E premte, 19.04.2024, 09:03 AM (GMT+1)

Kulturë

Besim Muhadri: Tradita folklorike hasjane dhe roli i saj integrues

E shtune, 06.08.2011, 08:02 PM


Tradita folklorike hasjane dhe roli i saj integrues

 

Nga Mr.sc. Besim Muhadri

 

“Gjithmonë Hasi e ka ruajt traditën

Ka dhanë bukën ka dhanë krypën....”

(Këngë popullore)

 

Këto vargje të një kënge popullore të shkruara e të kënduara nga rapsodë popullor hasjanë, i vura jorastësisht në krye të këtij shkrimi. I vura jo vetëm për të paraqitur epitetin e kësaj krahine si një krahinë tashmë të njohura me tradita të shquara atdhetarie, por edhe për të prezantuar një sintezë të rëndësishme të rolit dhe kontributit të Hasit në kultivimin dhe ruajtjen e  traditave të pastëra shqiptare gjatë të gjitha periudhave të historisë.

Pas ndarjes së tokave shqiptare dhe të vënies së kufijve në mënyrë të padrejtë nga ana e fuqive të mëdha, më 1913, krahina e Hasit, edhe pse një terësi etnike dhe kompakte kombëtare, mbeti e ndarë në dy pjesë, për t’u quajtur padrejtësisht tash e një shekull si Hasi i Shqipërisë dhe Hasi i Kosovës.

Por, pavarësisht viteve të shumta të ndarjes dhe të mungesës së një komunikimi të drejtpërdrejtë dhe më intensiv, të cilat lanë gjurmë të dukshme, megjithatë nga ana e popullsisë së kësaj krahine u arrit që të ruhet pothuajse e paprekur tradita folklorike, zakonet, adetet, kënga etj.

Dhe Hasi, si vetë Shqipëria, ka historinë e vetë, e cila madhërisht integrohet në historinë e gjithëmbarshme kombëtare. Shekujt e rezistencës dhe të luftërave të vazhdueshme për liri dhe çlirim kombëtar ndodhën edhe në Has. Këta shekuj luftërash lanë gjurmët e veta që vërehen jo vetëm në vargjet e cituara më lartë, por edhe në faqet e historisë së gjithëmbarshme kombëtare, të cilat u përjetësuan përmes këngëve popullore, në mënyrë mjeft besnike.

Kënga dhe këngëtari ynë popullor me një mjeshtëri të rrallë prej artisti të lindur dhe me mjaft besnikëri ka arritur të paraqesë të vërtetën historike, por të paraqesë edhe rolin e Hasit në proceset e ndryshme të ndodhura gjatë historisë. Vargjet e thurura nga këngëtari ynë popullor:

 

“Rrite djem petrita, q’e nderun vatanin

Me pushkë e me penë nalt’ ta ngritën zanin''

 

në mënyrë mjaftë koncize tregojnë se si edhe Hasi dhe djemtë e tij të devotshëm në njërën dorë mbajtën pushkën, ndërsa në tjetrën penën, vetëm e vetëm që kjo tokë një ditë të shihte dritën e lirisë.

Jemi në shekullin XVII, kur në horizontin kombëtar del i madhi hajsjan dhe atdhetar,  shkencëtar dhe gurëthemel i prozës së mirëfilltë shqipe, imzot Pjetër Bogdani, i cili krahas penës, s’e lëshoi nga dora as pushkën. Për rolin dhe kontributin e këtij kolosi, dhënë në fushën e dijes, kulturës dhe të luftës për liri, me mjaft pasion dhe madhështi kënge këndoi këngëtari ynë popullor. Vargu e këngës kushtuar kësaj figure të shquar të Hasit dhe kombit në përgjithësi, janë vargje që paraqesin respektin dhe përkujdesin e popullit ndaj figurave të shquara të historisë si dhe ruajtjen e krenarisë dhe dashurisë për këto figura, që lanë gjurmë lavdie e historie.

Ndërkaq vargjet:

 

”Luftë e madhe shtatë sahat

Sa na u mush drumi me gjak”

 

të një kënge me motive nga Hasi, janë vargje që të kujtojnë një luftë të pabarabartë dhe të tmerrshme të zhvilluar në këtë krahinë në fillim të shekullit XX, e  cila na kujton luftë e Kaçanikut të zhvilluar më 1910.  Ky heroizëm e këto luftëra të parreshtura të popullit hasjan, janë një pasqyrë treguese e përpjekjeve të vazhdueshme të këtij populli për të dhënë kontributin e tij në çdo kohë në zgjidhjen e  çështjes sonë kombëtare nëpër shekuj.

 

Hasi si një terësi të pandarë etnike, etnografike dhe foklorike

 

Dhe kënga popullore, si përcjellëse mjaft besnike e këtyre ngjarjeve, vazhdimisht ka luajtur e do të luajë rolin e vet të pamohueshëm, qoftë në paraqitjen e një realiteti, qoftë edhe në ruajtjen e shpirtit liridashës te masat e përgjithshme popullore, në situata më të ndieshme të historisë. Kënga, si një segment i rëndësishëm i kulturës shpirtërore të një populli, ka luajtur dhe padyshim vazhdon të luajë rol të veçantë edhe në integrimin shpirtëror ndërshqiptar, në këtë rast ndërhasjan si pjesë e pandarë e trungut të lashtë të shqipes. Se kjo është kështu, këtë më së miri e tregojnë vargjet e  të gjitha këngëve që burimin e kanë në Has. Po t’i shohim dhe t’i analizojmë një nga një ato, asnjëra prej tyre askund nuk e përmend elementin ndarës, siç është emërtimi Hasi i Kosovës apo Hasi i Shqipërisë, që sot fatkesësisht përdoret në gjuhën e poloitikës dhe të dministratës. Përkundrazi, në të gjitha këto këngë (të vjetra e të reja), këndohet për Hasin si një terësi të pandarë etnike, etnografike dhe foklorike. Kjo është një parametër i rëndësishëm që tregon se elementi integrues në këtë krahinë është ruajtur dhe vazhdon të ruhet jo vetëm në këngë, por edhe në rite të tjera folklorike. Dhe kjo është një meritë e hasjanëve si pjesë e vetëdijes gjithmonë të zgjuar kombëtare.

Prandaj, kënga popullore dhe folklori në përgjithësi i krahinës së Hasit padyshim se ka luajtur, po luan dhe do të luajë rol të rëndësisëshëm integrues edhe në raportet e gjithëmbarshme kombëtare.  Këtë e tregojnë më së miri pjesëmarrja e grupeve folklorike të Hasit si një tërësi edhe në festivalin kombëtar të foklorit në Gjirokastër, pastaj në festivalin “Hasi jehon”, në Gjonaj, në atë të Krumës e shumë manifestime të tjera kulturore që në periudhën e pasluftës së Kosovës janë mbajtur në Has.



(Vota: 3 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora