Mendime
Xheladin Mjeku: Malli që preket me zemër
E diele, 30.10.2011, 02:54 PM
MALLI QË PREKET ME ZEMËR
Shadije Hotnjani: ”UJËVARË MALLI”, poezi, botim i autores-Prishtinë, 2011
Nga Xheladin MJEKU
Kushtimisht e them, se poezia e përmbledhur këtu është rezultat i një pune të palodhshme dhe me përkushtim në një periudhë shumëvjeçare e Shadije Hotnjanit, e cila që nga vitet e saja të rinisë ka qenë e pranishme me fjalën e saj poetike në opinionin artdashës të vendlindjes së saj dhe, më pastaj edhe në diasporë, prej nga dërgon mesazhe atdhedashurie tek lexuesi i pasionuar dhe dashamirës i poezisë.
Struktura organizative e librit flet për nduarnduarshmërinë e ineteresimeve të autores në shtjellimin e temave dhe ngjarjeve të rrafshit atdhetar dhe përkushtimit të saj për prekjen sa më gjithëpërfshirëse të shumë situatave, ngjarjeve, episodeve a ndodhive nëpër periudha të ndryshme kohore në trojet etnike shqiptare dhe sidomos përkushtimi i veçantë në këndimin plot afsh vendlindjes së saj për bukuritë natyrore, veçoritë e trevës dhe heroizmat e brezave gjatë shekujve, e bëjnë librin të pëlqyer nga lexuesi dhe studiuesi i fushës së letrave shipe.
Malli për atdheun si frymëzim dhe synim
Të pesë ciklet që e përbëjnë librin dhe poezia programatike e epilogu poetik janë material që të mban peng gjatë gjithë kohës sa vazhdon rrugëtimi nëpër faqet e tij, duke bredhur labirintheve të shumta të ngjarjeve e temave që shtjellohen aty. Ciklet: “Ujëvarë malli”, “Pres yllin e mëngjesit”, “Ndjenjë zemre”, “Prekje në kohë“ dhe ai për fëmijë “Ti po rritesh Arian”, përbëjnë botën poetike të zgjedhur nga opusi krijues i Shadije Hotnjanit, që koinçidon me periudhat kohore që nga fillimet e krijimtarisë së saj, duke prekur tema e ngjarje nga më të ndieshmet, por që gjithnjë shquhen për interesimet e autores, duke ndërtuar kështu botën e saj krijuese me karakteristikat dhe veçantitë që e bëjnë të ndihet komode në fushëveprimtarinë e saj krijuese.
Në poezënë programatike “Jetë” që është edhe pika e parë e takimit të recepientit me krijimtarinë poetike që po vështrojmë gjejmë një mesazh poetik me synim botën mërgimtare dhe atdhetarizmin e fuqishëm për kthim në gjirin e atdheut, si qëllim i patjetërsueshëm i autores:
“Fjalë e urtë e gjyshërve vjen si amanet:
Jetën borxh i kemi çdokush vendit të vet,
Atje ku kushtrimi nuk mbaron për jetë
Kthehuni bijtë e dheut kur vendlindja thërret!”
Që në poezitë e para të ciklit “Ujvarë malli”, sipas së cilës pagëzohet edhe përmbledhja poetike e Shadije Hotnjanit, i këndohet jetës me ëndje dhe mbetet në kujtesë si një poezi e dëgjuar prej kohësh, si një këngë e thënë nga rapsod të ndryshëm, por gjithnjë e frymëzuar nga ndjenja e mallit dhe dashurisë për jetë dhe atdhe, por në vazhdimësi të cytë ta shijosh për të satën herë, për melodinë dhe timbrin që krijon. Rrjedhshmëria e krijimit poetik në poezitë e përfshira këtu kthejnë në realitetet e kohës që ka kaluar autorja, qoftë si qytetare në moshën e rinisë, qoftë tash kur e djeg malli për vendlindjen e saj që për dekada e mban flakë në gji si plagën më të pashëruar. Poezitë rrjedhin nga brendësia e shpirtit deri në gjetjen e një shtegu të tejkalimit të kësaj gjendjeje dhe në kthimin përfundimtar në mesin e atyre me të cilët shijoi një pjesë të jetës së saj rinore. Këtu do të veçonim disa nga poezitë, si: “Gurra e mallit më djeg”, “Ritme jete mërgimtarësh”, “Urë plot dashuri – Luginë e Dardani”, “Atdheut i këndohet me zemër”, “Tri lulet e Luginës” dhe “Kujtesë idilike”, të cilat paraqesin peisazhin e atdheut dhe atdhedashurinë plot mall prej mërgimtareje.
Edhe në lirikat e tjera të përfshira këtu, nga njëri në ciklin tjetër takojmë format e realizimit poetiko-artistik me motive të shumta me sensivitetin e hollë të temës. Receptori i kësaj krijimtarie, tashmë të dëshmuar veçanërisht me tematikën përkushtuese për kujtimet e së kaluarës, zhgënjimin e përkohshëm dhe angazhimet serioze në daljen nga ajo nebulozë eventuale për të arritur në gjetjen e rrugëtimit të jetës, sikur i japin forcën e vargut të shprehur në këto poezi. Mirëkuptimi për njeriun, për jetën dhe për synimet e një hapërimi serioz me elementet e virtytshme të njerëzores, për mirësinë, sikur dominojnë në të shumtën e poezive të Shadije Hotnjanit.
Pa u rrjeshtuar në vështrimin e akcilit cikël dhe poezi, këtu do të shkëpusim disa mendime për tema e motive që shquhen me kreativitetin dhe përkujdesjen e autores për të ndërtuar një pasqyrë të tejdukshme në rrugëtimin e saj poetik dhe jetësor, paralelisht.
Poezia “Urë plot dashuri – Luginë e Dardani” është lartësuar edhe si ideal edhe si qëllim. Përshkrim të fuqishëm takojmë në vargjet që e provokojnë intuitën krijuese të autores që të ngris zërin shlirshëm, në mënyrën rapsodike, të jehojnë fusha e male nga malli e dashuria me zërin mallëngjyes, duke ftuar njëra-tjetrën: “Dil të piqemi tek ajo kodër,/Me pak fjalë zemre të heqim mall!”. Kjo shtrirje edhe sipas titullit shquhet për vlerën e dëshmive të pakontestuara historike dhe synimeve të botës së re.
Simbolika e titullit “Shiu ma kthen vrullin e këngës”, si poezi dhe si mesazh ngërthejnë më vete sfidimin e jetës në vargjet lirike, që kanë një metaforë: jetën dhe vetëm jetën. Dashuria për të sfiduar gjithçka në të mirë të një jete të ardhshme e të lumtur e preokupon vargun e Shadije Hotnjanit gjatë gjithë rrugëtimit të saj poetik
Udhtimi përmes ëndrrës gjithmonë synon ta arrij cakun, por varësisht prej situatës është vështirësuar mundësia e realizimit për shkaqe të ndryshme. Ky rrugëtim sikur nuk ka orar, nuk ka kohë, as orë të caktuar. Realizimi i ëndrrës, si duket varet nga dëshira dhe përkushtimi i personazhit të akceptuar në ngjarjen që përjetohet edhe përmes vargjeve me një sens të qartë tek poezia “Ëndrra e gjen rrugën e vet”: “Më ngriu gjaku ndër deje, s'munda të lëviz tutje,/Krajatat e jetës më kthyen mendimet në lutje”. Çfarë shqetësimi? Kjo poezi sikur shpreh gjithë shqetësimet e jetës duke ilustruar mallin e atdheut, të nënës, të njerëzve të dashur me ëndrrën në një rrugëtim të vazhdueshëm për të dalur nga kjo amulli që nuk i duket fundi. Përshkrim i hollësishëm i jetës në mërgatë, por që jep shenjat e një drite shprese në fundin e tunelit shpresëmadh si tek çdo mërgimtar.
Ky është synimi i tyre kryesor, me dëshirën e realizimit të ëndrrës së tyre për kthimin në mesin e më të dashurve. Për të satën herë është theksuar se poezia e mërgimit ka të veçantat e saj, që sjellin freskinë shpirtërore në trojet arbrore. Ajo poezi ka aromën e dheut e të mallit, njëkohësisht. Tek “Ritme jete mërgimtarësh” takojmë një ambientim tjetër në botën e mërgimtarit. Derisa shumë poezi kishin për synim mallin për jetën në atdhe, dashurinë për njerëzit e vet të mbetur atje, qoftë si personazhe, qoftë si kujtime të paharruara, në këtë poezi kemi të pasqyruar punën dhe jetën e mundimshme që i përcjell ata në dhe të huaj, ku:
“Pa mbaruar njëra punë, rinisë puna tjetër,
Në këto metropole gjithnjë avazi i vjetër”.
Sidoqoftë, kjo poezi ka itinerarin e vet dhe ai është relacioni atdhe-mërgatë, njëkohësisht dhe pashkëputshëm. Karavani i poezisë me motive kurbeti ecën dhe nuk ndalon gjatë gjithë krijimtarisë së Shadije Hotnjanit, ku për synim ka ndërtimin e besimit dhe dashurisë për atdheun dhe jetën.
Kjo poezi është e motivuar edhe me peripetitë tjera të jetës, pasqyrimeve të botës që e jetojmë, ambienteve dhe objekteve që e rrethojnë fushëveprimtarinë e njeriut dhe krijuesit në veçanti. Gëzimi për jetën, për lumturinë, për ardhmërinë, për të renë… kanë pikëpjekjen e përbashkët në vargjet e shumë poezive të tjera. Kjo vërehet edhe në poezinë “Jetës nuk i dihet…!”, që reflekton këto karakteristika të kësaj krijimtarie poetike: “Jetës kurrë s’i dihet,/S’i besohet dot,/Befasitë e jetës/E sjellin këtë botë!”. Sjellja e botës sipas fateve dhe shpresave njerëzore, apo më shkurt, synimi si shpresë dhe si fatum i jetës kanë pikënisjet e përditshmërisë jetësore edhe në këto krijime poetike. Vargjet e poezisë “Shkëlqim meteorësh” vijnë si paraqitje spontane emocionale e një kohe të ikur, por e mbetur në kujtesën që gjatëjeton. Meteorët që shkëlqejnë në jetën e ikur, sikur rrugëtojnë të shoqëruar përgjatë gjithë kohës me autoren. Ky kthim në motivin erotik sikur pretendon ta paraqes edhe më komplete veprimtarinë krijuese të Shadije Hotnjanit, e cila ka krijuar një opus personal, tashmë të personifikuar. Me qasjen kësaj tematike, tashmë paralajmëron shtrirjen e rrafshit krijues edhe në pikëtakimet tjera jetësore, gjithnjë duke ruajtur emblemën identifikuese të krijimeve atdhetare-emocionuese.
Pafundësisht do të gjenim fjalë e mendime nga mbresat e leximit të kësaj poezie, por në përmbyllje shkëpusim edhe një vlerësim nga poezia “Shoh një pikë drite”, ku deti si dëshirë, si ëndërr dhe si metaforë del i qëllimshëm dhe plot mesazh. Autorja gjen shpëtim në kaltërsinë e detit dhe në shpresat e reja për rikthim të lumturisë në jetë, duke dëshmuar me “një pikë drite” dhe “këngën e zogut” që njëjtësohen në një pikë shprese për jetë.
Si gjithnjë, poezia e Shadije Hotnjanit pikësynim e ka dashurinë për jetën dhe atë e gjen në cilëndo situatë, edhe atëherë kur në “vend të panjohur, vetmia po më trishtonte”. Këmbëngultësia e qasjes së temave të këtilla e bën të veçantë stilin e saj krijues dhe të qëndrueshëm si vlerë poetike.
Bota e fëmijës – dashuri prindore dhe vlerë e veçantë krijuese
‘Ti po rritesh Arian” vjen si rezultat i ndjeshmërisë prindore dhe ëndrrës së pafund për t’i prekur me kujdes temat e botës fëmijërore. Ky cikël është ngritur mbi vlerat e dashurisë prindore, mbi dëshirat e krijimit të një fryme edukative tek ky brez dhe mbi të gjitha nga ndjenja e të qenurit edukatore e brezave, gjithnjë duke aluduar në pjesën e ndjeshme të botës fëmijërore të mërgatës. Ajo sjell vargjet më të ëmbla për atdheun, për simbolet kombëtare, për gjuhën, kombin, gjakun, për fushat, malet, stinët, gjithnjë duke ndërtuar një peisazh të bukur të atdheut, si frymëzim dhe ëndërr e mërgimtarëve, që doemos do ta ndiejnë edhe brezat e rinjë. Krijimtaria e saj në dy kategoritë letrare sikur flet bindshëm se jo veç krijimtaria për të rritur, por edhe ajo për fëmijë e provokojnë unin e saj krijues. Një e veçantë te kjo krijimtari dallohet me ndjenjën e nënës, gjyshes dhe edukatores, që e prek në temat e saj duke i dhënë fuqinë poetike dhe mesazhin e qartë për fëmijën, si pjesë e pandarë e jetës dhe vlerave prindore. Tek poezia “Ti po rritesh Arian”, që mbulon kupolën e gjithë ciklit për fëmijë, paraqet fuqishëm dëshirën që edhe Ariani, ndonëse fëmijë, të ketë gjithmonë mendjen dhe synimin tek atdheu i stërgjyshërve:
“Vërtetë nipi im
U rrite në dhe të huaj
Për atdheun e shqipeve
Kurrë mendjen mos e luaj!”
Frymëzimi poetik sa vie e shtohet edhe mëtutje, derisa synimet e kësaj poezie shihen sheshit se kanë një mesazh të fuqishëm dhe të prerë: “Shumë herë kisha mendjen/Atje më pret vendlindja!/Në tokë të huaj të mos vdes/Për këtë fakt edhe unë u binda!”, (“Atje më pret vendlindja”).
Mesazhi që vazhdon
Poezia si shkrim tashmë e ka arritur misionin e saj, duke ndërtuar motivin e kurbetit me të gjitha elementet e një shkrimi që prek të gjitha pikat e ndiesisë së personazheve që paraqesin mallin, dhimbjen, nostalgjinë, dashurinë dhe brengat e tyre për atdheun, gjakun, të afërmit; pastaj për kujtesën e një jete të ikur, për dashuriçkat e para dhe për mallin e lënë peng diku në rrugicat, kopshtijet e livadhet e fëmijërisë në atdheun e tyre të shtrenjtë.
Asgjë nuk i ikën vrojtimit të mprehtë të Shadije Hotnjanit, e cila as për një çast nuk do ta ketë harruar kohën mbresëlënëse, ku: “Diellit dhe hënës do t’i përkulem,/T’i ndezim zemrat sikur prush!”, (“Mall dhe prush”).
Përveç kësaj që u tha për poezinë, si vlerë artistiko-letrare dhe si mesazh, këtu takojmë edhe një leksik të pasur, një figuracion të larmishëm dhe elemente të tjera ndërtimi të kësaj lënde poetike, duke veçuar rimën, vargun asonantik, metaforën e pasur dhe trope të tjera, që e bëjnë të qëndrueshme dhe me vlera të nivelit këtë poezi.
Të shpresojmë në vlerat dhe temat e reja, që do ta plotësojnë edhe më fushëveprimtarinë krijuese të Shadije Hotnjanit, me përkushtimin e pandalur dhe synimin e realizimit të ëndrrës së saj për jetën, dashurinë dhe atdheun, si motive dhe vlera poetike.