E premte, 21.03.2025, 02:05 PM (GMT)

Mendime

Pirro Prifti: Pjetër Arbnori, demokrati mbi të cilin Berisha dhe Topalli rëndojnë ngërçin politik në Shqipëri

E diele, 30.10.2011, 02:59 PM


Pjetër Arbnori, demokrati mbi të cilin Berisha dhe Topalli rëndojnë ngërçin politik në Shqipëri

 

Nga Pirro PRIFTI

 

Veprimi në dukje aksidental i mos pjesëmarrjes së Kryeministrit Sali Berisha dhe Jozefina Topalli, në dekorimin e Pjetër Filip Arbnorit nga Presidenti i Republikës Bamir Topi ditën e djeshme, mund të marrë përmasa serioze nëse veprimi shihet si një mungesë pjesëmarrjeje e qëllimtë. Pavarësisht se mos-prania e Kryeministrit dhe e Kryetares së Parlamentit shihet nga mazhoranca si një hakmarrje ndaj Presidentit Bamir Topi, herezia e të cilit qëndron më tepër tek rrezikshmëria që ka potenciali i tij politik në rivalitetin brenda PD (sidomos këtë e ndjen znj. J. Topalli, por gjithashtu edhe ndaj disa kundërshtimeve të aspektit ligjor në përplasjen me Kryeministrin, i cili e do Topin vetëm si vasal),- në aspektin e Politikës shqiptare dhe më tej, ky veprim shihet si një rëndim i ngërçit politik në Shqipëri. Askush në Shqipëri nuk mund të mos pranojë se Pjetër Arbnori (lindur në Durrës 18 janar 1935 – vdekur në Itali 8 korrik 2006), ishte jo vetëm i vetmi disident shqiptar që u burgos për idetë e tij, por pikërisht ky aspekt është një nga pikat ndarëse me shumë të burgosur të tjerë të regjimit të diktaturës së proletariatit që sundoi në Shqipëri nga 1944-1991. Dihet që në Shqipëri nuk ka patur disidencë të mirëfilltë. Disidenca, në dallim me deklarimet e disa politikanëve të sotëm hipokritë, ka qenë në zonat rurale: tek intelektualët e transferuar, tek të internuarit, dhe tek disa individë të qyteteve dhe fshatra periferike- aty ku kishte vota kundër pushtetit popullor të atëhershëm. Askush në Tiranë nuk ishte disident, e ai që thotë të kundërtën- Gënjen.

***

Sa për rikujtim të këtij demokrati të madh. Dihet fare mirë historia e disidentit të parë që mbijetoi nga furra e ferrit të diktaturës së proletariatit, si dhe përdorimi i personalitetit e veprës së të tij nga Partia Demokratike për të fituar vota- jo vetëm në fillimet e saj por, dhe deri sa ky personalitet ndërroi jetë në 2006. Historia e jetës së tij është shumë interesante: që në moshën 14 vjeçare u përfshi në aktivitetet e grupeve ilegale kundër komunizmit. Shtypi e shpërndau trakte e së bashku me intelektualë të tjerë mori pjesë në themelimin e një organizate ilegale socialdemokratike, programin e së cilës e hartoi vetë. Në pranverën e vitit 1961, zoti Arbnori u arrestua për krimin e krijimit të Partisë Social Demokrate dhe pas një procesi të gjatë prej dy vjetësh u dënua me vdekje. Mbas tre muajsh dënimi iu kthye në 25 vjet burgim. Ai vazhdoi aktivitetin kundër diktaturës, duke shkruar dhe organizuar të burgosurit kundër regjimit. Për këtë, iu shtuan edhe dhjetë vjet të tjera burg me akuzën "për agjitacion dhe propagandë, si dhe për arsye të shkruarjes së një romani dhe tregimeve të ndryshme të shkurtra. Mbasi kreu dënimin më tepër se 28 vjet, u lirua në gusht të viti 1989, dhe më pas punoi si punëtor në një zdrukthtari. Që në fillimet e lëvizjes demokratike mori pjesë aktivisht dhe në demonstratën e parë antikomuniste, më 14 janar 1990, në qytetin e Shkodrës, për të rrëzuar bustin e Stalinit. Më 12 dhjetor, në tribunën e mitingut themelues të PD-së, i dorëzoi Azem Hajdarit dhe Sali Berishës një mesazh nga Shkodra demokratike dhe antikomuniste. Më 13 dhjetor 1990 qe njëri nga organizatorët e demonstratës antikomuniste në Shkodër, ku u hodh në erë busti i diktatorit Enver Hoxha.

***

Dihet se edhe Partia Demokratike gjatë kohës kur që në pushtet gjatë viteve 1992-2006 e ka dekoruar disa herë Pjetër Arbnorin si me titujt “Mësues i Popullit”, “Pishtar i Demokracisë”, “Qytetar Nderi” i qytetit të Vaut te Dejës; gjithashtu është "Oficer i Madh i Urdhërit të Plejadës" nga Asambleja e vendeve frëngjishtfolëse. Instituti biografik i Kembrixhit, e futën biografinë e tij në "Who's Who" të intelektualëve dhe në Fjalorin Biografik Ndërkombëta. Presidenti i Republikës së Kosovës, Ibrahim Rugova, i ka dhënë medaljonin e argjendtë "Nënë Tereza" dhe prerjen e artë "Georgus Castriotus-Scanderbeg" 27.11.1996, Ka marrë medaljen e shekullit XX për merita. Akademia Kulturore Romë i ka dhënë medaljen "Scodrinon" dhe diplomën 2001. Ka shkruar shtatë romane dhe ka botuar: "Mugujt e mesjetës" - novelë, "Kur dynden Vikingët" - novelë, "E bardha dhe e zeza", "E panjohura, Vdekja e Gebelsit", etj. dhe ka përkthyer nga frëngjishtja "Historia e Anglisë". Pikërisht në shenjë falënderimi dhe respekti për ato 28 vite burg që ai bëri gjatë diktaturës. Dihet gjithashtu se Pjetër Arbnori ka qenë i vetmi që ashtu is e përmenda më larg –disident, pra u burgos pikërisht nga PPSH për idetë e tij jo-komuniste dhe aktivitetin e tij kundër diktaturës në një kohë kur askujt nuk i vinte ndërmend që të kundërshtonte komunizmin dhe aq më pak të nxirrte alternativa si Pjetër Arbnori. Lavdërimet nga Drejtuesit e shtetit shqiptar janë të shumta: Kryeministri Sali Berisha ka thënë se `kombi humbi një kollos të qëndresës njerëzore për liri dhe dinjitet`. Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli ka thënë se "Kuvendit, politikës dhe të gjithë shqiptarëve do t'i mungojë politikani me mentalitet paqësor perëndimor, frymëzuesi i qëndresës dhe mbrojtësi më i paepur i të drejtave të njeriut. Kuvendi është i përkushtuar maksimalisht për t'i bërë të gjitha nderimet shtetarit të madh Pjetër Arbnori së bashku me familjen e tij". A. Moisiu ka thënë se “Pjetër Arbnori ishte shembulli i një njeriu me vlera të larta qytetare, simbol i disidencës antikomuniste, krijues me talent të rrallë dhe modeli i një politikani të ndershëm dhe me vizion, i cili me punën e tij i dha nder Shqipërisë`. Drejtori QNK-së, “Pjetër Arbnori”, Mujë Buçpapaj, në fjalën e tij e cilësoi atë si simbol të lirisë dhe ekzistencës antikomuniste, që për mëse 30 vjet u persekutua nga regjimi komunist. “Shkrimtar disident, disident politik, studjues, humanist, Arbnori, përbën profilin më të spikatur të një intelektuali të shek. XX”.

***

Sipas mendimit tim bojkotimi i dy udhëheqësve të tjerë të shtetit por dhe të mazhorancës aktuale ndaj dekorimit nga Presidenti, tregon jo vetëm rëndim të mëtejshëm të ngërçin politik, por dhe tre probleme të rëndësishme të pazgjidhura që rëndojnë luftën dhe ngecin politik në Shqipëri duke na larguar nga integrimi dhe duke zhgënjyer BE dhe SHBA:

- Problemin e vjetër dhe të pazgjidhur me ligj (ligjin e lustracionit), të përfshirjes së shumë individëve të ndryshëm brenda Partisë Demokratike (disa dhe në PS e parti të tjera) thjesht për të fshehur identitetin e tyre si ish-spiun apo ish-sigurims i PPSH, problem i cili nëpërmjet këtyre individëve në një farë mënyre deformoi idetë e demokracisë perëndimore të parullës “e duam Shqipërinë si Europa”, në një luftë politikë brenda mazhorancës dhe midis maxhorancës dhe opozitës,

-Problemin e vjetër të përfshirjes në grupin e të persekutuarve që do të shpërblehen në ditët e sotme, të personave të cilët kanë vuajtur në burgjet e PPSH, por jo të gjithë ishin futur në burg për agjitacion e propagandë. Kjo ka shkaktuar brenda maxhorancës së sotme dhe në përballjet politike maxhorancë-opozitë, një anarki dhe acarim të luftës politike për shkak të formës së klientelizmit në drejtim si në PD ashtu dhe në PS, por dhe korrupsion po për të njëjtin shkak të futjes së njerëzve i C/V të dyshimtë apo individëve të pa-aftë e intrigantë.

-Problemin e pazgjidhur të kalimit gradual të drejtimit të partive politike kryesore në Shqipëri nga brezi i vjetër i politikanëve të vendosur direkt nga R. Alia në drejtimin e Partive kryesore shqiptare të fillimeve të viteve `90-`91- në duart e politikanëve të rinj ( dhe jo vetëm në moshë , por dhe të politikanëve që dolën pas viteve `90 për shkak të “grindës”, aftësisë dhe profesionalizmit të tyre, dhe jo të ndihmës së PPSH). Në përfundim mund të them se sot, ekziston rreziku që politika shqiptare të trashëgojë konfliktin e egër të luftës për pushtet midis politikanëve të rinj të cilët kanë mbështetjen e Kryetarëve të tyre por që në fakt janë të pa-aftë dhe intrigantë e që kanë bërë karrierë politike duke “u lustruar këpucët” kryetarëve politikë partiakë e qeveritarë, si dhe duke u bërë VIP-a të politikës në mediat televizive të blera partiake nga njëra anë, dhe nga ana tjetër politikanëve profesionistë dhe meritokratë të cilët dinë të respektojnë historinë, individët që i kanë dhënë Shqipërisë dhe Demokracisë si Pjetër Arbnori, por dhe që nuk kanë mllefe politike si disa të cilët mund të djegin Jorganin për një plesht.



(Vota: 3 . Mesatare: 3.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx