E merkure, 24.04.2024, 05:42 AM (GMT+1)

Kulturë

Lida Lazaj: Net' të përhënura dhe një funeral

E diele, 07.08.2011, 07:39 PM


Lida Lazaj

 

Net' të përhënura dhe një funeral

 

Atë mëngjes ishte zgjuar vonë,si rrallë ndonjëherë. Dikush e thirri në emër.Hapi sytë dhe në dhomën e mbushur me dritën e bardhë të mëngjesit, ishin vetëm orenditë, që ju duk sikur e përqeshën për këtë gjumë të pazakontë. E kishte merak të zgjohej i pari,pa u shuar yjet.Të kapte frerët e jetës, përndryshe i ngjante, se në mungesë të tij, diç i kishte rrëshkitur. Kuptoi, që zëri kishte kumbuar brënda në kokën e tij dhe jehona u përhap si shqetësim, si rrathët në  pellg uji të fjetur. ‘’Të paktën flenë fëmijët’’, mendoi, duke hedhur vështrimin shkarazi,  përmes xhamit të derës, në dhomën ku flinim unë dhe vëllai.Te pragu   mbushi kraharorin me ajrin e mermë, përzier me aromën e tymit dhe mollëve të pjekura. Punët e para, që bënte mamaja, ishte ndezja e zjarrit. Ibriku fillonte mërmërimën përsipër  sobës, ndërsa në furrë piqeshin mollët e pikuara gjatë natës. Pastaj vazhdonte me fshesën e bredhtë, të fshinte plloçat nga gjethet e mollëve, që rrinin tendë mbi çati, oborr deri tutje te porta e rrugës.

Mamaja  po dilte nga fasulishtja mbi oborr, me futën plot mashurka, e njomur nga vesa, me shaminë rrëzuar supeve dhe me gjethe ngjitur rrobave. J`u duk si nimfë pylli. Bimët e fasuleve kacavirreshin purtekave një boj`e gjysëm njeriu të larta dhe krijonin një mikrobotë magjike.   Përmidis rreshtave, e harroje  tollovinë  e botës së madhe dhe  ndieje  lëngun klorofilik tek këndonte kërcejve, bistakëve, si gjaku, venave e kapilarëve në trupin e njeriut.  Mamaja hynte mëngjes për mëngjes, e thoshte se mblidhte fasulet e thara që të mos shkërmoqeshin. Por me siguri, që e joshnin fshehtësirat këndellëse të fasulishtës. 

 Shqisat e tij perceptonin tinguj, ngjyra, ravgimet më të imta të mjedisit. Babi u ndie i lumtur që zotëronte jetën dhe njëkohësisht i pa fuqishëm për t`a ruajtur e mbajtur përgjithmonë. E keqja vinte nga nuk t`a priste mendja dhe gjerdani  çthurej. ’’Mister i madh kjo jetë’’,mendoi  duke i hedhur ujë fytyrës te muslluku.

-Pse s`më zgjove!-i tha mamasë, që i zgjati peshqirin

-S`je vonë – j`u përgjigj.

-Ti, lëri ato mashurka sot dhe bëj gati hazërllëqet- vazhdoi babi-dhe, jo si e ke huq.

‘’Huqi” i mamasë ishte, t`ë rrudhte e të mpakte gjithçka, ndryshe nga babi, që s`kishte karar e masë. Shpesh grindeshin për këto huqe të njëri-tjetrit, por më pas vinte arsyeja. Babi në heshtje e quante vlerë  këtë ‘’huq’’ të mamasë dhe shpesh duke qeshur i thoshte ‘’zonja ministre e ekonomisë”.” Ndryshe , do na merte lumi’’ shtonte.

Me litarin e samarit, dhe torbën e tagjisë së Doriut mori, përpjetë udhëzës , për te kroi i mëhallës. Pa dalë  në krye, dëgjoi trokitjen e patkonjve. Pranë e pranë , kali i Vasilit dhe pela e Koçit pinin ujë në postaf. Kafshët s`u trazuan ,veç u spostuan pak , si për t`i  lënë vend. Mbushi grushtat me ujë dhe ia hodhi fytyrës. La çurgat e vogla t`i rridhnin parzmit, nën këmishë. ‘’Oh,ujë o ujë’’ pëshëriti. Se quante larje atë te muslluku, në oborr. Edhe kur dëbora ishte deri në gju, dhe akujt sa si mernin frymën lyfytit, atje lahej. “Ky është ujë i gjallë” thoshte. I ftohtë brisk,rridhte, gurgullonte si krijesë me shpirt. Përmes stërkalave, pa si kali dhe pela gjerbnin gllënjkat e kristalta gojë më gojë. Koçi dhe Vasili ishin vëllezër dhe në pemën gjenealogjike, ata ishin  fis, dhe këto gjeste e të tjera, që bënin natën livadheve, në gjuhën e rregullave të botës njerëzore , quhen inçest. Ata s`e dinin këtë,dhe as do kishin dashur t`a dinin . Me nga një levenxë të lehtë mbi vithe, për t`u mbrojtur nga vesa, kuajt kishin privilegjin të shijonin lirinë netëve të vakta verore dhe kushedi ç`kënaqësi të tjera mblidhnin  kalërisht, lëndinave të përhënura. Si luftëtarët pas betejave, pa shpata,shqyta, mburoja e jataganë, vetëm me pelerinë krahëve, lëshoheshin në prehrin e dëfrimeve. Natyrisht, edhe Doriu ynë harbonte livadheve dhe merrte pjesë në lojrat erotike. Kthehej i ngopur me bar, hënë e dashuri, pothuaj në kohën kur dilte babi dhe të dy fillonin një ditë të gjatë pune dhe kënaqësie . Babi s`linte centimetër të trupit të Doriut pa kashaisur, krehur e masazhuar, duke i pëshpëritur. Gjoksi muskuloz si shkëmb, këmbët e fuqishme të gjata, trupi elegant mbuluar me qime të shkurtër, të bardhë, të ndritur, jelja e krehur dhe bishti si fshesë ,stërpikur me fije të rralla të zeza i jepnin pamjen e një kali madhështor. Doriu përtypte  tagjinë, puliste veshët, shkrofëtinte. I rrëqethej lëkura nga kënaqësia  e mirënjohja.

Kali dhe pela u ngopën me ujë, kryqëzuan qafat sikur përqafoheshin dhe u larguan duke u nuhatur. ‘’ Po Doriu pse s`është me ta!? Mos jetë nga selishta!’’ mendoi babi. Një ditë më parë kishin trasnportuar për në ahur, jonxhën e tharë.

Në mbrëmje, teksa rrinin e bisedonin me xhaxha Janin mbi avlli, nën arrën e madhe, Doriu çepkaste barin e shkurtër anës së rrugës. Shkonte deri në një farë vendi dhe kthehej, qëndronte në këmbë pranë burrave, herë me pamjen e fëmijës  së kënaqur, që lodron e rritet nën syrin e kujdesshëm   të prindit, herë si plak i urtë  që ja di kuptimin gjithçkaje, dhe largohej ngadalë për t`i lënë burrat t`i zbërthenin vetë enigmat, për të cilat filozofonin. Kështu, deri afër mesnatës. Xhaxha Jani jetonte në Amerikë dhe prej një muaji e gjysëm ishte me pushime në fshat. Me babin ishin kushërinj dhe moshatarë. Në fëmijërinë e largët vetëm gjumi i ndante. Pothuajse po bënin të njëjtën gjë, por vetëm mbrëmjeve, pasi babi çlirohej nga punët e shumta dhe xhaxha Jani nga axhenda e ngjeshur e turistit. Mes bisedave pa fund kujtonin njerëz, ngjarje, çmalleshin. Kundronin botën që nanurisej në ëndërrime. Një hënë e stërmadhe prej qiellit blu ormisur me yje, lëshonte një dritë të jashtëzakonshme.Të shkoje fillin në gjilpërë. Kushedi shiheshin a s`shiheshin më. Të nesërmen, d.m.th., këtë mëngjes që babi po kërkonte Doriun, Xhaxha Jani kishte organizuar një drekë me gjith fshatarët, në formën e piknikut. Babi kishte siguruar drutë për të  pjekur mishrat, dhe duhej t`i shpinte me Doriun te vendi. Edhe vendin babi e kishtegjetur. Një zabel në mes të aheve të lartë, me një burim, si sy ujor që lotonte papushim, e loti shkonte e fshihej mes barit e luleve të egra.

-Sa kalë i bukur- se përmbante admirimin xhaxha Jani, kur Doriu vinte e ju qëndronte  pranë. Dhe babi s`e fshihte ngazëllimin.

-Po, o Jani! Sikur ma dha Zoti si melhem. I tregoi kushëririt, për çkishte hequr me Verkën dhe me pas me nje kalë tjetër, Kuqon. E pagëzoi Verkë, se në diell, qimja i  merrte reflekset e një  vere të kuqëremtë, të errët.  I lëshonin patkonjtë xixa, ishte shpuzë, zjarr si verë e vjetër. Ju shpif, një si kërpudhë mbi thundrën e njërës këmbë dhe me shpejtësi ju përhap në të dyja këmbët e prapme. S`la ilaç, bar e mjet pa përdorur, deri në torturë për Verkën dhe për shpirtin e tij, por Verka iku. I preu  krahët.  Pas saj, Kuqo. Ishte goxha kalë, por se si filloi të gjunjëzohej, megjithse s`e ngarkonte shumë, deri sa një mëngjes s`mundi të ngrihej. Çfarë s`bëri dhe për Kuqon. Shpresoi deri te fryma e fundit e tij. Mendonte, se ditën e Ujit të Bekuar, Kuqoja do shkonte vetë, të pinte ujë në krua. Por… dhe Kuqoja iku duke i lënë një hidhërim të parrëfyer.

-Do t`dërgoj një komplet, shalë e yzengji, për Doriun- I tha xhaxha Jani, kur u ndanë afër mesnatës.

E ndolli. U bë i tëri vesh. Heshtje. Korija shpërndante  duhma- duhma ajrin e freskët të lagësht të mëngjesit dhe ushtonte nga cicërimat. Fërshëlleu dhe priti i tendosur hingëllimën. Ju përgjigj ajo, që s`do donte ta dëgjonte në atë çast. Ku-ku-ja qyqes. ’’Plaç të preftë”, shau nëpër dhëmbë dhe  shqetësimi i mëngjesit tretur hullive të largta të qënies, erdh e ju mblodh makth  në grykë. Liroi dy kopsa të këmishës.

Në terren të thyer malor, befasia të çfaqet pas çdo hapi. Sapo kaloi shkëmbin që pengonte pamjen, sytë ju përgjakën nga dhimbja. Doriu përdhe, mihte dheun me këmbët e para dhe s`ngrihej dot.  Një shkulm ere e shtyu babin nga mbrapa, a se si i përshkoi ato pak metra që e ndanin nga Doriu, s`mbante mënd. ’’Çohu,Dori,hajt,vëlla”, dhe gati ju fut nën gjoks  kalit ta ngrinte mbi shpinë. Doriu shkrofëtinte , gulçonte  e shkumbëzonte, por vithet qëndronin platitur pas dheut. Babi ngriti kokën, pa greminën të mbjellë me shkëmbinj me maja të thikta, dhe në çast përfytyroi gjithçka.  Dhimbja çau kraharorin e burrit e klithi ‘’Oooooh, Dori bir, o Dori”,e u përcoll jehonë shpat më shpat. Një tufë zogjsh rrahën flatrat të trembur. Dhe më pas asgjë. As malet s`lëvizën, as lumi s`e ndali rrjedhën, dhe dielli i pacipë ndriçonte sikur të mos kishte ndodhur asgjë. Vetëm ata të dy, fati i kishte goditur për vdekje, tinëzisht . Me kokën e Doriut në prehër, babi u rrudh u mpak. Lotët s`i mbajti. Vajtoi mbi kokën e tij, për kokën e tij, për Verkën, për Kuqon. Pa brënda kraharorit,  zemrën të shkalafitur, përgjakur,  hapur si hon që përpinte miqtë e tij , atë vetë. Sa qëndroi ashtu? Kishte humbur sensin e kohës. Dikur u kujtua. Dhimbja ishte vetëm e tij e askujt tjetër. Madje për të tjerët kishte festë. Dhe ai kishte bërë një premtim. ’’Ngrehu Dori, ngrehu se kemi punë”. Kali fisnik ndjeu zërin e përvajshëm të të zot e gulçoi pa mundur të bënte tjetër gjë. Ngadalë babi lëshoi kokën e Doriut përdhe. La torbën e tagjisë afër Doriut dhe e ngjiti kodrinën me peshën e maleve mbi supe. Barrën e druve të holla e të thata, se ndjeu fare. E disafishtë ishtë pesha e dhimbjes. Një xixëllonjë  shprese, e ushqyer nga dëshira regëtinte, e cyste të kthehej sa më shpejt. Sikur Doriu të ngrihej s`do ta ngarkonte kurrë më. Të gjitha do t`i bënte vetë. Do ta mbante si kalë mbreti vetëm me shalën që do t`i dërgonte kushëriri nga Amerika. Kaloi mes ahishtës si era, për të dolë mbi kodër, ku vështrimin s`e pengonte gjë. Atje tutje, në rrugë, ku kishte lënë  Doriun të shkumbëzuar nga dhimbjet, s`dukej asgjë. O Zot! Shpateve e luginës së lumit, ku s`ishte shuar ende klithja e dhimbjes, ngarendën thirrje të gëzuara. Oh Fat i pashpirt, mizor që luan me njeriun! Më vonë, dhimbjen, do ta përkufizonte me thënien filozofike të pakundërshtueshme nga asnjë filozofi tjetër.  ‘’I ra drurit dhe u nda, I ra gurit dhe u ça, I ra njeriut dhe e mbajti” Krijesa fisnike në përpjekje për të ndjekur të zotin, duke duruar dhimbje të llahtarshme, kishte gërryer dheun e ishte rrokullisur dhe tre, katër metra rrëpirrës dhe kishte bllokuar  rrjedhën e lumit. Ai trup i bukur elegant  kishte krijuar një pellg. Me ç`mundi babi i hapi ujit një shteg.

        Hyri në portën e oborrit  supevarur, kokëulur,sikur mbante brenda vets një lëngatë, e  ul  mbi plloçat e oborrit. Mamaja ju afrua e lemerisur. Babi vetëm pëshpëriti, ‘’Doriu”

-Ku!? Si!? Çfarë!?

-Na la!

Nga intesiteti i vajit të mamasë dhe qëndrimit të ngrirë të babit, unë  më e vogla e familjes, kanakarja e babit,kuptova se kishte ndodhur një gjë e keqe, më e keqe se atëhere kur vdiq gjyshja dhe mamaja hodhi mbi flokë një shami të zezë. Madje shumë e keqe se babi  as i preku doçkat e mija që u lidhën kurorë qafës, as e pëshpëriti emrin tim duke i shtuar prapashtesën ‘ ..dkë’.  Kjo ishte një gjë shumë e keqe dhe unë rrëshkita nën sqetullën e tij dhe lëshova rrëketë e lotëve në duart e babushit.  U shkrehëm të gjithë në vaj. Pastaj na mblodhi rreth vetes. Vëllain e urdhëroi  t`ju priste udhën njerëzve që do kalonin andej, për të vajtur në piknik, duke i gënjyer se ka rënë një avlli dhe gurët kanë zënë udhën. Mamaja tha mes ngashërimave:

-Jo, unë s`jam për piknik!

-Mirë, - tha babi - do vete një copë herë unë, me çupën.

-Merr dhe kazmën dhe lopatën - i tha vëllait – dhe do takohemi atje.

 Afër lumit babi m`a lëshoi dorën dhe më tha:

-Rri këtu!

Si duket mendonte se unë isha tepër e vogël për të parë Doriun në atë gjendje. Unë ja  bërtheva sytë Doriut dhe çapitesha instiktivisht. Gur më gur kalova rrjedhën e cekët të lumit dhe i dola te koka. Babi më pa me bisht të syrit, ndoshta i çuditur ku e gjeta guximin, unë që s`shihja dot pa u përlotur, as një flutur krahëkëputur, por s`më ndaloi. Doriu s`bënte as një lëvizje, vetëm merrte frymë me zor dhe sytë i kishte të çakarritur dhe të përlotur. Babi rrinte shtangur pa bërë gjë. Për herë të parë kuptova që në botë ndodhnin edhe  gjëra që babi s`mund t`ju a ndryshonte rrjedhën. Një mizë në cep  thithte lotin e Doriut. Gjithmonë kisha parë miza bezdisëse, që ai i fshikullonte me bisht. Ato çaste i isha mirënjohëse asaj që bënte pak për t`a lehtësur Doriun,  kurse unë dhe babi, vetëm e shihnim me dhimbje. Afrova dorën dhe e lëmova midis syve. Babi u çudit. Si nuk qava!? As tani se di.

Sapo kishim filluar të përpjetën e kodrinës, babi pa një officer.

-Prit këtu- më tha dhe i bëri zë. Diç folën me zë të ulët.

Kur  gjendëm në  krye të kodrinës, dëgjuam një krismë të thatë. Shpatet e përcollën si top pingpongu. Babi lëshoi një psherëtimë lehtësuese:

-Ulemi pak , se u lodhëm! Dhe nisi të dredhë një cigare. Duart  dridheshin, letra e hollë fërgëllonte e duhani  shpërndahej. E la fare dhe më tha:

-Atje nuk do qajmë, mirë?

-Ëhë -,ja bëra unë.

Babi e dinte, se po të mos formuloja fjalë,  lotët i kisha në grykë.

-Le t`i derdhim lotët këtu!

Aq doja unë. Mbështeta kokën mbi gjurin e tij dhe u shkreha. Babi më lëmonte flokët dhe psherëtinte.

Udhishtës mes aheve më shtrëgoi doçkën që kishte humbur mes pëllëmbës së ashpër.

-Atje s`do themi gjë, dhe nuk do qajmë, se sot është festë dhe në festë nuk qahet, por  këndohet!

-Po mua s`më këndohet!

-Mos këndo, po dhe mos qaj, mirë!?

-Mirë , babi!

Babi humbi mes të tjerëve, ndërsa mua më rrethuan shoqet. Çurisnin si gardalina, duke më treguar lulet e egra, fluturat e zhuzhakët e kadifejtë, që kishin kapur. Njëra tha se, mezi më kishin pritur, që të këndonim. Unë  u ktheva shpinën  dhe mërmërita duke mbajtur lotët me zor:

 - S`më këndohet !

 Shoqet që mezi ç`prisnin të këndonin, më dolën përpara.

-Po pse?.... Po, pse qan?- pyetën.

-Na ka vdekur Doriu, – i dhashë udhë lotëve

Fjala ‘’vdekje’’ i mblodhi të lemerisura rreth meje dhe lotët tona i mori uji burimit. Babi, siç do tregonte më vonë, se dha veten deri sa grupi që këndonte, filloi një këngë që bënte fjalë për një kalë të bardhë që vraponte nëpër savanë, vraponte dhe s`kapej… E pashë që po largohej, si pa rënë në sy dhe vrapova e struka doçkën, si dallëndyshja  e lagur nga shiu në çerdhen e ngrohtë. Tatëpjetë kodrës, zhytur në mendime e dhembje s`vumë re, se pas nesh, njerëzit ishin varur kodrës grupe- grupe e qarkuan vendin, ku Doriu dergjej pa jetë.  Unë me shoqet qëndronim si një tufë shqerkash të trembura mbi një sop dhe shihnim të heshtura dhe të përlotura.  Mbi dheun e freskët, që nxinte si një lule mavi në lëndinën me bar buzë lumit, vunë samarin e thyer. Vëllai na erdhi pranë.  ‘’Rrini këtu juve se jeni të vogla”, na tha. Ishte nja tre vite me i madh se unë. I mblodhi në një tufë të vetme të gjitha lulet që kishin shoqet e mija dhe rendi e i vuri atje, ku duhej të ishte koka e Doriut. Babi gjatë gjithë kohës qëndronte në këmbë, kokëulur.   Pastaj të gjithë e përshëndoshën babin dhe villain, që i rrinte në krah, si burrë i vogël.

Porta e oborrit ishte hapur. Brenda shtëpisë dëgjoheshin mërmërima grash, ndërsa në oborr burrat flisnin, pinin  cigare e kafe. Tymtari nxirrte tym si në mëngjes dhe aroma e mollëve ishte zëvendësuar nga ajo e kafes.

Kur muzgu ra në oborr ishte vetëm babi, xhaxha Jani dhe unë. S`i isha shkëputur babit asnjë çast. 

 –Do të ndihmoj të blesh një kalë tjetër- i tha xhaxha Jani

-Eh,faleminderit - ja bëri babi, kush iku, iku. Përgjithmonë.

Porta e oborrit ndenji hapur dhe disa ditë. Babi u bë i heshtur dhe netëve më hënë ulej nën degët e arrës  dhe njehsohej me drurë, gurë e gjithçka përreth. Të dy me mamanë i vinin rrotull shtëpisë, punëve të shumta dhe jetëve tona. Mamaja s`harronte të mblidhte fasulet  t`mos binin përdhe. Xhaxha Jani dërgoi mjaft dollarë, për të blerë një kalë tjetër të mirë, por litari i samarit dhe torba e tagjisë mbetën varur pas portës, si pikëllim i pangushëlluar. Një ditë pranvere, babi e hodhi litarin si lisharës mbi degën më të fortë të arrës së madhe, dhe unë me shoqet dhe dallëndyshet e sapokthyera, e mbushëm mëhallën me cicërima e hare.

 

***

Një ditë e acarrtë shkurti, me lot, dhimbje, dëborë e dhe përzier, na ndau nga babi, për të mos u parë kurrë më. Po atë natë, babi zbriti në ëndrrën time, i qeshur, i qetë, për të jetuar së bashku në një realitet tjetër, përtej jetës e vdekjes. Një realitet kujtimesh, imazhesh, deshifrimesh, vlerësimesh. Në këtë realitet suprem kuptova se, atë ditë gushti brënda babit kishte vdekur diçka. Ndaj babi s`bleu kurrë më një kalë. Kishte frikë nga humbje të tjera, nga vdekje të tjera. Megjithatë, vdekje pas vdekje, mbërriti ajo ditë e borëruar shkurti.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora