E enjte, 01.05.2025, 09:23 PM (GMT+1)

Mendime

Enver Robelli: Republika e opingave apo Kosova dhe oligarkia antievropiane

E shtune, 22.10.2011, 05:56 PM


Republika e opingave apo:

Kosova dhe oligarkia antievropiane

 

Nga Enver Robelli

 

Si u shndërrua Kosova në Republikë të Opingave dhe shtet me demokraci të dirigjuar? Dhe cili është dallimi mes mendësisë oligarkike kosovare dhe Evropës iluministe, ku ligji është i shenjtë dhe interesat e shtetit mbi çdo interes meskin?

 

Nuk e kanë vetëm qeveritarët e Kosovës gojën plot Evropë. Integrime. Liberalizime. Ekonomi të tregut të lirë. Shanse të barabarta. Të drejta të njëjta për meshkuj e femra. Liri të shprehjes. Kësi grumbuj fjalësh, të mësuara përmendsh në “workshope e seminare”, i hidhen publikut jo vetëm nga oligarkët pseudodemokratikë të Kosovës, por edhe nga kamarilla e tyre mediale, e cila – nëse parafrazojmë një gazetë sllovene – prej opingave u katapultua në timonin e “Mercedesit” – gjithsesi jo me punë të ndershme, por me plaçkitje dhe me aktivitete të ndyra për grupe interesi. Fletorja nga Lubjana krahasimin mes opingave dhe veturës gjermane e kishte bërë për të përshkruar pjesën më të madhe të politikanëve të Kosovës, pra kastën sunduese, e cila tërë ditën flet për Evropën Perëndimore dhe vlerat e saj si cak madhor, por, në fakt, nuk sillet shumë më ndryshe se oligarkia e Vladimir Putinit. Krahasimi opingë -“Mercedes” i gazetës “Delo” gjithsesi vlen edhe për kamarillën mediale, atë shpurë që pas vetes lë përherë një fushë me fëlligështi. Bashkimi i interesave mes politikanëve dhe sahanlëpirësve medialë për plaçkitje e bën Kosovën një lloj “demokracie të dirigjuar” ose, siç thuhet në rusisht, “upravljajemaja demokratija”.

 

Galeria e plaçkitësve

 

Cilat janë veçoritë e demokracisë së dirigjuar? Tre shembuj: a) kur anëtarë të kabinetit të qeverisë ose vetë kryeministri merrem me redaktimin dhe renditjen e lajmeve në - me-nder-me-thanë - televizionin publik dhe kur përmes ortakëve të tyre të kriminalizuar themelojnë fletushka për denoncim dhe organizojnë fushata politike nëntokësore; b) kur pushteti edhe ashtu i fituar me vota të manipuluara shfrytëzohet për instalimin e një sistemi të nepotizmit dhe për zgjerim të rrjetit kriminal, i cili kontrollon gjithçka – prej vaksinave që i blihen për ethjen e lopëve deri te tenderët e mëdhenj dhe privatizimi arbitrar i ndërmarrjeve shoqërore; c) kur sistemi politik – e ashtuquajtura demokraci - shfrytëzohet për “parkimin” në parlament të figurave, të cilat shkathtësi pothuaj të vetme personale dhe profesionale e kanë vringëllimin me alltia, kërcënimet, vrasjet, “plagesat”! (Për këtë duhet të shikohet sidomos, por jo vetëm grupi parlamentar i Partisë Demokratike të Kosovës. Kështu Kuvendi i Kosovës, tempulli i demokracisë, shndërrohet në galeri edhe për banditë dhe urdhërdhënës vrasjesh).

Kjo mendësi politike dhe ky keqpërdorim i vullnetit të qytetarëve prodhon një shtet që formalisht i ka të gjitha institucionet e një demokracie, por përmbajtja e tyre është antidemokratike. Kjo është sikur kur e mbushni kanaçen e Coca-Colës me naftë të Ballshit të Mallakastrës dhe provoni ta hidhni në treg si pije tepër freskuese. Kjo mendësi u përshtatet shumë të gjithë atyre karkalecave ndërkombëtarë, të cilët mendojnë se kosovarëve të papërvojë me demokraci u duhet një dirigjent i përdorshëm dhe kërcënues, i cili kujdeset që gjendja të mbahet nën kontroll. Dirigjenti gjithnjë merret me korrigjimin e vullnetit popullor, i cili, sipas kësaj mendësie, buron nga një turmë e të paditurve, madje budallenjve. Për këtë arsye imponohet sistemi i demokracisë së dirigjuar. (Përndryshe nocioni karkalec në debatin politik është përdorur për herë të parë në vitin 2005 nga një politikan i njohur socialdemokrat gjerman, i cili me këtë metaforë insektesh i kishte përshkruar “investitorët anonimë”, që merren me privatizimin e ndërmarrjeve dhe shkatërrimin e tyre).

 

Helm dhe heshtje

 

Aspak më ndryshe nuk janë gjithë ata konsulentë ndërkombëtarë që sillen vërdallë nëpër Kosovë, me thikë në dorë dhe përherë të gatshëm për të bërë propozime se si duhet të privatizohet (lexo: shitet) gjithçka, madje edhe lugët e shtëpisë. Një shembull bizar është i ashtuquajturi privatizim i “Ferronikelit”; askush nuk flet kundër oligarkëve të huaj, të cilët e blenë “Ferronikelin” për pesë paré dhe tani po e helmojnë një pjesë të Kosovës (Drenicën), po shkelin të drejtat e punëtorëve dhe po e dëmtojnë rëndë ekonominë e Kosovës. Ishte një gazetë izraelite, e mirënjohura “Haaretz”, që në një reportazh të gjatë (të ribotuar në këtë gazetë që po e mbani në duar) e përshkroi krejt tmerrin rreth “Ferronikelit”.

Në çdo vend tjetër do të ishte ndezur një debat i ashpër për këtë skandal. Në Kosovë heshtin të gjithë, duke filluar nga Qeveria dhe Ministria e Ambientit deri te të ashtuquajturat organizata joqeveritare për mbrojtjen e mjedisit. Heshtja nuk duhet të na befasojë: prej një oligarkie që llomotit për vlera e standarde evropiane dhe sillet e vepron si grigjë antievropiane, as që mund të pritet më shumë. Heshtin, plaçkitin kudo ku munden dhe sundojnë sot për nesër, sepse nuk kanë ambicie fisnike. Do të duhen disa vjet, por dikur do të shohim përmasat e plaçkitjes së Kosovës në 12 vjetët e fundit – nga vendorët dhe të ashtuquajturit ndërkombëtarë, karkaleca që Kosovën e shohin vetëm si parajsë për karrierë dhe zhvatje. Në krahasim me Irakun dhe Afganistanin, ku bombat shpërthejnë orë e çast, Kosova vërtet është një parajsë, aq më tepër kur javën e kaloni në zyra komode në Prishtinë dhe fundjavën në Selanik, ku pini, dëfreheni dhe shfryheni kundër, ah, “shoqërisë ksenofobe” kosovare, siç bëri, ta zëmë, eurodiplomati Fernando Gentilini në një biçim-libër të tij. Oligarkia, kuptohet, ambicie tjetër nuk ka përveç zhvatjes. Motoja e oligarkisë është: “Pas meje kiameti, mynxyra, kërdia”.

 

Lypës pasaportash

 

Prandaj dallimi i Kosovës me Evropën iluministe, me atë Evropë ku sundon ligji, është aq i madh. Pafundësisht i madh. Edhe këtu oligarkia dhe kamarilla mediale kanë përgjigje: “Ne nuk mund të krahasohemi me gjermanë, zviceranë, britanikë etj”. Kjo domethënë: “ne krahasohemi” me demokracitë e dirigjuara, me “upravljajemaja demokratija”. Se ç’është Evropa treguan, këto ditë, dy raste ekzemplare: ministri i Mbrojtjes i Britanisë së Madhe, Liam Fox, dha dorëheqje pasi mediat zbuluan se ai e kishte marrë me vete në udhëtime zyrtare një mik të tij (ndoshta e kishte më shumë se mik), se ky miku i tij 18-herë e kishte vizituar në zyrë ministrin Fox, se ishte paraqitur ilegalisht si këshilltar i tij dhe se ishte marrë me lobim për interesa të industrisë së armëve. Kryeministri britanik, David Cameron, brenda një javë hoqi dorë nga kolegu i tij partiak, i cili ishte shtyllë e rëndësishme e kabinetit. Në Qeverinë aktuale të Kosovës ka ministra që shkojnë për vizitë në vende të tjera dhe gjunjëzohen para autoriteteve të atjeshme, duke kërkuar një pasaportë. Ministrat duan të bëhen shtetas të vendeve të tjera, sepse një ditë, pasi të kenë vjedhur e plaçkitur gjithçka, mund të ikin nga Kosova dhe të strehohen në “atdheun e dytë”, i cili nuk do t’i ekstradojë në Prishtinë, nëse dikur Kosova do të ketë prokurorë që vërtet do të ndjekin krimin dhe nuk do të përgjumen nën jorgan bashkë me kriminelë. Këta banditë të veshur me pushtet shpresojnë se dora e drejtësisë nuk do t’i prekë kurrë, prandaj tani për interesa private bëjnë edhe këso premtimesh: “Nëse më jepni pasaportën e vendit tuaj, unë do të mbështes investitorët tuaj në Kosovë”.

Rasti i dytë ekzemplar, i cili tregon dallimin mes Kosovës, Republikës së Opingave, dhe Evropës Perëndimore është ky: në fund të shtatorit Gjykata administrative federale në Zvicër suspendoi nga puna shefin e policisë kriminalistike federale për shkak se në një udhëtim në Shën Peterburg e kishte marrë me vete partneren e tij, e cila ishte ruse. Menjëherë reaguan mekanizmat e shtetit: zyra për kontrollin e sigurisë së personave filloi hetimet dhe erdhi në përfundim se zyrtari paraqiste rrezik për sistemin e sigurisë së Zvicrës. Shefi i policisë kriminalistike federale u ankua në Gjykatën administrative federale, e cila po ashtu erdhi në përfundim se zyrtari paraqiste rrezik për sigurinë e Zvicrës. Sipas gjykatës, pozita e shefit të policisë kriminalistike është “jashtëzakonisht e ndjeshme sa i përket sigurisë”, pasi që zyrtari ka qasje ndaj sekreteve të sigurisë së brendshme dhe të jashtme të Zvicrës. Po ashtu pozita e tij i nënshtrohet vëmendjes së madhe publike dhe mediale. Sjellja e tij profesionale dhe private perceptohet nga publiku dhe në rast të ngjarjeve negative disponon me potencial të madh dëmtimi.

Si është puna në Kosovë? Shef policie emërohet një person, i cili lëre që potencialisht është fajtor për dështimin kolosal të intervenimit të policisë në veri më 25 korrik, por edhe paraqet rrezik për sigurinë e Kosovës – për shkak të lidhjeve të tij familjare me njërën prej figurave më me peshë në nëntokën e krimit të organizuar dhe kontrabandës në Kosovë dhe rajon. E tmerrshme që për këtë emërim u desh të sakrifikohej një polic i Kosovës. Njëherë emërimi i Shpend Maxhunit në postin e shefit të Policisë së Kosovës kishte dështuar – për shkak të kundërshtimit të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Kësaj radhe amerikanët heshtën. Fundja, ky nuk është shteti i tyre. Ata mund të ndihmojnë, por nëse oligarkia ka vendosur ta shndërrojë Kosovën në Republikë të Opingave, atëherë s’ka fuqi që ta ndalë. Çka ia bë vetes, s’ta bën as armiku i përbetuar. – Larg Republikës së Opingave, megjithatë, ekziston një Kosovë, një Republikë, e cila vazhdon të ushqejë ëndrrën për një të ardhme evropiane.



(Vota: 3 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx