E shtune, 20.07.2024, 01:01 AM (GMT+1)

Mendime

Minella Aleksi: Kur grupi i Lubonjës merret me shpifje për ikonën Kadare (I)

E hene, 03.10.2011, 07:50 PM


Kur grupi i Lubonjës merret me shpifje për ikonën Kadare (I)

 

Nga Minella ALEKSI

 

Fenomeni i shpifjes dhe dizinformimit në mjediset e intelektualëve ka qenë një ndër më të njohurit në epokën e komunizmit. Mund të thuhet se ishte një nga shtyllat ku mbështetej shtypja dhe terrori shtetëror në gjithë perandorinë komuniste. Shqipëria, e cila shpesh dallohej si kampione e së keqes, hynte në vendet ku shpifja lulëzonte, sidomos kundër intelektualëve të njohur, ku shkrimtarët zinin një vend të parë. Shpifjet dhe forma e tyre më e përhapur, dizinformimi ose thjesht spiunimi, ishin kthyer në një tipar të kohës. Ato ishin dy llojesh: të hapura, në shtyp dhe të fshehta, pas krahëve.

 

Sa më i njohur të ishte shkrimtari, aq më të shumta ishin shpifjet. Janë botuar disa libra me denoncime dhe dokumente kundër I. Kadaresë, në shqip dhe në gjuhë të huaja. Të tjera priten, sipas premtimit të autorëve.Pas rënies së komunizmit fenomeni ka vazhduar. Interneti dhe përdorimi i pseudonimeve, ka ndihmuar shumë për gjallërimin e këtij «biznesi» të shëmtuar. Ndryshimi është se tani denoncimet dhe spiunimet nuk shkojnë më në zyrat e Sigurimit, por në zyrat e tjera: gazeta, institucione europiane, ambasada, Bruksel etj. Shkrimtari I. Kadare është prapë një ndër shënjestrat kryesore. Dje në komunizëm akuzohej si antishqiptar, antisocialist, sot, si nacionalist (pra tepër shqiptar!), bile si racist, etj.Me rastin e shpërthimit të kabllogrameve, ishte e pritshme që të lexoje me shumicë për politikanët, por tërheq vëmendjen përfshirja në atë rrjet edhe e intelektualëve. Kështu kemi rastin e akuzës publike për shpifje dhe dizinformim bërë nga publicisti Fatos Lubonja ndaj drejtorit të gazetës «Tema». Akuzë që u pasua me një heshtje, për pasojë miratim prej Lubonjës. Deri këtu mbasi shoqëria shqiptare nuk e njeh kulturën e ndëshkimit moral e ligjor të shpifësit. Në këtë shkrim, në mënyrë konkrete, do të përqëndrohem te dizinformimet që ky publicist ka shpërndarë kundër shkrimtarit Ismail Kadare. Duke qenë se duam apo s’duam ky shkrimtar është një nga përfaqësuesit e letërsisë dhe kulturës shqiptare, shpifjet e rënda, si ato për racizëm, i kalojnë gjithë kulturës sonë.Kohët e fundit në mënyrën e saj ciklike për shkak të afrimit të Nobelit, na vjen e ripërsëritur shpifja që bën Fatos Lubonja ndaj shkrimtarit Kadare duke e cilësuar atë nacionalist. Bile jepet të kuptohet si kreu i nacionalizmit në kulturën shqiptare. Në krye të kësaj fushate me shkrime e opinione sidomos në internet Lubonja ka pranë edhe një “historian të ri” A. Puto, të ndihmuar këta edhe nga Armanda Kodra e Marjola Rukaj, mjaft aktive në shpërndarjen e dizinformacionit, ose më mirë të shpifjeve që në thelb kanë deklarimin se «Kadare është monument i urrejtjes raciste në kulturën shqiptare». Shpifjet, për të qenë sa më efikase, bëhen nga një anë në shtypin shqiptar, nga ana tjetër «pas krahëve», në shtypin zviceran, italian, serb, rumun etj. Në mënyrë gjoja objektive lajmi shpërndahet nga vetë Lubonja dhe A. Kodra, M. Rukaj, P. Kola e të tjerë, si një debat që vjen nga Shqipëria.Kultura europiane veçanërisht, është shumë e ndjeshme madje tepër kritike ndaj disa nocioneve që lidhen me eksperienca shumë të hidhura të historisë së saj në shekuj. T'u thuash europianëve se një shkrimtar i njohur është mbartës i ideve nacionaliste e raciste është njësoj si t'u risjellësh atyre para syve historitë e tmerrit me gjakderdhje.Kemi të drejtë të pyesim: nga i vjen ky tërbim A. Putos, këtij farë historiani kundër shkrimtarit të vendit të vet?Shpifja e F. Lubonjës për Kadarenë është po aq e neveritshme. Ai shkruan se Kadare është kaq racist sa që «ka krahasuar gjuhën shqipe me zonjë të rëndë, në krahasim me të cilën serbishtja ngjan si jevgë».I marrim leje lexuesit për të analizuar në mënyrë të hollësishme këtë shëmti, në mënyrë që të kemi të drejtën morale t’i themi Lubonjës: ju jeni një shpifës, që çdo vend europian do ta dënonte pa asnjë hezitim.Fraza e mësipërme, e nxjerr krejtësisht jashtë kontekstit, është shkëputur në mënyrë abuzive nga kreu i IX i librit të Kadaresë «Ftesë në studio». Në këtë kapitull flitet për librin e ish kryeministrit serb V. Gjeorgjeviçit, ku shkruhet haptas se «shqiptarët nuk meritojnë të jetojnë si komb dhe, si përfundim, Shqipëria duhet të zhduket nga faqja e dheut» («Ftesë në studio», faqe 268, botimi i parë shqip 1990)Më poshtë Kadare shkruan se përgjigjja shqiptare «ishte pa dyshim e tmerrshme, por Gjeorgjeviçi kishte fyer disa gjëra për të cilat shqiptarët s’të falnin kurrë: racën, virtytet dhe gjuhën e tyre». («Ftesë në studio» fq. 268).Kadare shpjegon më poshtë: «Një valë mallëngjimi e përshkoi mbarë kombin për të (gjuhën )… Ashtu siç pritej, gjuha e moçme shqipe u krahasua me një zonjë të rëndë, përbri së cilës, serbishtja s’qe veç një shërbëtore jevgë». («Ftesë në studio». Po aty). Dhe më poshtë: «Pasi u duk se i lanë përjetë llogaritë me serbishten, gazetarët e poetët iu kthyen prapë gjuhës shqipe, si ata që kërkojnë të qetësojnë zonjë e madhe të fyer keq. Asaj iu bënë lavde e lajkatime të reja, duke e quajtur më të bukurën, më të mençurën e më parajsoren mbi dhé. E krahasuan me zërin e bilbilit, me shushurimën e flatrave të engjëjve, me puhizën e buzëmbrëmjes etj., krahasime jo fort të besueshme për një gjuhë e aq më pak për shqipen e rreptë. Ndërsa u bashkuan në korin himnizues të gjuhës së tyre personalitetet e shquara shqiptare, me ndonjë përjashtim të rrallë, nuk morën pjesë në sulmet kundër gjuhës, kulturës dhe kombit serb».Siç shihet fare qartë, mburrjet për gjuhën shqipe dhe gjithë skenën e sherrit Kadare i ka trajtuar me një sens humori, bile me një farë ironie që tërheq vëmendjen për qëndrim realist, me gjykim shumë të matur në këtë rast. Në radhët e fundit të cituara duket prapë qartë se autori, sikurse personalitetet e shquara shqiptare, jane distancuar nga kjo grindje.«Ftesë në studio» e Kadaresë është një libër shumë i njohur. Përkthyer në disa gjuhë. Si është e mundur që Lubonja të jetë kaq i verbuar nga urrejtja sa që të bëjë një falsifikim të tillë.Si është e mundur që një gjuhëtar si A. Vehbiu të citojë Lubonjën, pa shënuar se ka një dizinformim, së paku në këtë akuzë për racizëm ndaj gjuhës serbe? Pasi A. Vehbiu nuk ka se si të mos e ketë lexuar librin «Ftesë në studio». Po ashtu s’ka si të mos e dijë, si gjuhëtar që është, se fjala «kinezëri», për të cilën u bë zhurmë disa javë më parë, si një fjalë raciste e Kadaresë, është përdorur në frëngjisht qysh në vitin 1839 ndërsa zuri vend si fjalë në fjalorët bazë enciklopedikë europianë në vitin 1883. Në një artukull me titull «Shqipëria imagjinare» para 2 ditësh A. Vehbiu bën një shpjegim kryekëput të gabuar me qëllim, lidhur me atë nëse otomanët turq pushtuan atë që quhej Arbni apo erdhën dhe sollën kulturën osmane e progresin. Devijon me një qëllim shumë të mbrapshtë argumentin në një naivitet fëmijësh. Na lind e drejta të pyesim: Me çfarë të kanë shpërblyer për të shkruajtur një marrëzi të tillë, për të përhapur një dizinformim të tillë paçavure!? Lidhur me akuzën e Lubonjës për nacionalizëm e racizëm te vepra e Kadaresë prisja të gjeja ndonjë aludim fillestar të kësaj akuze te vepra kritike e intelektualit Arshi Pipa. Po të ekzistonte realisht një gjë e tillë, këtë e prisja për shkak të nivelit intelektual më shumë se të zakonshëm të shkrimtarit Pipa, i cili do e kishte pikasur dhe evidentuar në shkrimet e tij kritike, gjë që nuk ka ndodhur. Me atë mendje të hapur që ka pasur intelektuali Pipa nuk do hezitonte që të mbante qëndrim dënues ndaj një argumenti të tillë, nuk do ia falte nëse vërtetë do ekzistonte në veprën e shkrimtarit Kadare.Përse vallë prodhon mendimi shqiptar dhe i ka për zemër shpifje të tilla që e ushqejnë shqiptarin e të huajin me etiketime të pavërteta ndaj figurës së shkrimtarit Kadare!? Shpifësit janë të inkurajuar në Shqipëri sepse është bërë zakon të mos dënohen. Nuk është herë e parë që F. Lubonja bën shpifje të rënda kundër Kadaresë në artikujt e tij, por sidomos «prapa krahëve», siç është akuzuar në forume ku i qëllon të marrë pjesë, në gazeta, ku dërgon informacionet e tij, si në rastin e gazetës polake «Ëyborcza» ose në blogjet ku debatohet për çmimet ndërkombëtare, si në rastin e çmimit britanik «Booker Prize» etj.Me rastin e dhënies së këtij çmimi Kadaresë, ishte vetëm një autor me banim në Amerikë, Stephen Suleyman Schvartz, i cili me këtë rast mbajti një qëndrim shumë të ashpër ndaj kryetarit të Jurisë së çmimit. Shkrimtari Schvartz me bindje të krahut të majtë ishte gazetar gjatë luftës në Kroaci, në Bosnjë Hercegovinë dhe së fundi vizitor i angazhuar për një kohë relativisht të gjatë në Kosovë. Sigurisht respektoj pa asnjë rezervë bindjet politike e fetare të kujtdo bazuar në një respekt të palëkundur për të vërtetën. Platforma neootomane turke sot e ka përcaktuar si më të lehtë depërtimin mes shqiptarëve nëpërmjet penetrimit së pari në Prishtinë. Në këto dy dekada jeta tregoi se depërtimi e familjarizimi proturk atje është më shpejt absorbues e reflektues prej shqiptarëve atje, i pasuar nga hapa të sigurtë edhe në Tiranë. Në këto zhvillime proturke është afërmendsh se bërthama e intelektualëve akademikë proturq në Prishtinë e ka mëkuar dhe injektuar mirë te autori Schvartz helmin e argumentave e të mendësisë antikadare. Schvartz i përkthyer në Shqipëri me librin «Dy fytyrat e islamit», në dekadën e fundit është shprehur me artikuj të veçantë për disa nga romanet e Kadaresë, gjithmonë duke i përfunduar artikujt e tij me faktin se shkrimtari Kadare ka qenë nënkryetar i Frontit Demokratik. Gjë që kur ua thua shqiptarëve me gjykim objektiv, u shkakton një ngërdheshje nënçmuese për atë që e shkruan mbasi dihet mirë sesa rol vendim marrës luante realisht një organizatë e tillë e barabartë me organizatën e Bashkimeve Profesionale.Kadare është shkrimtar i sulmuar nga drejtime të ndryshme: sigurimsit e djeshëm, fondamentalistët e të gjitha ngjyrave, e sidomos antieuropianistët. Kadare është shkrimtar me një frymë të theksuar euro-atlantike të dalluar qartë dhe kjo shpjegon shumë gjëra në Shqipëri.T’i biesh kambanës së alarmit sot për rrezikun e nacionalizmit shqiptar dhe të racizmit shqiptar, në kohën kur shqiptarët janë bërë objekt i një fushate raciste të pashembullt kudo, është me të vërtet një gjë që s’kapërdihet. Të ngrihesh gjoja në mbrojtje të gjuhës serbe, të cilës gjoja po i bije më qafë shkrimtari shqiptar Kadare, në kohën kur nga ndalimi i shkollave shqipe në Kosovë prej Millosheviçit nuk ka kaluar veçse pak kohë, është krejtësisht e pamoralshme. Ta quash Kadarenë monument të urrejtjes së racizmit shqiptar në kulturë, do të thotë të fyesh krejt kulturën shqiptare.Shpifësit e kësaj natyre, me të drejtë cilësohen si «spiunë». Këta më kujtojnë një artikull të Faik Konicës me titull: «Mendime të vogla» ku flet për muhaxhirët e letrave e të kulturës shqiptare që hedhin baltë mbi vendin tonë, që spiunojnë padrejtësisht shqiptarët, të gatshëm për të shitur vlerat e kombit shqiptar, që Shqipërinë e shesin për një pesëshe.«Interneti është një parajsë e vërtetë për të tillët, sidomos me mundësinë e përdorimit të pseudonimeve, që është edhe kulmi i mjeranisë së tyre.Aktualisht jemi duke përjetuar një eveniment me vlerë në jetën politike shqiptare, atë të kabllogrameve diplomatike. Nuk ka mbetur pa u përfshirë në të jeta kulturore gjithashtu. Ka debate dhe opinionet janë të ndryshme. Anojnë më shumë në vlerën e madhe që kanë në shërbim të së vërtetës. Të asaj të vërtete nga mungesa e së cilës po asfiksohet shoqëria shqiptare.Lindin disa pyetje. A janë të moralshme «raportimet» nëpër ambasada të njerëzve të politikës, të medias apo të kulturës? A mund të quhen spiunime pas krahëve? Përderisa paraqitet ndryshe e vërteta në këto raportime, pra gënjehet si në rastin e Lubonjës ndaj gazetarit Mero Baze, atëhere do e pranojmë këtë cen si tipar të konsoliduar të kulturës sonë?Nisur nga fakti që shoqëria shqiptare sot është krejtësisht e hapur dhe e lidhur në aleanca të ndryshme me vendet e tjera atëhere ka edhe detyrime reciprociteti dhe ndërkomunikimi njerëzor krejt të lirë, e kundërta e situatës në diktaturë.Mendoj se çështja ka dy anë.Nga njëra anë bisedat me të huajt, sidomos me përfaqësuesit e Europës, e aq më tepër me ata që konsiderohen aleatët tanë, janë një sjellje normale dhe e detyrueshme brenda kornizave të respektit reciprok, shkëmbimet e mendimeve periodikisht qoftë edhe për tema me subjekte delikate, s’kanë asgjë të keqe. Përkundrazi. Ato mund të jenë vazhdimi më i lirë, më i hapur i mendimeve që dalin në shtyp dhe prape s'kanë asgjë të keqe. Ato ndodhin kudo në botë dhe kanë ndodhur gjithmonë.Ato ndihmojnë në mirëkuptimin e shqiptarëve me atë botë që e quajmë aleate.Ana tjetër e saj është çështja kur abuzohet me të, mund të kthehen këto përcjellje mendimesh në të pamoralshme. Abuzim është atëhere kur shpif me paramendim për të devijuar kuptimin e të vërtetës së një çështjeje, kur për arsye të dobëta personale nuk merresh me argumentin por me parashtrime që s’kanë asnjë lidhje me interesat e vendit, të shoqërisë, të kombit, etj.Kabllogramet treguan se në Shqipëri abuzimi me të vërtetën në këto komunikime është i shpeshtë dhe i përditshëm për fat të keq.Kur lexuesit u njohën me librin «Mosmarrëveshja» të Kadaresë, sigurisht që pritej një debat i madh mes intelektualëve dhe opinionistëve shqiptarë për shkak të temës që trajtonte, raportet e Shqipërisë me vetveten.Çuditërisht asnjë emision i veçantë televiziv as në emisionin Opinion të TV Klan, emision që është kthyer si «Klubi i Selanikut» ku gumëzhijnë gjithfarë lloj opinionistësh e analistësh, bile intelektualë që nuk lenë tema pa diskutuar si specialistë për gjithçka, ndërsa «Mosmarrëveshjen e shqiptarëve me veten» atë më thelbësoren, atë më jetiken, që ka të bëjë me probleme ekzistenciale të mbijetesës, të moralit e të demokracisë, absolutisht jo. Heshtje absolute. Heshtje edhe nga Lubonja e të tjerë që janë nënkuptuar qartë në libër për qëndrimet e tyre kundër interesit të zhvillimeve pozitive shqiptare. Ndërsa duhej të kishim disa emisione opinion me këtë temë sepse kjo është temë që shërben e emancipon mendimin shoqëror, politik e kulturor shqiptar, e kundërta ndodhi. Si për ironi të fatit edhe një herë heshtje bllokuese ndaj librit «Mosmarrëveshja» sepse e ka shkruar shkrimtari Kadare, i cili me këtë libër na vë në telash sepse duhet të luftojmë me veten, na duhet të tregojmë e të pastrojmë mentalitetet e qëndrimet antishqiptare ashtu si hiqen e pastrohen të brendshmet e ndotura për të mos u qelbur, duhet të ngrihemi mbi veten në shërbim të një shoqërie e një jete më të mirë. Vallë janë të pazotë që t’a bëjnë një debat të tillë në nivel intelektual e diplomatik për platformën që parashtron!? Është e kundërta, heshtin të shiturit letrarë e akademikë, diplomatë e politikanë, sipas një skeme të urdhëruar për të mos trazuar ndërgjegjen shqiptare që u leverdis të jetë e fjetur, e mjegullt, në letargji, mbasi kështu shpërbëhen më lehtë!E njëjta gjë me librin tjetër «Mbi krimin në Ballkan» në të cilin Kadare trajton problemet madhore të kombit shqiptar sot në shek.XXI.Edhe në këtë rast grupi Lubonja nuk ka merak për të vërtetën e krimeve në Ballkan: vrasjet, shpërnguljet, doktrinat për çfarosjen e shqiptarëve, përdhunimet e mijëra grave dhe vajzave shqiptare në Kosovë. Në libër Kadare nuk flet për revansh, por që e vërteta të sqarohet. Na duhet të dihet nga ne dhe bota e vërteta sepse nga ajo varet e ardhmja e shqiptarëve në Ballkan.Kadare flet në libër për mospendimin e Serbisë. Për përkëdheljet që i bëhen asaj. Për përpjekjet që bën Serbia për transferimin e krimit te shqiptarët.Lubonja dhe grupi i tij shfaq pak a shumë të njëjtin merak, por në drejtim të kundërt. Grupi i tij, duke e quajtur Kadarenë monument të urrejtjes raciste shqiptare, bën thirrje që askush të mos besojë në ato që shkruan ai.Ata bëhen merak se mos gjuha serbe është fyer! Dhe shpikin kështu përrallën e «shqipes-zonjë dhe serbishtes-jevgë». Dhe e shpërndajnë këtë shpifje ngado.Kadare ka shkruar për përpjekjet e tyre për të deformuar të vërtetën historike të shqiptarëve.Sipas këtyre të vetëshpallur çmitizues, rendi komunist shqiptar u ngrit mbi bazën e mësimeve të Rilindjes kombëtare shqiptare.Kadare shkruan se, sipas një teze të tillë, krimet e komunizmit i kalojnë Rilindjes dhe drita e saj i kalon rendit komunist.Sipas Kadaresë ky është lajkatimi më i madh që i është bërë ndonjëherë komunizmit shqiptar, dhe balta më e madhe që është hedhur mbi kulturën shqiptare, mbi aspiratat e Rilindasve.Është hera e para që në këto 100 vjet është shpifur kështu kundër Rilindasve, Skënderbeut, gjuhës shqipe.Ky qëndrim i Kadaresë shpallet prej tyre si nacionalizëm, qëndrim shqiptaro-centrist, etj. Me këtë qëndrim Kadare është bezdisës për të gjitha drejtimet dhe forcat antishqiptare. Është shqetësues për krimet e mbuluara, që presin të zbulohen. Për politikanët pa atdhe si në Shqipëri si në Kosovë. Për fondamentalistët e të gjitha ngjyrave.

 

Vijon...

 



(Vota: 8 . Mesatare: 3.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora