E enjte, 25.04.2024, 12:00 AM (GMT+1)

Mendime

Besi Bekteshi: Migjeni i madh dhe shkrimtaro-politikanë të vegjël deri në kohët tona!

E enjte, 13.10.2011, 08:56 PM


Migjeni i madh dhe shkrimtaro-politikanë të vegjël deri në kohët tona!

 

Nga Besi BEKTESHI

 

Padyshim që në 100 vjetorin e lindjes së Migjenit, do të kishte edhe shkrime që sjellin në temën e ditës pikërisht autorin e madh të lirisë së vargut, mendimit dhe sidomos atij poeti, që akoma edhe sot, ka guximin e të drejtpërdrejtës në letërsi. Po, më shumë se edhe shumë e shumë në ditët tona.Vetëm pak ditë më përpara, po shikoja rastësisht një film për Qemal Stafën dhe mbeta pa mënd (i kisha harruar) nga dialogjet e një pjese ku përmendej Migjeni, dhe skena është vendosur në kalanë e Shkodrës. Filmi është bërë nga fundi i diktaturës dhe aty Migjeni dilte një super komunist i pashpallur, lider politik, një person për të cilin filluan të ngatërrohen me fe dhe atdhe, të rinjtë të besimeve të ndryshme. Në të vërtetë, kjo ishte edhe e “thëna në atë kohë për Migjenin”. Patjetër vepra e tij është vlerësuar, dhe patjetër që lartësia e madhe e Migjenit ka dalë, por... por mbi të, në mënyrë malinje është palosur pelerina e kuqe, tepër e kuqe e komunizmit. Në disa shkrime më përpara, kam thënë se “në qoftëse Migjeni do të arrinte të jetonte mbas viteve 1944, me siguri që do të ishte i pushkatuari i parë i Enverit”. Patjetër do të ishte, sepse ai i rebelohej “regjimit të Zogut dhe jo më diktaturës, dhe masakrës kulturore dhe ideologjike, apo edhe kombëtare të Enverit”. Nuk ka asnjë dyshim që jeta e shkurtër edhe pse nuk e ka lejuar të vazhdojë supertalentin e tij, ia ka lejuar pavdeksinë, sepse patjetër edhe ato që nuk e pranojnë e kuptojnë në koshiencën e tyre, se talenti i tij është madhështor. Ndoshta i prirur (trashëgimia) për jetë të shkurtë... nuk ka pasur kohë për humbur, dhe pjekuria letrare ka filluar shumë-shumë herët. Nuk janë shumë vite në fakt. Janë jo më shumë se pesë-gjashtë, që aktiviteti letrar ka bërë të gjithën, por Migjeni, ka edhe një jetë tjetër, atë të tijën, të cilën në mënyrë donshikoteske, letrarë, apo edhe ideologë të komunizmit e kanë përvehtësuar për ta deleguar në anekset e persekutimit “që regjimi i bënte pikërisht Migjenit”. Është e qartë që koha kur flasim ishte një model gjysmë autokratik dhe gjysmë borgjezi, por ishte kjo kohë që Migjenin e la pas në kohën tonë. Janë një sasi impresionante e shkrimtarëve të realizimit socialist që Migjenin e kanë pasur të detyruar ta shikojnë me optikën e komunizmit. Dikush me dashje, dhe dikush me gjysmë shpirti, por po të lexosh në “arkivin e Muzeut të Shkodrës” kujtime për Migjenin, apo konsiderata, kupton qartë se filli i parë është ai i ideologjisë. E janë emra të lartë të letërsisë. Nuk ka libër shkollor të asaj kohe, që nuk ja vesh këtë fill... letërsisë së Migjenit. Këtë mund të mos e besojnë sot, ose nuk e kuptojnë sot fëmijët, por ne e dimë qartë si është konsideruar letrari dhe kryevepra e tij letrare. Ne duhet të pranojmë se Migjenin e çonin akoma më shumë në politike se Gorkin, dhe akoma më shumë se Majakovskin. Janë disa emra të mëdhenj të letërsisë shqiptare, që duke vendosur të shkruajnë biografikisht dhe teknikisht për Migjenin, e kanë stërkaluar kufirin ideologjik për pikërisht autorin e madh dhe të guximshëm. Ndonjëri është edhe sot, dhe megjithëse në moshë të thyer dhe me një “revizionim mendor” të cilin ja ka detyruar koha, sërish vazhdon me “kujtimet e dikurshme të modelit... kujtime ideologjike”. Migjeni ishte “revolucionar që shprehte idealet e kohës” thotë dikush dhe harron se dikur ka shkruar se “këto ideale ishin idetë e revolucionit të tetorit dhe komunizmit”. Nuk ka dyshim që mbase Migjeni ka lexuar dhe ka ditur, por unë në “Arkivin e Muzeut të Shkodrës” nuk kam qoftë një libër si në shqip dhe serbo-kroatisht që flet për një komunistizim të Migjenit. Po, është në arkivin e Muzeut të Shkodrës bie fjala një libër i Migjenit serbisht (ai ka disa) që botohet në Beograd në vitin 1930 dhe është i Jack London, që në serbisht mban titullin “Krajl Alkohol”... por normalisht nuk është literaturë komuniste. Po ashtu Migjeni të tijin ka pasur edhe një libër të Sinclair Leëis që në serbisht në vitin 1932 titullohet “Glavna Ulica”. Ka pastaj edhe në gjuhë të tjera, por nuk është trashëguar as një botim i “rafinuar” si literaturë komuniste. Kjo të habit, sepse po të kishin dashur dikur... në muze... me zor do t’ja kishin futur një libër të tillë, dhe mund ta kishin deklaruar të tijin, por jo as kjo nuk ka ndodhur. Madje ka pasur edhe tendenca që t’ja imitojnë edhe shkrimin! Shumë libra dhe botime të Migjenit janë edhe me shënimet e shkrimin e tij. Ai kishte zakon të përsëriste si firmë... Migjeni... dhe të shkruante fraza nganjëherë të vështira për tu marrë vesh. Pastaj janë polemikat e mëdha mbi botimin apo jo, mbi censurën apo autocensurën e “Vargjeve të Lira”, që të cilat e kanë parë botimin në vitin 1944. E më e qarta është se aty në faqen sqaruese thuhet: Ndalohet çdo ribotim e përkthim pa lejen e trashëgimtarëve...! Kësaj shtëpia botuese të vitit 1944 që lançon “Vargjet e Lira” me emrin Ismail Mal Osmani... i detyrohen të gjithë të tjerët “një mal me lekë” sepse kanë ribotuar dhe përkthyer sa kanë mundur nga Migjeni, duke mos zbatuar askush aspak të drejtën e autorit. Pra në viti 1944 botohet, dhe në vitin 1938-të jo... kjo është diçka e pa besueshme, por gjithsesi hulumtimet dhe të thënat mund edhe të vazhdojnë. Çmimi i botimit ka bërë 25 lekë, dhe për më tepër poshtë tij thuhet se: T’ardhurat e këtij libri shkojnë në dobi të Familjes së Autorit. Teorikisht kuptohet se e drejta e autorit dhe financat, i duheshin shkuar gjithmonë familjes, por komunizmi i veshi qyrkun e tij gjithçkaje, nuk e botoi njëherë sepse dyshonte, pastaj arriti që të komunistizonte edhe autorin i cili ishte shpirti më i lirë në Shqipëri. Po, ai që së paku shprehej dhe shkruante vërtetësisht lirë. Migjeni do të shpëtojë kur shkrimtarë dhe letrarë si një brez i kaluar, si ato që janë mbi 50-të vjeç sot, edhe si të rinjtë që dashje pa dashje indoktrinohen nga kinematografia dhe e ashtuquajtura kritikë letrare apo edhe nga referuesit që zakonisht nisin të flasin për Migjenin dhe bëjnë polemika me njëri tjetrin “jo di unë jo nuk di ti” “jo ishte ashtu dhe unë e kam drejtë, e ti nuk e ke mirë” të përfundojnë. Të tilla pretenca të tipit ideologjik shitmendës, pa asnjë të re apo ide brenda dhe pa pasur parasysh Migjenin, por duke e shfrytëzuar atë, dëgjohen edhe sot dhe për fat të keq edhe në Shkodër. Pastaj për polemikën në se e duan apo jo në Shkodër, kjo temë sidomos për ato që nuk jetojnë, nuk dinë dhe nuk janë shkodranë, është një “mision i pamundur”. Më vjen keq, por kështu është. Kur nuk di reflekset religjionare, kur nuk di mirë biografitë njerëzore në qytetin tradicional, kur nuk di balancat dhe bashkëpunimet e mendimeve të ndryshme në qytetin e madh të veriut, kur nuk njeh formën dhe ndjeshmëritë e shoqërisë shkodrane në kohë, është më mirë të mbyllësh gojën. Po, të mos flasësh aspak, sepse del “kërtollë” sikundër thonë në Shkodër. Në se është dikush që i thotë serb, apo anti fetar, ateist apo komunist, patjetër që një arsye mund ta kenë gjetur dhe nuk ka shkrimtar të madh në botë që nuk i kanë gjetur një “arsye”, por kjo nuk do të thotë se Shkodra nuk e respekton, apo nuk përkujdeset apo nuk njehsohet me të. Sot ndoshta gjithaçka letrare dhe kulturore...harrohet. Vetë liria e madhe e Migjenit, do të binte ndesh me tradicionin, me një botëkuptim konservator, që nuk mund të jetë detyrimisht një armik i shoqërisë. Por po e përsëris, njerëzit që nuk e njohin dhe nuk jetojnë në Shkodër, e kanë të kotë për të njohur Migjenin-shkodran dhe sidomos ato që mund të konsiderohen edhe kundështarë të tij... pa njohur Shkodrën! Migjeni do të shpëtojë, dhe do ti qëndrojnë eshtrat në qetësi, kur të mbarojnë shkrimtarët-politikanë, ato që duan të flasin për vete, dhe medemek bëjnë sikur merren me Migjenin! Kur të mbarojnë parimisht edhe njerëzit e skemave të mbyllura jetësore, atyre skemave që medemek komunizmi ju vuri “shqelmin” për të rivendosur skema akoma më të errëta, shumë më të ashpra dhe kriminale për gjatë sundimit të tij. Migjeni me të vërtetë nuk qëlloi të kishte jetën e gjatë, por me talentin dhe lirinë e mendimit do t’ju kishte rënë në kallo, shumë e shumë shkrimtarëve të tillë në Shqipëri. Ndoshta ndonjëri mund të ishte ngritur në Lidhjen e Shkrimtarëve për ta çuar në burg... ndoshta them, por nuk e vë dorën në zjarr. Megjithatë, edhe ato duhen nderuar disi, sepse së paku kanë marrë privilegje në saj të shkrimeve që mundoheshin ti afroheshin Migjenit, por as nuk mundën, as kishin talentin, dhe as që nuk do t’ju a botonte kush, po të ishin qoftë edhe një ditë si Migjeni në raport me kohën e tij. Ai (Migjeni) nuk i bëri asnjë reverencë kohës, as që u mundua ti llastohej, as kohës as regjimit, dhe megjithatë u botua edhe pse “Vargjet e Lira” më vonë. Kurse shkrimtarët-politikanë që ndonjëri bën edhe sot si i tillë, as kanë guxuar, as nuk do të guxonin të shkruanin ashtu, as kishin talentin, as e kanë edhe sot dhe dikush-dikush, kishte edhe bindjen për ti shërbyer si komunist i devotshëm Enverit. Sepse po të ishte ndryshe... do të ishin në ndonjë humbëtirë pak cm nën dhe, por jo nga natyra, por nga ai që i kanë bërë ditirambe gjatë gjithë jetës.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora