Mendime
Kimete Berisha: Lufta ndërmjet Gjykatave!
E shtune, 22.10.2011, 04:59 PM
Lufta ndërmjet Gjykatave!
Nga Kimete BERISHA
Mauricio Salustro u lind në Romë dhe doli nga anonimiteti në Romë më 1997. Masmediat botërore, si “New York Times”, botuan kronika trishtuese për tragjedinë që përjetoi një familje amerikane gjatë vizitës së tyre në Itali më 1994. Çifti amerikanë (Greed), i kishin përfshi në “ëndrrën italiane”, edhe 2 fëmijët e tyre të vegjël. Natën e parë të qëndrimit në Itali, posa perendoi dielli, krejt pa pritur, në tendën ku e kishin vendosur familja amerikane, afrohen 2 vrasës dhe e qëllojnë për vdekje birin e tyre 7 vjeçar, Nicolasin. Ky rast iu besua Mauricio Salustros për ta zgjedh. U prekën të gjithë njerëzit e mirë nga gjesti hyjnor i prindërve të Nicolasit, kur ata vendosën që t’i dhurojnë organet e birit të tyre të vrarë për të shpëtuar jetën e italianëve të sëmurë. Mauricio Salustro e mori për detyrë që t’i gjej vrasësit e fëmijës. Po, nuk i gjeti vrasësit e Nikolasit. Për këtë tragjedi u shkrua një libër nga prindërit e Nikolasit, librin e titulluan “Efekti Nikolas”. Policia kishte arrestuar dy burra të dyshuar për vrasjen e Nikolasit, por Salustro për do arsye i kishte liruar ata burra të dyshuar pas 11 muajsh gjykimi. Të arrestuarit, ishin bosa të njohur të mafisë italiane, kishin të njejtin tip të veturës “Jeep”, me të cilën ishin shërbyer vrasësit, të njejtën armë me të cilën ishte vrarë fëmiu Por, s’kishte dëshmitar! Dështon Mauricio Salustro.
Në libin “Efekti Nikolas”, prindërit e fëmiut të vrarë, e tipizojnë prokurorin Salustro si njëri të urtë, të matur dhe të qetë. Pikërisht siç i përfytyroj unë djajt, djalli fshehet në njerëzit që insistojnë të duken të urtë dhe fjalëpak. Se djalli nuk flet për shkatërrimin, por shkatërron!
Salustro, u mërzitë shumë.E humbi qetësinë. Ku i dilte një kishë para syve, hynte në të, lutej me zë, për të kthyer paqen e humbur shpirtërore. Shoqëria kërkonte nga ai që ta ruante gjakftohtësinë, se edhe dështimet e njëpas njëshme të tij janë pjesë e jetës. Ia dilte të përmbahej publikisht, por shpeshherë i këputej filmi, sidomos kur shikohej në pasqyrë. Në pasqyrë nuk e kërkonte vrasësin e fëmiut, por kërkonte ta shohë njeriun e suksesit që nuk e gjen dot.
Vendosi të ndryshojë imixhin. Nga një prokuror i qetë përnjëherë u shndërrua në një trim. Sa më shumë që shpërthente instiktivisht impulsi i “heroit” të fshehur brenda tij aq më shumë ndjehej i fuqishëm, ikonë burri, ndaj ndodhte në “gjykatë” krejt papritur si termeti, të shpërthej ana e panjohur e tij, në elementin e tij prej vagabondi të dëshpëruar.
Kur kolegët e panë kah rrënohet dhe kah e humb besimin në Zotin e tij dhe në papën i propozuan Mauricios që të vazhdoj karrierën jashtë vendlindjes. Ia propozuan Kosovën, që të vijë në Kosovë për ta marrë në dorë drejtësinë e vetmuar të Kosovës. Në fillim, Mauricio nuk pranoi. Kosova është e vogël, ai gjakonte një rol të madh për ta realizuar si prokuror. Dëshironte të bëhej i “madh”. Të bëhej dikushi. Po, nuk e përcillte fati. Këtij Mauricios sa herë i jepeshin rastet e mëdha për t’i zgjidhur, nga pasiguria në vetveten ai zvogëlohej, humbiste dhe tretej në pasionin e tij për t’u bërë i madh. Në fund të çdo rasti, opinioni, baras me vrasësit që kishin bërë krimin e urrenin Mauricion pse dështonte ti gjej vrasësit.
Në fund, Mauricio, u bind dhe erdhi në Kosovë që të realizojë emrin e tij, që të bëhet i madh, sa Carla Del Ponte.
Miqtë e tij nga kori diplomatik i thanë se Kosova është parajsa e Evropës, dhe këtë e dinë të gjithë i thanë, përveç shqiptarëve, shqiptarët e mbijetuar (jo të shpëtuar nga lufta) nuk janë të vetëdijshën për ç’parajsë e dhanë jetën shqiptarët e vrarë!.Mauricio u habit kur i treguan se në Kosovë nuk është e ndaluar shumëçka që është e ndaluar në Itali. Lirisht, edhe ai, dhe secili burrë ka të drejtë të vishet me fustan dhe të shetis rrugëve të Kosovës, por edhe në gjykatë të shkoj i veshur me fustan nëse do (s’ka ligj në Ksovë që i ndalon burrat të vishen me fustane, siç ua ndalon burrave italian vendlindja e tyre që të vishen me fustane dhe të zbulojnë krahërorin pavarësisht sa joshës që mund ta kenë). Derisa i shpalosnin para tij bukuritë e pakufishme ligjore që ofron Kosova, Salustro u mahnit dhe u nxe edhe më shumë kur mësoi se në Kosovë nuk është e ndaluar (me ligj), sikurse që është e ndaluar në Romë të ushqesh pëllumbat në qendër të qytetit. Pëllumbat janë simbol i paqes në Kosovë, e në Itali janë symbol i ndotjes. Në qytetet historike të Italisë, nuk mund të hash çfarë të duash si në Kosovë. Për shembull, s’mund të hash qebapë në qytet. Në qendër të Prishtinës, në ambientet e gjykatave dhe ministrive, secili qytetarë e fshatarë ka të drejtë të haj qebapë sa të ketë mundësi të paguaj, dhe ligji nuk ta ndalon si në Romë. Plus, je i lirë të vdesesh këtu. Asnjë qytet në Kosovë nuk ta ndalon të vdesesh, sikur Verona e bukur e cila që nga viti 1173 ta ndalon të vdesësh në tokën e saj! Po, Kosova nuk është vend artistik si Italia. Pa estetikë, në Kosovë nuk ka art, por ka liri, ka liri për pëllumbat që të fluturojnë, për burrat që të vishen me fustane, për adhuruesit e qebapëve dhe të gjithë janë të lirë për të vdekur kur të duan dhe ku të duan.
Kalorësit në krye të Drejtësisë
Salustro, pyeti vetëm a ka për makarona në Kosovë, kur tregoi se konsumon 30 kg.makaronë në vit, sa për kushtet tjera që ofronte Kosova, po, i pëlqeyn. Iu kthye buzëqeshja. Pranoi punën kur i thanë se detyra e tij është që nëpërmjet gjyqit të BE-së (EULEX-it), ta luftoj gjyqin e OKB-së (Hagën). Ky rol e joshi, Zoti i Madh, iu dha rasti ideal që të bëhej dikushi dhe i rrezikshëm në një vend të populluar me viktima, që të bëhej i pasur në një vend të mjerë, dhe i famshëm në një vend të popullarizuar për kiq. Do të bëj çdo gjë, makimumin do ta jap, tha, për të dëshmuar se BE-ja është më e fortë dhe më e zonja se OKB-ja. Se, Kosova është e BE-së, e jo e OKB-së, apo e Amerikës hiç se hiç! Këtë e bëri të qartë Salustro. Nuk është zor, mjafton vetëm vullneti dhe puna e palodhshme që ta rrëzosh me nënçmim një vendim të OKB-së (Hagës), dhe të vendosësh për të njëjtin rast një rigjykim kundër Fatmir Limajt. Kështu, Mauricio e dha provimin e parë, hypi mbi Hagën e OKB-së, dhe i shfaqi “botërisht”të metat” e OKB-së (Hagës), në krahasim me superioritetin e BE-së (Eulex-it) Maurizio, ky prokuror deri vonë i pafat në karrierë (i BE-së), po i rrëzon vendimet e OKB-së (Hagës), ndërsa unë gabimisht kisha kujtuar që ka kultivuar antipati apo ka marrë ryshfet që të ngritet kundër Fatmir Limës dhe kundër UÇK-së së vërtetë.
Njëri nga kolegët e Salustros, i magjepsur me transformimin e shpejt të tij, zbuloi se kërkush s’ka kurgjë kundër Kosovës së varfër, se Kosova është vetëm një tokë, një arenë që shërben për të “luftuar”, dhe për t’i matë forcat e veta, njëra me tjetrën gjyqi i OKB-së dhe ai i BE-së.
Mauricion e zbuloi nëna e Nikolasit të vrarë. Ajo e përshkroi si njeri të urtë. Ekipi që po e përgatiste misionin e tij historik në Kosovë, e këshilloi Salustrën që të sillet ndryshe nga siç e njihnin në Itali. Ata italianët dinë çdo gjë, dhe kishin kujtuar se edhe ne e dinim biografinë e Salustros ( Bajram Rexhepi këta i mban në xhep të vogëln (dihet), anipse nuk ua di asnjërit ditëlindjen). Mbasi të gjithë ne prisnim një prokuror të urtë, ata e këshilluan që të sillet egër, të na zë të papërgatitur, në mënyrë që të duket edhe i rrezikshëm. Më e dobishme është të dukesh sesa të jeshë i rrezikshëm. Se kur dukesh i rrezikshëm, njerëzit kujtojnë që je budalla dhe ta lëshojnë rrigën largohen prej teje, e kur nuk dukesh e je i rrezikshëm si dikush-dikush , për shembull, siç duket i popullarizuari dhe i dyshuari nga populli për krime dhe vrasje Xhavit Haliti), atëherë, s’është bash-bash e preferuar. Kështu, bukfalisht e nisi karrierën e tij në Kosovë për luftimin e Gjyqit të OKB-së (Hagës), Salustro, me fjalët thënë në gjykatë ndaj Albin Kurtit:” Mbylle gojën, mos fol. Mos e lexo letrën mbrojtëse, s’është relevante ajo që ti thua”. Mbylle”. E, gjithkush e mbyll gojën, kur i thotë prokurori, përveç Albinit, ai bash kur i thonë mbylle, për inat e hap gojën edhe më shumë! Normal! Në mediat e Kosovës, po krijohej një yll medial, nisi të del në pah sharmi i rrezikshëmi Mauricios, dikur njeri i ëmbël dhe i urtë. Është luftë e madhe kjo. Për të luftuar, Gjyqin e OKB-së, në emër të Gjyqit të BE-së, ani çka, ia vlen të marrësh edhe nofkën e vagabondit, siç e mori këtë nofkë nga të gjithë avokatët e viktimave shqiptare që kanë punë me Mauricio Salustron. Të gjithë avokatëve u tha: “Mbylleni gojën. A po kujtoni që po ju frikohem?! Unë jam këtu me vendos. Dhe, ti zotëri po rrenë (iu drejtua njërit dëshmitarë) e ky zotëria tjetër s’po rren (iu drejtua dëshmitarit tjetër). Unë vendosi kush rrenë e kush s’rren këtu”
Avokatët dolën e thanë për lexuesit e gazetave dhe për shikuesit e TV-ve: “Ore, ky po na bërtet si me qenë ne fëmijë! Po, kush mërzitet për vajin e avokatëve tanë, e di BE-ja çfarë thonë këta avokatët e rrahur dhe të nënçmuar të viktimave shqiptare! Pse nuk ia përpilojnë një vërejtje me shkrim për mungesë kulture elementare të komunikimit këtij Salustros. Se, nuk guxojnë. Pse e pranojnë për prokuror? Mirë ua bën! Ata nuk e dinë se Maurizio është i fortë. Se Remi e Romuli, u ushqyen me qumështin e Ujkut femër,e thithën dhe u rritën nga qumështi i Ujkeshës. Italia u themelua nga këta vëllezër, dhe themelet e saj janë të ndërtuara mbi gjak ujku. Prandaj, është e bukur dhe e pasur, dhe 60% të veprave artistike ndodhen atje në Itali, se i ruan “frika nga ujku”, në atë vend me 75% kodrina e male.
Salustros së rrezikshëm, i ndihmonte materialisht (me dokumente) edhe shoqëria civile, që ky ta realizonte qëllimin e tij evropian kundër krejt botës. I lidhur me korin diplomatik të akredituar në vendin e tij, u këshillua të vazhdonte të ishte edhe më energjik në luftën e tij kundër Hagës. Projekti i diplomacisë kundër luftës së UÇK-së kërkonte ta mbajë ushtarin në zap, sidomos ata ushtarë të vërtetë (jo ata ushtarë-mbledhësit e parave) që kishin këmbyer karizmën e ushtarakut me atë të politikanit.
Ndërkohë, për t’u kurorëzuar me sukses, sikurse Carla Del Ponte, Salustro do ta shkruaj një libër “Rigjuetia”, sepse në vendlindjen e tij, që është edhe vendlindja e Pinokios, me ligj ndalohet ushtrimi i profesionit të mashtruesit.
Por, misioni i Eulex-it udhëhiqet nga ushtarakë, shefat e tij, së pari Kermabon, i pasuar nga Du Marnac, të dy këta janë brigadierë, janë ekspert të kalërimit, me profesion janë kalërues. E, në Kosovë rendin dhe ligjin nuk po e prishin kuajt!
Në Kosovë, janë peshqit e mëdhenj. Peshqit e mëdhenj shqiptarë, dhe ata peshqit e tjerë nën hije, nuk mundet t’i zërë Salustro. Ai është i interesuar vetëm që të bëhet i “madh”!
Por, ai nuk e di se në vendlindjen e tij në Itali është e ndaluar dhe konsiderohet mizore që peshku i artë të mbahet si kafshë shtëpiake!