Mendime
Arben Llalla: Aleanca e medias me pushtetin prodhon autoritarin
E premte, 14.10.2011, 08:02 PM
ALEANCA E MEDIAS ME PUSHTETIN PRODHON AUTORITARIN
Nga Arben LLALLA
Mediat elektronike dhe të shkruara janë mjetet kryesore të propagandimit të grupeve të caktuara udhëheqëse në kohët që po jetojmë duke ndikuar drejtpërdrejtë në zhvillimet sociale dhe shoqërore. Mediat në qoftë se zgjedhin ti shërbejnë pushtetit ato janë në gjendje të ngrenë apo të shkatërrojnë një grup të caktuar të shoqërisë kur vendosin të qëndrojnë përballë njeri-tjetrit. Duke i shërbyer vetëm interesave të pronarëve të tyre dhe politikës së kontrollit shtetëror. Rezultatet tashmë janë të njohura për opinionin e gjerë pasi të gjithë ne po e përjetojmë prej shumë vitesh funksionimin e këtij sistemi i cili nuk garanton zhvillimin e demokracisë, reduktimin e pushtetit dhe të privilegjeve të qeveritarëve, por po krijon një autoritar të fuqishëm. Të cilët po bëjnë një sulm të mirë organizuar duke na ushqyer me lajme hidhëruese siç janë vetëvrasjet, përdhunimet, vjedhjet, atentate dhe kërcënime. Pra, tema të që sjellin plogështi, mosbesim, frik për të ardhmen duke e çuar masën popullore drejtë një izolimi në vetvete.
Kështu, njeriu i ndikuar nga këto mendime e konsideron të kotë dhe humbje kohe për tu marrë me ngjarjet politike të cilat drejtpërdrejtë ndikojnë në jetën e tij ekonomike dhe shoqërore. Ky lloj njeriu është kthyer tashmë në spektator i thjeshtë i ngjarjeve që lidhen me të ardhmen e tij.
Por ne duhet të dimë se ekziston vetëm një jetë për të cilën nuk duhet të tolerojmë çdo lloj aleance midis medias dhe pushtetit autoritar. Prandaj grupet e ndryshme intelektuale demokratike të shoqërisë nuk duhet të lejojnë krijimin e kushteve për caktimin afatgjatë të politikanëve dhe qeveritarëve në pushtet për të drejtuar vendin. Sepse rezultatet tashmë dihen, ku prej 40 vitesh shumë vende drejtoheshin nga një grup i vogël njerëzish të cilët u kthyen në diktatorë të bashkëkombësve të tyre duke bërë krime të ndryshme për të qëndruar sa më gjatë në pushtet dhe krijuar sistemin e trashëgimisë e të nepotizmit.
Në demokracinë e sotme politikanët autoritar nuk janë profesionistë, as njerëz që vijnë nga fusha e shkencës së politikës, por ata ,,gabimisht,, u caktuan nga sistemi komunistë në ditët e fundit të rrëzimit në fund të shek.20. Prandaj nuk mund të ketë agim të shekullit të 21 dhe pranverë arabe me masat dhe demokracinë e rremë që po zhvillojnë qeveritarët dhe politikanët e sotëm.
Autoritari i sotëm vërehet kudo në media, në qeverisje, në Kuvendin e pluralizmit, ku ky lloj sistemi diktatorial ka treguar shpeshherë me anë të fjalës forcën dhe kërcënimin me likuidim të mendimit ndryshe. Qëllimi i çdo regjimi autoritar është dorëzimi i shumicës së popullit përmes mohimit të shprehjes së fjalës së lirë dhe të dijes. Kjo sjell si përfundim dobësimin e mendim kritik ndaj pushtetit dhe krijimin e qytetarit ,,ideal,, i cili është dëgjueshmëria kolektive.
Prandaj mendoj se ka ardhur koha për Marrëveshje të Vullnetit të Mirë për të ruajtur stabilitetin e shoqërisë dhe të vendit midis sistemit shumë autoritar i cili nuk garanton mirëqenie për të ardhmen dhe forcave demokratike për të arritur qëllimet kryesore që i shërbejnë të gjithëve, Kombit dhe Shtetit.