Mendime
Kalosh Çeliku: Sheikut në Shkup i pëlqen qebapët e ''Destanit''
E diele, 30.10.2011, 02:59 PM
SHEIKUT NË SHKUP I PËLQYEN
QEBAPËT E “DESTANIT”
Nga: KALOSH ÇELIKU
Pasanikun më të madh emirin e Katarit, Sheikun Hamad bin Kalifa Al Tani e priti “Destani” me qebapë. Edhe merreni me mend, të gjitha mjetet e informacionit e ndiqnin me kamera televizive Sheikun se si hante “qebapë” në Bit-Pazar. E ruante edhe policia si asnjë politikan tjetër deri më tani që ka ardhur në Shkup.
Populli edhe ai, i madh e i vogël kishte dalë në Bit-Pazar. Kurreshtja për ta parë Sheikun për nga së afërmi e kishte bërë të veten: kush është ky Sheik që do t’i provojë qebapët e “Destanit”?! Edhe atë: Sheiku, që në shtëpi nuk i mungonte asgjë dhe i ka provuar të gjitha kuzhinat e vendit dhe botërore. Po, ja që nuk i ka provuar qebapët e “Destanit”. Specialitetin e “Destanit” me të cilët krenohet ky shtet i ri, që për nga popullariteti i kanë kaluar edhe kufinjt e IRJ të Maqedonisë. Më kot Qeveria e Gruevskit dhe Ali Ahmetit u përpoqën ta gjallërojnë Bit-Pazarin me “Tingujt e Çarshisë”. Sheiku e gjallëroi gjatë një vizite, brenda një dite me qebapët e tymosur të “Destanit”. Ustai, që fatkeqësisht nuk i ka më ato qebapët e dikurshëm të shijshëm me famë, por ja sot me erë tymi e provokoi edhe Sheikun e Katarit.
Dorën në zemër, partitë politike në Qeveri çka nuk bënë për ta provokuar Sheikun: edhe me arsim, edhe me kulturë, edhe me politikë. E sollën përreth përmendoreve të luanëve. E futën edhe në Muzeun e komitave. Kapak i vunë në xhaminë e Mustafa Pashës. Fatkeqësisht, Sheikut nuk i intersuan misionarët e Beogradit shën Klimenti dhe Naum Ohëri, as Aleksandri i Madh me Goce Dellçevin e Nikolla Karevin me kuaj shale. E të mos flasim për Karposhin, që e shalonte kalin nën Urën e Gurit pa shalë. Skënderbeun nuk e pa fare mbi kalë me shpatën në brez. Shkaku se, shqiptarët e kishin fshehur pas qebaptores të “Destanit”, mes makinave në parking.
Tashti e shoh, pse Sheiku gjatë natës që e kaloi me mobiljet e veta në “Aleksandër Pallas”, e porositi darkën pa alkool. Qeveritarët tanë e patën më vështirë, për herë të parë hanin mish viçi e qëngji pa verën e Tikveshit. Edhe, i dënoi Zoti: shpërtheu zjarri në çati të hotelit. Vërtetë, e porositën darkën pa alkool, po në këtë hotel alkooli konsumohet me të madhe. Harami me vite e vite ecën tavolinë më tavolinë. Edhe nëpër dhoma. Vërejten ia tërhoqi Allahu Sheikut me zjarr në çati. Prandaj, ndoshta edhe më në fund Sheiku vendosi t’i provojë qebapët e “Destanit”. Qebaptoren, ku nuk konsumohet alkooli, ende nuk ka hyrë harami, po vetëm birrat e Shkupit.
Përderisa, Sheiku hante qebapë dhe e ruante policia, autori i këtij shkrimi i dëgjonte ankesat e qytetarëve, që nuk mund të largoheshin me makinat e tyre para se të ikë Sheiku. Burri i botës arabe, hante qebapë te “Destani”, në mbikqyrje të rreptë të policisë maqedonase dhe sigurimit mbretëror, para syve të popullit që rrinte duarkryq mbi tavolinat e zbrazura të lokaleve. Durimi u kishte ardhur në fyt, mezi e prisnin largimin e tij nga Bit-Pazari. Turrevrap t’i rrëmbenin makinat e tyre nga parkingu dhe të iknin në shtëpi. E si për inatë, herë pas here mbi kokë u fluturonin helikopterët.
Edhe: vizita e Sheikut në IRJ të Maqedonisë ma kujtoi kohën komuniste. Veprimet e Partisë Komuniste se, arsimin e shqiptarëve e kishte sipas standardeve botërore. Përherë, kur arrinin delegacione nga bota e jashtme, ajo i dërgonte në shkollën fillore “Liria” në Shkup. Me këtë donte t’i thotë botës: e shihni se në ç’nivel e kanë shqiptarët arsimin. E në realitet, shkollat e tjera shqipe ishin nën nivelin e kohës të pas Luftës së Dytë botërore.
Arsye e fortë kjo, që Sheikun kësaj radhe e dërguan te “Destani”. Lokal me tavolina e karrige në rrugë, ku Sheiku i provoi qebapët e “Destanit”, pa asnjë shenjë gjelbërimi ose rrjedhë uji në shatërvan. Thuaj, pa asgjë natyrore. Vetëm e vetëm, që Sheikut t’i vij keq për këtë Shtet kaq të varfër, shti dorën në xhep, japë ndonjë dollarë për lëmoshë.
Dhe, në fund them: Sheiku, IRJ të Maqedonisë nuk e pëlqeu për nga arsimi, kultura, përmendoret grandioze në të dy anët e Vardarit… E, as për nga politika madhore…
Sheiku, IRJ të Maqedonisë ia pëlqeu: Qebapët e “Destanit”…