Mendime
Shaban Peraj: A u duhen shqiptarëve në Mal të Zi parti të reja
E enjte, 06.10.2011, 08:02 PM
A u duhen shqiptarëve në Mal të Zi parti të reja
Shkruan: Shaban Peraj
Të gjitha gjasat janë që partive politike ekzistuese shqiptare këtu në Mal të Zi t’i shtohet edhe një parti e re politike, me çka si duket popullatën e këtueshme (në Anë të Malit), disa me “xhaketa të vjetra”, duan ta kthejnë në zhgënjimin e radhës. Zhgënjimi për ta nuk është as i vetmi as i fundit, por është vazhdimësi e turpshme e atyre që kërkojnë të mshefin dështimet politike në këto njëzetë vjetët e fundit. Të tillët nuk shohin, nuk dëgjojnë se ku jemi, në çfarë rrethanash e kushtesh e kanë sjellur masën, pa menduar fare se kjo masë ua ka pirë lëngun me vite, ndaj edhe bëjnë përpjekje për një subjekt të ri politik në këto kohë krizash!
Dikush po mendon se akoma mund të përfaqësojnë shqiptarët në Mal të Zi duke bërë veprime të pamatura në terren, e duk tentuar të gjejnë si bashkëmendimtarë ata që deri dje ishin në mes veti armiqë politik.Ngjarjet vazhojnë të dalin në shesh pikërisht atje ku popullata shqiptare (në Anë të Malit) me dekada u përdhunua, u diskriminua politikisht dhe e gjitha kjo bëhet jo për të shpëtuar shqiptarët , thjeshtë “xhaketat e vjetra” të mbajnë në vazhdimësi postet e krrigat që kanë zënë turphëm tash e njëzetë vjet. Falë këtyre çdo rast i dhënë u jep shansin të bëjnë masakra politike në dëm të popullates vendase, tashmë e lodhur nga veprimet e strukturave të errëta, ku mbesin të hutuar se si ka mundësi të dalin forca të reja politike nga politikanët e konsumuar që pa fije turpi defilojnë sa në një lokal aq në tjetrin për të matur pulsin e qytetarëve, me çka i japin të drejtë vetës të flasin për plane e programe politike në interesë të tyre.Është ky turpi i llojit të vet që “xhaketat e vjetra” të flasin në emër të nevojës për ndryshime, ku asnjëri nga këta nuk gëzon besimin e qytetarëve anamalas. Kjo si duket u është bërë modë atyre që janë dëshmuar me akrobacione politike sa në një krah aq në tjetrin, dhe të ngopur me politikë për të satën here po dëshmojnë se janë të dobët si mentorë të këtyre planeve, por në anën tjetër orkestrojnë gjithçka që shkon në dëm të anamalasve.
Tendeca për të themeluar subjekt të ri politik në këto momente nuk do koment pa plotësuar obligimet elementare ndaj popullates të cilën e gënjyen, e mashtruan pa dëshmuar as edhe një rast të vetëm se mbrojnë interesat e masës. Ata bëjnë paqë edhe me djallin, vetëm e vetëm që të kenë karrigat e postet e siguruara.
Këta qëllimkëqinjë nuk duhet lejuar të diskriminojnë popullatën vendase, pavarësisht se të njëjtit e kanë të vështirë të kuptojnë realitetin e krijuar, ndaj kësaj rruge i janë nisur vetëm ata që kanë dobësi e kokëfortësi primitive. Ata duhet ta dine ndryshimin dhe nuk u takon të keqinterpretojnë gjërat, për çka nuk ia vlenë që gjeneratat e reja t’i pluhërosin në rrugë pa dalje me çka vërtetohet thënia, se: politika nuk ka moral! Arsyet e tyre janë vetëm për interesa vetjake, dhe kjo tashmë është vërtetuar për të satën herë, kur u dha rasti të kalojnë sa në njërin krah aq edhe në tjetrin. Këtu në vazhdimësi disa prej tyre duan që arsyet e lëvizjeve t’i arsyetojnë gjoja për të mirën e masës, e në fakt ata lidhen me interesat e tyre dhe aspak me interesat e atyre që i kanë votuar deri tani. Nëse kjo ndodhë, atëherë kjo dëshmon se është lojë e rrezikshme për të prodhuar vetëm kriza e për të dëshmuar papjekuri politike. Kjo paraqet rrezikun e radhës e që burimin e ka nga brenda pavarësisht se nga kush janë të nxitur, dhe ky rrezik paraqet verbëri politike të atyre që po mundohen për një hap të tillë. Tentativa si e tillë është sa interesante aq edhe e çuditshme për vet faktin se shqiptarët në Mal të Zi janë një numër i vogël për të përballuar kaq shumë parti politike. Nga gjashtë parti politike shqiptare që sot janë në Mal të Zi, po t’i shtohet edhe një parti e re, dëshmon se shoqëria jonë është në krizë të thellë politike e morale dhe nuk ofron një vizion të qartë për një të ardhme më të mire të këtij vendi. Kjo po dëshmon të kundërtën e asaj që në këto ditë të formimit të pushtetit të ri lokal populli deshi të besojë për unitet, përkundrazi zinxhirët janë këputur me çka po dëshmohet se ka humbur dinjiteti, përgjegjësia ndaj masës, e gjitha kjo si rezultat i çrregullimeve të brendshme në Anë të Malit. Të tillët vetëm ndërrojnë bojën duke përcjellur stafetat e duke degjeneruar në maskarallëk. Vjen një ditë ku secili do të jape llogari, por atëherë do të jetë vonë
Këta “xhaketa të vjetra” nuk duan t’ia dine se në këto momente po frynë një erë e re, me njerëz konstruktiv që mundohen për zgjidhje të problemeve që rëndojnë mbi popullatën tone, dhe se duhet pranuar njerëz të rinj që kërkojnë ndihmen dhe përkrahjen e të gjithë neve. Përpjekjet e ca të rinjve për një politikë të re duket se nuk mund të ecin përpara me njerëz me “xhaketa të vjetra” duke e ditur se politika e re kërkon strategji të reja. Të vjetrit janë konsumuar tashmë dhe nuk kanë pse të dalin si ideatorë të formimit të partive të reja politike, nëse veprohet kështu atëherë dështimi do të ndodhë që në start sepse askush nuk mund të mbajë në dorë dy bostan, prandaj kërkohet strategji e re politike afatgjate pa ata që kanë ndërruar disa karriga e poste dhe të cilët arrinë të thonë, se: “Nuk ka lidhje kjo”, dhe kur vijnë në pushtet harrojnë se nga kush i morën votat, këtë mund ta bëjnë vetëm personat e dalur jashtë normales, me deklaratat e veprimet e tyre.