Mendime
Flaka Surroi: As vullnetmirë, as të sinqertë
E merkure, 12.10.2011, 07:03 PM
As vullnetmirë, as të sinqertë
Nga Flaka Surroi
Java nisi me një vrasje të pabesueshme në ndërtesën e Komunës së Prishtinës. Drejtori për Arsim i komunës u ekzekutua me gjakftohtësi dhe me hiç më pak se shtatë plumba nga një kandidat që dështoi të bëhej drejtor i një shkolle në katund. Pa hyrë fare në analizën e motiveve dhe mënyrës së kryerjes së veprës penale, dy janë konstatimet, që ma merr mendja, i ndaj me shumëkënd: sa e lirë (apo pak e çmueshme) është jeta e njeriut në Kosovë, dhe sa pak njerëz i besojnë sistemit tonë të drejtësisë. Besoj se njëra nga arsyet kryesore se përse është kështu, quhet “mosndëshkim”.
Java mbaroi me rrahjen brutale të ish-kryetarit të Gjykatës së Qarkut në Prishtinë, përderisa disa orë para kësaj kishte ndodhur bastisja e pazhurmshme e Ministrisë së Brendshme të Kosovës dhe rrotullimi edhe i një kamioni me mallra serbe nga aktivistët e “Vetëvendosjes”. Për të mos e përmend veriun dhe barrikadat. Ndërsa Prishtina kryesisht përjetonte episode të dhunës dhe të ndjekjes së krimit si nëpër filma, Kosova ishte dëshmitare e një sërë deklaratash politike, që vetëm sa i kontribuuan edhe pak më shumë kaosit në mendjet tona, edhe ashtu të bëra lëmsh. Të shkojmë edhe këtu me njëfarë rendi të çrregulluar.
Blerim Shala, nënkryetar i AAK-së, doli për t’u thënë një “po” të madhe negociatave politike me Serbinë dhe madje duke propozuar njëfarë administrimi ndërkombëtar për veriun. Pas tij, doli kryeministri, në stilin e vet të “rrot’llave”- “okej, e thashë, por s’e thashë”, për të na thënë se do të ketë bisedime politike me Beogradin, nëse ashtu i thonë Uashingtoni dhe Brukseli... për t’u pasuar nga kryetarja Jahjaga, e cila nëpërmjet zëdhënësit e përkrahu idenë. Mirëpo, dy ditë më vonë, doli kryeparlamentari, për t’ua rikujtuar të gjithëve se nuk mund të bisedohej jashtë asaj që e kishte miratuar Kuvendi dhe se bisedimet politike me Serbinë tashmë kishin përfunduar më 2007.
Por Kosova nuk do të ishte kjo që është tash, po të mos i kishte liderët çfarë i ka. Si kundërreagim ndaj kundërreagimit të Krasniqit, kryeministri doli sërish, kësaj radhe pasi u bë pjesë e fotografisë qesharake të javës (“Katër shiritxhi e ‘presin’ bujqësinë” – thuajse po inauguronin fabrikën e gërshërëve) për të thënë: “okej, nuk e kam thënë, por e kam thënë” – dhe duke u thirrur në atë klasiken: “mediumet më kanë keqkuptuar, keqinterpretuar”, përderisa njëkohësisht, e emëruara e tij për dialogun, e thoshte se bisedimet politike me Serbinë do të mbahen po qe se ashtu e kërkon agjenda. E për kapak, doli shefi i NATO-s, i cili shkurt e anglisht tha se “dialogu politik ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës nën patronazhin e BE-së, është zgjidhje e vetme e qytetarëve të Kosovës, pa dallim përkatësie etnike”. Dhe, e gjithë kjo, në situatën kur edhe bisedimet “teknike” me Beogradin janë kryekëput politike dhe se të tilla kanë qenë që nga dita e parë. Nëse nuk është kështu, le të na tregojë zoti Cooper pra, se cila zgjidhje teknike është gjetur për çfarëdo qoftë në këta muajt e endjeve lart e poshtë. A ka hala?
Deklarata e dytë e pabesueshme erdhi nga zëvendëskryeministri (nuk e di i sati), Kuçi. Në një konferencë me shoqërinë civile, e tha edhe këtë: “Shoqëria civile është rezultat i transicionit. Sa më shumë që e kalojmë transicionin, aq më pak ka nevojë për shoqëri civile”. Kësaj radhe po ia lë dëshirës së tij të madhe që Kosova të bëhet një shtet absolutisht demokratik, me sundim të ligjit dhe pa korrupsion; që të arrijë te pika ku qeverisja në Kosovë të mos ketë nevojë për “korrektor” – për një frymim të pavarur qytetar që do t’ia tërheqë vërejtjen për të gjitha të zezat që i bën. Mbase këtë e ka menduar kur e ka thënë, por kjo që është thënë nuk tingëllon assesi ndryshe pos një fjali e ngarkuar me elemente të pastra diktatoriale. Kësaj fjalie i ka munguar vetëm edhe vazhdimi “... shoqëri civile dhe mediume të pavarura”, për ta përshkruar situatën ideale në të cilën do të dëshirohej të qeverisej në Kosovë. Gafa ka mundur të jetë e paqëllimshme, por është e rëndë, posaçërisht kur vjen nga një profesor i drejtësisë dhe një njeri, i cili me siguri e di se edhe në demokracitë e mëdha (SHBA, ta zëmë) dhe në shtetet me standardin jashtëzakonisht të mirë jetese, e me më pak probleme shoqërore (Suedi, për shembull) ka me qindra OJQ që e bëjnë shoqërinë civile. Dihet pse: nuk ka shoqëri të përkryer. Përderisa qeveria imponon ligje për të futur rend në shoqëri, shoqëria është ajo që vepron kur qeveria nuk i zbaton apo i shkel po ato ligje...
Deklarata e fundit, e pabesueshme, ishte sërish e ministrit të Brendshëm, sipas të cilit tashmë prej kohësh ishte folur për korrupsionin dhe krimin brenda dikasterit që po e udhëhiqte dhe se aksioni i EULEX-it ishte krejtësisht legjitim. Nuk ka dyshim se qasja bashkëpunuese e ish-kryeministrit në raport me hetuesit është për çdo lëvdatë, si edhe gatishmëria e tij që të zbulohet e vërteta, po qe se kjo nënkupton edhe konfiskimin e dokumentacionit nga ministria “e tij”. Por është absolutisht e pabesueshme dhe e papranueshme të thuhet se prej kohësh është folur për korrupsionin brenda ministrisë që udhëheq ai vetë, e që ministria e tij të mos ketë ndërmarrë asgjë për të zbuluar nëse këto dyshime janë të vërteta edhe kur dihet se kjo ministri duhet të merret me luftimin e krimit. Nëse nuk mund ta zgjidhë lëmshin e vet, si do t’ia bëjë për lëmshet e tjerë?
Ashtu siç janë paraqitur gjërat në opinion, nga ky rast del se kemi të bëjmë me krim të organizuar, blerje armësh që sollën pasurim të paligjshëm, stërshitje ilegale armësh dhe shkelje të njëpasnjëshme ligji. Mbetet për t’u vërtetuar nëse është e vërtetë ajo që u tha për kinse vendimin e nënshkruar nga kryeministri Thaçi, për autorizim që të bëhet shmangia e zbatimit të ligjit për prokurimin publik nga koha e UNMIK-ut. Sepse, nëse është vërtetë, atëherë kemi shkelje të pastër të Kushtetutës dhe zaptim të prerogativave të legjislativit. Pos që mund të jetë edhe shkelje e Kodit penal. Me fjalë të tjera: shkelje e rendit kushtetues dhe e ligjit. Pa dyshim është akuzë shumë serioze dhe në secilin shtet normal, po qe se ka indice edhe më të qarta, do të duhej të shkaktonte rënien e kësaj qeverie. Por kjo, natyrisht, nuk do të ndodhë, ngase nuk ka ndodhur as gjatë mandatit të shkuar kur janë bastisur edhe ministritë e tjera dhe kur disa ministra (që ende kanë shans të shkojnë për ambasadorë në “vende të mira”) janë përfolur për korrupsion.
Por, megjithatë, as ngjarjet e përshkruara më lart, duke përfshirë edhe deklaratat, nuk mund ta ngufasin lajmin më të keq të javës – shënimet zyrtare për papunësinë, varfërinë dhe varfërinë e skajshme në Kosovë.
Sipas shënimeve të fundit, papunësia ka mbërritur në 43 për qind. Po të njëjtat burime thonë se varfëria, ku jetohet me 1,42 euro në ditë, ka kapluar 34 për qind të popullsisë, kurse ata që jetojnë me 90 eurocentë në ditë e bëjnë 18-përqindëshin e kosovarëve. Me këtë përqindje e arrijmë mesataren (hiç për t’u lavdëruar) botërore, dhe krahas Bosnjë e Hercegovinës e vërtetojmë statusin e shtetit më varfër në Ballkan, e mbase edhe në Evropë.
Numri i të papunëve dhe i të varfërve po rritet dita më ditë, perspektiva për të rinjtë po bëhet gjithnjë më e zymtë, përderisa Qeveria jonë pretendon se me “Bullgariaplanin” ka zgjidhur të gjitha problemet ekonomike dhe ka caktuar parametrat financiarë do të na nxjerrin prej krizës. Siç ma shpjegoi një njohës i ekonomisë – Kosovës i nevojitet rritja e GDP-së prej minimum 7% në vit në 15 vjetët e ardhshëm, për ta shuar papunësinë e tashme; atë që parasheh “plani i skijave” është që sivjet të kemi rritje prej 5,5% -- duke mos qenë shumë i qartë se si do të arrihet kjo, pos privatizimit të PTK-së dhe të shtatë stacioneve të autobusëve nëpër qytetet e Kosovës. Rezultatet përfundimtare të afarizmit do të na i tregojnë raportet e organizatave ndërkombëtare financiare, të cilave me siguri nuk do t’iu ikë rritja e deficitit tregtar të Kosovës në raport me rajonin (sepse të thuash “botën”, është pretencioze).
Këto shënime na bëhen publike, mbase pa dashje, një javë para shpalosjes së Raportit të progresit, për të cilin tashmë e dimë se do të jetë “real” (për ta përdorur gjuhën e qeveritarëve), pra i keq në shumë aspekte. Megjithatë, gjasat janë që ta përmbajë një formulim në formë të një karote të vogël, që do të jepte shpresa për regjimin e liberalizimit të vizave, si rezultat i bashkëpunimit të pakusht në bisedimet cooperiane të Brukselit. Pra, liberalizim vizash për një shtet, i cili që nga pavarësia ka lëshuar diçka më shumë se 800 mijë pasaporta RKS. Do të thotë se as gjysma e popullatës nuk është pajisur me to, sepse me siguri se nuk do të kishin mundësi financiare të udhëtonin, edhe po ta kishin dokumentin.
Nuk ka dyshim se më e keqja nga ky raport, siç ka qenë edhe në vitet paraprake, do të jetë qasja “reale” e qeveritarëve tanë ndaj tij. Po të mendonin vërtet atë që e thonë (se “ky është raport real”), atëherë nuk do të rrinin në postet e veta, ngase realisht janë përgjegjës për situatën e keqe që raporti regjistron në shumë fusha. Ashtu siç, realisht, do të duhej të pranonin se korrupsioni jo që nuk është “perceptim” (siç e kanë thënë gati të gjithë zyrtarët qeveritarë sa herë që janë pyetur), por realitet që do të na i hajë edhe veshët. Ashtu siç realisht do të duhej të pranonin se një pjesë e strukturave qeveritare, të nivelit administrativ dhe politik, janë pjesë të skemave të krimit të organizuar. Ashtu siç do të duhej të ndienin përgjegjësi për jetën jo të mirë që e jetojmë, aty ku të gjithë ne do të duhej t’i kishim të gjitha parakushtet për një jetë më ndryshe – vetëm po të ishin vullnetmirë dhe të sinqertë.