Mendime
Ali Sh. Berisha: Shantazh ndaj shqipes standarde
E marte, 11.10.2011, 06:00 PM
Shantazh ndaj shqipes standarde
Nga Ali Sh. Berisha
Ka kohë që ndrydhi vetën të mos reagoj, por ja tashmë më erdhi në majë të hundës shantazhi që i bëhet gjuhës standarde të shqipes nda disa trumykur, ndikimi i të cilëve është jo i vogël në masë, sidomos në atë shkollore, nisur thjesht nga përtesa për ta përvetësuar e përdorur një tavan gjuhësor nga të gjithë shqiptarët e për t’iu ikur përkthyesve nga shqipja në shqip.
Ky shantazh ka për pasojë prerjen e trungut shqiptarë, ndarjen e trungut shqiptarë sipas shtrirjes gjeografike. Eh, siç thoshte babai im „A i gjimohet kësaj!?“ Fqinjët që rrethojnë gjeografinë shqiptare me shekuj u përpoqën të fusin thikën këtu dhe të krijojnë nga një trup dy trupa, nga një shtet dy shtete, sepse përmes këtij copëtimi edhe ndërhyrja për ta ngrënë pjesë-pjesë do të ishte më e lehtë.
Derisa në anë të shteteve të ndryshme veprojnë dialekte e nëndialekte të ndryshme, megjithatë në nivel shteti përdoret një gjuhë, ajo standard dhe përmes kësaj gjuhe komunikohet kudo pa pasur nevojë për përkthyes (si në Gjermani, Austri, Francë etj.), pa pasur nevojë të futet një i tretë për të qartësuar bisedën në zhvillim. Kjo gjuhë standarde përdoret në shkolla, në administratë e gjetiu dhe askujt nuk i shkoi në mendje të krijohen kufi, të përdoren skallperë, të përdoren kute se njëra apo tjetra është më me vlerë, më e përdorur në rreth të gjerë etj. Ndërsa për fat të keq, periudha pas përmbysjes së një sistemi komunist u reflektua te disa individ edhe në këtë fushë, në emër të lirisë të të shprehurit duan të vrasin gjuhën standarde, atë gjuhë që mendje të ndritura të gjeneratave u përpoqën ta bëjnë, ta njëzojnë e përmes sajë të kihet një gjeografi gjuhësore edhe pse me kufinjë dhunshëm të vizatuar në tërësinë e gjeografisë së historisë së popullit shqiptarë.
Këta shantazhistë shantazhimin e tyre e nisin në dy fakte: 1. Se më 1972 në hapjen e punimeve dhe mbylljen e punimeve rreth unisimit të gjuhës shqipe paska qenë i pranishëm Enver Hoxha, cilësuar si diktator dhe që i përket dialektit toskë dhe 2. Se unisuesit e gjuhës shqipe e paskan dëmtuar dialektin gegë, meqë sipas tyre qenka marrë për bazë toskërishtja. Të të vijë për të qeshur e njëkohësisht për të qarë, apo jo!? Në vitin 1968, poeti por edhe profesori i letërsisë për fëmijë, Rexhep Hoxha, ne studentëve në SHLP, dega e Albanistikës, në Prishtinë, na thoshte: „Jam plakë dhe një shprehje thënë gabimisht mund të më përqeshin, ndërsa ju keni obligim gjuhësor, kombëtar, kulturor ta flisni gjuhën standarde në rrugë, në shkollë, në familje, në shoqëri, kudo. Mund të gaboni edhe ju, por mund ta kaloni më lehtë. Jam i vetëdijshëm se gjuhën nuk mund ta flisni përnjëherë drejt dhe pa gabime, por me kalimin e kohës do të mësoni vetë dhe do t’i mësoni edhe të tjerët që të shprehen drejtë dhe pa gabime.“ Dhe vërtetë, gjuha standarde aplikohej kudo, sidomos në shkolla dhe mediume, në RTP, „Rilindje“, „Zëri i Rinisë“, „Shkëndija“, „Pionieri“, „Fjala“ etj. Gjithandej, duke e ditur se gjuha e afrimit të shpirtit s’do të kapej përnjëherë pa gabime, u punësuan lektorët, të cilët fjalorët drejtshkrimorë i mbanin hapur duke i konsultuar vazhdimisht. Shkrimtarët, në punimet e tyre artistike, sa i perket tipizimit, perdornin të folmen dialektore e nëndialektore e personazhit, dhe kjo funksiononte për mrekulli.
Në një përhajërim miqësie në Livadhi të Strugës vazhdimisht u desh të jem një kujdestar përkthyes në mes miqve, pra pritësve dhe nesh që kishim shkuar nga Prishtina. Ishte e tmerrshme. Vëllezër nga gjaku, gjuha, zakonet kishin nevojë për përkthyes!?
Tashti në mediumet televizive, në ato të shkruarat, në librat që vërshojnë, lektorët nuk kanë vend, sepse autoritetet programore e administrative nuk e shohin të arsyeshme që më parë të zbatohen normat e gjuhës standard, por thjesht fusin në veprim të folmet e kafeneve, të rrugëve, të nëndialekteve e dialekteve, duke e përçudnuar gjuhën, të shenjtën tonë që bashkon në komunikim, por që paraqet edhe një trup para botës se s’jemi dy kombe, siç trumbetonin e përçanin fillimisht fqinjët, të cilët ushqenin botën se ka: shqiptarë e shiftar, se ka „albanci“ dhe shqiptarë, se ka arnautë, se… Ndërsa trumykurit kanë një version veprimi për të lënë emër me dituritë e tyre sakatonjëse: Duhet shkatërruar gjithëçka të ndërtuar deri dje që të niset nga fillimi. I kujtohet z. Migjen Kelmendit dhe z. Fadil Krajës se shqiptarët pas përmbysjes së një sistemi monist, filluan të presin drunjët me arsyetim se i paska mbjellur Enveri, se duhen shkatërruar e vjedhur fabrikat se i paska ndërtuar Enveri, se po u dashka të rrënohet gjuha standarde e me këtë të copëtohet gjuhësisht gjeografia shqiptare me pretekst se paska marrur pjesë Enveri. Më duhet të ndalem këtu dhe të pyes: Kush qenka ky farë Migjen Kelmendi, i cili nuk e njeh as babain e vet sa i përket gjuhës dhe krijimtarisë letrare të tij? Kush qenka ai z. Fadil Kraja, i cili punoi dhe ngriti me punëtorë të tjerë gjuhësor bukurinë kombëtare dhe tani ia kthen shpinën dhe i hedh të zeza e të zeza, kush janë ata bashkëmendimtarë të tyre që duhet të rrënojnë e copëtojnë ëndërrën shekullore të bërë realitet. Le të shohin pak tutje, zot! Këta zotërinjë që qirren e përmjerrin në trashëgimi, a nuk kanë punë tjetër vallë, apo mos hanë në grazhdin që djalli ua ka mbushur!?
Gjuha është e gjallë dhe si e tillë duhet të ushqehet me fjalët që konsiderohen arkaike, duhet të ushqehet me fjalët dhe format e saj nga të dy dialektet e pse jo edhe nga nëndialektet e këtyre dy dialekteve, por edhe me krijimet e fjalëve të reja, andaj edhe vetë mendja e gjuhës standarde nuk e ka parë atë të ngurtësuar.
Mendoj se Migjen Kelmendi e bashkëmendimtarët e tij kanë punë më me mend se këtë, pra duhet të kërkojnë që gjuha jonë të pastrohet nga fjalët e huaja, të kërkojnë me ngulmë nga institucionet administrative që emrat e dyqaneve, rrugëve etj. të shkruhen drejt gjuhësisht si dhe të mirren masa ndaj atyre të papërgjegjshmëve që sakatojnë gjuhën në radiotelevizione, në gazeta e revista, në emërtimin e dyqaneve, punëtorive, rrugëve, institucvioneve etj.