Mendime
Kimete Berisha: Albanian Godfathers!
E hene, 03.10.2011, 08:01 PM
Albanian Godfathers!
Nga Kimete BERISHA
Më vijë të traditës së saj, me 17 Janar 2011, në gazetën franceze Le Monde u botua një shkrim për “Fytyrën tjetër të Kosovës”, dhe këtu bëhet fjalë për fytyrën Xhavit Halitit. A thua është Kosova fytyra tjetër e Xhavit Halitit? Gazetari Aleksandër Jevi nga Bullgaria, botoi dy tri faqe dokumente fragmetare, që ai pohoi se i ka siguruar nga KFOR-i, NATO dhe USA. Në rubrikat “e dosjes” që ka “siguruar” Jevi dhe ku cilësohet identiteti i Xhavit Halitit: ngjyra e syve, religjioni, nacionaliteti, gjatësia, pesha, familja, shkruhet UNKNOWN, që do të thotë se Xhavit Haliti ia ka dal që të fsheh ngjyrën e syve, të flokëve, gjatësinë, nacionalitetin, peshën dhe Zotin e tij para shërbimeve të inteligjencës së NATO-s. Në këto shërbime, në faqen e parë të “dosjes”, në rubrikën familja, shkruan UNKNOWN, pra Xhavit Haliti edhe në këtë pikë ia ka dal që të mbajë fshehtë familjen e tij nga shërbimet intelegjente të NATO-s, të cilët siç shkruhet në dokumentin faqe 2 kanë arritur vetëm të kuptojnë që “familja e tij inkognito” jetojnë diku në Zvicër. Shërbimet sekrete të NATO-s, e dinë që Xhavit Haliti di të flas shqip, e dinë se ky Xhaviti pi kafe në Dubrovnik, në Grand etj, se është psikolog pa diplomë. Këto shërbime, kanë konstatuar se Xhavit Haliti është njeri tepër inteligjent, ka aftësi të jashtëzakonshme organizative. Edhe pse akuzohet medialisht dhe botërisht, Xhavit Haliti vazhdon dhe e bën Ligjin në Kosovë! I gjithë raporti i Jevit, nis me fjalën: Haliti merret me prostitucion, Haliti merret me trafikim të armëve dhe drogës, Haliti është bashkëpunëtor i UDB-së, Haliti është multi-milioner. NATO është plotësisht e sigurtë se Xhavit Haliti ka qenë marksist i rryer, që e ka nda qelinë e burgut me Adem Demaqin dhe se (mjerisht) është anëtarë i PDK-së.
Po, a i besohet Le Monde-s?
Kur e kujtojmë p.sh. rastin e shkrimeve të Le Monde-s ku “zbulohet” se FK Barcelona, kish lidhur kontratë me një doktor, eksperti për doppingun, dhe se gazetari i Le Mondes-s e kishte parë me sytë e tij kontratën e doktorit të lidhur me Barcelonën, që ky t’i drogonte futbollistët e Barcelonës në mënyrë aq profesionale sa që të mos e hetojë askush këtë gjë. Për këtë rrenë të Le Monde-s, Barcelona e akuzoi gazetën, fitoi gjyqin më 2008, dhe u vertetua se gazeta nuk posedon asnjë dokument të cilin e kishte parë me sytë e tij gazetari i Le Monde-s. Le Monde u detyrua që t’i paguaj Barcelonës 450.000 dollarë dëmshpërblim, më shumë se sa që kish marrë ryshfet gazeta nga rivalet e Barcelonës. Plus dëmshpërblimit prej 450.000 dollarësh, gjyqi e obligoi Le Monde ta botonte dënimin (aktvendimin e gjykatës) edhe në gazetë edhe në botimin e saj online. Por, futbolli është lojë.
E, Ali Uka ka qenë gazetar i guximshëm, i ri dhe i varfër. Ende nuk vuajnë dënimin vrasësit e tij. Në raport-in e Jevit, gjithnjë i bazuar në “dosjen” e NATO-s shkruan se Xhavit Haliti ka pas dorë në vrasjen e tmerrshme të gazetarit Ali Uka. Ali Uka u vra në mënyrë mizore, e masakruan pamëshirshëm me copa të thyera të shishes e prenë dhe e torturuan derisa ja nxorën shpirtin. Le Monde thotë që Ali Ukën e ka vra Xhavit Haliti. Përpiluesit e raportit, KFOR-i dhe NATO i këqyrin punë e veta, e ambasadorët nuk përzihen në punët e ushtrisë!
Xhavit Haliti, i lindur në Ditën e Grave (më 8 Mars) është peshk (por, në horoskop), duket se në këtë fakt është bazuar Le Monde kur e ka quajtur “peshk i madh”. Por asnjë peshk mashkull i Neptunit (i vetëm) kurrë asnjëherë nuk ka ditë të japë asnjë gol! Kësaj here e lus unë personalisht Xhavitin që ky t’ia jep një gol Le Monde-s, jo për vete, se ai është multimiloner, por për Kosovën e inkriminuar nga Le Monde. Ne optimistët besonim qind për qind që Xhavit Haliti do ta padisë Le Monden sikurse Barcelona që e kishte paditur! Sepse, si optimist që jemi, plus të varfër dhe të ri, kujtonim se “njeriun e ndershëm nuk e merr gjumi natën, mbas asaj akuze kaq monstruoze”! Kur u tipizua karakteri i Xhavit Halitit nga KFOR-i, nga NATO, dhe nga USA, ekspertët e fushës së kriminalistikës u bazuan edhe në Natal Chart (Kartën e Jetës) të Halitit. Planeti misterioz që udhëheq jetën mistike të Xhavit Halitit, original, në anglishte ashtu siç është përpiluar thotë: Neptune is in 00 Degrees Scorpio.
He is extremely interested in anything deep and mysterious. He will explore and idealize the benefits that can accrue from the study of the occult, healing and psychology. He is willing to experiment with substances like drugs in order to push his understanding of his inner being to the extreme.
Ky pasus nuk është futur në raportin final të “dosjes”, shkaku se detektivët e KFOR-it nuk kanë gjetur asnjë fakt që dëshmon se Xhaviti merret edhe me okultizëm (occult në shqip do të thotë “zbulimi i fshehtësive”, zbulimi i botës secrete”. Sepse, njeriu që është i zënë me fshetësitë e tij të vërteta, si Xhavit Haliti, nuk ka kohë, as forcë (sado intelegjent që është) që të zbuloj të fshehtat e kësaj bote të rremë.
Doktrina e “Duarve të pastra” dhe shik-ambasadorët
“Duar të pastra” është normë ligjore klasike. Sipas kodit klasik “duar të papastra” kanë vetëm ata individë që janë dënuar më parë për ndonjë vepër kriminale. “Duart e pastra”, është doktrinë juridike, bën fjalë për njerëzit që janë dënuar me burg për dëshmi të rreme, spiunazh, mashtrime, vrasje, vjedhje, kindapime, shantazhe, etj. Pra “duart e pastra” i ka secili qytetar, derisa gjyqi nuk e dënon për ndonjë vepër penale.
Doktrina e “duarve të pastra” nuk bazohet në kodin e Napoleonit “Je fajtor përderisa nuk dëshmohet pafajësia”. Sipas këtij kodi të gjithë qytetarët pa përjashtim duhet të shkojnë në gjykatë dhe të kërkojnë që t’u dëshmohet pafajësia, sepse derisa nuk dëshmohet pafajësia, të gjithë janë fajtorë. Kodin e Napoleonit e marrin për model vetëm ata diplomatë të huaj në Kosovë, të cilët e kanë studiuar Artin ose Teologjinë, por jo Jurispodencën dhe Drejtësinë ndërkombëtare. Në SHBA, “je i pafajshëm derisa të dëshmohet fajësia jote” në gjyq, dhe jo, sipas Napoleonit dhe ambasadorit, je i fajshëm derisa të dëshmohet pafajësia jote në media. Sivjet ky Kod vlen vetëm për deputetin Fatmir Limajn, por ky Kod nuk e kap dot Xhavit Halitin për shembull, së paku jo sivjet.
Avokatët e Kosovës le të dalin nga Oda e tyre dhe të marrin pak ajër të pastër në këtë atmosferë bonapartiane të “duarve të pastra”. Le të tregojnë avokatët se në Kosovë, lëre që ka konflikt interesi midis shërbimeve sekrete të shteteve ndërkombëtare, lëre që ka Konflikte të Ligjeve ndërkombëtare, le që, sipas nevojës, implementohen ligje të lloj-llojta deri tek ai i Napoleonit, dhe le të dëshmojnë se ligji i ndonjë shteti të OKB-së në Kosovë, bie në konflikt me Ligjin e shtetit tjetër të BE-së, përsëri veç në Kosovë. (Napoleoni i pari e ka promovuar Bashkimin Evropian, e ka bashkuar Evropën duke e okupuar), le që ligji i tij nuk paska fuqi t’i nxjerr jashtë skene politike “peshqit e mëdhenj” sipas kriterit të Le Monde-s, The Guardian-it, shik ambasadorëve dhe policëve sekret ndërkombëtar!
Deputetin që “me zor” po e shndërrojnë në disident, Fatmir Limajn po e gjykojnë në bazë të Kodit të Napoleonit. Kodin e Napoleonit (1801, i përhapur në kolonitë franceze) unë nuk e dalloj nga Kodi i Sheriatit: mjaftojnë 4 dëshmitarë, e jo qindra dëshmitarë serbë në faqen e internetit të tyre, të thonë se e kanë parë një grua në një shtrat me një burrë duke bërë seks, dhe nuk nevojiten fakte të tjera për ta mbytur me gurë e me dru atë grua. Napoleoni ia lejonte gruas franceze që ta mbaj në burg shtëpiak fëmijën e saj (për ta dënuar sipas kodit të tij), deri në një muaj, e më gjatë.
Pra mjafton të shkruaj Le Monde, dhe të ngritën në këmbë ambasadorët në Kosovë, dhe t’i gjuajnë me guar (jo të gjitha “duart e papastra”), por vetëm disa “duar të papastra”, si shembull Fatmir Limajn, të cilin po kërkojnë me histeri ta eleminojnë, sipas porosisë..!. Me “je fajtor përderisa të dëshmohet pafajësia, në moshën e saj 19 vjeçare, e dogjën për së gjalli luftëtaren franceze Jan D’ark, dhe pesë shekuj më vonë u zbulua pafajësia e saj, dhe Jan D’ark u shpall e shenjt nga Papa Benedikt XV. Kjo “papa XV” po ma metaforizon “shekullin XV”, ligjet e të cilit shekull sot implementohën në Kosovë.
Nuk është puna e Le Monde-s, as e The Guardian-it, as e ambasadorëve që sot jetojnë në haremin “oriental” në Kosovë. Jo vetëm brenda kësaj fushate antishqiptare të sotme, por ka 100 vjet që populli shqiptar ka qenë nën hetime, në burgjet serbe, në Golgotat e njëpasnjëshme të egzodeve, çfarsosjeve dhe djegjeve mesjetare. Veç bashkëpunëtorët shqiptarë të armikut kanë qenë të lirë, si sot që janë të lirë vetëm “peshqit e mëdhenj”!.
Ambasadori francez Zhan Fransua Fitu (27 Janar 2011) kërkoi një qeveri me “duar të pastra” në Kosovë! Vetëm Fitu nuk i ka “duart e pastra” pasiqë sipas Napoleonit të tij, edhe ai është fajtor derisa të dëshmohet pafajësia e tij. Kur kërkuan “duar të pastra” aluduan në duart “e përgjakura” dhe “kriminele” të atyre që luftuan për çlirimin e Kosovës nga Serbia, si për shembull, aluduan në Fatmir Limajn. Ambasadori simpatik francez e di se çdo njeri që është i lirë, i ka duart e pastra, derisa Ligji dhe Gjyqi të mos e vërtetojë të kundërtën. Ai, Fitu-ja ka të drejtë, se ne jemi të dënuar nga gjyqi i Këshillit të Evropës, ne jemi në burg, krejt Kosova është në burg shtëpiak,përveç “peshqëve të mëdhenj”, ata janë gardianët e burgut Kosovë. Por, kryesore, u arrit suksesi, ia dolën që me Kodin 220 vjeçar të Napoleonit, ta fusin në burg shtëpiak Fatmir Limajn.
Thjesht, puna është kështu: Xhavit Haliti është “i pafajshëm përderisa të dëshmohet fajësia e tij”, apo si thonë ambasadorët, Fatmir Limaj është “fajtor derisa të dëshmohet pafajësia e tij”. Varet si u konvenon!
“Peshqit e mëdhenj” janë biblik, janë “Walking fish”, ata ecin, shkojnë larg, aq larg sa kur të gjithë presin që ata të dalin nga skena politike, ata futen edhe më thellë në skenën politike, duke nxjerr nga skena politike ata luftëtarë të lirisë që i janë nënshtruar Gjyqeve mediale së pari, atyre partiake, dhe gjyqeve politike. Duhet guxim prej Heroi që të përballesh me “walking fish”, por shpresoj që Drejtësia “jonë” një ditë do të trimërohet, do të jetë aq e guximshme që të ballafaqohet me “peshqit e mëdhenj”.
Jo veç gazetat franceze, dhe Napoleoni francez, por Kultin e UÇK sot po e rrënon edhe Gjykata Kushtetuese e Kosovës. Tani Kosova është duke e krijuar një Kult tjetër, Kultin e Gjykatës Kushtetuese, duke fetishizuar këtë Gjykatë në mënyrën më iraniane të mundshme, ku interpretimi i vendimeve të kësaj Gjykate (Gjykatë e kryesuar nga ish-politikanë) konsiderohet si sharje e Zotit, atij i qofshim Falë!
Ambasadorët e dinë se këtu dënohesh nga gjyqi dhe media kur vjedh një palë syze që shërbejnë për të parë nga afër dhe të mos dënohesh kur ua nxjerr sytë atyre gazetarëve që provuan të shohin më larg!
Nuk mund të jetë i lirë dhe demokratik ai vend seancën e Kuvendit të së silës e udhëheq intelegjenti Xhavit Haliti! Nuk ma ka thënë personalisht, por me intuitë e di, që së paku për trashëgimtarin e Napoleonit, ambasadorin Fitu, Xhavit Haliti vazhdon të merret me prostitucion përderisa të vërtetohet e kundërta!
Sepse, nuk mjafton që Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës Xhavit Haliti të jetë i pafajshëm, Ai nuk duhet të jetë as edhe i dyshimtë!