E marte, 30.04.2024, 10:58 AM (GMT+1)

Mendime

Blerina Rogova Gaxha: Adios Nobel

E shtune, 08.10.2011, 05:37 PM


Adios Nobel

 

Nga Blerina Rogova Gaxha

 

Emrat e mëdhenj të letërsisë shqipe, apo edhe ata që mund të përmenden si me gjysmë zëri, ka kohë që nuk kanë arritur që me veprat e veta t’i kapërcejnë vlerat kombëtare. Ose është pleqëria e tyre, e cila po bëhet më e thellë, ose janë kriteret dhe shijet e tjera në fushën e letërsisë.

 

Ndryshe nuk shpjegohet se si disa nga emrat që nuk janë njohur si njerëz të letrave, siç janë Ben Blushi, Spartak Ngjela, apo edhe ndonjë tjetër, që para së gjithash kanë bërë emër ose si gazetarë ose si politikanë, të shndërrohen në emrat më të preferuar të lexuesit të sotëm në Tiranë, në Shkup apo në Prishtinë.

 

Sot e dimë se sistemet e partisë kanë bërë që letërsia e krijuar ndër shqiptarët dikur të ketë pasur vlerë më të madhe sesa që e ka pasur fuqinë, apo të krijonte emrat e mëdhenj të poezisë e të prozës siç i kemi njohur dikur. Por pavarësisht prej kësaj, ka vite që shqiptarët me nivelin e letërsisë nuk po arrijnë t'i kapërcejnë kufijtë kombëtarë.

 

Kjo çështje bëhet më e ndjeshme dhe më e prekshme sa herë që ndahet çmimi më i madh për letërsi, Nobel. Në fakt sa herë vjen vjeshta dhe çmimi Nobel për letërsi, njerëzit e letrave dhe ata që kanë njëfarë lidhjeje me to, çohen peshë dhe sikur bijnë copë për atë se kush e meriton ose jo këtë çmim. Ose nëse kandidatët e nominuar janë ata që do të duhej të ishin.

 

Çmimi i sivjetmë, i 104-ti me radhë, ndër pesë favoritët që mund ta fitonin atë kishte vendosur edhe njërin prej legjendave të rokut dhe të shpallurin si tekstshkruesin më të mirë të të gjitha kohëve, Bob Dylan. Këtë vit, pas disa nominimeve të mëhershme, ai nominohej si fitues i mundshëm i Nobelit për letërsi, në mos asgjë tjetër, bile për të shkaktuar bujë dhe debate nga kritikët e letërsisë, të muzikës apo kritikët e artit në përgjithësi.

 

Gjithçka është sjell rreth asaj se nëse ai duhet ose jo të konsiderohet kandidat për çmimin, deri te diskutimet që e kanë vënë në pikëpyetje krijuesin, nëse ai është fare poet apo vetëm një tekstshkrues, ani se më i miri. Përderisa vetë Dylan ka thënë "Jam poet dhe këtë e di", ka shumë të tjerë që besojnë dhe e dinë se kështu është, megjithatë ka të tjerë që mendojnë ndryshe.

 

Ndoshta e gjithë historia për kandidatët e sivjetmë të çmimit Nobel, ku ndër pretendentët kryesorë konsiderohej një "super rock star" ka një lidhje dhe me tipin e letërsisë që krijohet sot edhe në hapësirat shqiptare. Ka një lidhje me profilin e njerëzve që e shkruajnë atë, ku papritmas librat e shkruar nga gazetarë e politikanë bëhen "bestseller".

 

Njëri prej emrave të mëdhenj të letërsisë shqipe, si Ismail Kadare, fitues i shumë çmimeve prestigjioze ndërkombëtare, vite më parë kishte qenë më afër se kurrë çmimit të madh. Por ka disa vjet që sikur gjasat që ai të jetë edhe një herë kandidat për këtë çmim, kanë vdekur. Dhe kjo nuk do të dukej aq tragjike po të mos kishin vdekur edhe shpresat për Nobelin në letërsinë shqipe.

 

A është Ismail Kadare shkrimtari i fundit i gjallë që ka mundur ta sjellë Nobelin për letërsinë shqipe? Apo "djegia" e kandidaturës së tij nënkupton humbjen e një shansi që mund të vijë një herë në 50 ose 100 vjet.

 

Me gjasë edhe e para edhe e dyta janë të sakta. Apo ndoshta shqiptarët duhet të presin edhe një shekull që roku "made in Kosova" të ketë një Bob Dylan, i cili mund ta kthejë shkëlqimin e letërsisë në shqipe, aq shumë, sa që ajo t'i ofrohet edhe çmimit Nobel.

 

Dhe derisa të mos vijë kjo kohë e largët, emrat e letërsisë që tashmë po plaken, siç janë Kadare e Agolli, mund t'i shohim edhe ne reklama televizive, të na thonë se çka mund të mësojë njeriu në jetë, por jo të kenë as edhe një shpresë se mund të shkruajnë diçka që e vjedh Nobel-in.

 

Disa emra të rinj që janë, gazetarë e politikanë, ministra e hajvanë, do të vazhdojnë të shkruajnë "bestseller"-ët e letërsisë shqipe. Fundja shkruajnë këta që janë dhe të tjerë nuk kemi. Të mëdhenjtë nuk janë të përjetshëm dhe ata sikur po pakësohen përditë. Nobelit mund t'i themi "mirupafshim" pas 100 vjetësh.



(Vota: 4 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora