Kulturë » Berisha
Sejdi Berisha: Cikël poezish - Kështu përcëllon kënga
E premte, 05.08.2011, 06:58 PM
Sejdi BERISHA
CIKËL POEZISH: KËSHTU PËRCËLLON KËNGA
NË PIKËLLIMINTIM...
Ku do ta hasesh buzëqeshjen e barit
Lotin e vesës mëngjesore
Dhembjen e pritjeve
Lodhjet e ecjeve
Ku tjetër
Përveçse në pikëllimin tim
Do ta gjeni
Zjarrin e kafshuar me dhemb
Dritën e molisur
Si durimin humbur
Por ndoshta
Vrapi i allçit të bardhë
Do ta zgjojë nga gjumi
Rexhën e vdekur n’grazhd të kalit
Kulla do t’i kërkoj themelet e saj
Në ndrydhjen e duarve
Në krenarinë
Që rri te oxhaku i fikur
Pa zjarr
NDOSHTA NJERËZORE...
Interesant
Kur ndodhesh në fund të bunarit
Askush bile nuk të telefonon
Askujt nuk i nevojitesh
Ndoshta atje
Nuk ka valë apo qasje
Ndoshta nuk ka lidhje...
Një dritë
Si ftesë njerëzore
Thyen rrezet e diellit
Në kovën me ujë në fund bunari
Gjersa
Edhe lartë edhe poshtë
Bie shi...
GJURMËT SI DIGJESHIN
Sot
Jam zgjuar herët
Shumë herët
Dhe
I pashë gjurmët si digjeshin
Në gjumin e rëndë
Sot
Vërejta dhelprën
Aq dinake ishte koha
Të gërryen e të ledhaton
Sot jam zgjuar herët
Ndoshta
Gjumi ishte lodhur me mua
Sot
Shumë herët jam zgjuar
E çdo gjë ka marrë pezëm
S’ke kah t’ia mbash
Pos rrugën ta ledhatosh
KËSHTU PËRCËLLON KËNGA
O, shpirti im
Më shpëto nga këto përmbytje
Më sjell në fillimin e shikimit
O, syri im
Më shpëto nga shikimi pa ngjyra
Ma kthe madhështinë
E aromës së trëndafilit
O, veshi im
Kthema melodinë e këngës me lot
Se kënga kështu përcëllon
O, fjala ime
A kam gabuar ndonjëherë
A ka ndodhur të të kam lënduar
O, gjuha ime
Mos ma freno shprehjen
Mendimin mos ma cungo
Ndoshta as kështu
Nuk do ta has lumturinë
Dhe sërish do të kërkoj
Të gjitha t’i ndryshoj
Por
Sido që të jetë
Unë kam etje
Etje dhe vetëm etje
Në këtë shkretëtirë
Plotë lule e gjelbërim
Me gjemba rrethuar...
Të tillë më balsamos
O, gjuha ime
Por trupin mos ma shndërro
Në ngjyrë dylli
Se syri i vashës
Në krua loti
Do të shndërrohet