbët viktima të shqiptarëve. Të pretendosh që Serbia të kërkojë falje është ëndërr legjitime por s'ka kurrfarë shansi realizimi. Serbët kanë tre gjëra që janë për tu lakmuar, dinakëria, intelektualizmi kombëtar dhe diplomacia, historikisht të një niveli superior, të pakrahasueshëm në Ballkan, këto gjithnjë u kanë nxjerrë gështenjat nga zjarri. Nëse jemi realist, ne jemi foshnjarakë në krahasim me ta në këto tre aspekte.
(Autori është publicist nga Prishtina)