Kulturë
Kastriot Marku: Përhumbje (II)
E premte, 12.08.2011, 07:00 PM
Kastriot Marku
Vdekjehije
Një hije tek dera kërkon
Njeriun që u vra dje.
Sepse ndjesë pastë, kishte shumë gjëra për të thënë
E askush nuk ju përgjigj.
E shoqëruam në varreza,
Ku gropa me dhëmbë përtypej unshëm.
Ne, me grimca dheu
Karmonim hijen.
Humbje
E kemi varur rradaken e kresë
Në verigën e dimrit,
Për ta marrë në vjeshtë.
Kushedi se sa herë do të flirtojmë me veten
Kafeneve dhe në ëndërra
E do të zgjohemi sërish në dimër,
Bërë akull
Prej vetmisë.
Marramendje
Mërmërijmë melodi të modës
E thyejmë qafën
Në humnerat e ijeve të grave,
Për tu zgjuar picak
Në ditë që nuk janë tonat.
Krim
Një jevgë virgjëreshë
U var në breg të lumit,
Se nuk e duronte zezonën
Që shtirej si e bardhë.
Çudia
Ah!
Kjo luftë pa emër,
Thikë pas shpine,
Që ma plasi rrashtën e shpirtit,
Kryet ma bëri shtambë dëllinje
E më kthei në qënie prej kartoni.
Ditët më kanë vënë lakun në fyt,
E veç mbetem të peshkoj mizat,
Që gëlojnë në trurin e të tjerëve.
Heshtja na ndihmon të merremi vesh
Përndryshe,
Do të ishim në varreza.
Do të jetë vonë
U rritëm vreshtës së prapësive
Pa vënë gjë në gojë
Me bisht ndër shalë
E mendjen femër.
Kur të soset dita
Do të jetë me siguri një ditë tjetër
Ndërkohë mendja
Nuk do të ketë kohë të merret me veten.
Vajkëndim
Dhëmbët e makinës së shkrimit
Mbërthejnë fjalët endacake
Ngelur si një rrem i paprerë
Prej gostisë së Kullës së Babelit.
Ujqërit kundruall unshëm
Ngihen me copa thashethemesh,
Që tubohen kafeneve.
Asgjëja jonë pa trajtë
Përplaset pas fatit
E virusi sedërpakët i urrejtjes
Na u bë ferrë.
Gjunjëzohem me një “Falemi Mari”
Se fati na u lidh nyje.
Në arkivolin e gërryer nga kjo kohë bushtër
Do të ngul gozhdët e fjalëve të pa thëna
Kodin e jetës pa kthim.
Vetmi
Tavani i besimi ra
E na zuri lakuriq
Si Eva me Adamin.
Copat e shpresës pluskuan
Ndër tallaze dëshpërimi.
U bënë kohë që pështyjmë kohën e plagosur
Pa plang
E tash nuk kemi ku të fusim
Kryet tonë.
Rruga jonë
Sytë e mi i veshi hija e cila banon aty prej shumë kohësh.
Në supe më ngjeshet dhimbja e ditëve të pakthyera.
Jeta jonë qënka top i rrumbullakët
Që shqelmat e dërgojnë ku as vetë ajo nuk e di.
Të zhveshur jemi nisur
Për të mbërritur të nesërmen lakuriq.
Lamë rrobat e së djeshmes
Tek e sotmja
E ikëm
Nga sytë këmbët.
Currili i lotëve rrotullon gurët e mullirit
Edhe për një shekull bukë
Edhe për një shekull jetë.
Bisedë me vdekjen
Do të ikim, o vdekje, bashkë,
Pasi t’i kryej disa punë,
Sepse ke ardhur para kohe.
Drita nuk ka dalë
E gjelat ende nuk kanë kënduar.
Do të vij me ty pa urdhër
Pa dëshirë,
Siç të thashë,
Pasi t’i kryej disa punë.
Do të vij
Kur të më mungojnë fjalët,
Kur shkrimi të më këputet,
Kur dashuria të më lëshojë
E kështu do të të duhet të më presësh gjatë.
Më fal se u tregova i pabesë.
Jo vetëm teatër
Qen, minj, mbeturina
Këpucë jetime
Gjithçka ngjarje.
Shpirti turret të më vrasë
Por, i lidhur me zinxhirë
Nuk mundet dot.
Dikur përtypnim fara luledielli
E qeshnim në pikun e zgërdhirjes.
Tani flasim në celular
E varim mendjet në bisht të reve.
Kalavararemi tabelave e reklamave
E me trupin lakuriq të vajzave
Abonojmë lojra fati,
Marrëzi këto të zakonshme
Për prestigjatorë kozmikë.
Në mbrëmje
Ndiej përpëlitjet e komshiut të dehur
Që vjell bëmat e ditës moderne
Na ka pushtuar realiteti
Pa pushkë të shtime
Në pritje të gjetjes së arsyes
Kupa e iluzioneve u derdh.
Në spiralen e tingujve
Ecim kuturu.
Ia vodhëm gjuhën qenit
E ferri tani e humbi kuptimin.
Pse nata të mos zgjaste 24 orë?
Marria jonë ka ngjyrë
Prej së kaluarës së varur në gozhdë
Peshkojmë gjithnjë ditët tona
E i hedhim në burgun e kohës
Ndjejmë kthetrat e shuplakës së buzëqeshjeve
E i thadrojmë në kalendarin e mungesës.
E tashmja përtypet nga e kaluara
Dhe e ardhmja ka arsye të mos afrohet.
Pa ditur
Testamenti i moskthimit u nënshkrua
Në trenin “euorostar”, binari 17
Ku hipte e zbriste mërzia.
Shpina më kruhej jo pak.
Të kam dashur shumë
Në lundrën e besimit
Të kam mbartur gjithnjë
Duke notuar ngutshëm
Nëpër liqenin e akullt të fjalëve.
Këmbanat prej qelqi
Ngashëruan qiellin
E muret e tejdukshme të zemrës
I shembëm përmallshëm përgjithnjë
Paqe
Patjetër nga fillimi do të haP
Ashtu si dikur fjalët e parA
Qe, fjalën e parë po heQ
Emri: PaqE.
Kthimi
Prilli e shtrydhi veten zorshëm
E befti maji.
Tash hundën lëmoj ndër lule
E flokë vajzash
Tinës
Ballas
Kukafshehti.
Sharroj ndër dhëmbë ëndërrat e vjetra
E turrem tehut të mallit
Në maje të gishtave
Për të dredhur fillin e kohës së shtangur.
Në cakun e kujës kthej dalë.
Jo rrallë kthehem të shoh prapa
Nëse kam ecur mirë.
No comment
Mbi parzmin tënd fushor
Flenë mjellmat
Që askush s’i di.
Tuba e flokëve kapluar prej drojës
Krihet në pasqyrën e syve të zez.
Këmbët e bukura nuk janë veç për të ecur.
E vetme buza palohet në afshin e puthjes
Që plas në gur.
Shpërngulet prej shpirtit e qeshura
E zbret ujvarë në shpirtin tim
Uratë të veçanta ke thënë
Që ke fituar kaq shumë.
Metamarfoza e vetvetes
Kur isha i vogël
Dëshiroja të burrërohesha shpejt
Tani që burrë nuk jam
Fëmijë nuk bëhem dot
Kjo është dashuri
Erdha në jetë se më deshe
Ka qënë shtator
Kështu më kanë thënë
Bile në këtë muaj jam regjistruar
Ti e di mirë këtë gjë.
Djalë ! – kanë thënë.
Pastaj ndërkohë më kanë harruar
Mëson të ecë vetë në jetë - kanë thënë.
Pastaj më është dashur të flas me vete.
Erdha në jetë se më ke dashur.
U pamë në momentin e duhur.
Sepse isha i zoti të të dua
Por, jo t’i ik shtrigës vdekje
E dashur
Erdha se më deshe,
Do të iki se të dua..
Përsëritje
Duke të të puthur ty
Gjithund
Jam pranguar nga heshtja mjellma ime.
Që të vij në vete
Më duhet t’ia nisë nga e para.
Mos harro të më duash
Më vjen keq kur thua
Se nuk e meriton mirësinë
Aq më pak dashurinë
Kur thua se nuk je e bukur
E ke gabuar jo rrallë
Se lutesh për këto e të tjera.
Më vjen keq
E zemra më bëhet akull.
Ti je e mrekullueshme
E dashura ime.
Të dua vetëm pse je e tillë
Përndryshe
Nuk do të të kisha gjetur.
Të lutem duhet t’i harrosh disa gjëra,
Por mos harro të më duash.
Faleminderit.
Përhumbje
Të dua zeshkania ime
Bash në muzgun e dëshirimit!
Kalamendur nën gushën tënde fjetur.
Pëlcet vala e shpirtit
Kur të ndjej të mbledhur në parzëm
E shpesh kam frikë se të dua me tepri.
Këmishën e ëndërrave ma hodhe përsipër
E tash ëndërrat janë çmendur
E kemi mbetur vetëm
Ne të dy.
Më lër vetëm
Nëse ke bërë shumë gjëra për mua
Nëse je shpenzuar shumë sikur thua
Bëj edhe një gjë të lutem
Më lejo të jetoj i vetëm.
Pritje
Ngjitur pas portës
Dora purtekë që dridhej
E zilja ndjente keqardhje
Se nuk po e përshëndesja.
Zemra rrihte turravrap
E sytë shtrydhnin lotët e nxehtë.
Ndër copa kullonte dashuria e pathënë.
Ka fjalë që nuk duhen thënë
Gramatikë
Dashuria është emër
Gjinia femërore
Trajta e shquar
Rasa emërore.
Dashuroj
Është folje
Koha e tashme
Forma veprore
Keni kuptuar?
Asaj që…
Të dua në pikun e vapës
Kur ujëvara pëlcet mbi buzë
E loti i mallit të vakur
Druhet prej fustanit
Tek fsheh sy e zemër
Në një lojë që nuk e di
Kur do të soset.
Mirënjohje
Kur jam ndjerë vetëm, krejt vetëm
Tek ti jam prehur
E më ke marrë në gji
Ashtu si vajzë, si nënë.
Në frymën tënde ishte Zanafilla
E Shpirti mbi ujëra
Pulsonte Jetë.
Ti vetëm ti di të dhurosh gjithçka
E unë jetimi
Duhet veç të mësoj prej teje
Dëshirë
Të isha zog
Mbi hundën tënde do të mbërthehesha
E të pija ujë mbi buzët e tua
Si zogjtë
Duke u lutur kah qielli